Ngushëllime kundër padurimit gjatë sëmundjes

Ngushellime

Praktika e Përshpirtshmërisë – një manual devocional puritan, që drejton një të krishterë se si të jetojë që të kënaqë Perëndinë

Nga Lewis Bayly (1611)

Ngushëllime kundër padurimit gjatë sëmundjes

Nëse për shkak të dhimbjeve të mëdha, gjatë sëmundjes tënde, ndihesh i shtyrë të jesh i paduruar, medito:

1 – Që mëkatet e tua kanë merituar dhimbjet e ferrit. Prandaj me më shumë durim, të durosh këto ndreqje atërore. 

2 – Që këto janë plagët e Atit tënd qiellor, dhe shkopi është në dorën e Tij. Nëse si fëmi, ti ke vuajtur me respekt ndreqjet e prindërve të tu tokësorë, aq më tepër tani, si fëmijë i Perëndisë, duhet t’i nënshtrohesh ndëshkimit të Atit tënd qiellor, duke qenë se është për të mirën tënde të përjetshme.

3 – Që Krishti vuajti në shpirtin dhe trupin e Tij dhimbje shumë më të mëdha për ty. Prandaj, ti duhet të vuash me më shumë gatishmëri kënaqësinë e bekuar të Tij për të mirën tënde (Isa. 53:3). Për këtë arsye, Pjetri thotë, “Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij.” (1 Pjet. 2:21). Dhe, “Le të rendim,” thotë Pali, “me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin…” etj. (Heb. 12:1-2).

4 – Që vuajtjet që po përjeton tani nuk janë gjë tjetër veçëse ato që “po i përjetojnë dhe vëllezërit tuaj që janë në botë,” siç dëshmon Pjetri (1 Pjet. 5:9). Madje, vuajtjet e Jobit ishin shumë më të rënda. Nuk ka asnjë shenjtor që ndodhet tani në qetësinë e gëzimeve qiellore që nuk duroi aq sa ti po duron, përpara se ai të shkonte atje. Madje, shumë prej tyre vuajtën me dëshirë të gjitha torturat që tiranët mund t’u shkaktonin që të arrinin në ato gëzime qiellore për të cilat ti je thirrur tani. Dhe ti ke një premtim, që “Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel.” (1 Pjet. 5:10).

5 – Që Perëndia ka përcaktuar kohën se kur do të përfundojë vuajtja jote, po ashtu siç ka përcaktuar kohën kur ajo filloi. Tridhjetë e tetë vjet ishin caktuar për të sëmurin te pellgu i Betesdës (Gjoni 5:5). Dymbëdhjetë vjet për gruan që vuante nga gjakderdhja (Mat. 9:20). Tre muaj për Moisiun (Eks. 2:2). Dhjetë ditë vuajtje për engjëllin e Kishës në Smirnë (Zbulesa 2:10). Tre ditë murtajë për Davidin (2 Sam. 24:13). Po, numri i lotëve të njeriut të perëndishëm është regjistruar në librin e Perëndisë–dhe sasia e tyre është ruajtur në calikun e Tij (Psalmi 56:8).

Krishti thotë se koha e vuajtjeve tona është vetëm për një kohë të shkurtër (Gjoni 16:16). Zemërimi i Perëndisë zgjat vetëm një çast, thotë Davidi (Psalmi 30). “Për pak kohë”, thotë Zoti (Zbulesa 6:11) dhe prandaj Ai e quan të gjithë kohën e dhimbjes sonë vetëm “ora e trishtimit” (Gjoni 16:21). Për shkak të shpejtësisë së saj, Davidi i krahason vuajtjet tona të tanishme me një lumë (Psalmi 110:7), dhe Athanasi me një shi. Krahaso mjerimin më të gjatë që njeriu përjeton në këtë jetë–me përjetësinë e gëzimeve qiellore dhe ato do të duken si asgjë! “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.” (Romakëve 8:18) Dhe, ashtu si shikimi i një fëmije që ka lindur, bën që nëna të harrojë të gjitha dhimbjet e saj të mëparshme (Gjoni 16:21), po ashtu shikimi i Krishtit në qiell, i cili u lind për ty, do t’i bëjë të gjitha këto dhimbje vdekjeje të harrohen plotësisht, sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Siç ndodhi me Stefanin, i cili, sapo pa Krishtin, harroi plagët e tij, tmerrin e varrit dhe gurët, dhe ëmbëlsisht dha shpirtin e tij në duart e Shpëtimtarit të tij (Veprat 7). Harroji dhimbjet e tua, mendo për plagët e Krishtit. Qëndro besnik deri në vdekje, dhe Ai do të të japë kurorën e jetës së përjetshme (Zbulesa 2:10).

6 – Që tani je thirrur të përsëritesh shkollën e vuajtjes së Krishtit, për të parë se sa shumë besim, durim dhe perëndishmëri ke mësuar deri tani. Dhe nëse mundesh ashtu si Jobi, të pranosh nga dora e Zotit ndonjë të keqe ashtu siç deri tani ke pranuar një sasi të madhe të mirash (Jobi 2:10). Ashtu sic je lutur gjithmonë “U bëftë vullneti yt,” po ashtu mos u anko tani për atë që është bërë sipas vullnetit të Tij të shenjtë.

7 – Që “të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” aq sa “as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Romakëve 8:28,38-39). Siguroje veten se çdo dhimbje është një parandalim i dhimbjeve të ferrit dhe çdo pushim një garanci dhe premtim i qetësisë qiellore. Dhe me sa shumë vuajtje e vlerëson vlerën e qiellit? Ashtu si jeta jote ka qenë një ngushëllim për të tjerët, po kështu jepu miqve të tu një shembull të krishterë për të vdekur. Vdekja nuk është gjë tjetër veç kryqi i Krishtit i dërguar më parë për të kryqëzuar dashurinë e botës në ty, që të shkosh të jetosh përjetësisht me Krishtin që u kryqëzua për ty. Si i krishterë i vërtetë, ashtu si Simeoni nga Kirenea, merre me të dy krahët e tu kryqin e Tij të shenjtë, dhe mbaje pas Tij deri tek Ai. Dhimbjet e tua do të kalojnë shpejt, por gëzimet e tua nuk do të kalojnë kurrë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes