Shabati: Një ditë për t’u mbajtur
Nga J. C. Ryle (1816-1900)
- Autoriteti i Shabatit
- Qëllimi i Shabatit
- Si duhet të mbahet
- Mënyrat se si përdhoset
- Një Thirrje e Fundit
Është një çështje në këtë kohë që kërkon vëmendjen më të madhe nga të gjithë të krishterët rrëfyes. Kjo çështje është Shabati i Krishterë ose Dita e Zotit.
Mendjet e shumë veta trazohen nga pyetjet që ngrihen për ditën e Shabatit. “A është e detyrueshme për të krishterët mbajtja e Shabatit? A kemi ndonjë të drejtë t’i themi një njeriu që të bëjë punën e tij ose të kërkojë të kënaqet në një të Dielë është mëkat? A është e dëshirueshme të hapen vendet e argëtimit publik në Ditën e Zotit?” Të gjitha këto pyetje bëhen vazhdimisht dhe janë pyetje për të cilat ne duhet të japim një përgjigje të qartë.
Për Shabatin ka mendime dhe doktrina të çuditshme. Vazhdimisht bëhen pohime për të Dielën që lexuesit e thjeshtë të Biblës nuk i pajtojnë dot me Fjalën e Perëndisë. Nëse këto pohime do të vinin vetëm nga ajo pjesë e pamësuar dhe e paditur e botës, mbrojtësit e Shabatit nuk do të kishin arsye për t’u habitur, por ata çuditen nga persona të edukuar dhe predikues të jenë kundërshtarët e tyre. Është një e vërtetë e trishtueshme që në disa vende Shabati sulmohet nga ata që në fakt duhet të jenë miqtë e tij më të mirë.
Kjo çështje është e një rëndësie tepër të madhe. Nuk do të ishte fare e tepërt të thonim që mbarësia ose kalbëzimi i kishës varet nga mbajtja e Shabatit të krishterë. Hiqni mbrojtjen tonë të Shabatit dhe shkollat tona të së Dielës shpejt do të marrin fund. Lejoni botën dhe kërkimit të kënaqësisë në Ditën e Zotit, pa kurrfarë pengese ose ndalimi, dhe shpejt bashkësitë dhe kishat tonë do të tkurren. Nuk ka shumë fe në këtë tokë tani. Shkatërro shenjtërinë e Shabatit, dhe shumë shpejt do të ketë shumë më pak. Besoj se nuk ka gjë tjetër që do ta përparonte kaq shumë mbretërinë e Satanit sa heqja e mbrojtjes për Ditën e Zotit. Do të ishte një gëzim për të pabesin por një ofendim dhe fyerje për Perëndinë.
Unë kërkoj vëmendjen e të gjithë të krishterëve rrëfyes, ndërsa përpiqem të them dy fjalë të thjeshta për Shabatin. Si një predikues i Krishtit, si një baba i familjes, dhe dashamirës i vendit tim, ndihem i shtrënguar t’ju përgjërohem në emër të së Dielës së vjetër të Krishterë. Fjalia ime shprehet me fjalët e Shkrimit — le ta “mbajmë të shenjtë.” Këshilla ime për të gjithë të krishterët është të luftojmë fort për të gjithë ditën kundër të gjithë armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, sepse ia vlen.
Ka katër pika për t’u shqyrtuar në lidhje me Shabatin.
- AUTORITETI I SHABATIT
Në radhë të parë le të konsiderojmë autoritetin mbi të cilin qëndron Shabati.
Unë e konsideroj të një rëndësie parësore qartësimin e kësaj pike në mendjet tona. Këtu është vetë shkëmbi mbi të cilin thyhen armiqtë e Shabatit. Ata na thonë se Shabati ishte “thjesht një ordinancë për judenjtë,” dhe nuk jemi më të detyruar ta mbajmë të shenjtë. Ata i shpallin botës që mbajtja e Ditës së Zotit nuk qëndron mbi asgjë veçëse mbi autoritetin e Kishës dhe nuk mund të provohet nga Fjala e Perëndisë.
Unë besoj që ata që i thonë këto gjëra gabohen tërësisht.
Bindja ime e fortë është se mbajtja e Ditës së Shabatit është pjesë e Ligjit të Përjetshëm të Perëndisë. Nuk ishte thjesht një urdhër i përkohshëm për judenjtë. Nuk është një institut i bërë nga njeriu. Nuk është një imponim i paautorizuar i Kishës. Është një nga rregullat e përjetshëm që Perëndia ka zbuluar për drejtimin e të gjithë njerëzimit. Është një rregull që shumë kombe pa Biblën, ashtu si rregullat e tjerë, e kanë humbur dhe varrosur nën mbeturinat e bestytnisë dhe paganizmit. Por ky rregull u synua të jetë i detyrueshëm për të gjithë fëmijët e Adamit.
Çfarë thotë Shkrimi? Kjo ka rëndësi në fund të fundit. Se çfarë thotë opinioni publik apo shkruesit e gazetave nuk ka fare rëndësi. Ne nuk do të qëndrojmë përpara njeriut kur të vdesim. Ai që do të na gjykojë është Zoti Perëndi i Biblës. Çfarë thotë Zoti?
(a) Unë shkoj te historia e krijimit. Aty unë lexoj “Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi” (Zan. 2:3). Unë shoh Shabatin të përmëndet në vetë fillimin e të gjitha gjërave. Ka pesë gjëra që i’u dhanë atit të racës njerëzore në ditën që ai u krijua. Perëndia i dha një vend për të banuar, punë për të bërë, një urdhërim për të mbajtur, një ndihmë për të qënë shoqëruesi i tij, dhe Ditën e Shabatit për të mbajtur. Unë nuk mund të besoj që ishte në mendjen e Perëndisë që do të vinte një kohë kur fëmijët e Adamit nuk do të mbanin më atë.
(b) Unë shkoj të dhënia e ligjit në malin Sinai. Unë aty lexoj një urdhërim të tërë nga dhjetë urdhërime të përkushtuar ndaj Ditës së Shabatit dhe shoh që është urdhëresa më e gjatë, më e plotë, dhe më e detajuar nga të gjitha (Eks. 20:8-11). Unë shoh një dallim të madh e të qartë midis këtyre Dhjetë Urdhëresave dhe çdo pjese tjetër të Ligjit të Mosiut. Ajo ishte pjesa e vetme që u fol në dëgjesën e të gjithë njerezve. Libri i Ligjit të Ripërtërirë thotë shprehimisht që pasi Zoti e kishte folur atë “nuk shtoi tjetër” (LiP. 5:22). Ai u dha në një rrethanë të një solemniteti të veçantë, dhe të shoqëruar nga gjëmime, vetëtima, dhe një tërmet. Ishte e vetmja pjesë që u shkrua në pllaka guri nga vetë Perëndia. Ishte e vetmja pjesë që u fut në arkë. Unë e shoh ligjin e Shabatit krah për krah me ligjin për idhujtarinë, vrasjen, shkeljen e kurorës, vjedhjen, e të ngjashme si këto. Unë nuk besoj që ky ligj u dha vetëm për detyrim të përkohshëm.1
(c) Unë shkoj te shkrimet e Profetëve të Dhiatës së Vjetër. Unë i shoh ato të flasin vazhdimisht për shkeljen e Shabatit, krah për krah me shkeljet më të tmerrshme të ligjit moral (Ezek. 20:13, 16, 24; 22:8, 26). Unë i shoh ato të flasin për të si një nga mëkatet e mëdhaja që solli gjykime mbi Izraelin dhe që i dërgoi judenjtë në robëri (Neh. 13:18; Jer. 17:19-27). Më duket e qartë që në gjykimin e tyrë Shabati është dicka shumë më e lartë sesa larjet dhe pastrimet e ligjit ceremonial. Kur lexoj gjuhën e tyre nuk mund të besoj që Urdhëresa e Katërt ishte një nga ato gjërat që një ditë do të kalojë.
(d) Unë shkoj te mësimet e Zotit Jezus kur ishte mbi tokë. Unë nuk zbuloj askund ku Shpëtimtari ynë la ndonjë fjalë zhvlerësimi për asnjë prej Dhjetë Urdhëresave. E kundërta ndodh. Unë e shoh Atë të deklarojë në fillim të shërbesës së Tij “që nuk erdhi për t’i shfuqizuar, po për t’i përmbushur.” dhe konteksti i pasazhit ku Ai përdor këto fjalë nuk flet për ligjin ceremonial por për atë moral (Mat. 5:17). Unë e shoh Atë të flasë për Dhjetë Urdhëresat si një standart të njohur të moralit për të drejtën dhe të gaburën: “Ti i njeh Urdhërimet” (Marku 10:19). Unë e shoh Atë të flasë njëmbëdhjetë herë për temën e Shabatit, por në çdo rast Ai korrigjon shtesat supersticioze që farisenjtë i kishin bërë Ligjit të Moisiut për mbajtjen e tij dhe asnjëherë të mohojë shenjtërinë e Ditës. Ai nuk e heq apo shfuqizon Shabatin ashtu siç një njeri nuk shkatërron shtëpinë kur pastron myshkun ose barërat e këqij nga çatia. Mbi të gjitha, unë e shoh Shpëtimtarin ta marrë si të mirëqënë vazhdimin e Shabatit, kur ai parathotë shkatërrimin e Jerusalemit. “Lutuni,” – u thotë dishepujve Ai, “qw arratia juaj të mos ndodhë në Shabat” (Mat. 24:20). Kur shoh gjithë këtë unë nuk mund të besoj që Zoti ynë donte të thoshte që Urdhëresa e Katërt nuk ishte e detyrueshme për të krishterët siç ishin nëntë të tjerat.
(e) Unë shkoj te shkrimet e Apostujve. Unë aty gjej të folur të qartë për natyrën e përkohshme të ligjit ceremonial dhe sakrificave dhe ordinancave të tij. Unë ato i shoh të quhen “mishërore” dhe “të dobëta.” Mua më thuhet që ato janë një “hije e gjërave që do të vijnë”, “mësues për të na sjellë te Krishti,’ dhe “të imponuara deri në kohën e ndreqjes.” Por unë nuk mund të gjej as edhe një rrokje në shkrimet e tyre që mëson që ndonjë nga Dhjetë Urdhëresat është hequr. Përkundrazi, unë e shoh Apostullin Pal të flasë për ligjin moral në mënyrën më respektuese, ndonëse për këtë ai mëson fort që nuk mund të na drejtësojë përpara Perëndisë. Kur ai mëson Efesianët për detyrën e fëmijëve ndaj prindërve, ai thjesht citon Urdhëresën e Pestë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde” (Rom. 7:12; 13:8; Ef. 6:2; 1 Tim. 1:8). Unë shoh Apostujt Jakob dhe Gjon të pranojnë ligjin moral, si një rregull të njohur dhe të pranuar nga ata të cilëve u shkruanin (Jakobi 2:10; 1 Gjoni 3:4). Përsëri them që nuk mund të besoj që kur Apostujt flisnin për ligjin, ata nënkuptonin nëntë urdhëresat, dhe jo dhjetë.
(f) Unë shkoj te praktika e Apostujve, kur ata mbillnin Kishën e Krishtit. Unë shoh një përmëndje të veçantë të një dite në javë si ditë të shenjtë “Por ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën…” (Veprat 20:7) “Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë dhe të mbledhë aq sa mundet…” (1 Kor. 16:2). Unë e shoh njërin prej tyre të flasë për atë ditë si “Dita e Zotit” (Zbulesa 1:10). Padyshim që dita kishte ndryshuar — ishte bërë dita e parë e javës në përkujtim të rigjalljes së Zotit tonë, në vend të së ditës së shtatë. Unë besoj se Apostujt ishin të frymëzuar hyjnërisht për ta bërë këtë ndryshim, dhe në të njëjtën kohë të drejtuar në një mënyrë të urtë për të mos bërë dekret publik për të. Dekreti vetëm sa do të kishte ngritur një ferment në mendjen e judenjve, dhe do të shkaktonte ofendim të panevojshëm: ky ndryshim ishte më mirë të bëhej gradualisht, dhe jo të detyrohej në ndërgjegjen e vëllezërve më të dobët. Fryma e Urdhëresës së Katërt nuk u ndryshua as në shkallën më të vogël nga ky ndryshim. Dita e Zotit, në ditën e parë të javës, ishte po aq ditë pushimi pas punës gjashtë ditore siç kishte qënë edhe Shabati i ditës së shtatë. Nëse Apostujt nuk mbanin një ditë më të shenjtë se një ditë tjetër atëhere pse na thuhet kaq prerë për “ditën e parë të javës” dhe “Ditën e Zotit”?
(g) Në vend të fundit, unë shkoj te faqet e profecisë së papërmbushur. Unë shoh aty një parashikim që në ditët e fundit, kur njohuria për Zotin do të mbulojë të gjithë tokën, do të ketë një Shabat. “Nga një Shabat në tjetrin çdo mish do të vijë të bjerë në gjunjë para meje, thotë Zoti” (Isa. 66:23). Pa dyshim që qëllimi i kësaj profecie është i thellë. Nuk mund të them që i kuptoj të gjitha pjesët e saj por një gjë është shumë e sigurt për mua — dhe kjo është që në ditët e lavdishme që do vijnë në tokë do të ketë një Shabat, dhe një Shabat jo vetëm për judenjtë, por për “të gjithë mishin.” Dhe kur unë shoh këtë nuk mund të besoj që Perëndia donte që Shabati të pushonte midis ardhjes së parë të Krishtit dhe ardhjes së dytë. Unë besoj që Ai donte që të ishte një ordinancë e përjetshme në Kishën e Tij.
Unë kërkoj vëmendje serioze te këto argumente nga Shkrimi. Është shumë e qartë në mendjen time që kudo ku Perëndia ka pasur një Kishë në kohët Biblike, Perëndia gjithashtu ka pasur një Ditë Shabati. Bindja ime e patundur është se një Kishë pa Shabat nuk do të ishte një Kishë sipas modelit të Shkrimit.2
Më lejo ta mbyll këtë pjesë të kësaj teme duke dhënë dy paralajmërime.
E para, të kemi shumë kujdes nga nën-vlerësimi i Dhjatës së Vjetër. Në vitet e fundit është ngritur një tendencë për të zvogluar dhe përbuzur çdo argument fetar që nxirret nga Dhjata e Vjetër dhe njeriu që e bën këtë konsiderohet si në errësirë e i dalë mode. Bëjmë mirë të kujtojmë që Dhjata e Vjetër është po aq e frymëzuar sa edhe e Reja, dhe që feja e të dy Dhjatave është në thelb dhe në rrënjë e njëjta gjë. Dhjata e Vjetër është Ungjilli në syth, Dhjata e Re është Ungjilli në lulëzim të plotë. Dhjata e Vjetër është Ungjilli në teh, Dhjata e Re është Ungjilli në vesh të plotë. Shenjtorët e Dhjatës së Vjetër panë shumë gjëra përmes një xhami të errët, por ata panë te i njëjti Krisht me anë të besimit dhe u drejtuan nga i njëjti Frymë porsi ne. Prandaj, të mos i dëgjojmë ata që tallen me argumentat e Dhjatës së Vjetër. Shumë pabesi fillon me një përbuzje paditurie të Dhjatës së Vjetër.
E dyta, le të kemi shumë kujdes nga përbuzja e ligjit të Dhjetë Urdhëresave. Unë me hidhërim vë re se sa tejmase të sëmura janë mendimet e shumë njerëzve për këtë. Jam habitur nga gjakftohtësia që edhe predikuesi ndonjëherë flet për to si pjesë të judaizmit, dhe klasifikohet bashkë me sakrificat dhe rrethprerjen. Unë besoj që ardhja e Ungjillit të Krishtit nuk e ndryshoi pozicionin e Dhjetë Urdhëresave as edhe një fije floku. Në fakt, lartëson dhe ngre autoritetin e tyre. Unë besoj se në vendin dhe proporcionin e duhur ato janë po aq të rëndësishme për t’u shpjeguar dhe zbatuar sa edhe predikimi i Krishtit të kryqëzuar. Me anë të tyre bëhet njohja e mëkatit. Me anë të tyre Fryma i mëson njerëzit nevojën e tyre për një Shpëtimtar. Me anë të tyre Zoti Jezus mëson popullin e Tij se si të ecë dhe kënaqë Perëndinë. Do të ishte mirë për Kishën nëse Dhjetë Urdhëresat do të predikoheshin më shpesh në podium. Në çdo rast, unë kam frikë se shumica e paditurisë së tanishme për Shabatin i atribuohet pikëpamjeve të gabuara për Urdhëresën e Katërt.
- QËLLIMI I SHABATIT
Pika e dytë që dua të shqyrtoj është qëllimi për të cilin u caktua Shabati.
Unë e ndiej të domosdoshme të them diçka në këtë pikë. Nuk ka pjesë që i vendosen kaq shumë keqdeklarata qesharake për pyetjen rreth Shabatit. Në kohën e sotme shumë po ngrenë një britmë sikur po u shkaktojmë një padrejtësi kur bëjmë thirrje për mbajtjen e Shabatit të shenjtë. Ata flasin sikur mbajtja e kësaj dite të ishte një barrë e rëndë, si rrethprerja apo larja dhe pastrimi i ligjit ceremonial.
Por Shabati është caktimi i mëshirshëm i Perëndisë për dobinë e përbashkët për të gjithë njerëzimin. Shabati u “bë për njeriun” (Marku 2:27). U dha për të mirën e të gjitha klasave, për laikun sa edhe për klerikun. Nuk është një zgjedhë, por një bekim. Nuk është barrë, por një mëshirë. Nuk është një kërkesë e vështirë dhe e lodhshme, por një dobi dhe e mirë e madhe publike. Nuk është një ordinancë që njeriu duhet ta përdorë në besim pa e ditur se përse e përdor. Është një ordinancë që mbart me vete vetë shpërblimin e saj. Është i mirë për trupin dhe mendjen e njeriut. Është i mirë për kombet. Mbi të gjitha, është i mirë për shpirtat.
(a) Shabati është i mirë për trupin e njeriut. Ne të gjithë kemi nevojë për një ditë pushim. Në këtë pikë, dhe në çdo shkallë, të gjithë mjekët janë dakord. Megjithëse njeriu është krijuar në mënyrë të mrekullueshme, ai nuk mund t’i rezistojë dot punës pa pushim pa intervale të rregullta çlodhjeje. Kërkuesit e parë të arit në Kaliforni e zbuluan shpejt këtë gjë! Ashtu siç ishin moskokëçarës dhe të paperëndishëm — të nxitur nga shpresa për fitim — ata zbuluan që pushimi në ditën e shtatë ishte absolutisht i nevojshëm për ta mbajtur veten të gjallë. Ata e kuptuan mirë që pa këtë pushim në gërmimin e tyre të arit ata vetëm sa po gërmonin varret e tyre. Unë besoj fort që një arsye se pse shëndeti i klerikëve përkeqësohet kaq shpesh, është vështirësia e madhe që kanë të kenë një ditë pushimi. Jam i sigurt që nëse trupi do të mundej të tregonte dëshirat e tij, do të thërriste me të madhe “Mbaj Mend Ditën e Shabatit.”
(b) Shabati është i mirë për mendjen e njeriut. Mendja ka nevojë për pushim aq sa edhe trupi; ajo nuk mund të mbajë një sforcim të pandërprerë në fuqitë e saj; ka nevojë të ketë intervalet e saja të pushimit dhe të rimarrë forcën. Pa këto ajo ose do të telikoset parakohe, ose do të humbasë papritur si një ark i thyer. Dëshmia e Wiberforce për këtë është shumë e qëlluar. Ai deklaroi se fuqinë e durimit të tij mund t’ja atribuonte vetëm mbajtjes së rregullt të Ditës së Shabatit. Ai kujtonte që kishte parë disa prej intelekteve më të mëdhaja të kohës së tij të humbisnin papritur dhe të vinin në përfundime melankolie. Ai vuri re se në çdo rast të tillë shkaku i vërtetë i humbjes mendore ishte neglizhimi i Urdhëresës së Katërt.
(c) Shabati është i mirë për kombet. Ka një efekt të madh si në karakterin ashtu edhe në mirëqënien e përkohshme të një populli. Unë besoj fort që një popull që pushon rregullisht në Ditën e Zotit do të bëjë më shumë punë dhe një punë më të mirë në një vit se një popull që nuk pushon fare. Duart e tyre do të jenë më të forta; mendjet e tyre do të jenë më të qarta; fuqia e tyre e vëmëndjes, e aplikimit, dhe vazhdimësia e qëndrueshme shumë më e madhe.3
(d) E fundit por jo më pak e rëndësishmja. Shabati është një e mirë e papërzier për shpirtin e njeriut. Shpirti ka dëshirat e tij po aq sa mendja dhe trupi. Ai ndodhet në mes të një bote nxituese e plot zhurmë, ku interesat e tij janë në rrezik të vazhdueshëm për t’u hequr nga sytë. Të kujdesesh për këto interesa si duhet, duhet të ketë një ditë të veçantë të ndarë; duhet të ketë një kohë të përsëritur rregullisht për të shqyrtuar gjendjen e shpirtrave tanë; duhet të ketë një ditë për të na testuar dhe provuar nëse jemi të përgatitur për një qiell të përjetshëm. Hiq Shabatin e një njeriu, dhe feja e tij shpejt do të bjerë. Si rregull i përgjithshëm, ka disa hapa që çojnë nga “pa Shabat” te “pa Perëndi.”
E di mirë që shumë thonë, “feja nuk qëndron në mbajtjen e ditëve dhe të festave.” Unë pajtohem me ta. Jam shumë i vetëdijshëm që duhet më shumë sesa mbajtja e Shabatit për të shpëtuar shpirtrat tanë. Por do desha që këta persona të na thonë qartë cila lloj feje është ajo që i mëson njerëzit e saj të mos mbajnë fare një ditë të shenjtë.
E di që ka disa njerëz të mirë që besojnë se “çdo ditë duhet të jetë e shenjtë” për një të krishterë të vërtetë, duke zhvlerësuar kështu mbi këtë bazë, shenjtërimin e veçantë të ditës së parë të javës. Unë e respektoj bindjen e ndërgjegjshme të këtyre njerëzve. Unë do të shkoja po aq larg sa çdokush për të kundërshtuar një “fe të përditshme” dhe të protestoj kundër një Krishtërimi vetëm në Shabat, por kjo teori nuk është e shëndoshë dhe as biblike. Duke parë se si është natyra njerëzore jam i bindur se përpjekja për ta parë çdo ditë si Dita e Zotit do të rezultonte në mos pasjen fare të një Dite të Zotit. Marr me mend që vetëm një njeri tepër i zellshëm do të thoshte që është gabim të kesh stinë të veçanta lutjeje private, mbi bazën që ne duhet të “lutemi gjithmonë”; dhe kam bindjen që të paktë janë njerëzit, që e shohin botën me sytë e arsyetimit të shëndoshë, që nuk do të shohin që ta sjellësh fenë te njerëzit me efekt të plotë duhet të ketë një ditë në javë të ndarë veçmas për këtë qëllim.
E dimë apo jo, Shabati ynë është një nga zotërimet më të çmuara që kemi. Është i mirë për trupat, mendjet dhe shpirtrat tanë. Prej tij mund të thuhen fjalët e njohura që “është mbrojtja e lirë e një kombi.”
- SI DUHET TË MBAHET
Në vend të tretë dua të tregoj mënyrën se si duhet të mbahet Shabati.
Për këtë pikë të çështjes ka mendime të ndryshme. Është një aspekt për të cilin edhe miqtë e Shabatit nuk janë dakord plotësisht. Besoj se shumë do të luftonin po aq fort sa unë për një Shabat, por jo për Shabatin për të cilin unë luftoj. Dëshira ime është thjesht të shpalos se çfarë duket të jetë në mendjen e Perëndisë siç ajo është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë.
Më duhet të them qartë që unë nuk mund të bie plotësisht dakord me ata që nuk duan një Shabat Judaik, por një Shabat të Krishterë. Dyshoj nëse ata e dinë qartë se çfarë duan të thonë. Jam dakord që ata nuk pranojnë Shabatin fareseik. Por nëse ata nuk pranojnë Shabatin Moisianik, duhet ta konsiderojnë mirë çfarë po thonë. Unë nuk mund të gjej prova të qarta që Shabati i Dhjatës së Vjetër u synua që të mbahej më rreptësisht nga Moisiu se sa e Diela e Krishterë.
Atëhere cili është vullneti i Perëndisë për mënyrën e mbajtjes së Ditës së Shabatit? Ka dy rregulla të përgjithshme të parashtruara për drejtimin tonë te Urdhëresa e Katërt, dhe nga kjo duhet të marrin përgjigje të gjitha pyetjet.
Një rregull e thjeshtë për Shabatin është që duhet të mbahet si një ditë pushimi. Çdo punë e çdo lloji duhet të pushojë sa më shumë të jetë e mundur, si për trupin ashtu edhe për mendjen. “Mos bëj në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji, që ndodhet brenda portave të tua.” (Eks. 20:10b). Veprat e nevojës dhe mëshirës mund të bëhen. Zoti ynë Jezu Krisht na e mëson këtë, dhe na mëson gjithashtu që të gjitha këto punë ishin të lejueshme në kohët e Dhjatës së Vjetër. “A nuk keni lexuar,” – thotë Ai, “se çfarë bëri Davidi?” — “A nuk keni lexuar që priftërinjtë e shkelin Shabatin dhe megjithatë janë të pafaj?” (Mat. 12:5). Me pak fjalë çfarë do që është e nevojshme për të ruajtur dhe mbajtur jetën, ose të krijesave, ose për t’u bërë mirë shpirtrave të njerëzve, mund të bëhet në ditën e Shabatit pa mëkatuar.
Rregulli tjetër i madh rreth Shabatit është që duhet të mbahet i shenjtë. Nuk duhet të jetë mishëror, pushim sensual, si adhuruesit e viçit të artë, ku populli “u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.” (Eks. 32:6). Duhet të jetë një pushim i shenjtë. Duhet të jetë një pushim ku duhet të kujdesësh për punët e shpirtit sa më shumë të jetë e mundur, të mendohen punët e një tjetër bote, dhe të mbahet bashkësia me Perëndinë dhe Krishtin. Me pak fjalë, nuk duhet të harrohen asnjëherë që është “Shabati i Zotit Perëndisë sonë” (Eks. 20:10).
Unë kërkoj vëmëndjen tënde te këto dy rregulla të përgjithshme. Besoj se me anë të tyre mund të marrin përgjigje të gjitha pyetjet për Shabatin. Unë besoj se brenda kufijve të këtyre rregullave plotësohet çdo nevojë e ligjshme dhe e arsyeshme e natyrës njerëzore, dhe çdo gjë që shkel këto kufij është mëkat.
Dua që të dish që unë në nuk jam farise. Asnjë njeri punëtor, që ka qënë i mbyllur për gjashtë ditë të lodhshme, të mendojë që jam kundër marrjes së një pushimi të ligjshëm për trupin e tij të Dielën. Unë nuk shoh asnjë të keqe në një ecje të qetë në një të Dielë, për sa kohë që ajo nuk zë vendin e të shkuarit në adhurimin publik, dhe është me të vërtetë e qetë, si ajo e Isakut (Zan. 24:63). Unë lexoj për Zotin dhe dishepujt e tij që ecnin në ara misri në Ditën e Shabatit. Gjithçka që po them është, ki kujdes se mos e kthen lirinë në një liçensë, ki kujdes se mos lëndon shpirtrat e të tjerëve duke kërkuar pushim për veten tënde, dhe ki kujdes të mos harrosh asnjëherë që ke një shpirt ashtu siç ke edhe një trup.
Unë nuk dua që ndonjë punëtor i lodhur të keqkuptojë çfarë po them kur e nxis ta mbajë të shenjtë Shabatin. Unë nuk i them askujt që duhet të lutet gjithë ditën, ose të lexojë Biblën gjithë ditën, ose të shkojë në kishë gjithë ditën, ose të meditojë gjithë ditën pa pushim në një të Dielë. Gjithçka që po them është që pushimi i së Dielës duhet të jetë një pushim i shenjtë. Perëndia duhet të mbahet në fokus. Fjala e Perëndisë duhet të studiohet. Në Shtëpinë e Perëndisë duhet të shkohet. Punët e shpirtit duhet të shikohen në mënyrë të veçantë, dhe çdo gjë që të pengon nga të mbajturit të shenjtë në këtë mënyrë të ditës duhet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur.
Unë nuk jam admirues i fesë së zymtë. Askush të mos mendojë që unë dua që e Diela të jetë një ditë trishtimi dhe pakënaqësie. Unë dua që çdo i krishterë të jetë i gëzuar: Unë uroj që ai të ketë “gëzim dhe paqe në të besuarin,” dhe “të gëzohet në shpresën e lavdisë së Perëndisë.” Unë dua që çdo njeri ta konsiderojë të Dielën si ditën më të ndritur dhe më të gëzuar nga të shtatat. Unë i them kujtdo që ka një të Dielë të tillë që ka diçka gabim në gjendjen e zemrës së tij. Unë i them hapur që nëse nuk mund të gëzojë një të Dielë “të shenjtë”, problemi nuk qëndron te dita, por te vetë shpirti i tij.
Besoj që shumë do të mendojnë që po e vendos standartin e mbajtjes së Shabatit shumë lart. Njerëzit që nuk mendojnë dhe janë si bota, dashuruesit e parasë dhe të qejfit, të gjithë do të bërtasin që unë po kërkoj atë që është e pamundur. Është e lehtë ta thuash këtë por e vetmja pyetje për të krishterin duhet të jetë, “Çfarë mëson Bibla?” Matësi i Perëndisë për atë që është e drejtë nuk duhet të ulet te matësi i njeriut. Matësi i njeriut duhet të ngrihet lart te matësi i Perëndisë.
Unë nuk mbaj asnjë standart tjetër për mbajtjen e Shabatit atë që të krishterët më të mirë e më të shenjtë të çdo Kishe dhe kombi kanë mbajtur pothuajse pa përjashtim. Është e jashtëzakonshme të shohësh harmoninë midis tyre në këtë pikë. Ata kanë pasur dallime në tema të tjera të fesë — ata madje kanë patur mospajtime se si duhet të mbrohet shenjtëria e Shabatit — por sapo ti vjen të pyetja praktike, “si duhet të mbahet Dita e Zotit,” uniteti midis tyre është me të vërtetë i habitshëm.
E fundit por jo më e vogla për nga rëndësia. Unë nuk dua asnjë standart tjetër për mbajtjen e Shabatit se ai që është një reflektim i qetë racional mbi gjërat që do të vijnë do të ketë çdo njeri mendje-kthjellët. A do të vdesim me të vertëtë në një ditë dhe të lëmë këtë botë? A do të dalim përpara Perëndisë në një gjendje tjetër ekzistence? A janë këto gjëra kështu apo jo? Patjetër, nëse janë kështu, nuk është shumë t’ju kërkosh njerëzve t’i japin një ditë nga shtatë Perëndisë. Nuk është shumë t’u kërkosh të testojnë takimin e tyre për një botë tjetër duke e kaluar Shabatin në përgatitje të veçantë për të. Mendoj se logjika, arsyetimi, ndërgjegjja, vullneti do të bëhen bashkë dhe do të thonë që nëse ne nuk mund të kursejmë për Perëndinë një ditë në javë, ne nuk mund të jemi duke jetuar si ata që duhet të jetojnë dhe që do të vdesin një ditë.
- MËNYRAT SE SI PËRDHOSET
Gjëja e fundit që dua të bëj është të ekspozoj disa nga mënyrat se si përdhoset Shabati.
Ka dy lloje përdhosjesh të Shabatit që duhet të vihen re. E para është mënyra private. Për këtë mënyrë mijëra janë vazhdimisht fajtorë dhe ajo mund të trajtohet vetëm duke zgjuar ndërgjegjen e njeriut. E dyta është një lloj më publik. Kjo mënyë mund të rregullohet vetëm nga trysnia e opinionit publik dhe forca e ligjit.
Kur flas për përdhosjen private të Shabatit e kam fjalën për atë mënyre kalimi të shkujdesur, të pamenduar dhe shekullare të së Dielës. Çdokush që sheh përreth tij e kupton që kjo mënyrë është e zakonshme. Sa shumë veta e bëjnë Ditën e Zotit një ditë për festa – një ditë për të bërë gjërat e tyre – një ditë për të bërë udhëtime të panevojshme dhe shitblerje në bizneset — një ditë për të lexuar gazetat ose novelat — një ditë për të folur politikë dhe thashetheme boshe — me pak fjalë, një ditë për të folur për gjithçka përveç gjërave të Perëndisë.
Të gjitha këto gjëra janë gabim, shumë gabim. Unë besoj që janë me mijëra ata që nuk kanë as edhe mendimin më të vogël për këtë gjë. Ata mëkatojnë nga padituria dhe mospërfillja. Ata bëjnë siç bëjnë të tjerët; ata e kalojnë të Dielën si etërit dhe gjyshërit bënin përpara tyre. Ështe e pamundur të thuash që të kalosh të Dielat siç e kam përshkruar është ta “mbash ditën të shenjtë”! Është një shkelje e hapur e Urdhëresës së Katërt, si në shkronjë ashtu edhe në frymë. Pavërisht sesa të vogla dhe të parëndësishme mund të duken këto thyerje të Shabatit ato janë pikërisht ato lloj gjërash që i pengojnë njerëzit të flasin me Perëndinë dhe të marrin të mirë nga Dita e Tij.
Kur flas për përdhosjen publike të Shabatit, e kam fjalën për ato praktika të hapura, të pacipa, që sheh syri të Dielave në lagjet e qyteteve të mëdha. E kam fjalën për mbajtjen e dyqaneve hapur dhe të blerit e të shiturit të Dielën. I referohem eksursioneve argëtuese të Dielën me anë të transportit publik dhe hapja e vendeve për dëfrim publik dhe përpjekjeve që shumë po bëjnë në këtë kohë për të përdhosur Ditën e Zotit, pavarësisht autoritetit të saj Hyjnor. “Mbaj mend ditën e shabatit për ta shenjtëruar.” (Eks. 20:8).
Nuk kam as edhe dyshimin më të vogël për të gjitha këto pika. Këto mënyra të të kaluarit të Shabatit janë të gjitha gabim, padyshim gabim. Për aq kohë sa Bibla është Bibla, dhe Urdhëresa e Katërt Urdhëresa e Katërt, nuk mund të dal në asnjë përfundim tjetër. Ato të gjitha janë gabim. Asnjëra nga këto mënyra të së kaluarit të së Dielës nuk janë punë nevoje ose vepër mëshirë. Nuk ka ngjashmërinë më të vogël midis tyre dhe ndonjë prej gjërave që Zoti Jezus shpjegon që janë të ligjshme dhe të lejuara në Ditën e Shabatit. Të vizitosh një njëri të sëmurë, ose të nxjerrësh demin nga gremina, është një gjë por të udhëtosh në eskursione me tren, të shkosh në koncerte, teatër, kërcime dhe kinema, është diçka tjetër. Ndryshimi është aq i madh sa është drita nga errësira. Asnjëra nga këto mënyra të të kaluarit të së Dielës nuk ka një prirje për shenjtëri, ose të na ndihmojnë të mendojmë gjërat që janë në qiell. Në të vërtetë asgjë! E gjithë përvoja na mëson që duhet diçka më shumë se bukuritë e artit dhe natyrës që t’i mësojë njeriut rrugën për në qiell.
Këto mënyra të kaluarit të së Dielës nuk kanë dhënë asnjëherë të mirë morale ose shpirtërore në asnjë vend ku ato janë provuar. Ato janë provuar për qindra vite në Itali, në Gjermani dhe në Francë. Ku dëfrimet të Dielën dhe sporti janë provuar prej kohësh në qytetet e Europës. Por çfarë të mire kanë nxjerrë ato që ne dëshirojmë t’i imitojmë? Çfarë përparësish fitojmë po ta bëjmë të Dielën e Londrës si e Diela e Parisit ose qyteteve të tjera të Europës. Do të ishte një ndryshim për të keq, dhe jo për mirë.
E fundit por jo më e vogla për nga rëndësia. Këto mënyra të së kaluarit të së Dielës sjellin një dëm mizor në shpirtrat e njerëzve. Transporti Publik nuk mund të funksionojë të Dielave pa punësimin e mjëra njerëzve nëse njerëzit do ta bëjnë të Dielën një ditë udhëtimi dhe eskursioni. Argëtimet nuk mund të hapen të Dielën pa punësimin e shumë vetave që kujdesen për ata që i përdorin ato. A nuk kanë këta persona të mjerë shpirtra të pavdekshëm? A nuk kanë nevojë të gjithë ata për një ditë pushimi si të tjerët? Padyshim që po. Por e Diela nuk është e Dielë për ta, për sa kohë që këto përdhosje publike të Shabatit lejohen. Jeta e tyre bëhet një zinxhir i gjatë e i pathyer pune, pune, punë pa pushim. Me pak fjalë, ajo që është lojë për të tjerët bëhet vdekje për ta. Larg qoftë ideja që një Shabat dëfryes në Europë është mëshirë për çdo njeri! Nuk është asgjë tjetër veçëse një falsitet i madh që ta quash kështu. Një Shabat i tillë nuk është mëshirë e vërtetë për askënd dhe një sakrificë për disa.
I shkruaj këto gjëra me hidhërim. E di shumë mirë se sa e vërteta janë këto për shumë nga bashkëkombasit e mi. Kam kaluar shumë të Diela në qytetet e mëdha. Kam parë vetë me sytë e mi nga shumë veta se si Dita e Zotit bëhet si një ditë e botës, një ditë joperëndishmërie, një ditë qejfi mishëror, dhe shumë shpesh një ditë mëkati. Por shtrirja e sëmundjes nuk duhet të na ndalojë në ekspozimin e saj. E vërteta duhet të thuhet.
Ka një përfundim të përgjithshëm që duhet të nxirret nga ata që e përdhosin publikisht Shabatin në mënyrën që e kam përshrkuar. Ata tregojnë që aktualisht janë “pa Perëndinë” në botë. Ata janë si izraelitët që thanë, “Kur do të kalojë Shabati?” — “Ah sa u lodhëm!” (Amosi 8:5; Mal. 1:13). Është një përfundim i tmerrshëm, por është i pamundur për t’u shamngur. Shkrimi, historia, dhe përvoja të gjitha bëhen bashkë për të na mësuar, që kënaqësia në Fjalën e Perëndisë, në shërbesën e Zotit, me njerezit e Zotit, ne Ditën e Zotit, gjithmonë do të shkojnë bashkë. Kërkuesit e dëfrimit të Dielën janë vetë dëshmitarët e tyre. Ata çdo javë deklarojnë publikisht, “Ne nuk na pëlqen Perëndia — ne nuk duam që Ai të mbretërojë mbi ne.”
Nuk është aspak argument që në përgjigje të asaj që kam thënë të thuhet që shumë njerëz të mëdhenj e të mësuar nuk shohin asnjë të keqe ne argëtimin, sportin, dhe dëfrimin e së Dielës. Nuk ka rëndësi në çështjet fetare, kush e bën një gjë. E vetmja pikë për t’u konstatuar është, “nëse është e drejtë”.
Le të qëndrojmë mbi Biblën, dhe të mbajnë fort mësimin e saj. Çfarëdo që të tjerët e mendojnë të ligjshme dhe të lejuar, le të jetë fjala jonë që një ditë në shtatë, dhe një ditë e tërë, duhet të mbahet e shenjtë për Perëndinë.
NJE THIRRJE E FUNDIT
Dhe tani dua t’ju them një fjalë ndarjeje grupeve të ndryshme të personave që po lexojnë këto faqe. Unë shkruaj si një mik. Unë kërkoj për një dëgjesë të drejtë dhe të durueshme.
(1) Para së gjithash unë u bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë zakon të shkelin Shabatin. E shkel publikisht ose privatisht, e shkel bashkë me të tjerët apo vetëm, unë kam diçka për të të thënë.
Unë të kërkoj ta konsiderosh seriozisht, se si do të përgjigjesh për sjelljen e tanishme në ditën e gjykimit. Unë e vendos atë solemnisht në ndërgjegjen tënde. Unë të kërkoj të mendosh në heshtje dhe qetësi se sa shumë i papërshtatshëm je të dalësh përpara Perëndisë. Ti nuk mund të jetosh gjithmonë. Një ditë ti do të shtrihesh dhe do të vdesësh. Ti nuk mund ti shpëtosh gjykatës në botën që po vjen. Ti do të qëndrosh përpara Fronit të Madh të Bardhë dhe të japësh llogari për të gjitha veprat e tua. Këto janë realitete të mëdha, dhe ti e di që janë të vërteta. Unë e përsëris atë me qëllim: Veç në qofsh një krijesë mendjelehte, një skeptik, që i merr këto gjëra si një përralle të shpikjes njerëzore, ti e di që këto gjëra janë të vërteta.
Ku është përgatitja jotë për t’u takuar me Perëndinë dhe t’i japësh llogari Atij? Ku është gatishmëria jote për një përjetësi në shoqërinë e Tij, dhe shoqërinë e shenjtorëve dhe të engjëjve? Po! Fare mirë mund të pyes, Ku? Ti nuk jep dot një përgjigje. Ti nuk mundesh t’i japësh Perëndisë një ditë të vetme në shtatë! Ty të lodh të kalosh një të shtatën e kohës tënde në përpjekje për të njohur çdo gjë rreth Atij, përpara të Cilit do të qëndrosh një ditë!
Oh, ti shkelës i Shabatit, konsidero rrugët e tua, dhe ji i urtë!
Çfarë të keqe i ka bërë e Diela botës, që duhet ta urresh kaq shumë? Çfarë të keqe të ka bërë Perëndia ty, që ti me kaq kokëfortësi i kthen shpinën ligjeve të Tij? Çfarë dëmi i ka bërë besimi i krishtërë njerëzimit, që ti duhet të kesh kaq shumë frikë e të paturit të tepërt? Shiko te qiejt sipër teje, dhe mendo për atë Qënie madhështore që është Perëndia i përjetshëm.
Shko në shtëpinë e Perëndisë, dhe dëgjo ungjillin të predikohet. Rrëfe mëkatet e kaluara te Froni i Hirit, dhe kërko falje përmes gjakut që “pastron nga cdo mëkat.” Rregullo kohën tënde të Dielën në mënyrë që të kesh kohë të lirë për meditim të qetë e të kthjellët mbi gjërat e përjetshme. Shmang shoqërinë që do të të çojë të flasësh vetëm për këtë botë. Merre Biblën tënde të lënë pas dore prej kohësh dhe studjoi faqet e saj. Bëje, bëje këtë të Dielë! Mund të jetë e vështirë në fillim, por lufta ia vlen. Bëje, dhe do të jetë mirë për ty në kohë dhe në përjetësi.
(2) Më tej, unë u bëj thirrje të gjithë atyre që u përkasin komunitetit industrial.
Unë ju kërkoj të mos mashtroheni nga ata që duan që shenjtëria e Ditës së Zotit të jetë e më e zënë në publik se sa është, dhe prapësëprapë i’u thonë “miq të klasës puntore.” Më besoni, në realitet ata janë armiqtë më të këqinj: ata po marrin drejtimin më të sigurt për të shtuar barrët e tyre. Me shumë të ngjarë, ata nuk e nënkuptojnë këtë, por në realitet janë duke u bërë një lëndim mizor.
Të jesh i sigurt që nëse të Dielat tona do të kthehen ndonjëherë në ditë loje zbavitje, ato shpejt do të bëhen një ditë pune. Është e kotë të hamendësosh që kjo mund të shmanget: nuk ka ndodhur asnjëherë në vendet e tjera; nuk do të jetë asnjëherë në tokën tonë.
Besoj që të gjithë njerëzit puntorë në Angli nuk do të mashtrohen për këtë pyetje Shabati. Nga të gjithë njerëzit në tokë ata janë më të interesuarit. Askush nuk ka më shumë për të humbur në këtë çështje sa ata, dhe askush nuk ka kaq pak për të fituar sa ata.
(3) Më tej, unë u bëj thirrje, të gjithë atyre që rrëfejnë se e nderojnë Shabatin por nuk kanë dëshirë të shohin që të ndryshohet karakteri i tij në këtë mënyrë.
Ju kërkoj të konsideroni nëse nuk jeni më shumë strikt për ta mbajtur Ditën e Shabatit të shenjtë sesa keni qënë deri tani. Unë kam frikë se ka shumë tolerim dhe shkujdesje në shumë vende në këtë pikë. Kam frikë se shumë që nuk mendojnë fare për shkeljen e Urdhëresës së Katërt janë fajtorë për pakujdesi dhe shkujdesje në mënyrën se si ata i binden urdhërimeve të saj. Kam frikë që bota hyn më shumë se sa duhet të Dielave te familjet e respektuara dhe që shkojnë në Kishë. Kam frikë se shumë veta e mbajnë vetëm Shabatin, por nuk u japin asnjë mundësi të tjerëve për ta mbajtur të shenjtë. Kam frikë se shumë veta që e mbajnë Ditën e Zotit me shumë lezet të jashtëm kur janë në shtëpi, janë shpesh shkelës të rëndë të Shabatit kur shkojnë jashtë shtetit. Kam frikë se qindra udhëtarë britanikë bëjnë gjëra të Dielën në Europë që nuk do t’i bënin në tokën e tyre.
Kjo është një e keqe si ulçër. Nëse e duam me të vërtetë Ditën e Zotit, le ta provojmë dashurinë tonë nga mënyra se si e përdorim atë. Kudo ku të jesh, në shtëpi apo jashtë, në shtetet protestante apo katolike, le të jetë sjellja jonë të Dielën e tillë sa që bëhet dita. Të mos harrojmë kurrë që sytë e Zotit janë në çdo vend dhe se Urdhëresa e Katërt është e detyrueshme në Itali, Zvicër, Gjermani, ose Francë, siç është edhe në vendin tonë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, le të mbajmë mend që Urdhëresa e Katërt siç flet për ne, flet edhe për “shërbëtorin dhe shërbëtoren”.
(4) Në vend të fundit, unë i bëj thirrje të gjithë atyre që duan Zotin Jezu Krisht me sinqeritet, dhe janë të zellshëm për kauzën e tij. Unë ju kërkoj të mendoni nëse nuk është detyrë solemne e të gjithë të krishterëve të vërtetë të marrin masa shumë më efektive nga sa kemi bërë deri më tani, për të ruajtur shenjtërinë e Ditës së Zotit?
Ne krijojmë shoqëri për të mbrojtur Ditën e Zotit, dhe propozojmë masë pas mase në Parlament për të ndaluar tregëtinë të Dielën. Por a është kjo e mjaftueshme? Jo, nuk është!
E vërteta duhet folur. Ne duhet të fillojmë nga poshtë. Ne nuk mund t’i bëjmë njerëzit fetarë vetëm me Aktet e Parlamentit. Ne duhet të mësojmë të drejtën po aq sa të ndalojmë të gabuarën: ne duhet të përpiqemi të pengojmë të keqen po aq sa edhe ta kufizojmë atë. Ne duhet të godasim te rrënja e të këqijave. Ne duhet të mundohemi të ungjillëzojmë masat e burrave dhe grave që tani e shkelin Shabatin e tyre çdo javë. Ne duhet t’u tregojmë atyre një rrugë më të mirë. Ne duhet ta largojmë këtë burim të shkeljes së Shabatit dhe të mos të kënaqemi në vetvete thjesht me pengimin e ujërave kur ato dalin nga shtrati.
Unë i sjell këto gjëra në vëmëndjen e të gjithë atyre që e duan Zotin Jezu Krisht në sinqeritet. Londra, Mancesteri, Liverpuli, Glasgou dhe qytetet e tjera të mëdha të ugjillëzohen tërësisht, dhe ti do t’i japësh një goditje vdekjeprurëse në rrënjën e të gjithë shkeljeve të Shabatit.
E vërteta e thjeshtë është që shkelja e Shabatit në kohën e taishme është vetëm njëra nga shenjat e gjendjes së varfër e të ulët të fesë së gjallë. Unë i lutem Perëndisë që të gjithë ne të mësojmë urtësi dhe të ndryshojmë rrugët tonë përpara se të jetë tepër vonë. Ne duam më shumë punë për Krishtin. Ne duam një kthim te shtigjet e vjetra të Apostujve në çdo degë të Kishës; ne duam një brez predikuesish ku ambicia e tyre e parë është të shkojnë në çdo dhomë të kishës së tyre dhe të tregojnë për kryqin e Krishtit. Nëse qytetet tona të mëdha nuk ungjillëzohen tërësisht, asnjëherë nuk do të jemi pa luftë PËR TË MBAJTUR TË SHENJTË SHABATIN.
SHËNIME
1. Peshkopi Andrewes vëren me mençuri se është gjë e rrezikshme që ta bësh Urdhëresën e Katërt ligj ceremonial, dhe thjesht deyrim të përkohshëm: “Papistët (katolikët) më pas do ta bëjnë Urdhëresën e Dytë gjithashtu cermoniale; dhe nuk ka arsye që të mos kthehen në këtë mënyrë tre, ose katër dhe pesë, ose të gjitha.” — “Ne mbajmë që të gjitha rregullat ceremoniale kanë përfunduar dhe janë shfuqizuar nga vdekja e Krishtit: por nuk është kështu me Shabatin.” — Peshkopi Andrewes mbi Ligjin Moral, 1642.
2. Citimet e mëposhtme janë bashkangjitur nga predikues të shquar. Në një ditë si kjo e sotmja kur i dëgjojmë predikuesit kaq shpesh të mohojnë autoritetin Hyjnor të Ditës së Zotit, është mirë t’i tregojmë lexuesit që ka predikues të tjerë, disa prej të cilëve të mësuar në mënyrë të jashtëzakonshme, që kanë një pikëpamje krejtësisht tjetër.
LE TË DËGJOJMË ÇFARË THOTË BAXTERI: “Ka qënë praktika e vazhdueshme e të gjitha Kishave të Krishtit në të gjithë botën që nga koha e Apostujve e deri më sot, për t’u mbledhur për adhurim publik në Ditën e Zotit, si një ditë të ndarë nga Apostujt. Kaq universal ishte ky gjykim dhe praktikë, saqë nuk ka asnjë Kishë, asnjë shkrues, dhe asnjë heretik që të mbaj mend ose të kem lexuar, që mund të provohet që të ketë kundërshtuar atë deri në kohët e vona.” Baxter mbi Caktimin Hyjnor të Ditës së Zotit, 1680.
LE TË DËGJOJMË ÇFARË THOTË LIGHTFOOT: “Dita e parë e javës mbahej kudo si Shabati i Krishterë, dhe që nuk duhet të kalohet pa u vënë re, për aq sa shfaqet në Shkrim, që nuk ka askund asnjë mosmarrëveshje apo kundërshti për këtë cështje. Kishte debat në lidhje me rrethprerjen, dhe pika të tjerët të judaizimit. Nëse ato duhej të mbaheshin apo jo, por nuk lexojmë askund ndonjë shqetësim për ndryshimin e Shabatit. Kishte disa judenj të shpëtuar me anë të Ugjillit, të cilët në disa gjëra të tjera mbajtën diçka nga judaizmi i tyrë i vjetër, siç ishte mbajtja e festave (Rom. 14:5; Gal. 4:10), por nuk refuzuan apo neglizhuan Ditën e Zotit. Ata e mbanin atë dhe duket që nuk kishte mospërfillje për të; por ata doin që të kishin edhe festat e tyre. Ata nuk e debatuan fare nëse duhej të mbahej Dita e Zotit.” — Veprat e Lightfoot, vol. xii., 556. 1670.
E gjithë çështja e ndryshimit nga Shabati i Ditës së Shtatë te Dita e Zotit është një çështje që lexuesi do ta gjejë të trajtuar mirë në predikimet e Peshkopit Daniel Wilson, Mbi Ditën e Zotit.
3. “Në Angli nuk jemi më të varfër, por më të pasur, për shkak se përmes shumë shekujve ne kemi pushuar nga puna jonë një ditë në shtatë. Ajo ditë nuk është e humbur. Ndërsa industria ka ndalur, ndërsa plugu qëndron në hulli, ndërsa bursa është e heshtur, ndërsa asnjë tym nuk del nga fabrikat, një proces po vazhdon po aq i rëndësishëm për pasurinë e kombeve si çdo proces që kryhet në ditët më të zënë. Njeriu, makineria e makinerive, makineri që kur krahasohet me shpikjet e Watts-it dhe Arkwrights-it janë të pavlera, është duke u riparuar, në mënyrë që ai të kthehet te puna e tij të hënën me intelekt më të qartë, me frymë më energjike, me fuqi trupore të ripërtërirë.” — Fjalimi i Macaulay në Projektligjin e Dhjetë Orëve. Fjalimet, pp. 450, 453, 454.
I njohuri Blackstone thotë, “Mbajtja e një ditë në shtatë të shenjtë, si një ditë pushimi dhe çlodhje, si edhe për adhurim publik, është një shërbesë e admirueshme ndaj një shteti, të konsideruar thjesht si një institucion civil.” — Komentarët e Blackstone, vol. 4, f. 63.