Si të Fillosh Mëngjesin me Meditime të Përshpirtshme dhe Lutje

Meditime

Praktika e Përshpirtshmërisë—një manual devocional Puritan, që udhëzon një të krishterë si të jetojë që t’i pëlqejë Perëndisë

Nga Lewis Bayly (1611)

Si të Fillosh Mëngjesin me Meditime të Përshpirtshme dhe Lutje

 

Sapo të zgjohesh në mëngjes, mbaje derën e zemrës tënde të mbyllur fort që asnjë mendim tokësor të mos hyjë brenda, përpara se të vijë Perëndia. Lëre Atë të ketë vendin e parë përpara të gjitha të tjerave. Në këtë mënyrë, të gjitha mendimet e liga ose nuk do të guxojnë të hyjnë, ose do të jenë më të lehta për t’u mbajtur jashtë. Dhe zemra do të shijojë më shumë përshpirtshmëri dhe perëndishmëri gjatë gjithë ditës më pas. Por nëse zemra jote, që në çastin e parë të zgjimit, nuk është e mbushur me disa meditime për Perëndinë dhe fjalën e tij, dhe nuk është përgatitur, si llamba në tabernakull (Eksodi 27:20-21), çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje me vajin e ullirit të Fjalës së Perëndisë dhe nuk është parfumosur me temjanin e ëmbël të lutjes (Eksodi 30:6-7), Satani do të përpiqet ta mbushë me shqetësime tokësore ose me dëshira mishërore, në mënyrë që ajo të bëhet e papërshtatshme për shërbimin e Perëndisë gjatë gjithë ditës më pas, duke lëshuar asgjë tjetër veçse erë të keqe të fjalëve të korruptuara dhe gënjeshtare dhe të mendimeve të nxituara dhe blasfemuese.

Prandaj, fillo çdo punë të ditës me Fjalën e Perëndisë dhe lutje. Ofroji Perëndisë mbi altarin e një zemre të penduar, psherëtimat e shpirtit tënd, dhe fjalët e buzëve të tua, si flijimin tënd të mëngjesit dhe frytin e parë të ditës (Psalmi 51:17; Romakëve 8:22; Osea 13:2; Psalmi 130:6), dhe sapo të zgjohesh, thuaji Atij kështu:

“Shpirti im pret për Ty, o Zot, më shumë se rojet që presin për mëngjesin! O Perëndi, prandaj ji i mëshirshëm me mua dhe më beko, dhe bëj që fytyra jote të shkëlqejë mbi mua! Mbushmë me mëshirën tënde këtë mëngjes, që të gëzohem dhe të jem i lumtur gjatë gjithë ditëve të mia.”

—-

Meditime për Mëngjesin

1 – Perëndia i Plotfuqishëm, ashtu siç të ka zgjuar këtë mëngjes në shtratin tënd, nga gjumi i natyrës, në ringjallje, mund ta ngrejë po aq lehtë trupin tënd nga varri, nga gjumi i vdekjes. Në agimin e asaj dite të ringjalljes, Krishti do të vijë për t’u lavdëruar në shenjtorët e tij, dhe të gjithë prej atyre trupave të mijëra shenjtorëve të Tij, duke qenë të shndërruar si trupi i Tij i lavdishëm, do të shkëlqejnë po aq shndritshëm sa dielli (2 Thesalonikasve 1:10; Juda 14; Filipianëve 3:21; Luka 9:31), dhe gjithashtu, të gjithë engjëjt  duke shkëlqyer në lavdinë e tyre, trupi i Krishtit duke i tejkaluar të gjithë në shkëlqim dhe lavdi, dhe Hyjnia duke shkëlqyer të gjitha. Nëse lindja e një dielli e bën qiellin e mëngjesit kaq të lavdishëm, çfarë ndriçimi dhe lavdie do të ketë ai mëngjes kur kaq shumë mijëra e mijëra trupa shumë më të shndritshëm se dielli, do të shfaqen dhe do ta shoqërojnë Krishtin si varganin e Tij të lavdishëm, duke ardhur për të mbajtur gjyqin e tij të drejtësisë dhe për të gjykuar engjëjt e ligj dhe të gjithë njerëzit e paudhë (Veprat 17:31; 1 Korintasve 6:3; Juda 15). Mos lejo që ndonjë përfitim i përkohshëm, kënaqësi, ose lavdi e kotë e kësaj dite të bëjë që të humbasësh pjesën dhe fatin tënd në lumturinë dhe lavdinë e përjetshme të asaj dite, e cila me të drejtë quhet ringjallja e të drejtëve (Luka 14:14). Kafshët kanë sy trupi për të parë dritën e zakonshme të ditës, por ti përpiqu me sytë e besimit të parashohësh dritën e lavdishme të asaj dite.

2 – Ti nuk e di sa pranë, shpirti i lig, i cili natë e ditë, si një luan që ulërin, ecën përreth duke kërkuar të të gllabërojë (1 Pjetrit 5:8; Jobi 1:7), ndërsa ishe në gjumë dhe i paaftë për të ndihmuar veten. Dhe ti nuk e di çfarë dëmi do të të kishte bërë ai, nëse Perëndia nuk do të të kishte rrethuar ty me Provaninë e Tij, që është gjithmonë e zgjuar, dhe nuk do të të kishte mbrojtur me engjëjt e tij të shenjtë dhe të bekuar (Jobi 1:10; Psalmi 121:4; Psalmi 34:7; Zanafilla 32:1-2; 2 Mbretërve 6:16)…

3 – Kujto se Perëndia i Plotfuqishëm është pranë shtratit tënd dhe sheh shtrirjen dhe ngritjen tënde. Ai kupton mendimet e tua dhe është i njohur me të gjitha rrugët e tua (Psalmi 139:2-3). Kujto gjithashtu se engjëjt e tij të shenjtë, të cilët të ruajtën dhe të mbrojtën gjithë natën, gjithashtu shohin se si ti zgjohesh dhe ngrihesh (Zanafilla 31:55; Zanafilla 32:1-2). Prandaj, bëj çdo gjë si në praninë solemne të Perëndisë dhe nën vështrimin e engjëjve të Tij të shenjtë (Psalmi 91:5,11; Veprat 12:11).

4 – Ndërsa vesh rrobat e tua, kujto se ato u dhanë fillimisht si mbulesa të turpit, si pasojat e mëkatit, dhe se ato janë të bëra vetëm nga lëkurat e kafshëve të ngordhura. Prandaj, kur të mendosh për rrobat, nuk ke asnjë arsye për të qenë krenar për to. Përkundrazi, ke shumë arsye për të qenë i përulur kur i sheh dhe i vesh ato, duke kuptuar se rrobat më të pasura janë vetëm mbulesa të bukura të turpit. Medito që, ashtu si rrobat e tua shërbejnë për të mbuluar turpin tënd dhe për të mbrojtur trupin nga të ftohtit, po ashtu ki kujdes për të mbuluar shpirtin tënd me atë veshje dasmore që është drejtësia e Krishtit (e përvetësuar përmes besimit tonë), e quajtur drejtësia e shenjtorëve (Mateu 22:11; Romakëve 13:14; 1 Korintasve 1:30; Filipianëve 3:9; Zbulesa 19:8; Efesianëve 4:24). Mos ndodhtë që, ndërkohë që jemi veshur në mënyrë të pasur përpara njerëzve, të gjendemi të zhveshur (duke bërë që gjithë ndyrësia jonë të shihet) përpara shikimit të Perëndisë (Zbulesa 16:15). Ashtu si me një mantel, me drejtësinë e Tij mund të mbulojmë veten nga turpi i përjetshëm, dhe mbrojmë shpirtin tonë nga ai zjarr që do të shkaktojë vajtim të përjetshëm dhe kërcëllitje dhëmbësh (Mateu 22:13)…

5 – Mendo se si mëshira e Perëndisë ripërtërihet për ty çdo mëngjes, duke të dhënë, si të thuash, një jetë të re (Vajtimet 3:23; Psalmi 19:5), dhe duke bërë që dielli, pas udhëtimit të tij të pandërprerë, të lindë përsëri për të të dhënë dritë. Prandaj, mos e lejo që kjo dritë e lavdishme të digjet kot, por përpiqu që (sa herë të mundesh) të zgjohesh përpara lindjes së diellit për t’i dhënë falënderime Perëndisë (Luka 12:48), dhe duke u gjunjëzuar pranë shtratit tënd, ta përshëndesësh Atë në fillim të ditës me fjalë të përshpirtshme mëngjesi, duke përfshirë një rrëfim të përulur të mëkateve të tua, duke kërkuar faljen e të gjitha gabimeve të tua, një falënderim për të gjitha bekimet e tij dhe një kërkim të mbrojtjes së tij hirplote për kishën e tij, për ty dhe për të gjithë ata që të përkasin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes