Kontraceptivët (pj. 1): Abortuese, Rreziqet Shëndetësore dhe Faktorët Socialë

Kontraceptive

Nga Paul J. Barth

Në këtë seri do të trajtojmë përdorimin e kontraceptivëve nën dritën e Shkrimit. Për më tepër, do të demonstrojmë se pozicioni unanim i Kishës përgjatë historisë ka qenë kundërshtimi I kontraceptivëve deri në këto kohë të fundit në Perëndim. Do të shqyrtojmë mandatin e dominimit, qëllimet dhe detyrat e martesës, Planifikimin Natyror Familjar dhe Onanizmin. Ne do t’i shohim këto gjëra jo vetëm në mënyrë ekzegjetike, por gjithashtu do të konsiderojmë se si Kisha i ka kuptuar gjithmonë këto koncepte.

Do të fillojmë me mundësinë që disa forma të kontraceptivëve shkaktojnë abort, rreziqet shëndetësore të lidhura me kontraceptivët, ndikimet shoqërore dhe një histori të shkurtër të përdorimit të lashtë të kontraceptivëve.

Abortuese

Para se të trajtojmë mësimin biblik dhe dëshminë e Kishës mbi kontraceptivët, është e domosdoshme të paraqesim faktin se shumë forma të kontraceptivëve janë me natyrë abortuese. Bibla mëson se jeta njerëzore fillon në ngjizje (Jer. 1:5; Ps. 51:5; 139:13, 16) por shumë metoda kontraceptive parandalojnë vezët e fekonduara të implantohen në murin e mitrës, duke vrarë kështu qënien njerëzore që tashmë është ngjizur. Për gratë e shëndetshme, çdo metodë hormonale kontraceptive ka mundësinë të shkaktojë një abort sepse ato hollësojnë shtresën e endometriumit që nuk do e lejojë një vezë të fekonduar të implantohet. Pilulat mund të parandalojnë ngjizjen, por ato gjithashtu mund të shkaktojnë aborte. Megjithatë, gratë me sëmundje hormonale ose riprodhuese, si PCOS, mund t’u jepen të njëjtat medikamente që janë kontraceptivët hormonalë për të trajtuar gjendjen e tyre pa pasur nevojë të shqetësohen për shkaktimin e një aborti.

“Kur fekondimi nuk është i parandaluar, metodat hormonale të kontrollit të lindjes zakonisht shkaktojnë dëbimin e një embrioni para implantimit duke ndryshuar shtresën e mitrës në mënyrë që të mos pranojë një embrion dhe duke ndryshuar mënyrën se si udhëton ovuma e fekonduar në tubin e fallopit.” Mekanizmat Pas Fertilizimit

Disa burime pretendojnë se kontraceptivët hormonalë nuk mund të shkaktojnë aborte sepse ata konsiderojnë abort vetëm kohën pas implantimit dhe kështu sipas pikëpamjes së tyre çdo vdekje që ndodh nga ngjizja e deri në implantim nuk konsiderohet një abort. “Duke thënë ‘ngjizje,’ por në të vërtetë duke pasur në mendje ‘implantimin,’ u bë e mundur që pilulat hormonale të kontrollit të lindjeve të marketoheshin si kontraceptivë—si diçka që parandalon ‘ngjizjen’“ (A mund të shkaktojnë abort Kontrolli i Lindjeve?). Por kjo nuk është një premisë e pranueshme për të krishterët që besojnë Biblën dhe shkencën e vërtetë, që jeta fillon në ngjizje. Shiko këtë video që ilustron ciklin e ovulacionit, fekondimit dhe implantimit dhe si ndikon kontrolli i lindjes në të: Si Pilula Punon si një Abortim.

Barrierat, spermicidet dhe operacionet e sterilizimit nuk janë abortuese por 11 nga 20 metodat e kontrollit të lindjeve janë abortuese, duke pasur potencialin të shkatërrojnë një qenie njerëzore të ngjizur. 11 metodat e listuara nga FDA janë kontraceptivët oralë (3 lloje), arna, pajisjet intrauterine (IUD) (2 lloje), unazat vaginale, injeksionet, pilulat kontraceptive të emergjencës (2 lloje), dhe shufrat implentuese. Kështu, asnjë i krishterë nuk duhet të përdorë atë lloj kontrolli të lindjes pavarësisht besimit që dikush ka për parandalimin e ngjizjes.

Argumenti se shumë foshnja vdesin natyrshëm midis ngjizjes dhe implantimit nuk është një argument legjitim. Shumë njerëz të moshuar gjithashtu vdesin natyrshëm, por kjo nuk mbështet vrasjen e tyre pas një moshe të caktuar.

Kontrolli i Lindjeve Krijon një Treg më të Madh për Aborte dhe Nxit Shthurjen Seksuale

Planned Parenthood (organizatë shëndetësore me klinka që kryen aborte në SHBA) deklaron në faqen e saj të internetit se ata “ndihmojnë në parandalimin e rreth 516,000 shtatzënive të padëshiruara çdo vit.” Çfarë i shkakton “shtatzënitë e padëshiruara”? Pse për fëmijët fliten ndonjëherë sikur janë ngjizur në “gabim”? Ata që mbrojnë dhe kryejnë aborte e dinë se nëse njerëzve u jepen kontraceptivë dhe inkurajohen të jenë seksualisht të shthurur do të rritet numri i shtatzënive të padëshiruara që më pas do të cojë në një treg më të madh për të shitur aborte.

Në projektimin e Perëndisë për martesën, ku të pasurit fëmijë është një nga qëllimet kryesore (shih pjesën 2), nuk ka dicka të tillë si një shtatzëni e padëshiruar. Psalmisti rrëfen, “Sepse ti ke formuar të përbrendshmet e mia; ti më ke endur në barkun e nënës sime” (Ps. 139:13). Zoti thotë, “Para se unë të të formoja në barkun e nënës tënde, të kam njohur” (Jer. 1:5). Shtatzënia pritet dhe madje shpresohet brenda martesës, sipas vullnetit të Zotit dhe në kohën e tij. Por përdorimi i gjerë i kontraceptivëve ka krijuar pritshmërinë se të bësh seks me shumë mundësi nuk do të shkaktojë shtatzani. Kjo nuk do të thotë se të gjithë do të shkojnë pastaj të bëjnë një abort, në fakt, sipas Institutit Guttmacher, 40% e shtatzanive të padëshiruara abortohen. Mund të ketë çifte që janë pro-jetës që kurrë nuk do të mendonin për të bërë një abort, megjithatë, nuk ndodh kështu për një pjesë të madhe të përdoruesve të kontraceptivëve. Kjo është një tragjedi. “Tregohuni të kujdesshëm kur dëgjoni industrinë e abortit të sugjerojë mënyra për të reduktuar abortin.”

Kontraceptivët gjithashtu kanë hequr presionin e jashtëm për njerëzit e shthurur dhe të pamartuar. Frika nga të mbeturit shtatzënë për shumë njerëz kur planifikojnë të jenë të shthurur është shumë pak një shqetësim, nëse është fare një shqetësim. Kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk donin të ishin të shthurur kur kontraceptivët ishin jo të ligjshëm ose të padisponueshëm, por në mendjet e tyre shumë prej pasojave dhe presionit shoqëror është lehtësuar nga qasja e lehtë te kontraceptivët. Ndërkohë që inflacioni i tregut të abortit dhe nxitja e shthurjes seksuale mund të mos jenë të rëndësishme për çiftet e martuara që janë pro-jetës, ndikimi shoqëror i këtyre dy faktorëve është astronomik dhe nuk duhet injoruar.

Rreziqet Shëndetësore

Pilulat hormonale të kontraceptivëve janë Karcinogjenë të Grupit Një dhe janë të lidhura me mpiksjet e gjakut si dhe me kancerin e gjirit, vezoreve dhe endometriumit. Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit ka tre mënyra shtesë në të cilat gratë mund të reduktojnë në mënyrë drastike rrezikun e këtyre kancereve:

  1. Mosha e hershme në shtatzëninë e parë me afat të plotë
  2. Sa më shumë fëmijë që kanë
  3. Të paktën një vit ushqyerje me gji për fëmijë (OBSH sugjeron të paktën 2 vite)

Nuk është rastësi që shkenca mjekësore mbështet rendin e krijuar nga Perëndia për martesën, seksualitetin dhe lindjen e fëmijëve.

Tani që kemi shqyrtuar shkurtimisht abortimin dhe rreziqet shëndetësore të lidhura me kontraceptivët, dhe para se të kalojmë në argumentat historike, natyrore dhe biblike kundër tyre, duhet të kuptojmë se kontraceptivët nuk janë një anomali historike në epokën tonë moderne edhe pse disa nga teknikat janë më “të sofistikuara”.

Kontraceptivët Nuk Janë Dicka e Re

Kontraceptivët nuk janë një shpikje e re, paganët gjithmonë e kanë përdorur atë që nga kohët e lashta. “Kathleen O’Grady shkruan për hieroglifet egjiptiane që përshkruajnë një tampon që përdorej për kontraceptim rreth vitit 1550 p.e.s. (Kontracepsioni dhe Feja—Një Histori e Shkurtër)” (cituar nga Greg Price, Kontrolli i Lindjeve—Pozicioni Biblik dhe Historik Protestant).

“Shumica e kulturave primitive kanë praktikuar ndonjë lloj forme të kontraceptivëve, dhe kjo shpesh me sukses të lartë. Gratë Iroquois bënin diafragma nga lëvorja e thupërës; skllevërit afrikanë përdornin pesare [d.m.th. supozitorë] nga bajga e elefantit për të parandaluar shtatzëninë. Gratë evropiane përdornin disqe dylli blete, gjethe lakre, spermicide nga plumbi, gëlqere dhe katran. Gjatë shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë, coitus interruptus [tërheqja dhe derdhja e farës] dhe përdorimi i prezervativëve nga zorrët e deleve u përhapën gjerësisht në Evropë.”

David Fisher, Albion’s Seed, f. 92

Një autor tjetër jep shembuj të përdorimit të kontrollit të lindjes ndër të lashtët:

“Larja vaginale përdorej në kohët e lashta por nuk ishte shumë efektive. Mjeku grek A‘tious njihte vetitë e uthullës por rekomandonte që ajo të aplikohej në penis në vend që të përdorej si larje vaginale….

“Një pesar është një supozitor vaginal që përdoret për të vrarë spermatozoidet dhe/ose për të bllokuar kalimin e tyre përmes qafës së mitrës. Pesari ishte pajisja më efektive kontraceptive e përdorur në kohët e lashta dhe shumë receta për pesare nga kohët e lashta janë të njohura. Përbërësit për pesare përfshinin: një bazë nga bajga e krokodilit (shpesh bajga ishte baza), një përzierje mjalti dhe karbonat natriumi natyral që formonte një lloj gome. Të gjitha ishin të një konsistence që do të shkrihej në temperaturën e trupit dhe do të formonte një mbulesë të padepërtueshme të qafës së mitrës. Përdorimi i vajit gjithashtu u sugjerua nga Aristoteli dhe u mbështet deri në vitin 1931 nga aktivistja e kontrollit të lindjeve Marie Stopes.”

Kathleen London, Historia e Kontrollit të Lindjeve

Aborti dhe vrasja e fëmijëve ishin të përhapura në shekullin e parë, por po ashtu ishin edhe kontraceptivët. Lulja e Mbretëreshës Anne përtypej nga gratë për t’i bërë ato jopjellore dhe “lloj-lloj vajrash, mjalti dhe jastëkësh të butë leshi futeshin në vaginë për të vrarë spermatozoidet ose për të bllokuar rrugën e spermës drejt mitrës. Stomakët e qengjave të palindur dhe fshikëzat e dhive shërbenin si prezervativë…” (Rodney Stark, Ngritja e Krishterimit, f. 121).

Pavarësisht përdorimit të zakonshëm të kontraceptivëve te paganët, kisha e krishterë luftoi kundër përdorimit të tyre dhe unanimisht e dënoi atë si mëkat deri në fillim të mesit të shekullit të 20-të në Perëndim. Shumë etër të hershëm të kishës folën kundër tij duke përfshirë Augustinin, Klementin e Aleksandrisë, Hipolitin, Gjon Krisostomin, Jeronimin dhe shumë të tjerë, citatet e të cilëve do t’i shqyrtojmë në një postim të mëvonshëm.

Një pamje e lartë për martesën dhe të pasurit fëmijë që buron nga mandati i dominimit së bashku me ndalimin e “coitus interruptus” (tërheqjes dhe derdhjes së farës jashtë) të Onanit te Zanafilla 38 (shih pjesën 4) është një mënyrë që Krishti e rriti kishën e tij dhe ajo ishte në gjendje të merrte nën kontroll Perandorinë Romake në një periudhë kaq të shkurtër kohe. Romakët po përdornin kontraceptivë, po bënin aborte, po vdisnin nga sëmundjet nga seksi rekreativ dhe sodomia, etj., por paraardhësit tanë të krishterë po bënin aq shumë fëmijë sa Perëndia deshi t’u jepte atyre dhe duke i rritur ata për të dashur Zotin (Stark, Ibid., ff. 125-128). Kjo mund të ndodhë përsëri nëse të krishterët ndjekin Biblën në lidhje me kontraceptivët dhe vlerën e fëmijëve.

Në pjesën e dytë do të shohim mandatin e dominimit dhe qëllimet dhe detyrat e martesës.

Kontraceptivët (Pj. 2): Dominimi dhe Qëllimet e Martesës

 

Perkthyer nga https://purelypresbyterian.com/2015/07/24/contraception-pt-1-abortifacients-health-risks-societal-factors-2/

Perkthimi ne Hungarisht: https://oreformatus.hu/2021/05/22/fogamzasgatlas-i-resz-magzatelhajtok-egeszsegugyi-kockazatok-tarsadalmi-tenyezok/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes