Si duhet ta shpallim Ungjillin?

Ne si besimtarë dhe ndjekës të Krishtit, jemi të urdhëruar për ti shpallur Ungjillin cdo krijese. Por si mund t’ia shpallim ungjillin jobesimtareve biblikisht? Ky artikull vjen në ndihmë të besimtarëve për ti ndihmuar ata të shpallin Ungjillin të tjerëve. Tani, ndoshta jo gjithmonë do të kemi mundësi të themi cdo fjali është shkruar këtu, sepse varet edhe nga konteksti në të cilin po ndodh ungjillizimi. por është mirë që të ndiqet kjo vijmësi.

Si fillim, prezantimi i Ungjillit duhet të fillojë me shenjtërinë e Perëndisë dhe disa nga vargjet që flasin për shenjtërinë e tij janë këto:

I shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i Tij.” (Psalmi 111:9b)

“I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Githëpushtetshmi, që ishte, që është dhe që vjen!” (Zbulesa 4:8b)

“Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni që të jem baras me të? – thotë i Shenjti.” (Isaia 40:25)

“Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë.” (Habakuku 1:13)

Pasi kemi folur për shenjtërine e tij duhet të tregojmë që njeriu është një mëkatar ligësia e të cilit është tepër e madhe përpara këtij Perëndie të shenjtë dhe këtë e bëjmë dukë shkuar të Ligji. Bibla thotë se ligji është mësuesi ynë për te Krishti (Galatasit 3:24). Ligji është pasqyra ku njeriu shikon ligësinë e tij, dhe nëse duam që Fryma të veprojë në zemrat e njerëzve dhe njerëzit të shikojnë me të vërtetë sa mëkatarë të mëdhenj që janë dhe të shohin nevojën për një Shpëtimtar ne duhet ti cojmë ata te Ligji. “Nuk mund te shkosh te Krishti për t’u drejtësuar pa shkuar më parë te Moisiu për tu dënuar” ka thënë Xhon Stot (John Stott). Mëkatari duhet të ballafaqohet me Ligjin e Perëndisë specifikisht dhe thellësisht dhe një shembull i mirë janë 10 Urdhërimet.

Ne duhet ti tregojmë atij se në cfarë gjendje të mjerë është ai përpara Perëndisë. Bibla na thotë këtë gjë për gjendjen e ti:

Ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.” (Psalmi 5:5)

“Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet cdo ditë me keqbërësit.” (Psalmi 7:11)

“Por, sipas ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjyqit të drejtë të Perëndisë.” (Romakët 2:5)

“Dhe ishim prej natyre bij të zemërimit.” (Efesianët 2:3).
“Kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:36)

Këto vargje na tregojnë që mbi jobesimtarët nuk është dashuria e Perëndisë që qëndron mbi ta, por zemërimi i tij, për shkak se Ai është një Perëndi i shenjtë dhe një Perëndi i drejtë dhe një Perëndi që e urren mëkatin. Të gjithë jobesimtarët janë nën zemërimin e drejtë dhe të shenjtë të Perëndisë.

Gjithashtu është e domosdoshme që të flitet më shumë për realitetin e ferrit dhe gjykimin e Perëndisë. Ne duhet ti paralajmërojmë për atë vend në të cilin mëkatarët janë duke shkuar. Xhonathan Eduards (Jonathan Edwards) në predikimin e tij “Mëkatarët në duart e një Perëndie të zemëruar” (Libri në shqip, “Larg Perëndisë, drejt shkatërrimit”) flet specifikisht për këtë gjë dhe na jep një shembull shumë të mirë.

Pasi kemi folur për njeriun dhe gjendjen në të cilën ndodhet, atëhere shkojmë dhe flasim për Krishtin, kush ishte Ai, cfare beri ai ne kryq, dhe ringjalljen. Duhet të themi që Krishti erdhi dhe pagoi në kryq për të gjitha mëkatet e atyre që do të besojnë. Dënimi që duhej të bintë mbi këta persona, ra mbi të. Zemërimi i Perëndisë i cili duhej të binte mbi ta, ra mbi Krishtin, Birin e tij të vetëm.

Dhe pasi kemi treguar për Krishtin, bëjmë thirrje që personi të pendohet dhe të besojë vetëm në Krishtin për shpëtimin e tij. Bibla thotë,

“Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja” (Ezekieli 18:30).

“Pendohuni sepse mbretëria e qiejve është afër” (Mateu 3:2).

“Pendohuni sepse mbretëria e qiejve është afër” (Mateu 4:17),

“Pendohuni dhe besoni Ungjillin” (Marku 1:15).

“Atëhere Pjetri u tha atyre, “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve.” (Veprat 2:38).

“Pendohuni, pra, dhe kthehuni që të shlyhen mëkatet tuaja.” (Veprat 3:19)

Megjithëse shumë të krishterë në këtë moment i nxisin njerëzit të përsërisin një lutje, e vërteta është se atë lutje nuk e gjejmë në asnjë vend të Shkrimit. Njerëzit nuk shpëtohen me anë të një lutje. Thirrja e Krishtit, apostujve, etërve të kishës dhe reformatorëve dhe krishtërimit nëpër histori ka qënë dicka krejt tjetër. Gjithmonë thirrja e tyre ka qënë, “Pendohuni dhe Besoni” sic edhe Bibla thotë. Në asnjë vend në Bibël dhe në asnjë moment të historisë së kishës nuk lexojmë “Të bësh lutjen e shpëtimit”, ose “të marrësh një vendim për Krishtin”, ose “të ftosh Jezusin në zemër” ose “të dalësh përpara për të marrë Krishtin.” Asnjë predikues i Dhjatës së Re nuk përdori kurrë këto terma dhe taktika! Këto janë shpikje moderne qëu futën fillimisht nga Charles Finney!

Ne kemi përgjegjësinë për të shpallur ungjillin biblikisht ndaj të gjithve, por ne nuk mund tu themi, “Ti tani je i shpëtuar, bir i Perëndisë, mirëserdhe në familjen e Perëndisë”, sepse ne nuk e dimë nëse kthimi i tyre është i vërtetë apo fallco. Ajo që mund tu japim është premtimi që nëse ata ME TË VËRTETË janë penduar dhe kanë besuar te Krishti, Perëndia i ka shpëtuar, por edhe tu themi gjithashtu që jeta e tyre do të tregojë nëse ky kthim dhe besim ka qënë i vërtetë apo ka qënë fallco. Frytet do të tregojnë cfarë besimi ka në të vërtetë. Të përpiqemi të jemi të ndershëm me ta.

Dhe nëse një njeri ka dyshime për shpëtimin, duhet të hetojë vetveten nëse është në besim (2 Korintasit 13:5) dhe të shikojë testet që gjenden në letrën e parë të apostullit Gjon.

Gjithmonë duhet të kemi parasysh që ne nuk duhet të zbusim ungjillin për ta bërë më të pëlqyeshëm për njerëzit mëkatarë. Ne duhet të përpiqemi të jemi besnikë ndaj Perëndisë dhe ta shpallim ungjillin e plotë me të gjitha pjesët e papëlqyeshme për njeriun ashtu sic Bibla i jep.

Një doktor që shkon te një pacient me kancer, dhe nuk i tregon të gjithë të vërtetën e hidhur nuk është një doktor i mirë. Edhe ne, nëse nuk predikojmë të gjithë këshillën e plotë të Perëndisë dhe të gjitha pjesët e Ungjillit, ne nuk jemi besnikë ndaj Tij.

Ungjilli Biblik dhe Ungjilli i fokusuar te Perëndia ka në fokus Perëndinë. Ai fillon me shenjtërinë e Perëndisë, ballafaqimin e mëkatarit me ligjin e Perëndisë, me gjykimin e Perëndisë dhe ferrin, dhe pasi njeriu ka parë me të vërtetë gjendjen e tij të mjerë para Perëndisë dhe ka parë nevojën urgjente për një Shpëtimtar, flasim për Krishtin që pagoi për mëkatet tona dhe mori zemërimin e Perëndisë dhe pas tre ditësh u Ringjall. Dhe pas kësaj u bëjmë thirrje të gjithë njerëzve për pendesë dhe besim në Krishtin.

Soli Deo Gloria
Bestar Flamuraj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes