Nga Puritani James Smith, 1864
Miku im i dashur,
Dëshira ime për të përhapur njohurinë e Shpëtimtarit dhe për t’i sjellë dobi shpirtit tënd të pavdekshëm, më bëjnë që të të drejtohem ty. Ne nxitemi nga Fjala hyjnore që të “kujdesemi për shpirtrat” dhe ti “predikojmë Ungjillin çdo krijese”. Ky Ungjill është lajmi i mirë, i dërguar drejtpërdrejt nga zemra e dashur e Perëndisë për ne. Ky Ungjill na njofton . . .
- se ne jemi mëkatarë të humbur,
- se ne na duhet një Shpëtimtar,
- se Perëndia ka ofruar Shpëtimtarin e duhur për ne,
- se Zoti Jezus ka zbatuar ligjin e shenjtë dhe u ofrua si një sakrificë te drejtësia hyjnore për mëkatet tona — dhe tani është i aftë dhe i gatshëm, për të shpëtuar të gjithë ata që “vijnë tek Perëndia përmes Tij.”
Shpëtimi që është në Krishtin — është pikërisht ajo që u nevojitet mëkatarëve të humbur. Ai përfshin . . .
- një drejtësi që do të shpallë të drejtë personin tënd,
- hir që do të shenjtërojë natyrën tënde,
- dhe një titull për jetën e përjetshme.
Por ky shpëtim nuk do të merret e as nuk do të shijohet nga asnjë person, derisa ai. . .
- të bindet për mëkatin,
- të jetë i shqetësuar për të shpëtuar nga zemërimi i Perëndisë,
- dhe të jetë me gjithë zemër i gatshëm për t’u shpëtuar në mënyrën e Perëndisë.
Ne kurrë nuk do të veshim drejtësinë e Jezusit — derisa të kemi hequr dorë nga drejtësia jonë.
Ne kurrë nuk do të lajmë shpirtrat tanë në burimin që ai ka hapur për mëkatin dhe papastërtinë — derisa të zbulojmë se ne jemi të ndotur në sytë e Perëndisë, dhe të neveritshëm në vetë sytë tanë.
Ne kurrë nuk do të pranojmë faljen e lirë që na ofrohet — derisa të kuptojmë se jemi fajtorë dhe meritues të dënimit të përjetshëm.
As nuk do të kërkojmë kurrë Frymën e Shenjtë të premtuar, për të dhënë tek ne atë shenjtëri, pa të cilën askush nuk do ta shohë Perëndinë — derisa të ndiejmë nevojën tonë për ndikimet e Tij të hirshme dhe të dëshirojmë të përjetojmë veprimet e Tij shenjtëruese.
Tani, për shkak se feja është një realitet i madh, sepse është diçka “e njohur dhe e ndjerë,” a do të më lejosh që me shumë dashuri të të pyes: A e ke përjetuar ndonjëherë këtë? A ke kërkuar dhe ke marrë faljen e të gjithë mëkateve të tua? A ke hequr dorë nga drejtësia jote — që të mbështetesh, dhe të gjendesh, në drejtësinë e Krishtit? A i ke kërkuar Perëndisë, që Ai të të japë Frymën e Tij të Shenjtë? Dhe a ke “marrë Frymën e Shenjtë?” A i kupton Shkrimet, kur ato flasin për “kalimin nga vdekja në jetë?” Për të “lindur përsëri, jo nga një farë e prishshme — por nga një farë e paprishshme, nga fjala e Perëndisë që jeton dhe qëndron përgjithmonë?” Për të “marrë shlyerjen?” Për të qenë “në Krishtin Jezus?” Për Krishtin që “jeton në ne?” Për të “jetuar në Frymë dhe për të ecur në Frymë?” Për të “banuar në Perëndinë,” dhe “Perëndia që banon në ne?”
Shumë njerëz mendojnë se janë të krishterë, dhe për pasojë janë të sigurt për përjetësinë — por pa ditur asgjë nga këto gjëra. Ata ngatërrojnë “formën e perëndishmërisë,” me “fuqinë.” Ata janë të kënaqur me “një emër për të jetuar — ndërkohë që janë të vdekur.” A është e mundur që ky mund të jetë rasti yt? A ke ndonjë dyshim për këtë pikë? A nuk do të ishte mirë që çështja të shqyrtohej nga afër?
Apostulli thotë, “Hetoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj. Apo nuk e njihni veten tuaj se Jezu Krishti është në ju? Vec në qofshi të paprovuar?” (2 Kor. 13:5) Kjo është një gjuhë shumë solemne dhe duhet t’i kushtohet vëmendje e kujdesshme. Një gabim në një çështje të tillë është shumë i frikshëm! Ai mund të korrigjohet tani — por, nëse vdesim me një gabim të tillë fatal, ai nuk mund të korrigjohet kurrë. Pasi të humbasim — ne jemi të humbur përgjithmonë; dhe nëse humbasim, për shkak të neglizhizmit të këtij shpëtimi të madh; ose për shkak të marrjes së mirëqenë që jemi të sigurt, pa një hetim të plotë; do të jetë e trishtueshme — shumë e trishtueshme!
Kam frikë se shumë veta janë pikërisht në këtë gjendje të tmerrshme. Po sikur ti të jesh kështu? Po sikur ti të vdesësh në këtë gjendje? Thjesht hamendësimi i kësaj është i tmerrshëm! Por prapësëprapë i mundur. Prandaj unë të lutem që ta shqyrtosh këtë çështje, dhe ta bësh këtë menjëherë. Nuk ka kohë për të humbur. Nuk ka arsye për ta shtyrë këtë çështje për një ditë — as për një orë. Prandaj, pyete ndërgjegjen tënde me shumë seriozitet, sikur je në praninë dhe nën syrin e Perëndisë, i Cili heton zemrën: A jam bindur plotësisht për gjendjen time të humbur dhe të rrënuar, si mëkatar përpara Perëndisë? A i kam rrëfyer mëkatet e mia privatisht përpara Perëndisë, dhe kam kërkuar falje për to në emër të, dhe në bazë të shlyerjes të bërë nga Biri i tij i dashur? A kam marrë paqe me Perëndinë përmes gjakut të kryqit të tij? A është ripërtërirë natyra ime nga Fryma e Shenjtë? A kam etje, dëshirë dhe lutje për t’u bërë i shenjtë, sepse Perëndia është i shenjtë? A e urrej mëkatin? A jetoj mbi botën? A eci me Perëndinë? A mund të them me Apostullin Gjon, “Vërtet bashkësia ime është me Atin dhe me Birin e tij Jezus Krishtin?”
Këto janë pyetje shumë të rëndësishme. Ato hyjnë në thelbin e vërtetë të fesë. Nëse jemi të krishterë të vërtetë, ne duhet të dimë diçka për kuptimin e tyre dhe që përvoja jonë përputhet me to. Nëse këto janë gjëra të huaja për ne — atëherë ne jemi të huaj për Perëndinë. Ne jemi bosh nga perëndishmëria e vërtetë. Ne po jetojmë pa Perëndinë në botë.
Dhe nëse ne mendojmë që jemi të sigurt, por në realitet të huaj ndaj faljes së mëkateve, paqes me Perëndinë, ose shenjtërisë ungjillore; nuk do të kishte shumë arsye të dyshonim nëse perëndia i kësaj bote nuk i ka verbuar mendjet tona apo jo. Që kjo të mos jetë kështu, dhe për të parandaluar mundësinë e kësaj — nga një dëshirë e pastër për mirëqenien tënde të tanishme dhe të përjetshme, këto pak rreshta të drejtohen ty.
Por, nëse ti me të vërtetë adhuron Perëndinë në Frymë, nëse gëzohesh në Krishtin Jezus, nëse nuk ke asnjë besim te mishi yt, nëse ecën me Perëndinë në paqe dhe bashkësi të shenjtë — atëherë ne gëzohemi dhe falënderojmë Perëndinë për ty. Ti je në Krishtin, dhe është privilegji dhe detyra jote, të bashkohesh me ne në përpjekjen për të përhapur aromën e njohurisë së tij në çdo vend; për të vendosur të vërtetën përpara atyre që janë të huaj ndaj saj, dhe të përpiqesh t’i fitosh ata për Shpëtimtarin.
Koha po fluturon! Përjetësia po afrohet! Së shpejti do të thirremi të qëndrojmë para fronit të gjykimit të Krishtit — ku do të jemi ose të falur, të lavdëruar dhe të shpërblyer; ose (alternativa e frikshme) fajtorë, të dënuar, dhe të dëbohemi nga prania e Perëndisë! Oh le ta “kërkojmë Perëndinë ndërsa mund të gjendet,” “të bëjmë thirrjen dhe zgjedhjen tonë të sigurt,” “duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.” 1 Timoteu 6:19. Perëndia, Fryma e Shenjtë, e shoqëroftë leximin e këtyre pak rreshtave, të dërguara nga dashuria për shpirtin tënd, dhe me një synim për lavdinë e tij, me bekimin e tij efektiv — dhe hiri i Zotit Jezus Krisht qoftë me ty!
Kështu lutem,
I joti në dashuri të krishterë.