6 Konsiderime Praktike për Adhurimin Akapela (Pa Vegla Muzikore)

Adhurimi

Përkthyer nga PurelyPresbyterian

A janë veglat muzikore të pranueshme në adhurimin e Besëlidhjes së Re? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne duhet të jemi të saktë për atë që po përpiqemi të hetojmë. Pyetja nuk është nëse veglat muzikore mund të shijohen privatisht, as nëse ato mund të përdoren në mbledhje shoqërore jo-kishtare. Ato mund të përdoren, dhe është bekim i madh në ato kontekste. Por, siç besonte Zhan Kalvin:

“Ne nuk na ndalohet të përdorim vegla muzikore privatisht, por ato përjashtohen nga kishat me urdhër të qartë të Frymës së Shenjtë.” [1]

Posacërisht, pyetja është nëse në adhurimin publik të kishës është e justifikueshme përdorimi i veglave muzikore. Pra, a është vullneti i Perëndisë që veglat muzikore të përdoren sot në adhurimin e përbashkët? Kjo seri shkrimesh do të argumentojë që ato nuk janë vullneti i Tij.

Me pyetjen të formuluar qartë e saktë, ne do të shqyrtojmë së pari disa vëzhgime paraprake, përpara se t’u kthehemi argumenteve kryesore në shkrimin pasues. Këto pika nuk synojnë të jenë përfundimtare. Ato janë konsiderime praktike për të nxitur hapjen e mendjes. [2] Në këtë epokë mund të duket e çuditshme, madje dikush mund ta quajë legaliste, të thuash që veglat muzikore nuk duhet të përdoren në adhurimin e përbashkët të kishës. Shpresa jonë është që lexuesit skeptikë do të marrin parasysh pikat më poshtë për të kuptuar se përshtatshmëria apo korrektësia e përdorimit të veglave muzikore në kishë nuk është aq e dukshme sac duket në fillim.

Konsiderime Praktike

Si bereas të mirë, ne duhet të jemi introspektivë dhe kritikë ndaj traditave tona në dritën e Shkrimit. Vetëm sepse kemi vepruar gjithmonë në një mënyrë të caktuar, dhe nuk njohim askënd që vepron ndryshe, nuk do të thotë automatikisht se doktrina ose praktika jonë është biblike. Ne duhet të jemi gjithmonë të hapur ndaj korrigjimit nga argumente të bazuara në Shkrim. Përpara se të shqyrtojmë argumentimin biblik për lavdërimin akapela, le të marrim parasysh vëzhgimet praktike të mëposhtme.

1. Nevojshmëria


Veglat muzikore nuk janë të domosdoshme për lavdërimin e rregullt, sado që mund ta shijojmë ose dëshirojmë këtë. Një zë i fortë e i sigurt që udhëheq kishën mjafton. Pastori Michael Ives rrëfen:

“Isha dikur në një kishë ku përdornin një organo elektrike. Në një moment të caktuar, pak para se të këndonin, energjia elektrike u ndërpre. Çfarë duhej të bënin ata tani? Ata gjithmonë ishin mësuar që të përdornin organon kur këndonin. Atëherë, një vëlla që dinte këngën thjesht filloi të këndonte dhe të gjithë u bashkuan. Ishte një përvojë e mrekullueshme të dëgjoje rreth tetë a nëntëqind vetë duke kënduar lavdërimin e Perëndisë pa vegla muzikore.” [3]

Veglat mzuikore mund të jenë të kushtueshme e të vështira për t’u përdorur dhe shumë kisha nuk kanë anëtarë me aftësitë për t’i luajtur ato. Këndimi akapela është shumë më i lehtë për t’u zbatuar.

“Këndimi akapela kërkon një minimum aftësish muzikore dhe energji të shtuar shpirtërore brenda kishës. Gjithçka mbështetet te zëri njerëzor, dhe nuk ka vegla që të fshehin neglizhencën apo plogështinë shpirtërore të njerëzve.” [4]

2. Argëtimi

Adhurimi me vegla muzikore shumë lehtësisht mund të shndërrohet në qendërzim tek njeriu përmes performancës e argëtimit. Shumë këngë të grupeve bashkëkohore të adhurimit dhe drejtuesve të tyre, dhe madje edhe shumë të “muzikës së shenjtë” klasike nga Bach apo Handel, janë krijuar që kisha t’i dëgjojë pasivisht, jo që ajo të marrë pjesë. Në vend që kisha të jetë “duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj” (Ef. 5:19), ajo bëhet audiencë e spektaklit që po ndodh para saj. Emocionet nxiten nga zbavitja, ndërsa mendja e shpirti mbeten pas. Në vend që emocioni të ndjekë intelektin, rendi natyror kthehet përmbys dhe emocionet udhëheqin intelektin. Pastori Ives pyet:

“A përshtatet adhurim-performanca me drejtuesë profesionistë adhurimi me adhurimin e vërtet kishtar apo priftërisë së gjithë besimtarëve? Adhurimi i përqendruar në argëtim, përfundimisht, i shërben Perëndisë apo njeriut? A nuk është shpesh adhurimi-përvojë diçka e krijuar?… A ka vend argëtimi në adhurimin e Perëndisë?”

3. Pengesë për Këndimin në Kishë


Jo vetëm që është e panevojshme dhe shpesh e shtyrë nga argëtimi, por gjithashtu muzika me vegla muzikore priret të jetë pengesë, jo ndihmë, për këndimin në kishë. Një autor ungjillor dhe “konsulent adhurimi” shkruan “Nëntë arsye pse njerëzit nuk këndojnë në adhurim.” Edhe pse ai është pro veglave, shumë arsye që ai jep mund të zgjidheshin duke ndjekur PRA-në (Parimin Rregullues të Adhurimit) dhe vazhdimin e praktikës historike të adhurimit akapela. Ai vëren se shumë këngë shkruhen me qëllimin për të patur një grup adhurimi apo një këngëtar me korda të larta, në tonalitete shumë të larta, ose ritme shumë të ndërlikuara për personin e zakonshëm në stol. Zërat e besimtarëve në kishë shpesh mbyten nga volumi i muzikës. Njerëzit nuk mund të dëgjojnë veten apo njëri-tjetrin dhe praktikisht nuk po “këndojnë më” (Ef. 5:19) e as “mësojnë e këshillojnë njëri-tjetrin” (Kol. 3:16) siç urdhëron Krishti.

Cilësia profesionale e muzikës dhe këndimit në skenë mund të bëjë që besimtarët të ndihen se nuk pritet të këndojnë, por të shikojnë spektaklin ose të “zhyten” në muzikën. [5] Njerëzit bëhen spektatorë pasivë. Gjithashtu, në këto ambiente, pa dashje, nxitet edhe këndimi letargjik. Kjo është arsyeja që do të shohësh shumë njerëz (veçanërisht burrat) që i nxjerrin me përtaci fjalët. John Price sheh të njëjtat prirje dhe pyet:

“A nuk është këndimi në shumë kisha kaq i dobët për shkak se ne jemi bërë të varur nga veglat muzikore? Ne dështojmë të kultivojmë këndimin tonë si duhet e të angazhohemi në të me gjithë zemër sepse veglat e kanë bërë të panevojshme një përpjekje të tillë. Në vend që të ndihmojnë këndimin tonë, siç shumë pretendojnë se ato bëjnë, veglat muzikore janë bërë maska që fsheh plogështinë tonë shpirtërore dhe paaftësinë tonë për të kënduar. Përdorimi i veglave shpesh është pengesë për zhvillimin e aftësive të këndimit.” [6]

Ato nuk pengojnë vetëm adhurimin e përbashkët, por edhe atë në familje. Muzika me vegla, duke qënë si normë, vendos një pritshmëri joreale për ata që nuk dinë të luajnë ose që nuk kanë vegla muzikore. Në këtë mënyrë, familjet dekurajohen duke u ndierë të paaftë të këndojnë lavdërime në shtëpi pa to.

Për më tepër, shumica e vetë muzikantëve nuk janë të aftë psikologjikisht të luajnë instrumentet e tyre dhe të jenë plotësisht të përfshirë në adhurim në të njëjtën kohë. Studime neurologjike me tomografi emisionesh pozitroni kanë treguar se “rajonet e trurit që përfshihen në arsyetim e vendimmarrje çaktivizohen te pianistët kur ata interpretojnë pjesët e tyre muzikore.” [7] Kështu bëhet shumë e vështirë për ta që t’i binden urdhërimit të Frymës: “Do të këndoj me frymën, por do të këndoj edhe me mendjen.” (1 Kor. 14:15).

Një muzikante presbiteriane shpjegoi në një intervistë podkasti se jo vetëm që e ka të vështirë të përqendrohet gjatë luajtjes, por edhe gjatë pjesës tjetër të shërbesës. Kjo për shkak të ankthit që kërkojnë performanca të tilla:

“Kam pasur vështirësi me këtë personalisht. Kur ti luan pianon nuk përqendrohesh te lutja, por te ‘duhet të kaloj në faqen 642’. Ti nuk përqendrohesh te predikimi, por përpiqesh të mbash mend cilën doksologji duhet të bësh këtë javë. Ankthi rritet sepse përpiqem të mbaj mend ç’duhet të bëj më pas — dhe kjo e bën kishën më stresuese. Personalisht, më pëlqen të bëj pushime nga të luajturit piano për disa muaj.” [8]

Drejtuesi i podkastit shtoi një përvojë të ngjashme:

“Kam zëvendësuar teknikun e zërit dhe, megjithëse sistemi është i thjeshtë, është shpërqendruese. Ti nuk këndon himnet, ti nuk ndjek predikimin; ti duhet të shqetësohesh për butonin tjetër për të shtypur… Këto gjëra shpërqendrojnë. Me një adhurim kompleks, plot teknologji, me këto produksione, ne garantojmë që një përqindje e caktuar e njerëzve nuk do të marrë pjesë në ndonjë mënyrë reale. Dhe ne u vendosim barrë njerëzve.” [8]

4. Drejtuesit e Kishës.


Adhurimi me veglat muzikore krijon një klasë drejtuese të muzikantëve të aftë në kishë. Profesionistë të trajnuar që kryenin shërbime të ndërlikuara për njerëzit kishin kuptim në besëlidhjen e vjetër, ku Perëndia kishte caktuar priftërinj dhe Levitë për qëllime të shumta (një nga të cilat ishte, siç do të shohim më poshtë, të luanin instrumente muzikore), por kjo është e papajtueshme me priftërinë e re të të gjithë besimtarëve (1 Pjetri 2:5, 9). Puritani i Nju-Englëndit, Samuel Mather (1626–1671), shkruan për atë që sot do ta quanim “drejtues adhurimi” dhe “grupe adhurimi”:

“Kjo muzikë katedraleje sjell në Kishën e Perëndisë një turmë drejtuesish që Zoti nuk i ka caktuar kurrë dhe që nuk kanë qenë kurrë në zemrën e Tij, pjestarët e korit, dhe kjo është një e keqe shumë e madhe. Nuk është në fuqinë e njerëzve, por është privilegji i madh i Jezu Krishtit të caktojë drejtues në kishën e Tij, dhe Ai nuk ka caktuar asnjë përveç barinjve dhe mësuesve, pleqve dhe dhjakëve.” [9]

Muzikantët, grupet e adhurimit, koret dhe drejtuesit e adhurimit priren të nxisin një mendësi përçarëse, sikur Perëndia t’u ketë dhënë disa njerëzve dhunti për adhurim, ndërsa të tjerët pa aftësi muzikore mendohet se janë të përjashtuar nga pjesëmarrja e vërtetë në adhurim dhe nuk janë në të njëjtin nivel shpirtëror. [10] Muzikantët e kishës priren të funksionojnë si ndërmjetës për të sjellë njerëzit para fronit të Perëndisë, siç pranon Bob Kauflin, Drejtor i Muzikës “Sovereign Grace”: “Mendoj se roli i ‘drejtuesit të adhurimit’ është theksuar shumë vitet e fundit, duke i bërë njerëzit që ta shohin një muzikant të shërbejë si një prift që është në gjendje të sjellë praninë e Perëndisë ndërsa këndojmë.” [11]

Charles Haddon Spurgeon dikur vajtoi:

“Çfarë degradimi të zëvendësosh këngën e urtë të tërë kishës me bukurinë teatrale të një kuarteti, me hollësitë e rafinuara të një kori, apo me fryrjen e ajrit nga shakujt dhe gajdet e pajeta! Mund të luteshim njësoj me makina, siç e bëjmë me lavdërimin.” [12]

5. Përçarja.

Muzika me instrumenta priret të shkaktojë përçarje në kishë. Njerëzit kanë shije dhe stile të ndryshme. Preferencat mund të bëhen polarizuese. Anëtarët më të moshuar të kishës mund të preferojnë një piano ose organo të vetme, ndërsa ata të moshës së mesme preferojnë stilin e Keith Green, dhe të rinjtë dëshirojnë muzikë bashkëkohore me një bandë të plotë indie rock. Sipas Qendrës Kërkimore Pew, stili i muzikës është një nga faktorët më të rëndësishëm për të rriturit amerikanë në zgjedhjen e një kishe të re: “Rreth tre të katërtat thonë se stili i shërbesës ndikoi në vendimin e tyre se cilën kishë duhej t’i bashkoheshin.” [13] Disa kisha ofrojnë shërbesa të shumëfishta të përshtatura për shijet muzikore të ndryshme. Larmia e stileve të muzikës së krishterë është e madhe dhe po rritet. Thom Rainer vëren:

“Luftrat për adhurimin kanë ndarë kisha. Ato kanë shkaktuar që pastorë dhe staf të pushohen nga puna. Ato kanë përplasur të krishterët kundër njëri-tjetrit. Ato kanë qenë burim përçarjeje, dëshpërimi, largimi dhe depresioni…Duhet të besoj që Satani ka patur shumë krenari në këtë ndarje…” [14]

Ndërsa kjo mund të ndodhë edhe me këngë të ndryshme të kënduara pa vegla muzikore, mundësia për përçarje është shumë më e vogël, dhe adhurimi akapela priret të sjellë më shumë unitet në trupin e Krishtit. Ne duhet të jemi “duke pasur të njejtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme. Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.” (Fil. 2:2-4)

6. Precedenti Historik.


Kisha e Krishterë ka refuzuar muzikën me vegla muzikore në adhurim për pjesën më të madhe të historisë së saj, përveç dy periudhave: epokave të errëta së katolicizmit roman nga shekulli i 14-të deri në fillim të shekullit të 16-të (me disa raste të izoluara më parë), dhe përsëri nga shekulli i 19-të deri më sot. Nuk është ekzagjerim të thuash se trashëgimia e Kishës është kryesisht kundër veglave muzikore në adhurimin e përbashkët. Ky fakt njihet gjerësisht nga historianët [15] dhe është i dukshëm nga vetë termi akapella, që vjen nga latinishtja përmes italishtes, dhe do të thotë “në stilin e kishës [kapelës].” [16] R. Scott Clark shkruan se “kisha e hershme pas-apostolike këndonte vetëm këngë të frymëzuara pa vegla muzikore shoqëruese… kisha patristrike, megjithëse në favor të përdorimit të muzikës në adhurim, ishte krejtësisht kundër përdorimit të veglave muzikore.” [17] Ndërkohë që Kisha Latine Perëndimore futi veglat muzikore në periudhën e mesjetës së vonë, Kishat Ortodokse Lindore vazhduan të këndojnë lavdërimet akapella, siç bëjnë deri më sot. [18] Clark shton:

“Gradualisht, përgjatë njëmijëvjeçarit përpara Reformacionit, kisha mesjetare, në mënyrë progresive, rivendosi elemente ceremoniale të Moisiut, përfshirë edhe veglat muzikore që kishin qenë të ndaluara në kisha deri në shekullin e dhjetë. Rivendosja e tyre ishte shumë polemizuese…futja e veglave muzikore në adhurim shoqëroi ngritjen e priftërisë në adhurimin e mesjetës. Reformacioni e shihte veten si rikthim jo vetëm të modelit biblik të adhurimit, por edhe të praktikës së kishës së hershme pas-apostolike. Reformimi i adhurimit ndodhi në faza. Faza e parë e këtij reformimi të adhurimit ishte vendosja e parimit formal të Reformacionit: sola scriptura. Kishat e Reformuara e aplikuan më thellë këtë parim në praktikën e adhurimit.” [19]

Spurgeon vërejti se veglat muzikore ishin “refuzuar dhe dënuar nga gjithë ushtria e predikuesve dhe teologëve protestantë” [20] nga Reformacioni e më pas, përveç Luteranëve dhe shumë Anglikanëve që mohojnë PRA-në (Parimin Rregullues të Adhurimit). Kjo ishte praktika e zakonshme deri në shekullin e 19-të.

Nëse dëshmia e përhapur e Kishës së Krishterë është kundër veglave muzikore në adhurim, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm nëse, në mënyrë të pamenduar, duam të hedhim poshtë këtë qëndrim dhe të mendojmë se praktika moderne është më besnike. Veçanërisht duke marrë parasysh si dhe pse u rivendosën veglat muzikore, siç e thotë Clark: “Kur përdorimi i veglave muzikore u rivendos në kishat e Reformuara, kjo nuk ndodhi mbi bazën e ekzegjezës biblike, parimeve apo rrëfimeve, por mbi bazën e përshatshmërisë dhe pragmatizmit.” [21]

Këto vëzhgime paraprake nuk synojnë të jenë përfundimtare. Ato janë vetëm konsiderime që shpresojmë të nxisin një rishqyrtim të praktikës moderne të muzikës me vegla muzikore në kishë dhe një gatishmëri për të shqyrtuar Shkrimet për të parë nëse një praktikë e tillë është biblike. Ne do të përpiqemi të bëjmë pikërisht këtë në postimin tonë të ardhshëm. Fillimisht do të shpjegojmë shkurtimisht Parimin Rregullues të Adhurimit, pastaj do të tregojmë se si muzika me vegla muzikore është hequr bashkë me ligjin ceremonial të besëlidhjes së vjetër. Në postimin e tretë do ta konfirmojmë këtë interpretim biblik me dëshminë dërrmuese të historisë së kishës, dhe në fund do t’i përgjigjemi kundërshtimeve të zakonshme ndaj lavdërimit akapella.

[1] Komentari i Zhan Kalvinit mbi Psa. 71:22.
[2] Disa nga këto vëzhgime paraprake janë përmbledhur nga predikimi i Pastor Michael Ives, “Veglat Muzikore në Adhurim” (Sermon Audio).
[3] Ives, po aty.
[4] John Price, Dritë e Vjetër mbi Adhurimin e Ri: Instrumentet Muzikore dhe Adhurimi i Zotit, një Studim Teologjik, Historik dhe Psikologjik, f. 148
[5] Ekziston në të vërtetë një stil adhurimi i quajtur “Ngopje” (Soaking) i praktikuar në qarqet karizmatike për t’i futur njerëzit në gjendje transi. Karakteristikat tipike përfshijnë “këndim spontan, lavdërim të lirë dhe seksione instrumentale” dhe “një qasje të paorganizuar me shumë hapësirë dhe një humor relaksues. Përdoren linja të thjeshta dhe melodike me një prani të fortë përsëritjeje.” Ja një shembull: NGOPJE NË PRANINË E TIJ Adhurim Instrumental.
[6] Price, po aty, f. 188.
[7] Price, po aty, f. 153; duke cituar Lawrence Parsons, “Muzika e Sferave,” BBC Music Magazine, Nëntor 2003, f. 36.
[8] Jennifer Greenberg dhe “Chortles Weakly,” Presbycast, Muzika ka Rëndësi—Minjtë me Qira?, 27 Mars 2018, Koha: 1:10:00 e më tej.
[9] Samuel Mather, Figurat ose Tipet e Dhiatës së Vjetër, f. 439.
[10] Duke qenë rritur në kulturën Ungjillore dhe duke luajtur në grupe adhurimi në disa kisha, duke përfshirë një mega-kishë mjaft të madhe në Las Vegas, NV, e vura re këtë problem shumë herët.
[11] Bob Kauflin, Hyrja në Praninë e Zotit, koment më 9 Shtator 2010.
[12] Charles Haddon Spurgeon, Thesari i Davidit mbi Psa. 42:4.
[13] Zgjedhja e një Kishe apo Shtëpie Adhurimi të Re. Qendra Kërkimore Pew.
[14] Pesë Vëzhgime rreth Gjendjes Aktuale të Luftërave të Adhurimit. Thom S. Rainer. Christianity Today ka dhjetëra artikuj mbi “luftërat e adhurimit,” shih këtu.
[15] krahaso David W. Music, Instrumente në Kishë: Një Koleksion Dokumentesh Burimore (Studime në Muzikologjinë Liturgjike) (1998); James McKinnon, Muzika në Letërsinë e Hershme të Krishterë (Lexime të Kembrixhit në Letërsinë e Muzikës) (1989); Everett Ferguson, Muzika Akapella në Adhurimin Publik të Kishës (2013).
[16] William C. Holmes, Oxford Music Online.
[17] R. Scott Clark, Rikuperimi i Rrëfimit të Reformuar, f. 246; duke cituar David W. Music, “Instrumentet në Kishë: Një Koleksion Dokumentesh Burimore,” f. 27. Clark shënon në fund se “përshkrimi i këtij dijetari për adhurimin patristik është interesant sepse ai nuk ka interes personal të apelojë te etërit në mbështetje të PRA-së.” Clark citon gjithashtu Johannes Quasten, “Muzika dhe Adhurimi në Antikitetin Pagan dhe të Krishterë,” f. 60, 72-75.
[18] krahaso Egon Wellesz, Historia e Muzikës Bizantine dhe Himnografisë (Oxford: Clarendon Press, 1961). Constantine Cavarnos, Muzika e Shenjtë Bizantine: Muzika Tradicionale e Kishës Ortodokse (1956). “Në Kishën Ortodokse sot, ashtu si në Kishën e hershme, këndimi është pa shoqërim dhe muzika instrumentale nuk gjendet, përveç mes disa ortodoksëve në Amerikë – veçanërisht grekëve – të cilët tani po tregojnë një prirje për organon ose harmonikën.” (Ipeshkvi Kallistos Ware i Diokleas, Kisha Ortodokse (1997), f. 268).
[19] Clark, po aty, f. 246-7; duke cituar Music, ipo aty, f. 43, 47-51, dhe Hughes Oliphant Old, Rrënjët Patristike të Adhurimit të Reformuar.
[20] Spurgeon, Veprat vëll. 2, pjesa 1, f. 223.
[21] Clark, A është Organoja Dhurata e Zotit për Adhurimin?

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes