Përdorimi i Emrit të Zotit kot!
Nga A. W. Pink
“Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.” Eksodi 20:7
Urdhërimi i dytë ka të bëjë me mënyrën se si Perëndia duhet të adhurohet (domethënë, sipas vullnetit të Tij të zbuluar). Tani, ky urdhërim i tretë na urdhëron ta adhurojmë Atë me atë qëndrim zemre, që përkon me dinjitetin dhe solemnitetin e një ushtrimi të tillë dhe madhështinë e Atij me të cilin kemi të bëjmë. Domethënë, me sinqeritetin, përulësinë dhe nderimin më të madh. “Duke pasur frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, Zoti, Perëndia yt,” (Ligji i Përtërirë 28:58).
Oh, çfarë mendimesh të larta duhet të kemi për një Qenie të tillë! Me çfarë frike të shenjtë duhet të qëndrojmë para Tij! Çdo gjë që ka të bëjë me Perëndinë, duhet të flitet me maturinë më të madhe.
Kalvini ka thënë:
“Qëllimi i këtij urdhërimi është që Zoti dëshiron që madhështia e emrit të Tij të mbahet prej nesh si e shenjtë dhe e paprekshme. Çfarëdo gjëje që mendojmë dhe çfarëdo gjëje që themi për Të, duhet të jetë në përputhje me përsosmërinë e Tij, të korrespondojë me sublimitetin e shenjtë të emrit të Tij dhe të synojë lartësimin e madhështisë së Tij”
Fillimisht, le të përpiqemi të shpjegojmë qëllimin dhe gjithëpërfshirjen e këtij urdhërimi.
Me EMRIN e Zotit, Perëndisë tonë, nënkuptohet vetë Perëndia, ashtu si Ai na është bërë i njohur, duke përfshirë gjithçka përmes së cilës Ai ka dashur të zbulojë veten e Tij: Fjalën e Tij, titujt e Tij, atributet e Tij, urdhërimet e Tij, veprat e Tij. Emri i Perëndisë qëndron për vetë natyrën dhe qënien e Tij, siç shihet te Psalmi 20:1; 135:3; Gjoni 1:12, etj. Ndonjëherë, Emri i Perëndisë merret për të përfaqësuar të gjithë sistemin e së vërtetës hyjnore: “Ne do të ecim në Emrin e Zotit, Perëndisë tonë” (Mikea 4:5.) Që do të thotë, në atë rrugë të së Vërtetës dhe adhurimit që Ai ka caktuar. “Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota.” (Gjoni 17:6.) Që do të thotë, unë i kam mësuar ata në doktrinën Hyjnore.
Por zakonisht dhe më specifikisht, Emri i Zotit i referohet asaj me anë të së cilës Ai thirret dhe na është bërë i njohur. Të “përdorësh Emrin e Tij” do të thotë të përdorësh Emrin, si objektin e mendimeve tona ose subjektin e fjalëve tona. Të mos e përdorësh Emrin e Tij “kot” është mënyra negative për të thënë se, ai duhet të mbahet me nderimin më të madh dhe të përdoret në mënyrë të shenjtë në mendime, fjalë dhe vepra.
Ne shohim që ky Urdhërim na kërkon të përmendim Emrin e Perëndisë. Meqenëse Ai na ka dhënë kaq shumë zbulime të mëdha dhe të mrekullueshme për Veten e Tij, do të ishte përbuzja më e ulët e privilegjeve më të mëdha, nëse nuk do t’i kushtonim asnjë vëmendje këtyre zbulimeve dhe nuk do t’i përdornim ato. Ata që nuk bëjnë asnjë pohim fetar dhe nuk dëshirojnë të mësohen për ato gjëra që kanë të bëjnë me lavdinë Hyjnore, janë fajtorë për përbuzjen e të Plotëfuqishmit. Por ne e përdorim Emrin e Perëndisë në adhurimin publik, në lutjen private dhe kur bëjmë betime fetare ose zotime solemne.
Kur i afrohemi Perëndisë në lutje, ne duhet të adhurojmë përsosmëritë hyjnore me një përulësi të duhur, ashtu si bënë Abrahami (Zanafilla 18:27), Jakobi (Zanafilla 32:10), Moisiu (Eksodi 15:11), Solomoni (1 Mbretërve 8:33), Ezekia (2 Mbretërve 9:25), Danieli (Danieli 9:4), banorët e qiellit (Zbulesa 4:10, 11).
Ky urdhërim ndalon:
- të gjitha mendimet mosrespektuese për Perëndinë,
- çdo përmendje të pavend, të lehtë, të papastër ose blasfemuese për Të,
- çdo përdorim të pandershëm të Fjalës së Tij,
- çdo ankesë kundër Provanisë së Tij,
- çdo keqpërdorim të çfarëdo gjëje përmes së cilës Ai është zbuluar.
Le të tregojmë tani, në mënyrë specifike, disa nga mënyrat në të cilat Emri i Perëndisë mund të përdoret kot.
Së pari, kur përdoret pa qëllim të duhur. Ka vetëm dy qëllime që mund të justifikojnë përdorimin e cilitdo prej emrave, titujve ose atributeve të Tij: Lavdia e Tij dhe ndërtimin e vetes sonë dhe të të tjerëve. Çdo gjë përveç këtyre është e kotë dhe e ligë, që nuk ka asnjë bazë të mjaftueshme për të përmendur një Emër kaq të madh dhe të shenjtë, i cili është plot lavdi dhe madhështi.
Nëse fjalët tona nuk janë të drejtuara qëllimisht për të lartësuar lavdinë Hyjnore ose për dobinë e atyre me të cilët flasim, nuk jemi të justifikuar të marrim në buzët tona Emrin e pafund të Zotit. Ai e konsideron veten shumë të fyer kur përmendim emrin e Tij për qëllime të kota.
Emri i Perëndisë përdoret kot kur e përdorim atë pa konsideratë dhe respekt të duhur. Sa herë që e përmendim Atë, para të cilit serafinët mbulojnë fytyrat e tyre, duhet të mendojmë seriozisht dhe solemnisht për madhështinë dhe lavdinë e Tij të pafund, dhe t’i përkulim zemrat tona në nderimin më të thellë para atij Emri. Ata që mendojnë dhe flasin për Perëndinë e madh në mënyrë të rastësishme dhe të papërgjegjshme, si mund ta përdorin ata Emrin e Tij me respekt, kur gjithë biseda tjetër e tyre është e mbushur me kotësi dhe fjalë pa vlerë? Emri i Perëndisë nuk është për t’u luajtur dhe për t’u hedhur sa andej-këtej nga çdo gjuhë moskokëcarëse.
O lexuesi im, krijo zakonin të mendosh me solemnitet se Emri i kujt është ai që po përmend, se është Emri i Atij që është i pranishëm me ty, që të dëgjon kur e shqipton, që është xheloz për nderin e Tij dhe që do të hakmerret tmerrësisht ndaj atyre që e përbuzin Atë!
Emri i Perëndisë përdoret kot kur e përdorim atë në mënyrë hipokrite, kur pretendojmë se jemi populli i Tij dhe ne nuk jemi. Izraeli i lashtë ishte fajtor për këtë mëkat: “Dëgjoni këtë, o shtëpi e Jakobit, ju që ju thërrasin me emrin e Izraelit dhe që keni dalë nga burimet e Judës, ju që betoheni për emrin e Zotit dhe që përmendni Perëndinë e Izraelit, por jo me të vërtetë dhe me drejtësi.” (Isaia 48:1). Ata e përdorën Emrin e Perëndisë, por nuk i bindeshin zbulesës që përmbante ai Emër, dhe kështu e shkelën këtë Urdhërim të Tretë. Krahaso Mateun 7:22-23.
Kur përdorim Emrin e Perëndisë, ne duhet ta bëjmë atë në një mënyrë që është e vërtetë për kuptimin dhe implikimet e tij, përndryshe Ai na thotë: “Pse më thërrisni: Zot, Zot, dhe nuk bëni ato që u them?” (Luka 6:46).
Në të njëjtën mënyrë, ne jemi fajtor për këtë mëkat të tmerrshëm kur i kryejmë detyrat e shenjta në mënyrë të shkujdesur dhe në mënyrë mekanike, pa përfshirë dëshirat tona në to. Lutja pa praktikën është blasfemi; dhe të flasësh me Zotin me buzë, ndërsa zemra jonë është larg Tij, është vetëm një tallje me Të dhe një rritje e dënimit tonë.
Emri i Perëndisë përdoret kot kur betohemi në mënyrë të shkujdesshme dhe me mosrespekt, duke e përdorur Emrin e Perëndisë me aq pak respekt sa do të tregonim ndaj atij të një njeriu, ose kur betohemi rrejshëm dhe jemi fajtorë për dëshmi të rreme. Kur jemi të vendosur nën betim dhe dëshmojmë se diçka është e vërtetë, ndërsa nuk e dimë nëse është e vërtetë, ose dimë që është e rreme, jemi fajtorë për një nga mëkatet më të mëdha që një njeri mund të kryejë, sepse ne solemnisht kemi thirrur Perëndinë e madh për të dëshmuar atë që ati i gënjeshtrave na ka nxitur të themi! “ai që do të betohet në vend do të betohet për Perëndinë e së vërtetës” (Isaia 65:16), prandaj është detyrë e tij të mendojë mirë nëse ajo që dëshmon është e vërtetë apo jo. Fatkeqësisht, betimet e rreme janë bërë aq të shumta mes nesh dhe në përgjithësi aq të shpërfillura, saqë poshtërsia e këtij mëkati pothuajse nuk konsiderohet fare.
“Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti”.” Zakaria 8:17
Çfarë mund të thuhet për atë turmë të madhe blasfemuesish që ndotin gjuhën tonë dhe plagosin veshët tanë me një përzierje të ndyrë mallkimesh dhe blasfemish në bisedat e tyre të zakonshme? “Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi;” (Romakëve 3:13-14). Tërësisht e pavlerë është pretendimi i tyre se nuk kanë asnjë qëllim të keq. Tërësisht e pavlerë është justifikimi i tyre se të gjithë shokët e tyre bëjnë të njëjtën gjë. Tërësisht e pavlerë është pretendimi i tyre se e bëjnë vetëm për të shfryrë ndjenjat e tyre. Çfarë marrëzie është kur njerëzit ju zemërojnë, të godasin kundër Perëndisë dhe ta provokojnë Atë shumë më tepër se sa mund t’ju provokojnë të tjerët!
Edhe pse të tjerët nuk i qortojnë, policia nuk i arreston, ose gjykatësi nuk i dënon, Zoti nuk do ta mbajë të pafajshëm atë që përdor Emrin e Tij kot.
Perëndia është tmerrësisht i zemëruar nga ky mëkat, dhe me përhapjen e zakonshme të këtij krimi që fyen Qiellin kombi ynë ka grumbulluar një faj të tmerrshëm.
Është bërë pothuajse e pamundur të ecësh nëpër rrugë ose të jesh në shoqëri të përzier, pa dëgjuar Emrin e shenjtë të Perëndisë të trajtohet me përbuzje blasfemuese. Romanet bashkëkohore, teatrot dhe madje edhe radioja janë fajtorë të mëdhenj! Pa dyshim, ky është një nga mëkatet e frikshme kundër Vetë Tij, për të cilat Perëndia po derdh tani gjykimet e Tij mbi ne. Në të kaluarën, Ai i tha Izraelit: “Për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë…” (Jeremia 23:10). Ai është ende i njëjti: “Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij.” Një ndëshkim i rëndë do të jetë pjesa e tij, nëse jo gjatë jetës së tij, atëherë me siguri, në përjetësi, në jetën që do të vijë!