Pjetri Nuk Ushtronte Primatin në Romë

Pjetri

Pjetri Nuk Ushtronte Primatin në Romë
Edward Leigh, “Body of Divinity”, fq. 474

Përkthyer nga PurelyPresbyterian

Shënim i Përkthyesit: Primati është epërsia në pozitë, rend ose autoritet mbi të tjerët.

Është një çështje midis nesh dhe papistëve (katolikëve) nëse Pjetri ushtroi ndonjë primat në Romë.

Ka një lloj primati, 1. Primati i rendit dhe shkallës; dhe 2. Primati i autoritetit dhe juridiksionit. Bashkë me Jeronimin, protestantët ia atribuojnë lehtësisht të parën Pjetrit, por jo të dytën.

Fjalët te Mateu 16:18, Luka 22:23 dhe Gjoni 21:15 nuk ishin thënë vetëm për Pjetrin, por për të gjithë dishepujt me të.

“Ai u tha atyre: ”Po ju, kush thoni se jam unë?”. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ”Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”. Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ”I lumur je ti, o Simon, bir i Jonah, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej. Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.” (Mateu 16:15–19)

Për këtë varg, “shkëmbi” dhe “çelësat” përfaqësojnë të njëjtën gjë, por çelësat dhe e gjithë fuqia që përfaqësojnë, i’u dhanë njësoj të gjithëve, të gjithë apostujve. Falja dhe mbajtja e mëkateve (shih Mat. 18:18, Gjoni 20:21) i’u dha të gjithëve, njësoj si premtimi që u bë te Mateu 16:18.

Cipriani, Jeronimi, Teofilakti, Anselmi, Agustini, Cirili dhe Hilari e shpjegojnë “shkëmbin” ose si vetë Krishtin, ose si besimin dhe rrëfimin që kishte Pjetri. [1]

“Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.
 Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.”
(Luka 22:23–24)

Fjalët te Luka 22:23 u thanë për Pjetrin për shkak të mëkatit ku do të binte pak më vonë (shih vargjet 31; 57–62), por ato nuk përmbajnë asgjë që Shpëtimtari ynë nuk e kishte për qëllim për të gjithë të tjerët gjithashtu. Ai u lut për të gjithë ata (Gjoni 17:11, 15, 17, 20), dhe vetë funksioni i tyre si Apostuj i detyronte të forconin vëllezërit e tyre (Mateu 28:19).

“Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ”Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?”. Iu përgjigj: ”Po, Zot, ti e di se unë të dua”. Jezusi i tha: ”Kulloti qengjat e mi!” (Gjoni 21:15)

Teksti i tretë, Gjoni 21:15, vlen gjithashtu për të gjithë apostujt. Të ushqesh do të thotë të predikosh ungjillin (shih Efesianët 4:11). Delet dhe qengjat janë njerëzit, jo apostujt në mënyrë të veçantë.

Mateu 10:2 — Nëse Pjetri ishte i pari, atëherë ai kishte primatin. Edhe pse në shqip kjo nuk është aq shumë e qartë (për shkak se nuk kemi një fjalë që rrjedh nga “primatus” nga latinishtja “primus”), ai që është i pari, ka të parin vend (nëse mund ta shpreh kështu), pra ka primatin. Por është një primat si ai që ka një kryetar jurie në një proces gjyqësor. Jo një primat fuqie mbi vartësit, por një primat rendi midis të barabartëve.

Papa e pason Pjetrin ashtu si nata pason ditën, stuhia qetësinë dhe sëmundja shëndetin. Ai e pason Pjetrin vetëm në mohimin e Krishtit. [2] Piktori e paraqiti Pjetrin me fytyrë të kuqe, si nga turpi për veset e pasardhësve të tij.


[1]
Jeronimi:

“Mbi këtë shkëmb Zoti e themeloi Kishën; nga ky shkëmb gjithashtu apostullit Pjetër iu dha emri (Mateu 16:18)… Themelimi që vendosi apostulli, si ndërtues, është Zoti ynë Jezu Krishti (1 Kor. 3:10). Mbi këtë themel, të qëndrueshëm dhe të fortë, dhe të themeluar mbi masën e vet të pathyeshme, po ndërtohet Kisha e Krishtit.”
(Komentar mbi Mateun 7:25–26; “The Fathers of the Church”, vol. 117, përkth. Thomas P. Scheck, bot. The Catholic University of America Press, 2010)

Teofilakti:

“Ky rrëfim që ti bëre do të jetë themeli i besimtarëve.”
(Enarratio in Evangelium Matthaei [PG 123.320] mbi Mateu 16:18)

Agustini:

“Prandaj, ti je Pjetër dhe mbi këtë shkëmb, që ti e rrëfeve, mbi këtë shkëmb që e pranuat, duke thënë: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’, unë do të ndërtoj Kishën time — mbi veten time, që jam Biri i Perëndisë së gjallë, do ta ndërtoj Kishën time; mbi veten time do ta ndërtoj, jo veten time mbi ty.”
(Predikimi 76, “De Verbis Domini” [PL 38.479]) Këtë e konfirmon shpesh edhe gjetkë: Retractationes 20 (FC 60:90–91); Traktati 124, mbi Ungjillin e Gjonit (NPNF1, 7:450)

Cirili i Aleksandrisë:

“Mbiemri [Pjetër], besoj, nuk nënkupton gjë tjetër veçse besimin e patundur dhe shumë të fortë të dishepullit, që quhet ‘shkëmb’, mbi të cilin është themeluar Kisha dhe qëndron fort dhe vazhdon të jetë e pathyeshme, edhe përballë vetë dyerve të Ferrit.” (Dialog mbi Trinitetin IV, M.P.G., Vol. 75, Kol. 866)

“Sepse kur ai e rrëfeu me mençuri dhe pa faj besimin e tij te Jezusi, duke thënë: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë’, Jezusi i tha hyjnorit Pjetër: ‘Ti je Pjetër dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time.’ Tani me fjalën ‘shkëmb’, Jezusi tregoi, mendoj, besimin e patundur të dishepullit.” (Komentar mbi Isaian IV.2, M.P.G., Vol. 70, Kol. 940)

“Ka gjasa që me këto fjalë (Isaia 33:16) Zoti ynë Jezu Krisht quhet shkëmb, në Të Cilin, si në ndonjë shpellë apo vathë, Kisha përfytyrohet se ka një vendbanim të sigurt dhe të patundur për mirëqenien e saj; ‘Sepse ti je Pjetër,’ thotë Shpëtimtari, ‘dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën Time.’” (Komentar mbi Isaian 3.iii, mbi Isaia 28:16. Cituar nga J. Waterworth S.J., A Commentary, Londër: Thomas Richardson, 1871, fq. 142)

Hilari i Poitiers:

“Prandaj ka vetëm një themel të palëkundur të besimit, ky një shkëmb i bekuar, i rrëfyer me gojën e Pjetrit: ‘Ti je Biri i Perëndisë së gjallë.’” (Trinia 2.23 [FC 25:54; PL 10.66])

Krisostomi:

“Mbi këtë shkëmb, domethënë mbi besimin e rrëfimit tënd.”
(Homelia 54, mbi Mateun [NPNF1, 10:333; PG 58.534])

Shih më tepër: The Church Fathers’ Interpretation of the Rock of Matthew 16:18: An Historical Refutation of the Claims of Roman Catholicism nga William Webster.

Francis Turretin gjithashtu shpjegon se të dyja këto interpretime janë aspekte të ndryshme të së njëjtës e vërtetë:
“Sepse meqënëse besimi dhe rrëfimi nuk duhen kuptuar në mënyrë të ngushtë dhe subjektive, por metonimikisht dhe objektivisht me lidhje ndaj Krishtit, të cilin ata e përqafojnë, atëherë është njësoj nëse e kuptojmë ‘shkëmbin’ si vetë Krishtin apo si besimin në Të. Sepse kjo duhet parë jo aq shumë nga vetvetja, sa nga objektivi — Krishti, që është i përqafuar prej besimit.” (Institutio Theologiae Elencticae XVIII.xvii.16, vol. 3, fq. 164–165)


[2]
William Perkins mbi Judën, Works IV, fq. 209:
“Vër re se tani papa, duke pretenduar autoritet apostolik nga Pjetri, është thjesht një pretendim i rremë; sepse ai autoritet përfundoi me atë detyrë dhe shërbeu vetëm për të vendosur themelin e Kishës, duke qenë njëkohësisht i jashtëzakonshëm ashtu siç ishte edhe thirrja, dhe personal, duke marrë fund me personat e apostujve. Prandaj, nëse papa e ka pasuar Pjetrin në ndonjë gjë, është në mohimin e Krishtit. Nuk mund të jetë në themelimin e Kishës, sepse kjo ishte bërë shumë kohë përpara tij.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes
wpChatIcon
wpChatIcon