A Mëson Bibla për një të Ardhme të Bekuar për Izraelin?
Nga Martyn McGeown, CPRC
Shumë veta mendojnë sot se Shteti i Izraelit është përmbushja e profecive të Dhiatës së Vjetër. Por mbani mend se Abrahami, nuk e zotëroi kurrë tokën, madje as “edhe vend për të vënë një këmbë” (Veprat 7:5). Patriarkët, trashëguan Kanaanin qiellor (Heb. 11:16), ku, Kanani tokësor, është veçëse një tip.
Hebrenjve 3:19 mëson se izraelitët “nuk mundën të hynin për shkak të mosbesimit.” Te Ezekieli 33:25-26, Perëndia bën pyetjen retorike: “Ju hani mishin me gjak, ngrini sytë nga idhujt tuaj, derdhni gjak dhe dëshironi të zotëroni vendin. Ju mbështeteni te shpata juaj, kryeni gjëra të neveritshme, secili ndot gruan e fqinjit të tij dhe dëshironi të zotëroni vendin?” Qartazi, mospendimi dhe mosbesimi ishin pengesa për trashëgiminë e tokës. Prandaj, si mund të jetë hebrenjtë jobesimtarë që zotërojnë Palestinën në vitin 1948 përmbushje e profecisë?
Ti interpretosh profecitë në mënyrë literale të rreptë kërkon konsistencë. A duhet ta mbajnë Johebrenjtë festën e kasolleve në Jeruzalem (Zak. 14:16-19)? Jezusi tregon se adhurimi i përcaktuar gjeografikisht do të pushojë: “…më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.” (Gjoni 4:21). A nuk do të ishte kthimi në festën e kasolleve një hap prapa drejt hijes (Kol. 2:17), dhe një rikthim te “elementët e dobët e të varfër” të ligjit (Gal. 4:9-11)? Isaia profetizon se “po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shtrijë dorën e tij për herë të dytë për të shpenguar mbetjen e popullit të tij” (Isa. 11:11). Nëse ky premtim i lavdishëm u përmbush në vitin 1948 me themelimin e Izraelit kombëtar, siç pretendojnë disa, ku është restaurimi i Filistejve, Edomit, Moabit dhe bijve të Amonit që do të jenë vasalët e tij? Këto kombe janë zhdukur dhe nuk janë restauruar në vitin 1948. Një përmbushje literaliste e Isaias 11 kërkon që Izraeli “do të fluturojë mbi shpatullat e Filistejve drejt perëndimit … do të vënë dorën e tyre mbi Edomin dhe mbi Moabin, dhe bijtë e Amonit do të jenë nënshtetas të tyre.” (v. 14). Perëndia e urrente Edomin dhe “e bëri të shkretë malin e tij dhe trashëgiminë e tij për çakejtë e shkretëtirës” (Mal. 1:3). Edhe pse Edomitët u përpoqën të rindërtojnë, Perëndia i rrëzoi përsëri (v. 4). Me të vërtetë, për hir të Jakobit, të cilin Ai e deshi, Perëndia kishte zemërim ndaj Edomitëve përjetësisht (v. 4). Kjo padyshim përjashton një restaurim literalist të Edomit! Megjithatë, një përmbushje e ardhshme literaliste e Isaias 11 kërkon restaurimin e Edomitëve dhe kombeve të tjera të zhdukura (v. 14). Për të kuptuar çfarë nënkupton Isaia me “herën e dytë” që Perëndia sjell përsëri popullin e Tij nga robëria (v. 11), duhet të kuptojmë se hera e parë ishte Eksodi nga Egjipti (v. 16). Pra, logjikisht, rikthimi i dytë ishte nga Babilonia dhe jo në 1948.
Dhiata e Re hedh dritë mbi profecitë e Dhiatës së Vjetër. Si duhet t’i kuptojmë ato, pasi, interpretimi literalist çon në absurditete?
Dhiata e Re, ashtu si edhe e Vjetra, është e përqendruar kryesisht tek Izraeli shpirtëror. “Kombi” më i gjerë përbëhej nga të zgjedhurit, “bijtë e premtimit” që “numërohen si pasardhës” (Rom. 9:8), dhe të anashkaluarit, “bijtë e mishit” (Rom. 9:8) që shpesh e çonin kombin në idhujtari. Në çdo epokë, Perëndia dëshironte të shpëtonte Izraelin shpirtëror. Në Dhiatën e Vjetër, Izraeli shpirtëror gjendej kryesisht në kombin e Izraelit. Nëse shpëtoheshin johebrej etnikë, si Ruthi dhe Rahabi, ata i bashkoheshin kombit të Izraelit. Në Dhiatën e Re, Izraeli shpirtëror përbëhet nga të gjithë besimtarët në Jezus Krishtin. Të krishterët e Dhiatës së Re, edhe pse në shumicë janë johebrenj, janë “hebrenj përbrenda” dhe janë të rrethprerë “në zemër” (Rom. 2:28-29; krh. Ligji i Për. 30:6; Jer. 4:4). Pali u thotë besimtarëve kryesisht johebrenj në Filipi, se ata janë “rrethprerja” (Fil. 3:3). Për më tepër, të krishterët janë qytetarë të Jeruzalemit qiellor (Gal. 4:26) dhe ata që “kanë ardhur në malin Sion” (Heb. 12:22).
Një hebre etnik jobesimtar, edhe pse mund të banojë në vetë Jeruzalem, nuk është fëmijë shpirtëror i Abrahamit (Gal. 3:7), sepse ” jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael” (Rom. 9:6). Gjon Pagëzori, Krishti dhe apostujt, që ishin vetë izraelitë “sa i përket mishit” (Rom. 9:5; Fil. 3:5), e theksuan këtë shpesh ndaj jobesimtarëve në Palestinën e kohës së tyre, dhe padyshim që, ata nuk ishin antisemitë (Mat. 3:9; Gjon 8:39; Vep. 7:51; Rom. 9:7). Në Krishtin nuk ka “as jude, as grek” (Gal. 3:28-29), sepse “as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie.” (Gal. 5:6).
“Izraeli” nuk do të pushojë kurrë së qeni “komb” (Jer. 31:36), por “kombi i shenjtë” i përmendur është kisha (1 Pjet. 2:9) që përbëhet nga hebrenj dhe johebrenj, ajo që përmendet te Mateu 21:43 e cila do të zëvendësonte kombin e vjetër teokratik të Izraelit. Perëndia gjithmonë ka pasur një “komb të shenjtë.” Në Dhiatën e Vjetër ai ishte kryesisht hebre, por në të Renë, ai “komb i shenjtë” është bërë katolik (Shën. i përkthyesit: nuk është fjala për kishën katolike romane por, për kuptimin e fjalës “katolike” që do të thotë e përgjithshme), ose universal. Të gjitha popujt, fiset dhe gjuhët janë të përfshira, megjithatë gjithmonë ka një mbetje hebrenjsh që shpëtohen bashkë me johebrenjtë (Rom. 11:5).
Shumë ungjillorë besojnë në një të ardhme për Izraelin kombëtar sepse shumë profeci të Dhiatës së Vjetër, kur lexohen sipërfaqësisht, duken sikur flasin për kombin. Për shembull, Amosi 9:11-15 premton që “tabernakulli i Davidit” do të ngrihet dhe rindërtohet “si në ditët e lashta,” dhe se “robëria e popullit tim të Izraelit” do të kthehet.
Por këtu, bëhet edhe një premtim që Izraeli do të “zotërojë kusurin e Edomit dhe të kombeve” (Amosi 9:12). Ne kemi parë që profeti Malakia përjashton çdo restaurim të Edomit. Është gjithashtu absurde të imagjinohet që mbreti David do të ringjallet për të sunduar në Jeruzalem, dhe është jokonsistente që literalisti të thotë se Davidi i referohet Krishtit. Përsëri, interpretimi literalist kërkon konsistencë!
Gjithësesi, Veprat 15:14-18 japin interpretimin autoritativ, apostolik të profecisë së Amosit. Ajo nuk ka të bëjë fare me themelimin e Izraelit kombëtar, por gjithçka ka të bëjë me mbledhjen e johebrenjve në Kishën e Dhiatës së Re. Isaia 54 është e ngjashme: “Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu, sepse do të shtrihesh në të djathtë dhe në të majtë; pasardhësit e tu do të zotërojnë kombet dhe do të popullojnë qytetet e shkretuara.” (v. 2-3). Pse duhet të zmadhohet çadra? Që johebrenjtë të mund të hyjnë brenda! Jakobi (në Veprat 15) përdor profecinë e Amosit për të bërë të theksuar të njëjtën gjë.
Në mënyrë të ngjashme, Osea premton që bijtë e Judës dhe Izraelit do të “mblidhen së bashku” si numri i “rërës së detit” (Ose. 1:10-11; 2:14-23), por kjo e ka përmbushjen te Rom. 9:25-28 dhe 1 Pjet. 2:9-10, jo në vitin 1948 kur u themelua shteti modern i Izraelit. Përsëri, besëlidhja e re e bërë me “shtëpinë e Izraelit dhe me shtëpinë e Judës” (Jer. 31:31-34) u përmbush në shpëtimin e Kishës së Jezu Krishtit në Dhiatën e Re (Heb. 8:8-12; 10:16-17).
Por pse profetët nuk e thanë thjesht kështu? Kisha e Dhiatës së Vjetër ishte “nën kujdestarinë e mësuesit” (Gal. 3:24). Ajo mësohej përmes gjuhës figurative (toka, tempulli, ribashkimi i kombit nën Davidin, etj). Të gjitha llojet dhe hijet e Ligjit kishin për qëllim të mësonin kishën e Dhiatës së Vjetër për Krishtin. “Po të kishin folur profetët qartë për epokën e Dhiatës së Re, pa përdorur figura, shenjtorët e Dhiatës së Vjetër nuk do ta kishin përballuar një dritë kaq të madhe” (W. J. Grier, Ngjarja e Rëndësishme [Banner], fq. 39). Dhiata e Re, pra, na jep çelësin për të interpretuar profecinë e Dhiatës së Vjetër: profecitë janë shpirtërore (për një popull shpirtëror), jo literaliste.
Asgjë nga kjo (një mohim i një të ardhmeje tokësore për popullin jude) nuk është antisemitizëm. Hebrenjtë do të shpëtohen në të njëjtën mënyrë si johebrenjtë, vetëm nëpërmjet hirit, vetëm me anë të besimit, vetëm në Krishtin. Nuk ka rrugë tjetër shpëtimi për hebrenjtë dhe johebrenjtë. Nuk është pjesë e detyrës së dikujt si i krishterë që të mbështesë shtetin modern të Izraelit, apo të presë bekime të ardhshme për të, por është urdhërimi i Krishtit “duaj të afërmin tënd” dhe kërko shpëtimin e tij, pavarësisht se cila është etnia e tij.
Përkthyer nga: https://cprc.co.uk/articles/stateofisrael/