Ta Mbajmë të Shenjtë Ditën e Zotit

Diten e Zotit

Nga C. E. Hunter

Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh shabatin, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan shabatin kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua, do të gjesh kënaqësinë tënde te Zoti, dhe unë do të bëj që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur.

Isaia 58:13-14

Çështja e mbajtjes së Shabatit nuk është një çështje moderne. Ajo është po aq e vjetër sa vetë raca njerëzore. Në ditët e Adamit, Perëndia e veçoi ditën e shtatë nga gjashtë të tjerat si ditë pushimi. “Ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë pushoi nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia pushoi nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe bërë.” (Zanafilla 2:2-3)

Kur u dha ligji në Malin Sinai, urdhërimi i katërt u formulua në një mënyrë për të drejtuar te themelimi fillestar i shabatit në krijim: “Mbaje mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar.” (Eksodi 20:8)

Për këtë arsye, mbajtja e shabatit është pjesë e ligjit moral të Perëndisë. Nuk është shfuqizuar nga Ungjilli, ashtu siç nuk janë shfuqizuar nëntë urdhërimet e tjera, dhe i krishteri duhet ta mbajë. Efekti pastrues dhe ngritës i shabatit të krishterë është i pazëvendësueshëm nëse do të mbahet dëshmia e krishterë. Zemra dhe goja e të krishterit duhet t’i përgjigjen me një “Amen” të fuqishëm këtij vargu nga Dhiata e Vjetër.

Disa nuk preferojnë të përdorin termin “shabat,” duke thënë se i përket kohës së Dhiatës së Vjetër. Por fjala thjesht do të thotë “ditë pushimi”. Ajo është marrë nga fjala hebraike “Shabat,” që do të thotë “pushim.”

Fjala “shabat” përdoret edhe në Dhiatën e Re. Zoti Jezus e mbajti ditën e shabatit. Ndryshimi nga dita e shtatë në ditën e parë të javës nuk e shfuqizon këtë institucion hyjnor, por përkundrazi, e konfirmon atë. Quaje “dita e Zotit” në vend të “shabatit,” nëse dëshiron kështu. Termi “dita e Zotit” më shumë e përforcon sesa e dobëson detyrimin tonë për mbajtjen e tij të drejtë.

Në vargun tonë nga Isaia 58:13-14 shohim


Mënyrat Si Shkelet Shabati

1- Udhëtim i panevojshëm. Fjalët e Isaias duken tepër bashkëkohore. Ato janë shkruar me një gjuhë që përshkruan  mëkatet me të cilat shabati përdhoset sot. “Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh shabatin.” Këmba është mjeti i lëvizjes, dhe ajo paraqet mendimin për sasinë e madhe të udhëtimeve të panevojshme në ditën e Zotit. Çfarë lumi trafiku të pafund! Unë guxoj të them se nëntëdhjetë për qind e trafikut të trenave, autobusëve dhe makinave në ditën e Zotit është absolutisht i panevojshëm. Në një kuptim shumë të drejtpërdrejtë, dita e Zotit shkelet në mënyrë të rëndë. I krishteri ndjen dhimbje në shpirt kur sheh turmat e shkujdesura e të dielave që nuk ndjekin asgjë tjetër vecëse qejfet e tyre. Më e keqja është mendjelehtësia e disa të krishterëve në këtë çështje. Çdo i krishterë që vlerëson shenjtërinë e shabatit do të përmbahet nga udhëtimi i panevojshëm në këtë ditë.

2 – Kërkimi i kënaqësisë dhe punët e panevojshme janë gjithashtu të dënuara: “duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua.” Qëndrimi modern ndaj Shabatit është: “Do të bëj si të dua.” Njerëzit e shkelin shabatin sepse atyre i’u pëlqen ta bëjnë. Qëndrimi i krishterë është: “Vullneti i Zotit është kënaqësia ime.” Njeriu do të punojë, do të djersitet, dhe do të rënkojë në kopshtin e vet ditën e Zotit, vetëm sepse i pëlqen të bëjë kështu. Për të njëjtën arsye, ne sot kemi golf në ditën e dielë, ekskursionet e ditës së dielë dhe tregti të dielën, megjithëse tek kjo e fundit ndërhyn edhe elementi i fitimit.

Numri i gazetave të së dielës është një nga pengesat më të mëdha për mbajtjen e Shabatit. Sa vegla të fuqishme të djallit janë gazetat e së dielës dhe një pjesë e madhe e programeve të radios së së dielës! Djalli duhet të bëjë gjithçka mundet që të largojë njerëzit nga Fjala e Perëndisë. Nëse duhet të lexojnë, Satani kujdeset që ata të lexojnë Biblën e tij të së dielës — për shembull, artikuj për jetën e Jozef Stalinit, ose për karrierën e ndonjë boksieri të famshëm apo aktori filmi, ose ndoshta për ndonjë skandal të madh divorci. Të mos mashtrohemi për këtë: djalli është serioz për ta çuar në humbje shpirtrat e njerëzve. Për këtë qëllim ai nuk duhet t’i lejojë njerëzit të mendojnë në qetësi qoftë edhe një ditë të vetme në javë. Ata nuk duhet të lejohen të pyesin: Pse dita e Zotit? Pse Fjala e Perëndisë? Ku po shkojmë? Pse erdhi dhe vdiq Jezusi? Ai kërkon t’i largojë njerëzit nga dita e Zotit si një ditë kërkimi serioz për udhën e jetës.

3- Gjuhët dhe mendimet tona. Të gjithë ne jemi fajtorë për këtë formë të shkeljes së Shabatit — “nga të folurit për problemet e tua.” Ne jo vetëm që e shkelim shabatin vetëm me këmbët tona (“në rase se e përmban këmbën tënde që të mos dhunosh shabatin”), dhe me duart tona (“në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë.”) por edhe me gjuhën tonë (“nga të folurit për problemet e tua”). Sa shumë kemi nevojë të ruhemi pikërisht këtu! Ne duhet të lutemi: “vër një roje para gojës sime.” (Psalmi 141:3). Sa lehtë tërhiqemi për të folur për çështjet tona të përditshme në ditën e Zotit! Një lëvizje e madhe politike na tërheq vëmendjen, ose jemi të zënë me plane për të ardhmen me në natyrë krejt shekullare! Mund të predikosh një predikim shumë të fuqishëm në shoqërinë e të tjerëve duke kërkuar qetësisht që të mos marrësh pjesë në biseda për çështje të botës në ditën e Zotit. Je plotësisht i justifikuar nëse tërhiqesh nga shoqëria që këmbëngul të të tërheqë në biseda të tilla. Ne flasim për t’u mbushur me Frymën, për t’u bërë më shpirtërorë, për të lutur më shumë — këto janë plotësisht të bazuara në Shkrim. Por le të fillojmë të jemi praktikë në mënyra të tilla, dhe ndikimi do të jetë shumë i shëndetshëm.

Mënyrat në të cilat Perëndia dëshiron që Dita e Tij të mbahet

Në rast se e quan shabatin kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon.” Nëse duam ta kënaqim Zotin në lidhje me Ditën e Tij, ne duhet “ta quajmë shabatin një kënaqësi.” Është natyra mëkatare e njeriut ajo që e bën shabatin dhe mbajtjen e duhur të tij kaq të urryer për të. Shabati na thërret për të disiplinuar jetën tonë. Nga natyra, njeriu e urren një disiplinë të tillë. “Mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.” (Romakëve 8:7). Ligji i shabatit është pjesë e ligjit moral të Perëndisë. Kush është, pra, ai që e quan shabatin një kënaqësi? Është fëmija i Perëndisë. Është hiri shpëtues në Krishtin ai që e aftëson njeriun të kënaqet në vullnetin e Perëndisë. Pali, si në njeri i shpëtuar tha: “Në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm.” (Romakëve 7:22).

Shabati duhet të shihet si një ditë e shenjtë dhe e nderuar. Matthew Henry thotë:

“Ne i japim nder ditës kur i japim nder Atij që e ka themeluar atë, dhe për nderin e të cilit është caktuar.”

“Shabati duhet të shenjtërohet me një pushim të shenjtë gjatë gjithë ditës, madje edhe nga ato punë dhe zbavitje të ligjshme në ditë të tjera; dhe ta kalojmë të gjithë kohën në ushtrime publike dhe private të adhurimit të Perëndisë, përveç asaj kohe që ka të bëjë me punët e nevojës dhe mëshirës.”

Premtimet që shoqërojnë mbajtjen e Shabatit

Do të gjesh kënaqësinë tënde te Zoti,.” Nuk ka asgjë që i krishteri dëshiron më shumë sesa të kënaqet në Zotin. Ka një mënyrë të sigurt për ta përjetuar këtë—mbaje të shenjtë ditën e Zotit. Perëndia gëzohet të zbulojë Veten tek ata që i binden dhe e nderojnë Atë. Shkrimi jep prova të bollshme për këtë. Njerëzit që e njohën më mirë Perëndinë ishin ata që i’u bindën më shumë Atij. Abrahami, Moisiu, Danieli dhe Pali u shpëtuan të gjithë me anë të hirit, por ata gjithashtu ishin të dalluar për nënshtrimimin ndaj vullnetit të Perëndisë. Ne lexojmë se Zoti iu shfaq Abrahamit; se Moisiu fliste me Perëndinë si një njeri me mikun e tij; se Danieli me anë të vegimeve dhe ëndrrave ishte në bashkësi të ngushtë me të Lartin; dhe se Pali u rrëmbye në parajsë. Ata u kënaqën në vullnetin e Perëndisë dhe u bekuan për këtë.

Unë do të bëj që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd.” Kur Perëndia e nxori popullin e Tij nga Egjipti, është shkruar: “Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës.” (Ligji i Përtërirë 32:13). Një përkthim tjetër i këtij premtimi është: “Do të të bëj sundimtar suprem të vendit.” Vitringa thotë se premtimi është marrë nga pamja e një fitimtari që kalëron në karrocën e tij dhe pushton fortesat kodrinore të një vendi. Është me siguri e vërtetë se një bekim i veçantë është i lidhur me atë tokë që e ruan të shenjtë ditën e Zotit.

Përfundim
A është shumë të thuhet që nëse kombi ynë do të pendohej për mëkatin në këtë çështje dhe do të kthehej në udhën e vjetër të ruajtjes së shabatit, do të bëheshim sërish kombi udhëheqës i botës? Në dritën e këtij premtimi të Isaías, besoj se bekime të mëdha do të pasonin, bekime përtej çdo pritshmërie. Por edhe nëse kombi nuk kthehet, le ta vëmë ne si individë, dhe si kishë, këtë premtim në provë, dhe do ta shohim Zotin të jetë besnik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes