Kohët e fundit një vizitor dukej shumë i shqetësuar që ne barazonim besimin tonë në Monergjizëm me “Vetëm Krishti” — sepse duke bërë këtë ne po tregoheshim tribalë, sepse kjo komunikon idenë që sinergjistët nuk afirmojnë “Vetëm Krishti” dhe të bësh këtë pohim shkakton grindje midis vëllezërve. Por qëllimi ynë nuk është të shkaktojmë grindje, por të jemi besnikë ndaj Shkrimeve mbi një subjekt themelor. Për të gjithë ata prej nesh që janë të bindur për monergjismin, a nuk e kemi përqafuar ne ripërtëritjen monergjiste sepse shpreh më mirë të dhënat biblike në lidhje me shtrirjen e veprës së Krishtit në shpëtimin tonë?
A nuk na ndihmon vetë fjala “monergjisëm” për të kuptuar konceptin? Fjala konsiston nga dy pjesë kryesore: Parashtesa “mono” do të thotë “një”, “vetëm”, ndërsa “ergon” do të thotë “të punosh”. Të marra bashkë nënkuptojnë “puna e një të vetmi”. Kjo do të thotë që, ripërtëritja është vetëm vepra e Jezu Krishtit (e aplikuar nëpërmjet Frymës së Shenjtë), dhe jo bashkëpunim i njeriut dhe Perëndisë dhe jo rezultat i njeriut të paripërtërirë që plotëson një kusht (siç është besimi) përpara se ripërtëritja të ndodhë. Ndryshimi KRYESOR midis Monergjismit dhe Sinergjismit, është që ndërsa teologjia sinergjiste afirmon nevojën e Krishtit, ajo nuk afirmon mjaftueshmërinë e Krishtit. Kjo do të thotë që, sinergjistët nuk afirmojnë që Krishti siguron gjithçka që ne kemi nevojë për shpëtim, duke përfshirë një zemër të re për të besuar dhe për të kuptuar ungjillin. (1 Korintasit 2, Gjoni 6:63-65, 37, 44). Ata besojnë që Krishti bën shumicën e asaj që ne kemi nevojë, por ne akoma duhet të plotësojmë kushtin e Perëndisë për tu shpëtuar. Por, nëse Perëndia u jep hir të gjithë njerëzve, siç edhe sinergjistët thonë, atëhere ne duhet të pyesim, pse disa besojnë dhe disa të tjerë jo? A e përdorën disa hirin e Krishtit më mirë se disa të tjerë? A është Krishti Ai që i bën që të ndryshojnë apo diçka tjetër (si vendimi ynë)? Kjo ‘diçka tjetër’ nënkupton që Krishti është i nevojshëm për ta por jo i mjaftueshëm për të siguruar gjithçka që ata kanë nevojë për tu shpëtuar (duke përfshirë një zemër të ripërtërirë për të besuar). Kështu që ‘Vetëm Krishti’, siç kuptohej gjatë Reformacionit, është një ndryshim monergjistik. Kryqi i tij është i mjaftueshëm për të siguruar gjithçka që kemi nevojë duke përfshirë edhe besimin që kerkohet nga ne.
Është besimi ynë, diçka për të cilën mund të falenderojmë Perëndinë, apo është ajo gjë, në të cilën ne kontribuojmë te çmimi i shpëtimit? A është dashuria e Perëndisë për ne e kushtëzuar nëse besojmë apo jo, apo dashuria e tij plotëson kushtin për ne në Krishtin, sipas Shkrimit? Ne afirmojmë se Perëndia na jep këtë gjendje por Krishti bën për ne atë që ne jemi të paaftë për ta bërë vetë. Prandaj ne nuk jemi pjesërisht të varur në Krishtin për shpëtm, por totalisht të varur në Të.
Shembull: Mos vallë dashuria e Perëndisë është si e një prindi që shikon fëmijën e tij të vrapojë drejt rrugës dhe që vetëm sa i thërret që të largohet nga rruga, apo dashuria e Perëndisë është si ajo e prindit i cili, duke rrezikuar jetën e tij, vrapon dhe e heq fëmijën që TË SIGUROHET që fëmija i tij është i sigurt? Ne të gjithë e dimë që dashuria e vërtetë e përfundon punën… nuk ulet thjesht në vijën anësore kur diçka kaq kritike si jeta e dikujt është në rrezik. Dashuria e Perëndisë është pa kushte për njerëzit e tij dhe Ai dërgon Birin e tij të sigurohet që delet e tij të mos humbin.
Shënim: Një përqindje e madhe e sinergjistëve që janë Protestantë hapur do të rrëfenin se nuk ka asnjë shpresë për shpëtim veçëse në Krishtin – dhe për këtë ne i përqafojmë ata si vëllezërit tanë të dashur në Krishtin, por debatet fillojnë kur teologjia e tyre në mënyrë flagrante kundërshton këtë rrëfim të mirë, kur ata besojnë në Krishtin PLUS një kusht që ne plotësojmë, veçmas nga hiri. Kur ne mohojmë mjaftueshmërinë e Krishtit për të siguruar çdo gjë (sepse veçmas nga Krishti ne nuk mund të bëjmë asgjë) atëhere ne nuk po japim besnikërisht dëshminë e Shkrimit “Vetëm Krishti” .
Michael Haykin me të drejtë tha, “Është e gabuar të mendosh që doktrina e drejtësimit vetëm nëpërmjet besimit, që ishte qëndra e Reformacionit, ishte pyetja thelbësore në mendjet e teologëve të tillë si Martin Luther, Ulrich Zwingli, Martin Bucer, dhe John Calvin. Kjo doktrinë ishte e rëndësishme për reformatorët sepse i ndihmonte të shprehnin dhe ruanin përgjigjen për një pyetje tjetër, më jetësore, nëse mëkatarët janë totalisht pa shpresë në mëkatin e tyre, dhe nëse Perëndia është Ai që i shpëton prej hirit të tij falas të pakushtëzuar dhe të parezistueshëm, jo vetëm për ti drejtësuar për hir të Krishtit kur ata vijnë në besim, por gjithashtu për ti ngritur nga vdekja e mëkatit nëpërmjet Frymës e tij, për ti sjellë në besim.”
-J.W. Hendryx
Përkthyer nga:http://www.reformationtheology.com/apologetics/