Letra e një Babai për Fëmijët e Tij
Nga Robert Traill, Roterdam, Mars 1665. Përkthyer nga TrueCovenanter
Pastor, teolog dhe shkrues presbiterian skocez me një devotshmëri të thellë, zemër baritore dhe qartësi teologjike. U dërgua në mërgim për shkak të kundërshtimit ndaj imponimit qeveritar të peshkopatës/ipeshkvisë në Kishën e Skocisë. Si një Presbiter i vendosur, ai kundërshtoi përpjekjet për të zëvendësuar sistemin Presbiterian me sundimin e peshkopëve/ipeshkëve, gjë që çoi në persekutimin dhe mërgimin e tij.
Të dashur fëmijë, që Zoti, Perëndia im, në mënyrë të hirshme m’i ka dhënë.
Hiri, mëshira dhe paqja qoftë mbi ju, nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
Në këtë kohë të mërgimit tim, shpesh kam pasur shumë dëshira të zjarrta për shpëtimin tuaj të përjetshëm dhe disa lutje të dobëta ndaj Atij që dëgjon lutjet për të gjithë ju, që të shpëtoheni nga zemërimi që do të vijë, dhe që, në ditën e Zotit Jezu Krisht, të njiheni prej Tij, të vendoseni në të djathtën e Tij, dhe të merreni për të banuar me Të përgjithmonë. Që, të jeni prej numrit të bekuar të atyre që do e admirojnë Atë dhe në të cilët Ai do të lavdërohet, atë ditë, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet, në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij. (2 Thes. 1:7-10); dhe që unë, i varfër, mjeran e i padobishëm, të kem për të thënë atë ditë: Ja ku jam unë dhe fëmijët që Ti më ke dhënë, të cilët për pak kohë ishin shenja dhe çudira të botës, dhe tani janë shenja dhe mrekulli të mëshirës së pasur dhe hirit të lirë të pamerituar.
Shpesh Zoti më ka vënë në zemër që t’ju shkruaj të gjithëve në një letër, për t’ju nxitur për mendime të shpeshta e të thella rreth asaj që është shqetësimi juaj më i madh – shpëtimi juaj i përjetshëm. Që kjo të bëhet detyra juaj kryesore: të punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje (Fil. 2:12). Dhe për këtë qëllim, të tregoni gjithë kujdesin për t’u përpjekur gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë. Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. (2 Pjetrit 1:10-11).
Ka tre arsye kryesore se pse po ju shkruaj kështu.
Së pari, sepse kjo është një detyrë që i takon prindërve të krishterë. Zoti ia tregoi këtë Abrahamit, atit të besimtarëve, se Ai priste këtë prej tij ndaj pjestarëve të familjes së tij (Zan. 18:19): Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit. Edhe Fryma e Perëndisë në Besëlidhjen e Re e thekson shumë këtë detyrë.
Së dyti, për shkak se detyrimet e mia ndaj Krishtit dhe hirit të Tij të lirë janë aq të shumta dhe të mëdha, saqë edhe sikur të kisha shumë fëmijë, do ta konsideroja veten të detyruar që me gjithë fuqinë time, t’i kushtoja të gjithë Atij. Me gjithë dashurinë time ti ndërtoja që t’i shërbenin Zotit të babait të tyre.
Së treti, sepse, në mes shumë sfidave të tjera që kam tani në orët e mia të vetmisë në këtë shtëpi të shtegëtimit tim, për shkak të neglizhimit të detyrave në ditët e paqes, nuk e kam shfrytëzuar siç duhet kohën, kur qiriu i Zotit ndriçonte çadrën time, dhe ju ishit si bima të ullirit rreth tryezës sime (Psalmi 128:3). Mjerë unë! Nuk ju kam nxitur sa duhej dhe mundja për mendime të thella rreth përjetësisë dhe shpëtimit të shpirtit tuaj, dhe për këtë ndjehem më i detyruar ta bëj tani, nga larg. Kush e di, ndoshta kjo do të depërtojë më thellë në zemrat tuaja, duke ardhur kështu me një letër nga një baba i moshuar e i dëbuar? Më kujtohet shpeshherë gjatë lutjeve në atë familje që Zoti ma kishte besuar, që lutesha për përgatitje ndaj një kohe shpërndarjeje, edhe pse atëherë nuk mendoja se do të ishte një ndarje e tillë dhe kaq larg përpara vdekjes, tani ajo kohë ka ardhur dhe ajo që vdekja do të sjellë po afrohet. Zoti na dhëntë përdorim të shenjtë të kësaj ndarjeje dhe përgatitje serioze për tjetrën.
Së katërti, për shkak se jam nën lidhjen e një premtimi dhe betimi ndaj Zotit të Lartësuar, të bërë përpara Tij, në pagëzimin tuaj, që do të përpiqesha t’ju rrisja për Të, që të mësonit ta njihnit, ta kishit frikë Atë dhe t’i shërbenit Atij, mbaj mend që çdo njërin prej jush e kam paraqitur në atë sakrament (përveçëse njërit, që në mungesën time është paraqitur nga një shërbëtor i besueshëm dhe i denjë i Zotit, i cili tashmë është në prehje, dhe që pa dyshim është lutur për bekimin dhe frytin e atij urdhërimi për fëmijën që ka paraqitur, ku shpresoj që lutja e tij është dëgjuar dhe që Zoti, që i ka zgjedhur asaj një burrë të mirë dhe e ka bërë nënë fëmijësh, do ta njohë si një nga bijat e Sionit, e cila do të gjendet në regjistrin e atyre për të cilët është shkruar: “Ky dhe ai kanë lindur tek ai“, përmes lindjes së re dhe më të mirë (Psalmi 87:5)), po, Zoti ka qenë shumë i hirshëm ndaj meje duke më lënë të jetoj me ju mjaft gjatë deri sa t’i futja të gjithë (përveç më të voglit, i cili shpresoj që nuk do t’i mungojë pjesa e bekimit të besëlidhjes) në atë sakrament tjetër të darkës së Zotit. Që kështu, me vullnetin dhe veprimin tuaj të vetëdijshëm, të bënit një dorëzim të hapur dhe të deklaruar të vetes suaj tek Zoti, si Perëndia juaj dhe Perëndia i babait tuaj, dhe të shpallnit përpara botës se vetëm në Të keni shpëtim, dhe se do të jetoni e vdisni për Të. Që kështu të përmbushnit atë që ishte premtuar për ju nga prindërit tuaj në atë sakrament të parë, kur nuk mund të premtonit vetë, por duhej ta bënit përmes dikujt tjetër, derisa të arrinit moshën e njohjes, që më pas të jepnit pëlqimin tuaj të vetëdijshëm e formal; gjë që shpresoj se e keni bërë, sa herë që keni marrë pjesë në atë sakrament tjetër.
Së pesti, për shkak se Zoti më ka bërë, herë pas here, në këtë Patmosin timin, t’i thërras Atij më shumë se kurrë më parë, për hir për veten time dhe për farën time dhe t’i paraqes Atij atë premtim të ëmbël dhe të madh te Ligji i Ripërtërirë 30:6: “Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhësve të tu, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh” po, herë pas here ta përqafoj atë me besim dhe lutje, dhe të arrij në disa shpresa që ajo do të përmbushet, për të gjithë ju. Jam i sigurt se ka vend të mjaftueshëm për të gjithë ju në qiell, edhe sikur të ishit më shumë se sa jeni. Ka mëshirë dhe hir të mjaftueshëm në Jezu Krishtin për t’ju sjellë atje dhe asgjë nuk mund t’ju mbajë jashtë, përveç jogatishmërisë për të hyrë përmes Tij, që është udha, e vërteta dhe jeta dhe që ka si ankesë më të madhe kundër mëkatarëve që po humbasin: ata nuk duan të vijnë tek Ai, që të kenë jetë.
Së gjashti dhe e fundit, që më ka shtyrë të shkruaj këto rreshta është për shkak se ditët e pakta dhe të këqija të shtegëtimit tim po i afrohen shpejt fundit, hijet e mbrëmjes janë shtrirë, dhe dielli im është pranë perëndimit, dhe nuk e di nëse do t’ju shoh më ndonjëherë në këtë botë. Prandaj, ndërsa Zoti më lejon të qëndroj ende në këtë çadër të brishtë, do të doja t’ju kujtoja për këto gjëra që kanë të bëjnë me paqen tuaj të përjetshme dhe që t’i mbani mend këto gjëra, kur unë të mos jem më në këtë kohë, as për të folur e as për t’ju shkruar. Tani gjithçka që dua t’ju rekomandoj, do ta përmbledh në disa pika: Së pari dhe më kryesorja, ka disa gjëra që dua t’ju theksoj lidhur me kërkimin e Zotit dhe shërbimin ndaj Tij në brezin tuaj, që të shpëtoheni në ditën e Zotit. Së dyti, disa gjëra në lidhje me marrëdhëniet tuaja natyrore. Së treti, disa gjëra në lidhje me kohët në të cilat Zoti ka hedhur shortin tuaj për të jetuar.
—
I. Për pikën e parë:
Bëjeni detyrë tuajën të përditshme që të kërkoni Zotin dhe fytyrën e Tij dhe t’i shërbeni Atij me gjithë zemrën tuaj, si Perëndinë tuaj dhe Perëndinë e babait tuaj. Dhe oh, sikur ju dhe unë të mund ta lartësonim Atë dhe që Ai të përgatiste për Veten e Tij një banesë në zemrën time dhe në zemrën e secilit prej jush! Lexoni Shkrimet shpesh dhe me përkushtim. Meditoni mbi to dhe lutuni mbi to:
1. Që të merrni hir për t’ju bindur urdhërimeve që janë vënë aty për ju. 2. Që të keni zemra që dridhen përpara kërcënimeve që tingëllojnë aty, që të shpëtoni nga goditja e tyre dhe që, duke ikur tek Krishti, të ruheni nga zbatimi i frikshëm i tyre, i cili padyshim do të bjerë mbi të gjithë bijtë e mosbindjes. 3. Lutuni për besim që të besoni të gjitha premtimet e mëdha dhe të çmuara që janë frymëzuar aty, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë. 2 Pjetrit 1:4. Dhe që, duke i pasur këto premtime, të mundeni (si nxitje për t’ju bindur dhe si mjete për t’ju ndihmuar e fuqizuar) ta pastrojmë veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe ta përfundojmë shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë. 2 Korintasve 7:1 dhe që të jeni trashëgimtarë të këtyre premtimeve tepër të mëdha e të çmuara, përmes Jezu Krishtit, në të cilin ato janë të gjitha “po” dhe “amen”.
4. Lutuni për urtësi, që të shikoni drejt dhe të meditoni mbi shembujt e shenjtorëve të regjistruar në Shkrim, si në rëniet e tyre ashtu edhe në dështimet e tyre. Që të shtyheni të ecni me kujdes dhe me frikë, duke i shmangur ato. Sepse ato janë vendosur si fanarë për të paralajmëruar ata që lundrojnë në të njëjtën det, që ata të ruhen nga shkëmbinjtë mbi të cilët ata u përplasën dhe pësuan humbje, edhe pse, u shpëtuan nga mbytja përmes mjeshtërisë dhe kujdesit të Pilotit të bekuar, i cili i solli në fund, si udhëtarë lundërthyer, në strehën e sigurt dhe të qetë. Dhe gjithashtu në virtytet dhe ecjen e tyre të shenjtë përpara Zotit në brezat e tyre që t’u përngjani atyre që nëpërmjet besimit dhe durimit trashëgojnë premtimet. Hebrenjve 6:12. Dhe prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, Hebrenjve 12:1.
Dhe ndërsa jua rekomandoj lutjen e shpeshtë dhe të zjarrtë, po ashtu dua që të mos harroni e as të neglizhoni lavdërimin, domethënë këndimin e psalmeve, edhe në adhurimin tuaj privat. Por mbani mend të këndoni me frymë dhe me kuptim gjithashtu. Kjo është një pjesë kryesore e adhurimit tonë të drejtpërdrejtë ndaj Perëndisë dhe do të vazhdojë për gjithë përjetësinë, kur çdo formë tjetër adhurimi ndërmjetës do të pushojë. Ju mund ta kryeni këtë pjesë të ëmbël të adhurimit edhe në privatësi, pa e lëshuar zërin që të mos dëgjohet nga të tjerët që mund të jenë në dhoma pranë jush. Dhe atëherë, kur të keni qenë përpara fronit dhe të keni paraqitur veten dhe lutjet tuaja Atij që qëndron mbi të, ngrini sytë dhe prisni përgjigjen nga Dëgjuesi i lutjes, dhe përmes meritave dhe ndërmjetësimit të Tij, i cili ka temianicë ari…dhe iu dha shumë erë e këndshme që t’ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtorëve. Zbulesa 8:3. Por, ndërsa prisni një përgjigje dhe ngrini sytë, mos i caktoni një kohë Atij, sepse me siguri ai do ta bëjë vegimin të flasë, dhe premtimin, mbi të cilin luteni, ta përmbushë në kohën e duhur dhe më të mirë. Prandaj prisni për të, edhe kur mendoni se vonon, sepse keni fjalën e Tij që do të vijë, dhe nuk do të vonojë, Habakuku 2:1-4.
Dhe edhe pse nuk mund të jeni gjithnjë në gjunjë në lutje — kjo nuk kërkohet nga ju — prapëseprapë, dijeni që ka një mënyrë për të mbajtur bashkësi dhe shoqëri me Perëndinë gjatë gjithë ditës dhe për t’i dhënë Atij shërbimin e vazhdueshëm të dashurisë së zemrës suaj. Ajo është duke dërguar dhe lartuar vazhdimisht lutje të shkurtra drejt Tij, në çfarëdo shoqërie të jeni dhe çfarëdo që të shikoni apo të flisni. Ne e dimë si ishte puna me Nehemian e drejtë, kapitulli 2:4: “Mbreti më tha: “Çfarë kërkon?”. Atëherë unë iu luta Perëndisë të qiellit”. Kjo është të vendosësh Zotin gjithnjë përpara syve të tu; kjo është të ecësh me Perëndinë, dhe të jesh në frikën e Zotit gjithë ditën, [Psalmi 16:8, Zanafilla 5:22, Fjalët e Urta 23:17]. Dhe kështu, kur të vijë vdekja, do të ndërrosh vetëm vendin, por jo shoqërinë më të mirë.
—
II. Ajo që dua t’jua rekomandoj për sa i përket marrëdhënieve tuaja natyrore:
1.Përsa i përket nënës suaj: Ju porosis që të jeni të mirë me të. Tani që ajo ka hyrë në pleqëri dhe të jeni ndihmues dhe ngushëllues për të, ashtu si Zoti do t’ju fuqizojë. Me shumë gjasë, ajo do të jetojë më gjatë me ju sesa unë dhe i lutem Zotit që të jetë kështu. Ajo ka qenë një grua e mirë dhe e përgjegjshme për mua dhe një ngushëllim në kohët e vuajtjeve të mia dhe Zoti do ta bekojë edhe për këtë. Ajo ka qenë një nënë shumë e dhembshur dhe e përkushtuar ndaj secilit prej jush. Në barkun e saj ju u ngjizët dhe me dhimbje ju solli në këtë botë dhe ju ushqeu me gjinjtë e saj. Dhe që nga ajo kohë e deri më sot, kujdesi i saj ndaj jush ka qenë tepër i ndjeshëm dhe i madh dhe Zoti e kërkon dhe pret prej jush një shpërblim të butë e të sjellshëm.
2. Përsa i përket juve vetë, si vëllezër e motra që jeni rritur në një familje, ndonëse tani të shpërndarë: oh, duajeni njëri-tjetrin në Zotin, dhe mos u grindni gjatë udhës, [Zanafilla 45:24]; por jini ndihmë për njëri-tjetrin, sidomos për gjendjen e shpirtit. Lutuni për njëri-tjetrin dhe kur t’ju jepet rasti, lutuni bashkë me njëri-tjetrin. Dhe ju, që jeni më të rritur, kujdesuni të jepni ndonjë fjalë këshillimi a paralajmërimi për më të vegjlit, veçanërisht mos harroni vëllain tuaj më të vogël. Ju, që jeni vëllezërit e tij më të mëdhenj, këshillojeni që të ruhet nga të këqijat e kohës ku fati i tij është hedhur dhe nga qyteti mëkatar ku jeton. Por mbi të gjitha, të ruhet nga të këqijat e zemrës së vet. Rekomadojini atij atë Shkrim (të cilin shpresoj t’ja rekomandoni edhe vetes suaj): Psalmi 119:9, “Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde.”; Predikuesi 12:1, “Kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate.” Ai mban emrin e gjyshit të tij, i cili nuk ishte njeri i shkolluar, por një njeri që e njihte mirë Perëndinë dhe që ishte shumë i ushtruar në Shkrimet e Shenjta, në lutje, dhe në anën e Krishtit, në përplasjet e Sionit, nën epokën e ipeshkvijve të mëparshëm. Ai kurrë nuk i dha përkrahje asnjërit prej tyre, edhe pse kishte lidhje natyrore me disa prej tyre. Në fund të jetës së tij, ai dha dëshmi kundër uzurpimit që këta njerëz ushtronin mbi kongregacionin ku banonte dhe ishte plak. Dhe kështu, pas shumë tundimesh dhe pikëllimesh, ai hyri në mbretërinë e Perëndisë dhe vdiq me një shpresë të sigurt për ditët e bekuara të reformimit, të cilat ne duhej t’i shihnim dhe që vërtet i pamë. Por, mjerisht! mosmirënjohja jonë për ato ditë dhe provokimet tona të shumta kundër Zotit, kanë sjellë një ndryshim të dhimbshëm. Zoti dhëntë, që, ashtu si ky i ri mban emrin e tij, ashtu edhe të mësojë të jetojë dhe të ecë në udhën e mirë të vjetër, në të cilën ai eci, që të gjejë pushim për shpirtin e tij.
—
III. Ka disa gjëra që dua t’jua rekomandoj, në lidhje me kohët e tanishme, në të cilat është hedhur shorti juaj për të jetuar.
1.Lypni nga Zoti dituri, që të dalloni kohët dhe të dini se ç’duhet të bëjë Izraeli. 2. Ruhuni nga të këqijat e kohëve, sepse janë ditë të liga, në të cilat edhe të zgjedhurit janë në rrezik të mashtrohen: Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni. Efes. 5:11. Ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve. Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. 2 Pjet. 3:17-18.
Lutuni që të ruheni nga udha e atyre që janë larguar nga ajo udhë e mirë dhe e vjetër, në të cilën ata ecën për pak kohë dhe ndaj të cilës e premtuan veten dhe madje pohuan publikisht përpara të tjerëve, se do të gjenin pushim për shpirtin e tyre. Po, disa prej tyre madje e predikuan këtë para shumë dëshmitarëve por tani ata e kërkojnë pushimin në shtigje të tjera, të cilat Zoti i ka mallkuar dhe që prapë do t’i mallkojë. Mos keni pjesë në mëkatet e këtyre njerëzve, që të mos bëheni pjesëtarë të gjykimit të tyre, sepse gjykimi i tyre nuk fle, por po afron shpejt.
3. Përpiquni të jeni nga ata që regjistrohen si vajtuesit e Jerusalemit, “që psherëtijnë dhe vajtojnë për të gjitha gjërat që kryhen në mes tij.” Ezek. 9:4. O, ruani veten që të mos gjendeni në numrin e atyre që hanë e pijnë dhe nuk pikëllohen për mjerimet e Jozefit; ose të atyre që gëzojnë në kënaqësitë e mishit, në një ditë kur Zoti po thërret për vajtim dhe për lot, dhe agjërim. Kundër tyre është shpallur mjerim dhe paudhësitë e tyre nuk do të pastrohen derisa të vdesin. Amosi 6:1, “Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion.” Dhe Isaia 22:12-14, “Atë ditë Zoti, Zoti i ushtrive, ju thirri që të qani, të mbani zi, të rruani kokën dhe të mbështilleni me thasë. Po përkundrazi ja, gëzim dhe hare, priten qe dhe theren dele, hahet mish dhe pihet verë. “Të hamë dhe të pimë, se nesër do të vdesim!”. Por Zoti i ushtrive u ka thënë veshëve të mi: “Ky mëkati juaj nuk do të shlyhet deri sa ju të vdisni”, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.”
Qani për gjakun e martirëve të bekuar që është derdhur në atë qytet të madh, por mëkatar dhe bekoni Zotin, i cili u dha atyre dëshmitarëve besnikë dhe trima, hirin që të ofronin me dëshirë gjakun e tyre, për vulosjen e të vërtetave të sigurta, që tani kundërshtohen nga një brez që u përgjigjet me mohim. Dhe për të dëshmuar për sovranitetin mbretëror të Mbretit të Sionit, i Cili nuk pranon ligje nga mbretër që po shuhen, fryma e të cilëve del shpejt dhe të gjitha mendimet e tyre që humbin menjëherë. Ato dy kokat e çmuara që janë vendosur mbi Netherbow, por që në ditën e madhe do të shihen me kurora mbi to, po, edhe armiqtë e tyre do t’i shohin ndër ata që Mbreti do të nderojë, le t’ju kujtojnë kokat e atyre dëshmitarëve besnikë (të cilët, ndonëse të vdekur, ende flasin), që të thirrni, siç bëjnë shpirtrat nën altar: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?.” Zbulesa 6:10.
4. Dua t’ua rekomandoj këtë juve, dy djemve të mi më të mëdhenj, kur të jeni në prag të sprovave për shkak të predikimit të ungjillit, kur nisi stuhia që rrëzoi prezbiterë (por themeli i tyre nuk mund të rrëzohet, sepse është ndërtuar mbi Shkëmbin e përjetshëm, dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë), mos lejoni që kjo stuhi t’ju lëkundë apo t’ju bëjë të hiqni dorë nga qëllimi juaj. Ju ishit duke u përgatitur për të vënë dorën në parmendë, kur Zoti do t’ju thërrasë; prandaj mos shikoni mbrapa, por ndiqni qëllimin tuaj dhe me hirin dhe fuqinë e Zotit, jini të zellshëm në përdorimin e të gjitha mjeteve që do t’ju bëjnë të aftë për atë thirrje të lartë dhe të shenjtë. Dhe ndoshta, midis të tjerëve, Zoti i vreshtit do t’ju thërrasë për të punuar në vreshtin e tij në atë tokë të varfër, kur Ai të ketë dëbuar derrat e egër që e kanë shkatërruar për një kohë [Psalmi 80:8-15]. Zoti e di, se ashtu siç do të ishte një pjesë e madhe e gëzimit tim të shihja të gjithë fëmijët e mi duke ecur në të vërtetën, ashtu do të ishte edhe një gëzim më i madh, t’ju shihja ju të dy të nderuar prej Zotit, për të qenë predikues të së vërtetës. Dua të them, predikues besnikë që hyjnë nëpër derë dhe nuk gjiten në ndonjë mënyrë tjetër. Zoti mund ta bëjë këtë dhe nëse Ai e sheh të përshtatshme për lavdinë e Tij, Ai do ta bëjë. Dhe vetëm në këto kushte duhet që unë dhe ju ta kërkojmë atë.
Së fundmi, ju rekomandoj të gjithëve ju, bijtë dhe bijat e mia, që në këtë kohë rrëshqitje të madhe, kur shumë po largohen nga Krishti dhe nuk ecin më me Të, që ta forconi vendosmërinë tuaj për të mos e lënë Atë, sepse, te kush të shkojmë? Ai ke fjalë jete të përjetshme. Gjoni 6:66-68: “Që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi u tha të dymbëdhjetëve: ”A doni edhe ju të largoheni?”. Dhe Simon Pjetri iu përgjigj: ”Zot, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.” “Mos quani përbetim të gjitha ato që ky popull i quan përbetim, mos kini frikë nga ajo që ai druan dhe mos u trembni. Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj“. Isaia 8:12-13. Zoti vetë po flet në këtë, drejt zemrave tuaja dhe zemrës sime, me dorë të fortë duke na udhëzuar.
Tani, unë mendoj se kjo do të ndihmonte shumë për të qëndruar të palëkundur në një kohë largimi: bëni shpesh një dorëzim të vetes suaj te Zoti, dua të them, në gjunjë tuaj në lutje – lutje të përulur dhe të zjarrtë – t’ia dorëzoni veten, shpirtin dhe trupin, Atij që është Zoti juaj, Krijuesi dhe Shpëtimtari, që ju ka blerë me një çmim të madh, që të jeni të Tijtë dhe të jetoni për Të, e jo për veten tuaj. (2 Kor. 5:15.) Ky dorëzim i vetvetes dhe lidhja e qartë dhe formale e besëlidhjes me Të do ta kënaqte shumë Atë, do t’i jepte një goditje të fortë djallit dhe prishjeve tuaja të brendshme dhe do t’ju ndihmonte të kuptonit disa Shkrime më qartë dhe me më shumë ngushëllim; si, Psalmi 16:2: “I thashë Zotit: “Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje”; Psalmi 27:8: “Zemra ime më thotë nga ana jote: “Kërkoni fytyrën time”. Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.”; Jeremia 30:21-22: “Princi i tij do të jetë një prej tyre, dhe sunduesi i tij do të dalë nga mesi i tyre; unë do të bëj që ai të afrohet dhe ai do të vijë afër meje. Kush, pra, do të porosiste zemrën e tij që të më afrohet?”, thotë Zoti. “Ju do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj.” Zakaria 13:9: “Ata do të thërresin emrin tim dhe unë do t’i kënaq. Unë do të them: Ky është populli im, dhe ai do të thotë: Zoti është Perëndia im.” Por për këtë, i nderuari dhe i palëkunduri z. William Guthrie ka shkruar shumë mirë. Këtë libër të vogël por të madh jua rekomandoj të gjithëve.
Dhe tani, fëmijët e mi të dashur, për shpëtimin tuaj të përjetshëm shpirti im lutet dhe dëshiron të besojë, dhe për sjelljen tuaj të shenjtë dhe të krishterë në rrugën për atje unë lutem me ngulm. Meditoni shpesh mbi atë Shkrim, Titit 2:11-14: “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve, dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.” Dhe lutuni për hir që t’i bindeni këtij mësimi të madh dhe të lavdishëm të ungjillit, që të siguroheni përpara Tij, dhe që të jetë mirë me ju në ditën e madhe të Zotit. Dhe, a do t’ju përmend një gjë që i nderuari z. Bolton i tha fëmijëve të tij në shtratin e vdekjes? (Shpresoj që përmendja e kësaj t’ju sjellë dobi dhe jo dëm.) “Ju porosis, o fëmijët e mi,” – tha ai – “të mos më takoni në ditën e madhe në një gjendje pa Krishtin dhe pa hir!” Shpresoj që secili prej jush do të përpiqet dhe do ta bëni kujdesin kryesor të jetës suaj, që të gjendeni në Krishtin atë ditë, jo me drejtësinë tuaj, por me atë që është përmes besimit në Të. (Filipianëve 3:8-9.) Zoti vetë e bëftë kështu; dhe Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot, Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t’i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!”. (Zanafilla 48:15-16.)
Dhe kështu unë ju rekomandoj tek Ai, si Perëndinë tuaj të mjaftueshëm dhe te fjala e hirit të tij, që është në gjendje t’ju ndërtojë dhe t’ju japë trashëgimin në mes të të gjithë të shenjtëruarve. Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë. (Veprat 20:32; 1 Thesalonikasve 5:23-24.)
Fëmijë, lutuni për mua, atin tuaj të moshuar, që dëshiron të jetojë dhe të vdesë me shpresën se ne do të takohemi, me gëzim, përpara fronit; dhe që këto rreshta do t’i merrni si një ndihmë të dobët për t’ju çuar atje.
Ato janë nga,
Babai juaj i dashur dhe plot dashuri,
Robert Traill
—
P.S. Do të dëshiroja që të zgjidhnit një ditë të përshtatshme, kur të jeni të gjithë bashkë dhe të lexoni këtë së bashku me lutje të zjarrtë te Zoti për bekimin e Tij mbi të, dhe për mëshirë dhe hir për atë që e shkroi dhe që ndodhet aq larg prej jush; dhe më pas le të ketë secili prej jush një kopje të saj për ta mbajtur afër, si dhurata më e mirë e dashurisë që mund t’ju dërgoj. Hir, hir – hir i pasur dhe i lirë – qoftë pjesa e secilit prej jush; dhe atëherë do të jeni mjaft të pasur. Më jepni një përgjigje, të firmosur nga të gjithë, që të di si e pranoni këtë këshillë, dhe cili është qëllimi juaj në dëgjimin dhe ndjekjen e saj në fuqinë e Zotit; dhe unë do ta ruaj me kujdes dhe do ta paraqes përpara Zotit në lutje, i Cili duhet të punojë në ju vullnetin edhe për të bërë sipas kënaqësisë së Tij të mirë, që të punoni për shpëtimin tuaj me frikë dhe me dridhje. (Filipianëve 2:13.)