LETËR E HAPUR DREJTUAR TË RINJVE TË KRISHTERË QË SHIKOJNË PORNOGRAFI DHE MASTURBOHEN

LETËR E HAPUR DREJTUAR TË RINJVE TË KRISHTERË QË SHIKOJNË PORNOGRAFI DHE MASTURBOHEN

I dashur vëlla i krishterë që po lufton më këto dy mëkate,

Unë që po të shkruaj jam një vëllai yt, besimtar i krishterë, i cili për më shumë se tre dekada me radhë është përballur dhe përleshur me mëkatet e pornografisë dhe masturbimit. Më lejo të tregoj pak se si filluan në mua këto mëkate. Nisa të masturbohesha pa e mbaruar ende 8-vjeçaren, sepse në atë kohë (bëhet fjalë për periudhën përpara rënies së regjimit komunist) arsimi i detyrueshëm aq klasë kishte, pra, shumë kohë përpara se Krishti të më shpëtonte. Do të shkruaj edhe më poshtë se si përfundojmë tek pornografia dhe masturbimi, por në rastin tim gjithçka filloi me njohjen e trupit nën ndikimin e hormoneve. Madje fillimisht më vinte turp të flisja me shokët e mi për zbulimin tim, pra, për masturbimin. Për vite me radhë kam luftuar kundër këtyre përbindëshave dhe vazhdoj ende të luftoj e të përleshem me ta.

Arsyeja edhe dëshira që më nxiti të t’i nis këta rreshta, faktikisht janë faqe të tëra, është që të të inkurajoj vazhdosh luftën e përditshme kundër këtyre dy përbindëshave, duke ndarë me ty disa strategji edhe armë lufte që mund t’i përdoresh për të ngadhënjyer mbi ta. Unë e di se çfarë do të thotë të përleshesh me këto mëkate dhe biesh kohë pas kohe në burgun plot baltë e ndyrësi ku përbindëshat përpiqen të na mbajnë mbyllur! E di se çfarë dëshpërimi të vjen kur i sheh petkat e të krishterit të bëra zhul për shkak të këtyre dy përbindëshave! Sa lot kam derdhur për shkak të këtyre mëkateve unë e di, turpin që kam provuar për shkak të tyre po unë e di! Dëshira për dëlirësi seksuale ka qenë një yll polar për mua në përpjekjet e mia, sepse isha i ndërgjegjshëm për këtë mungesë të madhe në jetën time frymërore! I di të gjitha, sepse siç thonë anglezët: “I have been there, done that!” (Kam qenë atje dhe i kam bërë ato gjëra).

Mirëpo, dëshiroj që jo vetëm të të nxis, por dua të jem edhe një udhërrëfyes për ty, sepse synimi është që të dalim nga ferri i këtyre dy përbindëshave që i ngjason aq shumë luginës së hijes së vdekjes. Do të ndaj me ty gjithçka që kam mësuar rreth këtyre përbindëshave duke të të treguar rrënjën dhe joshjen e këtij mëkati dhe pastaj edhe strategjitë për ta fituar luftën kundër tyre. Jam ndalur në këtë letër pikërisht te pornografia dhe masturbimi, sepse këto janë mëkatet seksuale më të përhapura, më të arritshme edhe më lehtësisht të realizueshme, por edhe ato që praktikohen për një kohë më të gjatë, në rastin tim për tri dekada e ca. Ato janë themeli mbi të cilat ngrihen mëkatet e tjera seksuale edhe dera e hapur për të gjitha ato, ndaj duhet t’i mbysim ato që në embrion me qëllim që të kemi një jetë të dëlirë seksuale.

Jam i sigurt këtë letër do ta lexoni edhe ju motra të krishtera. Jam i vetëdijshëm se duke i lexuar faqet e mëposhtme do të zbuloni një anë të errët dhe të panjohur për ju, tek vëllezërit tuaj në Krishtin, qofshin këta shokët apo bashkëshortët tuaj. Për më tepër, jam i sigurt se të vërtetat e mëposhtme do t’ju turbullojnë në rastin më të mirë, apo do t’ju tronditin e shkaktojnë dhimbje në rastin më të keq. Nuk ka dyshim që e vërteta me të cilën po ballafaqohemi është e hidhur, por siç ka thënë Zoti Jezus e vërteta të bën të lirë. Veç kësaj, kur të ndalemi tek dëshirat idhujtare aty do të gjeni mjaft material që i zbulon edhe zemrat tuaja. Kështu që tërthorazi kjo letër vlen edhe për ju, aq më tepër që do t’ju ndihmojë të kuptoni se si mund t’i ndihmoni vëllezërit e krishterë apo bashkëshortin tuaj që ende mbahet në burgun e këtyre dy përbindëshave, si edhe të luteni më shumë për ta.

PSE PËRFUNDOJMË TEK PORNOGRAFIA DHE MASTURBIMI?

Le ta fillojmë shqyrtimin tonë duke iu përgjigjur pyetjes së mësipërme. Mendja e njeriut është shumë pjellore. Asaj i pëlqen të përfytyrojë dhe fantazojë duke krijuar madje edhe botë imagjinare, të cilat janë të këndshme për të dhe për zemrën. Do të lexojmë për zemrën më poshtë edhe aty do ta kuptojmë se përse zemra jonë është e prirë ndaj mëkateve seksuale. Me mbarimin e fëmijërisë, brenda nesh zgjohen dëshira dhe ëndje të reja që nuk i njihnim më parë. Vjen dita edhe zëmë edhe i shohim pjesëtaret e gjinisë tjetër, pra, ju vajzat e gratë, me një sy tjetër. Mënyra se si mësojmë rreth seksit, pra, se si fillojmë të mendojmë rreth tij apo ta përfytyrojmë atë është përmes pamjeve e videove me përmbajtje gjithnjë e më seksuale që na rrethojnë. Vjen një ditë kur një shok na tregon një revistë pornografike, apo më keq akoma një video pornografike me anë të celularit të tij (fatkeqësisht në ditët e sotme celularët janë bërë të gjithëpërhapur e të gjerëpërhapur), edhe aty ndizet një llambë në trurin dhe zemrën tonë që zor se mund të shuhet. Edhe kështu dalëngadalë duke njohur organet tona gjenitale, nën peshën e të gjitha këtyre imazheve e përfytyrimeve, përfundojmë që kryejmë masturbimin tonë të parë. Në shumicën e rasteve ndodh edhe që zgjohemi të lagur tek organet gjenitale një mëngjes, një proces biologjik që ndodh te shumë djem, nën peshën e ëndrrave me përmbajtje seksuale edhe kjo shërben si shtysa e parë për atë që thashë më lart. Ama duhet thënë se ka edhe nga ata djem që i shpëtojnë këtij procesi në vitet e rinisë së hershme.

Më e keqja është se askush nuk na shan për masturbimin, madje shokët tanë na lavdërojnë që kemi nisur “të luajmë me gjarprin” edhe na nxisin që të vazhdojmë më tej. Po ashtu, edhe gjoja psikologët e botës moderne e shpallin me të madhe se masturbimi është i nevojshëm dhe i dobishëm për një jetë seksuale sa më të shëndetshme. Çfarë gënjeshtre e madhe, e pacipë dhe e dëmshme është kjo! Kështu që ne vazhdojmë të masturbohemi sa herë që na jepet mundësia duke i shoqëruar këto akte me video apo foto pornografike. Masturbimi që të ndodhë ka nevojë për karburant, dhe ky karburant përbëhet prej videove/fotove pornografike dhe imagjinatës seksuale.

Çfarë është imagjinata seksuale? Është ajo lloj imagjinate që na bën t’i përfytyrojmë femrat tërheqëse me të cilat biem në kontakt si partnere të mundshme mendore për aktet tona të masturbimit. Përpiqemi t’i përfytyrojmë marrëdhëniet dashurore dhe seksuale që mund t’i kemi dhe t’i kryejmë me këto partnere mendore. Me kalimin e kohës, në mendjen tonë krijohet një arkiv që përmban me dhjetëra partnere mendore, përfytyrimin e të cilave e ruajmë brenda mendjes sonë. Secili përfytyrim, sipas preferencave tona, nxirret nga arkivi i mendjes sa herë që na nevojiten për një akt masturbimi. Kështu gjërat shkojnë gjithnjë e më larg edhe ne zhytemi thellë e më thellë në burgun e ruajtur nga përbindëshat pornografi dhe masturbim. Me thënë të drejtën djemtë e sotëm përballen me shumë sprova e tundime të ndjeshme në shoqërinë tonë të seksualizuar. Siç e thashë më sipër imazhi që na paraqitet nga media dhe reklamat për femrat është gjithnjë e më sensual. Veshjet e vajzave të sotme janë gjithnjë e më sensuale, edhe kjo i shton sfidat në këtë fushë për të rinjtë në përgjithësi edhe për të rinjtë e krishterë në veçanti. E them këtë sepse ka material të mjaftueshëm për ta ndezur zjarrin e imagjinatës seksuale edhe për të krijuar partnere mendore për ata që ende vuajnë nën zgjedhën e masturbimit.

ÇFARË ËSHTË SEKSI?

A e keni pyetur ndonjëherë veten se përse Perëndia e krijoi seksin? Si ka mundësi që Ai gjeti këtë mënyrë se si njerëzit të shtohen e shumohen, por edhe që të kenë marrëdhënie intime me gjininë tjetër? Veç kësaj, a e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë i kanë bërë seksit njerëzit e rënë dhe mëkatarë?

Fjala që përdoret në fillim të Biblës për të treguar marrëdhëniet intime mes burrit dhe gruas është “të njohësh”. Bibla na thotë që një burrë “e njeh” bashkëshorten e vet kur bashkohet me të. “Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz…” (Zanafilla 4:1). Pra, seksi është mënyra më sublime e dhënë nga Perëndia që një burrë dhe një grua të njohin njëri-tjetrin deri në thellësinë e qenieve përkatëse, si dhe të forcojnë lidhjen e tyre martesore. Burri dhe gruaja janë dy gjysma që janë bërë njësh, janë dy “unë” që janë bërë “ne” dhe që nëpërmjet marrëdhënies së tyre seksuale e realizojnë në praktikë këtë bashkim, apo shkrirje në një. Pra, bëhet fjalë për një bashkim sublim e hyjnor, përmasat e të cilit zor se mund t’i kuptojmë pa njohur Perëndinë e Biblës dhe pa ecur në rrugët e Tij.

Seksi është baza për prokrijimin, pra, ngjizjen/lindjen e fëmijëve dhe vazhdimësinë e jetës. Mirëpo, është edhe një element tjetër që shpesh nënvleftësohet: seksi si çdo aspekt tjetër i jetës së krishterë është një vepër shërbese. Nëpërmjet seksit bashkëshortët i jepen plotësisht njëri-tjetrit, por edhe i shërbejnë njëri-tjetrit për arritjen e kënaqësisë së ndërsjellë, pra, për t’ia bërë më të bukur jetën njëri-tjetrit. Në seksin sipas Perëndisë partnerët japin, shërbejnë dhe kultivojnë marrëdhënien e tyre të dashurisë së shenjtë, sepse e dinë se çdo gjë, madje edhe seksi është për lavdi të Perëndisë.

Përballë kësaj tabloje të lavdishme gjendet tabloja artmoderne (ama e lodhshme dhe e shëmtuar siç janë shumica e tablove të artit modern e bashkëkohor!) e seksit sipas botës. Së pari, seksi është një gjë mjaft egoiste dhe aspak e lidhur me hyjnoren. Motivet që e shtyjnë atë janë të lidhura me krenarinë dhe egoizmin që gëlon në zemrat e njerëzve të botës. Së dyti, seksi është njëlloj si prezervativët: përdore, shijoje edhe pastaj hidhe! Së treti, seksi është i ndarë nga shtrati martesor edhe nuk ka asnjë kuptim të kësaj natyre, por është thjesht një mjet për arritjen e kënaqësisë egoiste. Së katërti, seksi nuk ka më për synim prokrijimin dhe vazhdimësinë e jetës, por thjesht kënaqjen e shqisave.

Ama kjo na bën më keq se kafshët, sepse megjithëse këto i kënaqin shqisat gjatë marrëdhënies intime, këto të fundit e dinë se ajo mbi të gjitha shërben për prokrijimin, pra, për vazhdimësinë e llojit. Për botën seksi është i yni dhe vetëm i yni dhe nuk mund të rrimë pa e shijuar! Bota thotë gjithçka është e lejuar dhe gjithçka duhet provuar! Kështu thotë bota me kulturën e saj, e cila gjendet në çdo mjet komunikimi të ri e të vjetër. Tek shohim çdo mjet mediatik, të ri apo të vjetër, zbulojmë se jemi të rrethuar nga një seksualizëm ekstrem, aq sa kemi njerëz që janë lodhur nga seksi, apo që siç thotë populli i ka dalë seksi prej hundësh! Dhe kështu ne biem gjithnjë e më poshtë të shtypur nga pesha e seksit të pakufizuar dhe bashkë me ne edhe shoqëria jonë! Pornografia dhe masturbimi dhe janë dy bijtë e shëmtuar edhe jetëheqës të seksit sipas botës, ndaj duhen luftuar sepse pasojat që ato sjellin në jetën e një burri me kalimin e botës janë rrëqethëse. Duhet të kemi parasysh edhe natyrën e burrit, i cili për dallim nga vajzat dhe gratë, tërhiqet shumë shpejt dhe lehtë nga veshja dhe pjesët e trupit të një vajze. Zoti e ka krijuar burrin që të tërhiqet nga bashkëshortja e tij, mirëpo në seksin sipas botës ai është krijuar që të tërhiqet nga të gjitha vajzat dhe gratë me të cilat mund të hyjë në marrëdhënie dashurore dhe seksuale.

MOS I BESO ZEMRËS!

Mos i beso zemrës, përkundrazi besoji të vërtetave të Krijuesit të zemrës tënde”, kështu thotë një këshillues i njohur biblik, i cili quhet Xhon Strit (John Street). Problemi me pornografinë dhe masturbimin është që ne përherë ia vëmë fajin tundimeve që na rrethojnë edhe që i përmendëm më lart. Asnjëherë nuk merremi me atë çfarë është brenda nesh, pra, me zemrën tonë. Bota na paraqet filma dhe vepra të tjera artistike që na nxitin të ndjekim zemrën tonë, pra, të bëjmë siç na thotë ajo! Mirëpo Jezusi nëpër Ungjij na thotë që të bëjmë kujdes për zemrën tonë, që ta ruajmë atë me xhelozi e vendosmëri! Në qoftë se i drejtohemi Shkrimit të Shenjtë edhe bëjmë një studim për fjalën “zemër” na bëhet e qartë se autorët biblikë me këtë fjalë kuptojnë qendrën e kontrollit të njeriut dhe jo atë formën e zemrës që ne shohim në kulturën e sotme! E vërteta është që në qendrën tonë të kontrollit, pra, në zemrën tonë fshihet shumë ligësi, aty gjendet natyra e vjetër edhe ato që njihen si dëshira idhujtare dhe që do t’i shtjellojmë hollësisht më poshtë. A nuk është e vërtetë kjo? Mjafton që të lexosh Fjalët e Urta edhe profetët (Jeremia 17 për shembull) për të parë se sa e ligë është zemra e njeriut të rënë në mëkat, por edhe sa fëlliqësi fsheh zemra jonë prej shenjtori. Ja disa vargje që flasin në lidhje me këtë:

Njeriu, që e pi paudhësinë sikur të ishte ujë!” (Jobi 15:14).

Zemra e bijve të njerëzve është plot ligësi dhe marrëzia qëndron në zemrën e tyre për deri sa jetojnë” (Predikuesi 9:3).

Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë…. qysh në fëmijërinë e tij.” (Zanafilla 6:5, 8:21)

Këshilluesi i njohur biblik për të cilin të fola më sipër, ka shkruar një libër që quhet “Pasionet e zemrës”* edhe që shpresoj se do të botohet së shpejti, sepse është përkthyer tashmë. Aty ai flet për ato që njihen ndryshe si dëshirat idhujtare të zemrës edhe që përbëjnë barutin që shpërthen në pornografi, masturbim, si dhe në kurorëshkelje e mëkate të tjera seksuale. Ama baruti shpërthen vetëm kur këto dëshira idhujtare gjejnë të njëjtën gjatësi vale, pra, përkojnë e përputhen, me tundimet që vijnë nga të katër anët dhe që mund t’i quajmë shkrepësja e këtyre mëkateve. Pra, a e shikoni se sa i madh është problemi me të cilin duhet të përballemi?

Po nuk u morëm me dëshirat idhujtare të zemrës nuk do të kemi sukses në luftën tonë kundër këtyre dy përbindëshave. Mirëpo, cilat janë dëshirat idhujtare të zemrës sonë edhe çfarë do të thotë fakti që ato janë idhujtare? Këshilluesi biblik për të cilin ju fola më lart i ndan ato në dëshira idhujtare pozitive dhe dëshira idhujtare negative. Pozitivet janë lajkat, pushteti/kontrolli, vetëshpërblimi dhe rehatia, pra, dëshira për secilën nga gjërat e mësipërme. Dëshirat negative janë zemërimi, vetëkeqardhja, frika dhe pakënaqësia, pra, reagimet që ndodhin si pasojë e këtyre ndjenjave dhe emocioneve. Këto dëshira idhujtarë shërbejnë edhe si argumentet apo arsyetimet në mbështetje të rënies në mëkat seksual.

Më poshtë po jap disa shembuj se si funksionojnë dëshirat idhujtarë të zemrës. Mënyra më e thjeshtë për të fituar vëmendjen e dikujt, por edhe dashurinë e tij ose të saj është nëpërmjet lajkave e lëvdatave pa fre. Aq më tepër nëse kemi një person mendjelehtë përpara! Pushteti është një mjet që shumë njerëz që janë të veshur me të e përdorin për të fituar favore seksuale. Fatkeqësisht edhe nëpër kisha ka ndodhur që pushteti i drejtuesve të kthehet në një joshës apo mjet presioni që i ka hapur derën marrëdhënieve të palejueshme dashurore e seksuale. Sa herë që njeriu lodhet shumë duke punuar e madje edhe duke shërbyer, në një kontekst jokishtar apo kishtar, dëshira idhujtare që i lind në zemër është e ajo e vetëshpërblimit. “Unë kam bërë kaq shumë për familjen time/kishën e Perëndisë sa që e meritoj ta shpërblej paksa veten, të argëtohem pak edhe unë”, kështu mendon ai tek i cili zgjohet dëshira idhujtare e vetëshpërblimit. Më e thjeshta është që ky person ta kënaqë veten duke ngrënë ëmbëlsira apo ushqime të tjera të shijshme, por ka raste që dëshira idhujtare merr përmasa më të mëdha dhe kur ndeshet me një tundim seksual përfundon në akte seksuale që shkojnë nga pornografia e masturbimi e më tej me kalimin e kohës. Dëshira idhujtare e rehatisë është më e përhapura tek të gjithë ne kam përshtypjen, sepse kërkimi i rehatisë është përpjekja më madhore e brezit tonë. Edhe Davidi kërkoi rehatinë kur e la Joabin të shkonte edhe të bënte luftë me amonitët. Ai kishte luftuar në aq shumë luftëra edhe e kishte rrezikuar jetën e tij kaq shumë herë sa që vendosi të rrinte në pallatin e tij atë pranverë. Edhe çfarë ndodhi? Të gjithë e njohim historinë e Davidit dhe Bathshebës: ai pa nga maja e pallatit të tij një grua që po lahej, ra pre e tundimit dhe e dëshiroi fort atë, e ftoi në pallatin e tij edhe pastaj gjërat shkuan keq e më keq… Gjithçka nisi nga dëshira për rehati e Davidit! Le të mos e harrojmë këtë!

Tani le të merremi pak me dëshirat idhujtare negative. Zemërimin e kemi të gjithë, apo jo? Është reagimi më normal ndaj një situate zhgënjyese e mërzitëse, apo jo? Mirëpo një bashkëshort i zemëruar fort me bashkëshorten e tij, edhe që nuk e zgjidh këtë zemërim menjëherë, por e lë të kthehet në mëri, qëllon që ka një femër që ia shkel syrin në vendin e tij të punës, apo jo? Pastaj e dimë se çfarë ndodh: më e pakta është ai fillon të masturbohet duke përfytyruar lajkat dhe miklimet e saj, më e shumta është që ai e shkel kurorën duke shkuar me të! Kujdes, pra, vëllezër e motra nga zemërimi! Një dëshirë tjetër idhujtare negative është vetëkeqardhja. Ajo është pak a shumë pasqyrimi i vetëshpërblimit, por është pasqyrimi negativ i tij. Njeriu vetëkeqardhës është ai që mendon që ka marrë më të keqen nga jeta, mendon se që të gjithë e kanë zhgënjyer edhe i kanë bërë keq atij. I vjen keq për veten edhe për jetën e tij, e sheh veten si një viktimë e pashërueshme edhe e pakurueshme. Kështu që rënia në mëkatin seksual për të është lehtësimi i vuajtjeve me të cilat ai mendon se po përballet. Ai ose ajo meriton pak lehtësim nga hallet e tij ose të saj të panumërta, qoftë ky në formën e akteve seksuale. E rëndësishme është që dhimbja edhe vuajtja të kalojë qoftë edhe për disa minuta! Është pak a shumë ajo ndjesia që përjetojmë në një natë pa gjumë për shkak të dhimbjeve të tmerrshme të dhëmbit! Çfarë nuk do të jepnim që ato të pushonin apo jo? Frika është një dëshirë tjetër idhujtare negative që shkakton pasoja të pariparueshme. E shtyrë nga frika se kurrë nuk do të kishin fëmijë, sepse dyshonte në premtimet e Perëndisë, Sara i tha Abrahamit të shkonte me shërbëtoren e saj që edhe ajo të kishte një bir përmes saj. Mirëpo, ne e dimë se si përfundoi kjo punë: Me lindjen e Ismaelit, Hagari nisi që të mbante një qëndrim përbuzës ndaj zonjës së saj edhe e vetmja zgjidhje që mbeti për këtë situatë ishte që Hagari dhe Ismaeli të largoheshin nga shtëpia e Abrahamit edhe të nisnin një jetë të re e të vështirë nëpër shkretëtirat e Arabisë. Po ashtu, Abrahami nga frika që kishte plot dy herë desh e humbi bashkëshorten e tij Sarën, një herë me Faraonin edhe herën tjetër me mbretin e Gerarit, Abimelekun. Pakënaqësia është e fundit dëshirë idhujtare negative. Sipas këshilluesit biblik që e përmenda më lart, pakënaqësia me jetën i ka rrënjët te pritshmëritë e parealizuara. “Kur jeta nuk është në nivelin e shpresave dhe ëndrrave të ushqyera për shumë kohë, pakënaqësia merr kontrollin, duke bërë që shumë persona të kërkojnë dikë apo diçka që do t’i sjellë kënaqësinë e kërkuar me kaq ngulm”, shton ai. Ka disa që përfundojnë tek shishja e rakisë, por shumë të tjerë i përgjigjen me zell e ngazëllim të parit tundim seksual që i ofron atyre një përvojë ndryshe e gjoja jetëndryshuese.

Sa më sipër duhet të shërbejë si një mundësi reflektimi për të gjithë ne, sepse bëhet fjalë për problemet kryesore të zemrave tona. Ato janë hullitë nëpër të cilat rrjedh lava e nxehtë edhe shkatërrimtare e mëkatit. Pak a shumë të gjitha llojet e varësive, nga e ngrëna e deri tek ajo e lidhur me drogën e kumarin, kalojnë nëpër hullitë e tetë dëshirave idhujtare që i shpjegova shkurtimisht më lart. Varësia nga pornografia dhe masturbimi, por edhe nga mëkatet e tjera seksuale, është simotra e varësive nga e ngrëna, duhani, pija, droga dhe kumari, pikërisht se në themel të saj gjenden dëshirat e lartpërmendura idhujtare. Kështu që gjithçka fillon nga zemra edhe jo nga tundimi që vjen nga jashtë: “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës” (Fjalët e Urta 4:23).

JO, MARTESA NUK DO TA ZGJIDHË PROBLEMIN!

Janë të shumtë të rinjtë e krishterë që mendojnë se martesa do t’i shpëtojë ata nga përbindëshat e pornografisë dhe masturbimit. Ata mendojnë kështu, duke pasur parasysh se në martesë do të kenë mundësi që të kryejnë marrëdhënie seksuale sa herë që të jetë e mundur. Ata po ashtu mendojnë se bashkëshortja e tyre do të jetë përherë e gatshme për t’ua bërë qejfin, madje duke pranuar që të bëjë ato lojërat që ata i bënin me partneret e tyre mendore, apo që i shihnin nëpër video e foto pornografike. Mirëpo, ky mendim është tërësisht i gabuar. Është e vërtetë se djemtë që mbahen peng nga përbindëshat e pornografisë dhe masturbimit do të përpiqen që fantazitë e tyre seksuale t’i realizojnë me bashkëshortet e tyre. Veç kësaj, ata do të përpiqen që bashkëshortet e tyre t’i bëjnë të ngjashme me femrat që shohin nëpër materialet pornografike. Mirëpo, të gjitha këto përpjekje ogurzeza e të fëlliqura janë të destinuara të dështojnë, sepse asnjëri nuk do të mbetet i kënaqur prej tyre, por edhe nuk do të mund të realizohen në praktikë. E vetmja pasojë e tyre do të jenë dhimbjet dhe vuajtjet e shumta shpirtërore që çifti i ri do t’i përjetojë për pasojë dhe që do të ndikojnë për keq në marrëdhënien e tyre dashurore.

Kur një grua zbulon ndyrësinë dhe fëlliqësinë që fshihet në mendjen dhe zemrën e gjysmës së saj, jo vetëm që mbetet e zhgënjyer dhe e tronditur, por edhe vuan shumë shpirtërisht për shkak të realitetit tragjik me të cilin po përballet. Unë vetë jam dëshmitar i zhgënjimit dhe dhembjes shpirtërore që i shkaktova bashkëshortes sime, kur ajo zbuloi se sa thellë isha zhytur në detin e zi të pornografisë dhe masturbimit.

Besoj se kjo është një arsye më shumë se përse nuk duhet të futeni në martesë pa thyer më parë burgun e pornografisë dhe masturbimit. Ju djem që jeni të burgosurit e këtyre dy përbindëshave duhet të tregoheni të sinqertë me bashkëshortet tuaja të ardhshme dhe ta ndani me to sekretin tuaj tronditës. Pastaj, duhet të kërkoni ndihmë prej drejtuesve të kishës suaj apo edhe këshilltarëve biblikë të kishës suaj ose të një kishe tjetër të shëndoshë, me qëllim që t’i vrisni përbindëshat edhe të hyni të dëlirë në martesën tuaj.

PËRBINDËSHAT DUHEN VRARË! KUSH TË MBAN PËRGJEGJËS QË TË MOS BIESH NË MËKAT?

Teksa po shkruaja letrën lexova diku se në shumë vende të botës me qindra e mijëra djem të rinj janë përfshirë në një lëvizje kundër masturbimit, duke thyer kështu tezat e psikologjisë bashkëkohore se masturbimi është një ushtrim i shëndetshëm seksual. Ata po ashtu janë ngritur kundër konsumit të pornografisë duke bërë thirrje për një kthim tek vetëpërmbajtja dhe dëlirësia seksuale. Duke pasur parasysh këtë fakt neve si të krishterë që jemi na takon që të dalim dhe qëndrojmë në ballë të luftës kundër këtyre dy përbindëshave që mbajnë në burgun e tyre me miliona djem e burra të krishterë në mbarë botën. Xhon Ouen (John Owen), një nga teologët më të mirënjohur mes puritanëve, thoshte një fjalë të bukur: “Vrite mëkatin përpara se ai të të vrasë ty!” Kështu që më poshtë do të rendisim disa mjete dhe metoda që mund të përdorim në luftë kundër këtyre dy përbindëshave:

Së pari, duhet thënë se ka shumë mënyra të gabuara për t’u përballur me këto mëkate. Kjo do të thotë se nuk mund të merremi me të vërtetën pa demaskuar më parë gënjeshtrat në të cilat besojnë një pjesë e mirë e burrave të krishterë që përleshen me dy përbindëshat tanë. Një pjesë e mirë e tyre besojnë dhe përpiqen të luftojnë kundër masturbimit dhe pornografisë me forcat e tyre, duke i mbushur mendjen vetes se një ditë do të ngrihen edhe nuk do të shohin më pornografi dhe nuk do të masturbohen më. Mirëpo, kjo do të thotë të mbështetesh vetëm në forcat e tua dhe ky është një gabim i madh, sepse e vërteta themelore e jetës së krishterë është që nuk mund ta jetosh vetëm me forcat e tua. Nuk mund të mbështeteni tek vetja juaj për të jetuar një jetë të suksesshme të krishterë! Zoti Jezus kur u ngjit në qiell na dërgoi Frymën e Shenjtë, personin e tretë të Trinisë së Shenjtë, që të ishte me ne vazhdimisht dhe të banonte brenda nesh. Një nga detyrat kryesore të Tij është që na bindë për mëkat edhe të na ndihmojë në luftë kundër mëkatit. Kështu që kot e keni që i thoni vetes: “Që tani e tutje nuk do të shoh më pornografi! Që tani e tutje nuk do të masturbohem më”. Kërkoni në lutje ditë për ditë aftësimin e Frymës në luftë kundër këtyre dy përbindëshave edhe mos u përpiqni më t’i luftoni ato vetëm me forcat tuaja!

Së dyti, shpëtimi qëndron tek vetitë apo cilësitë e Perëndisë dhe tek Ungjilli. Ungjilli na ka shpëtuar, ai lajmi i mirë se shpëtimi vjen prej hirit sovran të Perëndisë dhe përmes besimit në veprën shpëtuese të Zotit Jezu Krisht. Ungjilli është edhe kyçi i shenjtërimit tonë, sepse pjesë e shenjtërimit tonë është edhe lufta kundër dy përbindëshave. Pa ungjillin nuk i mposhtim dot përbindëshat edhe kjo bëhet duke menduar rreth tij, pra, rreth faktit se si Perëndia na nxori nga errësira edhe na çliroi nga vargonjtë e mëkatit edhe na solli në mbretërinë e Birit të Tij të dashur. Këtë meditim apo përsiatje e lidhim me vetitë apo cilësitë e Perëndisë edhe veçanërisht me shenjtërinë, dashurinë dhe mirësinë e Tij. Është një Perëndi i shenjtë, i cili është dritë e paafrueshme dhe për pasojë i urren mëkatet tona të të gjitha llojeve e ngjyrave, pra, aq më tepër pornografinë dhe masturbimin! Është një Perëndi i dashur edhe i mirë, sepse jo vetëm që ka dhënë Birin e Tij për të na shpëtuar, por vazhdon të sigurojë me hir të pamasë për gjithçka që na nevojitet. Plotëson deri në një nevojat tona frymërore dhe materiale edhe nuk na lë asnjëherë vetëm, asnjëherë nuk na braktis. Kështu që edhe ne, si Jozefi duhet të bërtasim sa herë që na vjen tundimi për pornografi/masturbim: “Si mund t’ia bëj këtë Perëndisë tim të dashur, të mirë e të shenjtë? Si mund të ngre dorë e të rebelohem kundër Atit tim të shtrenjtë e të shenjtë?”

Së treti, duhet të njohim mirë dëshirat idhujtare të zemrës sonë. Cilat janë dëshirat idhujtare që sundojnë mbi zemrën tonë mëkatare? A mos vallë janë dëshirat pozitive të lajkave, pushtetit/kontrollit, vetëshpërblimit dhe rehatisë? Apo janë dëshirat negative të zemërimit, vetëkeqardhjes, frikës dhe pakënaqësisë? Ne duhet të kthehemi në njohësit më të mirë të anëve të errëta të zemrës sonë, sepse vetëm kështu mund t’i luftojmë si duhet këto mëkate seksuale. Siç thotë këshilluesi biblik që e përmenda më lart, zgjedha e mëkateve seksuale do të mund të thyhet vetëm kur perënditë funksionale që i ushqejnë këto mëkate, pra, dëshirat idhujtare, do të shkatërrohen e thërrmohen pa mëshirë. Dëshirat idhujtare, siç na këshillon i madhi puritani Xhon Ouen duhen vrarë pa mëshirë, sepse janë dëshira që ngrihen kundër Perëndisë së shenjtë, të mirë e të dashur që ka bërë aq shumë për ne si në fushën frymërore ashtu edhe atë materiale. Këshilluesi biblik bën thirrje që t’i kujtojmë vetes se megjithëse epshi seksual fshihet lehtësisht për vite me radhë, Perëndia i sheh të gjitha fëlliqësirat që fshihen në mendjen dhe zemrën tonë.

Së katërti, duhet të ulemi edhe të sqarojmë me veten se cila është teologjia jonë rreth seksit. Edhe kjo është një këshillë tjetër që na e jep autori i librit “Pasionet e zemrës”. Pra, a e shohim seksin me sytë e Perëndisë, apo ka filluar të na pëlqejë tabloja e shëmtuar artmoderne e seksit sipas botës? Përqafimi i një teologjie të shëndoshë të seksit do të na ndihmojë që të krijojmë një jetë të shëndoshë seksuale me bashkëshorten tonë. Meqë jemi tek kjo pikë kam parë që shumë të krishterë dhe fatkeqësisht drejtues kishash kanë përqafuar një teologji seksi, sipas të cilës madje edhe disa forma të marrëdhënieve seksuale, sikurse seksi oral dhe ai anal janë në rregull dhe mund të praktikohen prej çifteve të krishtera. Ata thonë që e rëndësishme është që këto forma seksi i shërbejnë bashkëshortëve për të kënaqur njëri-tjetrin edhe kështu ata arrijnë një përmbushje gjithnjë e më të madhe seksuale. Domethënë mjafton që këto forma seksi i kënaqin bashkëshortët edhe këta le të vazhdojnë t’i praktikojnë ato! Mirëpo, siç fola më lart për dëshirat idhujtare që dalin nga zemrat tona, ashtu edhe duhen shqyrtuar motivet e zemrave tona kur i japim trajta të tilla marrëdhënieve tona seksuale. E vërteta është se motivet shtytëse të seksit oral dhe anal vijnë nga bota, si dhe janë shprehje e krenarisë dhe egoizmit që ende fshihet në zemrat tona. Ato janë motive egoiste që shërbejnë për të përmbushur dëshira egoiste e mëkatare. Seksi oral dhe anal nuk kanë aspak lidhje me dashurinë e dëlirë dhe dëshirën për të kënaqur personin tjetër, por thjesht janë të shtyra prej motiveve egoiste që i përmenda më sipër. Kështu vëllezër në Krishtin që duhet të bëjmë kujdes për teologjinë tonë te seksit!

Së pesti, siç thotë 2 Korintasve, jemi krijesa të reja kështu që duhet të kultivojmë mendime e dëshira të reja. Duhet të jemi të gatshëm që t’i zëvendësojmë mendimet dhe dëshirat e shthurura epshore me mendime dhe dëshira që e nderojnë Perëndinë dhe që e pushtojnë gjithë qenien tonë. Siç thotë Romakëve 12:2, “mos u përshtatni/bëni njësh me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”. Duhet që rreckat e mendimeve edhe dëshirave të vjetra të zhvishen plotësisht edhe që të vishemi me teshat e reja të mendimeve dhe dëshirave që kanë në qendër të tyre Zotin dhe Shpëtimtarin tonë Jezu Krisht dhe jetën e re që kemi në Të. Siç thotë Kolosianëve 2:20, ne i përkasim Atij dhe jo më vetes sonë dhe jemi kryqëzuar bashkë me Të. “A jeni gati t’i hyni sërish betejës dhe ta trajnoni veten që t’i përqendroni gjithë energjitë dhe dëshirat tuaja seksuale te bashkëshortja juaj? Në qoftë se jeni të pamartuar, a jeni gati që të angazhoheni në shërbim për Krishtin dhe të ngulmoni në dëlirësi seksuale derisa Perëndia t’ju dërgojë shoqen e jetës?”, këto janë pyetjet që shtron këshilluesi biblik që e kemi përmendur kaq e kaq herë në letrën tonë.

Së gjashti, cilat janë mjetet praktike që do të përdorim në luftë kundër dy përbindëshave? Të dashur vëllezër në Krishtin, falë pranisë së gjithëpërhapur e të gjerëpërhapur të kompjuterëve, laptopëve dhe smartfonëve, pornografia është bërë lehtësisht e arritshme për ne burrat. Ajo është vetëm një klikim larg. Kur jeni mbyllur në dhomën tuaj apo mbeteni vetëm në shtëpi, çfarë bëni me pajisjet elektronike të lartpërmendura? Ka shumë gjasa që sidomos kur e kaloni natën vetëm, siç ndodh rëndom, edhe e keni smartfonin tuaj me vete është e lehtë të klikoni faqen tuaj të preferuar të video pornografike, apo jo? E kështu me radhë, pra, mundësitë për pornografi janë të pakufizuara sot. Ndaj, ndihma apo mjeti i parë është vendosja e programeve të tilla, të cilat ju pengojnë një qasje të lehtë në përmbajtje pornografike. Nuk jam ekspert IT-je, por e di që nëpër kishat tuaja keni ekspertë të tillë që mund t’ju ndihmojnë në këtë fushë. Mjeti tjetër kryesor është lidhur me pyetjen: Kush ju mban përgjegjës që të mos vazhdoni të ngulmoni në pornografi dhe masturbim? Nevojitet një vëlla shumë më i pjekur në besim edhe që është i njohur për dëlirësinë e tij seksuale, i cili edhe t’ju ndihmojë për pastrimin prej këtyre fëlliqësive e ndyrësive! Apo edhe dy a tre vëllezër, shokët tuaj të ngushtë, të cilët janë bashkëluftëtarët tuaj në këtë luftë. Në letrën e mëparshme, ku ju shkrova se përse nuk duhet të merrni valixhet dhe të largoheni nga Shqipëria, ju shkrova që jeta është një lojë në skuadër, aq më tepër kur përballeni me këta përbindësha keni nevojë për mbështetje e llogaridhënie. E di që është shumë e vështirë të hapesh me njerëzit, e sidomos me bashkëbesimtarët, rreth këtyre problemeve, por nuk do t’ia dilni dot vetëm. Keni nevojë për skuadrën tuaj të përbërë prej miqsh të mirë e vëllezër të perëndishëm derisa ta lini pas krahëve njëherë e mirë luginën e hijes së vdekjes ku mbretërojnë të dy përbindëshat. Keni nevojë edhe për lutjet e tyre në këtë luftë të pamëshirshme për shpëtimin e dëlirësisë seksuale!

Dëshiroj ta mbyll këtë letër duke ju bërë një thirrje të fortë o djem dhe burra të krishterë që vazhdoni të vuani prej përbindëshave e të përlesheni me ta. Apostulli Pal na thotë tek Filipianëve 1:6 se Perëndia që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit. Pra, Perëndia asnjëherë nuk do të na lërë vetëm apo braktisë në luftën tonë të përditshme. Fryma i Shenjtë do të jetë përherë i gatshëm të na fuqizojë teksa e vringëllojmë shpatën e frymës kundër përbindëshave. Fjala e Perëndisë do të jetë përherë një zë inkurajues e nxitës, por edhe qortues, teksa ne e vazhdojmë luftën. Ka shpresë për të gjithë ne, sepse Zoti Jezus me ringjalljen e Tij ka fituar mbi djallin, vdekjen edhe të gjitha mëkatet tona. Fuqia e ringjalljes së Tij është e pranishme në ne teksa jetojmë çdo ditë për lavdi të Tij edhe bëhemi gjithnjë e më të ngjashëm me Të!

Asgjë nuk është e humbur edhe asgjë nuk ka përfunduar! Thjesht duhet të mprehim armët e luftës edhe të vazhdojmë përpara! Të qëndrojmë sa më gjatë në palestrën e perëndishmërisë për të kalitur hiret e virtytet tona! Po ashtu, le të luftojmë çdo ditë me mendjen tonë për ta përtëritur atë edhe për ta përshtatur me natyrën e re e të perëndishme! Çdo ditë le të zhvishemi nga dëshirat e vjetra dhe të vishemi me njeriun e ri edhe me dëshirat e ëndjet e tij të reja që vijnë nga lart edhe janë për lavdi të Perëndisë!

Gjithashtu, kam një thirrje edhe për ju vajzat e gratë. Tani që e njohët anën e errët të vëllezërve tuaj në Krishtin edhe që e kuptoni më mirë luftën që po bëjnë ata, ju nxis që të jeni partnere llogaridhënëse dhe mbështetëse lufte për ta. Bëjini që të japin llogari për betejat e tyre kundër dy përbindëshave, por edhe inkurajojini për fitoret e tyre edhe lutuni shumë për ta, që gjërat për të cilat folëm më lart të ndodhin, si dhe që ata një ditë ta fitojnë luftën e tyre! Edhe kur ta fitojnë luftën, nxitini ata që përvojat që kanë mbledhur gjatë luftës t’i ndajnë me të tjerët që vazhdojnë të përleshen me dy përbindëshat.

Kemi nevojë që ushtria e Krishtit në Shqipëri të ngrihet në një luftë pa kompromis kundër dy përbindëshave, edhe ju, gratë e motrat tona, duhet të jeni mbështetja kryesore frymërore e logjistike e kësaj lufte! Mos kini turp t’i pyesni vëllezërit tuaj në Krishtin se si i kanë punët me dy përbindëshat! Boll qëndruam në heshtje në lidhje me këtë problem edhe e mbajtëm atë poshtë qilimit! Ka ardhur koha për transparencë të plotë edhe luftë pa kompromis kundër dy përbindëshave, sepse po marrin jetë djemsh e burrash të krishterë edhe po i shkaktojnë shumë dëme ushtrisë së Krishtit në Shqipëri edhe në mbarë botën!

Ju përqafoj që të gjithëve në Zotin Jezu Krisht,

Vëllai Juaj Kristian Dashamiri

 

*Xhon Strit (John Street) Passions of the Heart: Biblical Counsel for Stubborn Sexual Sins/Pasionet e Zemrës: Këshilla biblike për mëkatet seksuale kokëforta, P & R Publishing, 2019.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes