Udhëzuesi për Adhurimin Familjar

Adhurimi Familjar

Udhëzuesi për Adhurimin Familjar, Miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kishës së Skocisë, për Përkushtim dhe Unitet në Adhurimin e Fshehtë dhe Privat, dhe Ndërtimin e Ndërsjelltë.


ASAMBLEJA NË EDINBURG, 24 Gusht 1647, Ses. 10.

Përkthyer nga Covenanter

AKTI për Zbatimin e Udhëzimeve të ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME për Adhurimin e Fshehtë dhe Privat, dhe Ndërtimin e Ndërsjelltë, dhe për ndëshkimin e atyre që shpërfillin Adhurimin Familjar.

Asambleja e Përgjithshme, pas një shqyrtimi të matur, miraton rregullat dhe Udhëzimet në vijim për të nxitur përkushtimin dhe për të parandaluar ndarjet dhe përçarjet, dhe cakton që pastorët dhe pleqtë në çdo bashkësi të kenë kujdes të posaçëm që këto Udhëzime të zbatohen dhe të ndiqen. Po ashtu, që presbiterët dhe sinodet krahinore të hetojnë dhe të shqyrtojnë nëse këto Udhëzime zbatohen rregullisht në juridiksionin e tyre, dhe të qortojnë apo ndëshkojnë (sipas natyrës së shkeljes) ata që gjenden të qortueshëm apo të ndëshkueshëm në këtë drejtim. Në mënyrë që këto Udhëzime, të mos bëhen të padobishme apo të pafrytshme ndër disa, për shkak të shpërfilljes së zakonshme të vetë detyrës thelbësore të Adhurimit Familjar, Asambleja më tej kërkon dhe cakton që pastorët dhe pleqtë të bëjnë kërkime dhe hetime të kujdesshme në bashkësitë që u janë besuar atyre, për të zbuluar nëse ka ndonjë familje që e shpërfill këtë detyrë të domosdoshme. Nëse ndonjë familje e tillë gjendet, kryefamiljari të qortohet fillimisht privatisht për të ndrequr gabimin. Në rast se ai vazhdon në shpërfillje, të qortohet rëndë dhe me dhimbje nga këshilli i bashkësisë. Pas këtij qortimi, nëse ai ende vazhdon të shpërfillë Adhurimin Familjar, për kokëfortësinë e tij në një shkelje të tillë, të përjashtohet nga pjesëmarrja në Darkën e Zotit, si i gjykuar me të drejtë i padenjë për të marrë pjesë në të, deri sa të pendohet.

UDHËZIMET E ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME

PËR ADHURIMIN E FSHEHTË DHE PRIVAT, DHE NDËRTIMIN E NDËRSJELLTË, PËR NXITJEN E PËRKUSHTIMIT, RUAJTJEN E UNITETIT, DHE SHMANGIEN E PËRÇARJES DHE NDARJES.

Përveç adhurimit publik në bashkësitë, që është i themeluar me mëshirë në këtë vend në pastërtinë më të madhe, është e përshtatshme dhe e nevojshme që të nxitet dhe të vendoset adhurimi i fshehtë veçmas i çdo individi, dhe adhurimi privat i familjeve, në mënyrë që, bashkë me reformimin kombëtar, të përparojë rrëfimi dhe fuqia e perëndishmërisë, si personale ashtu edhe ajo familjare.

I. Së pari, për adhurimin e fshehtë, është mëse e domosdoshme që secili, në mënyrë veçmas dhe për vete, t’i përkushtohet lutjes dhe meditimit, përfitimi i patreguar i të cilave është i njohur më së miri nga ata që ushtrohen në to më së shumti. Sepse në një mënyrë të veçantë, kjo është mënyra me anë të së cilës mbahet bashkësia me Perëndinë dhe fitohet përgatitja e duhur për të gjitha detyrat e tjera. Dhe për këtë arsye, nuk u takon vetëm pastorëve (brenda ngarkesave të tyre) të nxisin të gjitha kategoritë e njerëzve për ta kryer këtë detyrë në mëngjes dhe në mbrëmje dhe në raste të tjera, por gjithashtu është detyrë e kryefamiljarit të kujdeset që, vetë ai, dhe të gjithë ata nën përgjegjësinë e tij, të jenë të përditshëm në këtë detyrë.

II. Detyrat e zakonshme të përfshira në ushtrimin e devotshmërisë që duhet të bëhet në familje, kur mblidhen për këtë qëllim, janë këto: Së pari, lutje dhe lavdërime të kryera me një përqendrim të veçantë, si për gjendjen publike të kishës së Perëndisë dhe të mbretërisë, ashtu edhe për gjendjen aktuale të familjes dhe çdo anëtari të saj. Pastaj, leximi i Shkrimeve, me katekizim në një mënyrë të thjeshtë, që kuptimi i të thjeshtëve të ndihmohet për të përfituar më shumë nga urdhërimet publike dhe të bëhen më të aftë për të kuptuar Shkrimet kur ato lexohen, së bashku me biseda të perëndishme që synojnë ndërtimin e të gjithë anëtarëve në besimin më të shenjtë, dhe, për arsye të drejta, qortim dhe vërejtje nga ata që kanë autoritet në familje.

III. Meqenëse detyra dhe funksioni i shpjegimit të Shkrimeve të Shenjta është pjesë e thirrjes së shërbesës, të cilën askush (sado i aftë të jetë në të tjera drejtime) nuk duhet ta marrë përsipër në asnjë vend, veçse ai që është thirrur rregullisht për këtë nga Perëndia dhe nga kisha e Tij; po ashtu, në çdo familje ku ka ndonjë që di të lexojë, Shkrimet e Shenjta duhet të lexohen rregullisht përpara familjes dhe që të bëhet bisedë, dhe nëpërmjet asaj bisede të nxirret ndonjë dobi nga ajo që është lexuar dhe dëgjuar. Për shembull, nëse në pasazhin e lexuar qortohet ndonjë mëkat, kjo të shfrytëzohet për të nxitur të gjithë familjen të jetë e kujdesshme dhe vigjilente ndaj atij mëkati; ose nëse në atë pjesë të Shkrimit që është lexuar përmendet ndonjë gjykim, qoftë i paralajmëruar apo i ekzekutuar, të përdoret për të ngjallur frikë në gjithë familjen, që i njëjti gjykim apo më keq të mos bjerë mbi ta, nëse nuk ruhen prej mëkatit që e solli atë gjykim; dhe, në fund, nëse në pasazh kërkohet ndonjë detyrë, ose paraqitet ndonjë ngushëllim në formë premtimi, të përdoret  për të nxitur veten që ta kërkojnë Krishtin për fuqi për t’i ndihmuar që të zbatojnë detyrën e urdhëruar dhe të aplikojnë ngushëllimin e ofruar. Në të gjitha këto, kryefamiljari duhet të ketë rolin kryesor; dhe çdo anëtar i familjes mund të ngrejë ndonjë pyetje apo dyshim për t’u sqaruar.

IV. Kryefamiljari duhet të kujdeset që asnjë nga anëtarët e familjes të mos tërhiqet nga ndonjë pjesë e adhurimit familjar; dhe, meqë kryerja e rregullt e të gjitha pjesëve të adhurimit familjar i përket me të drejtë kryefamiljarit, pastori duhet të nxisë ata që janë përtacë, dhe të stërvisë ata që janë të dobët, që të bëhen të aftë për këto ushtrime… Dhe në familjet e tjera, ku kryefamiljari është i papërshtatshëm, të lejohet që një tjetër, që banon vazhdimisht në atë familje, dhe është miratuar nga pastori dhe këshilli, të shërbejë në atë detyrë, për të cilën pastori dhe këshilli janë përgjegjës përpara presbiterit. Dhe nëse nga provania hyjnore, ndonjë pastor ndodhet në ndonjë familje, nuk është e lejuar që ai të mbledhë vetëm një pjesë të familjes për adhurim, duke përjashtuar të tjerët, përveç rasteve të rralla që lidhen veçanërisht me ata individë, që (me urtësi të krishterë) nuk duhet, apo nuk është e përshtatshme, të ndahen me të tjerët.

V. Të mos lejohet ndonjë përtac, që nuk ka ndonjë thirrje të veçantë, apo ndonjë person endacak që paraqitet si i thirrur, të kryejë adhurim në familje, për apo në emër të saj; meqë njerëz të infektuar me doktrina të rreme, ose me prirje për ndarje, mund të jenë gati të hyjnë nëpër shtëpi në këtë mënyrë dhe të robërojnë shpirtra të dobët e të paqëndrueshëm.

VI. Gjatë adhurimit familjar, duhet pasur kujdes i veçantë që çdo familje të qëndrojë më vete; pa kërkuar, ftuar apo lejuar persona nga familje të tjera, përveç atyre që janë të strehuar me ta, që hanë me ta, ose që ndodhen me ta për ndonjë arsye të ligjshme.

VII. Cilado qofshin efektet dhe frytet e mbledhjeve të personave nga familje të ndryshme në kohëra të prishjes apo trazirës, (raste në të cilat shumë gjëra janë të lavdërueshme, por përndryshe nuk janë të lejueshme), prapësëprapë, kur Perëndia na ka bekuar me paqe dhe pastërti të ungjillit, mbledhjet e tilla të personave nga familje të ndryshme (përveç rasteve të përmendura në këto Udhëzime) duhen refuzuar, sepse pengojnë ushtrimin fetar veçmas të secilës familje, dëmtojnë shërbesën publike, shkëpusin familjet nga bashkësitë e tyre të caktuara, dhe në ecurinë e kohës, tërë kishën. Përveç shumë fyerjeve që mund të lindin nga kjo, ngurtësojnë zemrat e njerëzve mishorë dhe hidhërojnë të perëndishmit.

VIII. Ditën e Zotit, pasi, secili veçmas, dhe më pas gjithë familja bashkë, të kenë kërkuar Zotin (në dorën e të cilit është përgatitja e zemrave) që t’i përgatisë për adhurimin publik dhe t’i bekojë përmes urdhërimeve publike, kryefamiljari duhet të kujdeset që të gjithë ata nën përgjegjësinë e tij të shkojnë në adhurimin publik. Që ai dhe ata të bashkohen me pjesën tjetër të bashkësisë. Dhe, pasi adhurimi publik të përfundojë, pas lutjes, duhet të kërkojë llogari se çfarë ata kanë dëgjuar. Dhe më pas, të shfrytëzojë pjesën tjetër të kohës që kanë në dispozicion, për katekizim dhe për biseda shpirtërore mbi fjalën e Perëndisë; ose përndryshe (duke u ndarë veçmas), të merren me lexim, meditim dhe lutje të fshehtë, që të forcojnë dhe të shtojnë bashkësinë e tyre me Perëndinë. Që kështu, përfitimi që ata kanë gjetur nga urdhërimet publike, të ruhet dhe të përparojë, dhe ata të ndërtohen më tej për jetën e përjetshme.

IX. Të gjithë ata që janë në gjendje të formulojnë lutje, duhet të përdorin këtë dhuratë të Perëndisë. Ata burra që janë të pakualifikuar dhe më të dobët mund të fillojnë me një formë të caktuar lutjeje, që kështu, të mos jenë përtacë në zgjuarjen e shpirtit të lutjes në veten e tyre, sipas nevojave të përditshme, që u është dhënë në një masë të caktuar të gjithë bijve të Perëndisë. Për këtë qëllim, ata duhet të jenë më të zjarrtë dhe të shpeshtë në lutje të fshehtë ndaj Perëndisë, për të ndihmuar që zemrat e tyre të dëshirojnë dhe gjuhët e tyre të shprehin, dëshirat e përshtatshme ndaj Perëndisë për familjen. Ndërkohë, për më shumë inkurajim, le të mendojnë dhe të përdorin këto përmbajtje të lutjes:

— Të rrëfejnë përpara Perëndisë sa të padenjë janë për të ardhur në praninë e Tij, dhe sa të paaftë janë për të adhuruar Madhërinë e Tij; dhe për rrjedhojë, të kërkojnë me ngulm prej Tij shpirtin e lutjes.

— Të rrëfejnë mëkatet e tyre dhe të familjes; duke e akuzuar, gjykuar dhe dënuar veten për to, derisa ta sjellin shpirtin e tyre në një masë përuljeje të vërtetë.

— Të derdhin shpirtrat e tyre përpara Perëndisë, në emër të Krishtit, me anë të Frymës, për faljen e mëkateve; për hir që të pendohen, të besojnë dhe të jetojnë me maturi, drejtësi dhe perëndishmëri; që t’i shërbejnë Perëndisë me gëzim dhe kënaqësi, duke ecur përpara Tij.

— Të falënderojnë Perëndinë për mëshirat e Tij të shumta ndaj popullit të Tij dhe ndaj vetes, dhe veçanërisht për dashurinë e Tij në Krishtin, dhe për dritën e ungjillit.

— Të luten për të mirat e veçanta, shpirtërore dhe tokësore, që u nevojiten në atë kohë (qoftë mëngjes apo mbrëmje), si në lidhje me shëndetin apo sëmundjen, mirëqenien apo vështirësitë.

— Duhet të luten për kishën e Krishtit në përgjithësi, për të gjitha kishat e reformuara dhe për këtë kishë në veçanti, dhe për të gjithë ata që vuajnë për emrin e Krishtit; për të gjithë autoritetet e larta, mbretin, mbretëreshën dhe fëmijët e tyre; për pushtetarët, shërbëtorët dhe gjithë trupin e bashkësisë ku janë anëtarë, si për fqinjët që janë larg në punë të ligjshme, ashtu edhe për ata që janë në shtëpi.

— Lutja mund të mbyllet me një dëshirë të zjarrtë që Perëndia të përlëvdohet në ardhjen e mbretërisë së Birit të Tij dhe në bërjen e vullnetit të Tij, dhe me sigurinë se ata vetë janë të pranuar, dhe se çfarë kanë kërkuar sipas vullnetit të Tij do të bëhet.

X. Këto ushtrime duhet të kryhen me sinqeritet të madh, pa vonesë, duke lënë mënjanë çdo punë të botës ose pengesë, pa marrë parasysh talljet e ateistëve dhe njerëzve profanë për shkak të mëshirave të mëdha të Perëndisë ndaj këtij vendi dhe ndëshkimeve të Tij të rënda me të cilat na ka ndëshkuar së fundmi. Për këtë qëllim, personat me pozitë dhe të gjithë pleqtë e kishës, jo vetëm duhet të nxiten vetë dhe familjet e tyre për përkushtim në këtë drejtim, por edhe të veprojnë me efektivitet, që në të gjitha familjet e tjera, ku kanë fuqi dhe përgjegjësi, këto ushtrime të përmbushen me ndërgjegje.

XI. Përveç detyrave të zakonshme në familje, që u përmendën më sipër, detyrat e jashtëzakonshme, si ato të përuljes dhe falënderimit, duhet të kryhen me kujdes në familje, kur Zoti, përmes rasteve të jashtëzakonshme (private apo publike), i kërkon ato.

XII. Meqenëse fjala e Perëndisë kërkon që të kujdesemi për njëri-tjetrin, për të nxitur dashurinë dhe veprat e mira, atëherë, në çdo kohë, e veçanërisht në këtë kohë, kur profaniteti është në rritje dhe përqeshësit që ecin sipas dëshirave të veta, e quajnë të çuditshme që të tjerët nuk ecin me ta në të njëjtin shthurje, çdo anëtar i kësaj kishe duhet të zgjojë veten dhe të tjerët për detyrat e ndërtimit të ndërsjelltë, me anë të mësimit, nxitjes dhe qortimit. Duke nxitur njëri-tjetrin për të shfaqur hirin e Perëndisë në mohimin e paperëndishmërisë dhe lakmive të botës, dhe në të jetuarit perëndishëm, me maturi dhe drejtësi në këtë botë; duke ngushëlluar zemrat e lodhura dhe duke u lutur për njëri-tjetrin. Këto detyra duhet të kryhen sipas rasteve të veçanta të ofruara nga Provania Hyjnore; si për shembull, kur ndodhen në ndonjë fatkeqësi, sprovë ose vështirësi të madhe, kur kërkohet këshillë apo ngushëllim; ose kur një mëkatar duhet të rikthehet përmes qortimit privat, dhe nëse kjo nuk ka efekt, sipas rregullit të Krishtit, të përfshihet një ose dy të tjerë në këtë qortim që në gojën e dy ose tre dëshmitarëve çdo fjalë të vendoset.

XIII. Dhe, meqë nuk i është dhënë çdokujt të flasë një fjalë në kohën e duhur për një ndërgjegje të lodhur ose të dëshpëruar, është e udhës që një person (në atë rast), pasi nuk gjen lehtësim pas përdorimit të të gjitha mjeteve të zakonshme, private dhe publike, t’i drejtohet pastorit të vet, ose ndonjë të krishteri me përvojë. Por nëse personi i trazuar në ndërgjegje është në një gjendje, ose të një gjinie, që maturia, ndjeshmëria ose frika nga skandali kërkojnë që një mik i perëndishëm, i ndershëm dhe i besuar të jetë i pranishëm gjatë kësaj këshillimi, atëherë është e udhës që një mik i tillë të jetë i pranishëm.

XIV. Kur persona nga familje të ndryshme mblidhen së bashku me anë të Provanisë Hyjnore, duke qenë larg shtëpisë për shkak të thirrjeve të tyre të veçanta ose për ndonjë nevojë të domosdoshme; ashtu siç dëshirojnë që Zoti, Perëndia i tyre, të jetë me ta kudo që të shkojnë, ata duhet të ecin me Perëndinë dhe të mos lënë pas dore detyrat e lutjes dhe falënderimit, por të kujdesen që këto të kryhen nga ata që shoqëria e mbledhur i gjykon më të përshtatshëm. Po ashtu, të ruhen që nga goja e tyre të mos dalë ndonjë fjalë e prishur, por vetëm ajo që është e mirë për ndërtim, që të japë hir te dëgjuesit.

Qëllimi dhe synimi i të gjitha këtyre Udhëzimeve është asgjë tjetër veçse që, nga njëra anë, fuqia dhe ushtrimi i përshpirtshmërisë, ndër të gjithë shërbëtorët dhe anëtarët e kësaj kishe, sipas vendeve dhe thirrjeve të tyre përkatëse, të nxitohen dhe të përparojnë, dhe çdo paudhësi e përqeshje e ushtrimeve fetare të ndalohet; dhe, nga ana tjetër, që, nën emrin dhe pretekstin e ushtrimeve fetare, të mos lejohen mbledhje ose praktika të tilla që priren të sjellin gabim, skandal, përçarje, përçmim ose shpërfillje ndaj urdhërimeve dhe shërbëtorëve publikë, apo neglizhencë të detyrimeve të thirrjeve të veçanta, ose të këqija të tjera që janë vepra, jo të Frymës, por të mishit, dhe që janë kundër së vërtetës dhe paqes.

A. Ker.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes