Perëndishmëria Praktike
Arthur W. Pink (1886–1952)
Teolog, pastor dhe autor anglez i njohur për teologjinë e tij të patundur kalviniste dhe përkushtimin e thellë ndaj autoritetit të Shkrimeve.
“BËHUNI BËRËS të Fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.” (Jakobi 1:22)
Është një bekim i madh për të cilin duhet të jemi thellësisht falenderues kur Fryma e Shenjtë ndriçon mendjen e njeriut, shpërndan errësirën e gabimeve dhe e vendos atë fort në të Vërtetën. Por kjo është vetëm fillimi. Shkrimet e Shenjta janë të “dobishme” jo vetëm për “doktrinë”, por edhe për “qortim, për ndreqje, për mësim në drejtësi” (2 Timoteut 3:16). Vëre mirë renditjen këtu. Përpara se të jemi gati të mësohemi “në drejtësi” (në të bërit drejt), ka shumë gjëra në jetën tonë që Perëndia i “qorton” dhe që ne duhet t’i “ndreqim.” Kjo është e nevojshme sepse përpara kthimit në besim, gjithçka në jetën tonë ishte e gabuar! Gjithçka që bënim, e bënim për kënaqësinë e vetes, pa asnjë mendim ose shqetësim për nderin dhe lavdinë e Perëndisë. Prandaj, nevoja e parë madhore dhe detyra parësore e çdo të kthyeri të ri në besim nuk është të studiojë tipet e Dhiatës së Vjetër, apo të lodhë mendjen me profecitë, por të kërkojë me zell Shkrimet për të zbuluar se çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen Perëndisë, çfarë Ai ndalon dhe çfarë Ai urdhëron.
Nëse ti vërtet je kthyer në besim, atëherë shqetësimi yt i parë duhet të jetë të formëzosh të gjitha detajet e jetës sate—në shtëpi, në kishë, në botë—në mënyrë që t’i pëlqesh Perëndisë. Dhe për ta realizuar këtë në praktikë, renditja është: “Hiqni dorë nga e keqja; mësoni të bëni mirë” (Isaia 1:16-17); “Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën” (Psalmi 34:14; krahaso edhe me 37:27). Duhet një rrëzim përpara se të ketë ndërtim (Predikuesi 3:3). Duhet të ketë një zbrazje të vetes përpara se të vijë mbushja nga Fryma. Duhet një çmësim përpara se të ketë mësim të vërtetë. Dhe duhet të ketë një urrejtje ndaj së “keqes” përpara se të ketë një dashuri për të “mirën” (Amosi 5:15; Romakëve 12:9).
Tani, aq sa i krishteri i ri përdor Shkrimet e Shenjta në mënyrë praktike—duke rregulluar mendimet, dëshirat dhe veprimet e tij sipas paralajmërimeve dhe inkurajimeve të tyre, ndalesave dhe urdhëresave të tyre—aq edhe do të përcaktohet në masë të madhe edhe niveli në të cilin ai do të gëzojë bekimin e Perëndisë në jetën e tij. Si Sundimtari moral i botës, Perëndia vë re sjelljen tonë dhe herët apo vonë shfaq pakënaqësinë e Tij ndaj mëkateve tona dhe aprovimin e Tij për një ecje të drejtë, duke dhënë atë masë begatie që është më e mira për të mirën tonë dhe për lavdinë e Tij. Në ruajtjen e urdhërimeve të Tij “ka shpërblim të madh” (Psalmi 19:11) që në këtë jetë (1 Timoteut 4:8). Oh, sa shumë bekime të përkohëshme dhe shpirtërore humbasin shumica e të krishterëve për shkak të një sjelljeje të pakujdesshme dhe mosbindëse që kanë. Shih Isaian 48:18. Ai thotë: “Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.”
Gjëja tragjike është se, në vend që një i krishterë i ri të studiojë me zell Fjalën e Perëndisë për të zbuluar të gjitha hollësitë e vullnetit hyjnor për jetën e tij, ai bën pothuajse gjithçka tjetër. Shumë prej tyre angazhohen në “punë personale” ose në një formë shërbimi “të krishterë,” ndërkohë që vetë jeta e tyre është plot me gjëra që nuk i pëlqejnë Perëndisë! Prania e atyre gjërave të papëlqyeshme në jetën e tij pengon bekimet e Perëndisë mbi shpirtin, trupin dhe punët e përditshme të tij dhe për të duhet të thuhet: “mëkatet tuaja mbajnë larg jush begatinë.” (Jeremia 5:25). Fjala e Perëndisë për popullin e Tij është: “Punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje” (Filipianëve 2:12). Por, oh, sa pak ka prej kësaj “frike dhe dridhjeje” sot! Në vend të saj, ka vetë-vlerësim, vetë-besim, mburrje dhe siguri mishërore.
Ka edhe të tjerë që i përkushtohen me zell studimit të doktrinës, por, në përgjithësi, ata nuk kuptojnë se doktrina e Shkrimit nuk është një seri tezash intelektuale, por është “doktrina sipas perëndishmërisë” (1 Timoteut 6:3). “Doktrina” ose “mësimi” i Fjalës së Shenjtë të Perëndisë nuk është dhënë për të mbushur trurin tonë me njohuri, por për të rregulluar të gjitha hollësitë e jetës sonë të përditshme; dhe kjo me qëllim që “në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.” (Titit 2:10). Por kjo mund të realizohet vetëm me një lexim të vazhdueshëm të Fjalës me një qëllim të vetëm. Për të zbuluar çfarë ndalon Perëndia dhe çfarë urdhëron Ai; duke medituar shpesh mbi ato që kemi lexuar dhe duke u lutur me zjarr për hir hyjnor që të na ndihmojë të bindemi. Nëse i kthyeri i ri nuk formon që herët zakonin për të ecur në shtegun e bindjes praktike ndaj Perëndisë, atëherë ai nuk do ta ketë veshin e Perëndisë kur të lutet! Gjoni shpreh qartë një nga kushtet kryesore nëse duam që lutjet tona të pranohen dhe për të cilin duhet të kërkojmë vazhdimisht hirin e Perëndisë, : “Dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.” (1 Gjonit 3:22). Por nëse ne, në vend që t’i nënshtrohemi kërkesave të shenjta të Perëndisë, ndjekim prirjet tona, atëherë do të thuhet: “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.” (Isaia 59:2). Kjo është një e vërtetë tepër e rëndë dhe solemne. Oh, cfarë ndryshmimi është kur kemi ose nuk kemi qasje të vërtetë me Perëndinë!
Duke ndjekur një rrugë që kënaq veten, jo vetëm që i riu i krishterë i shndërron lutjet e tij në fjalë boshe, por ai sjell mbi veten edhe shkopin e ndëshkimit të Perëndisë dhe gjithçka në jetën e tij shkon keq. Kjo është një nga arsyet pse shumë të krishterë vuajnë po aq rëndë sa edhe njerëzit e botës. Perëndia nuk është i kënaqur me rrugët e tyre dhe nuk tregohet i fuqishëm në favorin e tyre (2 Kronikave 16:9). Në këtë lidhje, ne kemi kërkuar ta theksojmë më parë edhe zgjidhjen. Ajo kërkon përulje të sinqertë të zemrës përpara Zotit, hidhërim të shenjtë, pendim të vërtetë, rrëfim të hapur dhe pa kursim, vendim të fortë për të përmirësuar rrugët tona; dhe pastaj (e jo më parë) një besim i sinqertë në mëshirën e Perëndisë dhe një pritje e duruar që Ai do të bëjë mrekulli për ne, nëse tani ecim në shtegun e nënshtrimit të plotë ndaj Tij.