I dashur i krishterë ungjillor,
Si një i krishterë protestant që dëshiron që mbretëria e Perëndisë të përhapet në Shqipëri, që kisha të jetë më biblike dhe emri i Perëndisë të përlëvdohet, më lejo të ndaj me ty disa fjalë zemre, disa të vërteta biblike dhe se cfarë po ndodh në ungjillorizmin modern amerikano-shqiptar.
Ndoshta ashtu si unë, edhe ti mund të kesh vënë re që shumë kisha ungjillore (jo të gjitha) sot po përdorin shumë metoda dhe teknika të ndryshme për të arritur njerëzit, metoda dhe teknika që nuk i shohim në Bibël por që janë tërheqëse për njerëzit dhe argëtuese për mishin! Pyetjet që duhet të bëjmë janë: A është e drejtë, biblike, dhe përlëduese për Perëndinë që kishat të veprojnë kështu? A ka folur Perëndia në Fjalën e Tij se si duhet të bëjmë kishë? A kanë vepruar në këto mënyra apostujt the kishat në histori? A tregojnë metodat e mëposhtme për besnikëri ndaj Perëndisë dhe Fjalës së tij apo ato tregojnë që kishat kanë përvetësuar mënyrat e botës duke u përpjekur të jenë sa më bashkëkohore?
Shumë kisha dhe organizata po përdorin argëtime, koncerte, këngëtarë, konkurse, dhurata (Smart TV, Smartphone, Tableta, etj), për t’i tërhequr njerëzit. Predikimi besnik i Ungjillit është zëvendësuar me argëtim dhe fjalim pozitiv! Por, e vërteta dhe realiteti është se gjithë këto nuk mund dhe nuk do të bëjnë kurrë atë që vetëm Fuqia e Perëndisë dhe Fryma e Shenjtë mund të bëjnë nëpërmjet predikimit besnik të Ungjillit Biblik, që është të bindë për mëkat, të sjellë pendesë të vërtetë dhe të hapë sytë e verbuar ndaj Shpëtimtarit të lavdishëm.
Asnjë nga gjërat e sipërpërmëndura nuk mund të bindë për mëkat dhe nuk shpëton. Ato në fakt, janë mjete dhe metoda të mishit që përdorin edhe jobesimtarët dhe kultet. Në evente të tilla nuk mund të ndodhë që nga njëra anë ti i tërheq njerëzit me mjete mishërore (gjëra që njerëzve u pëlqejnë, argëtim, koncert, dhurata, etj) dhe nga ana tjetër të jesh besnik me Ungjillin dhe të flasësh thellësisht për mëkatin, për ferrin dhe për Zemërimin e Perëndisë nën të cilin ata mëkatarë të pashpëtuar ndodhen. Jo, do të jepet një ungjill i zbutur me gjëra “pozitive” dhe që emërtohet “mesazh shprese”, për t’i bërë ata që të ndihen mirë!
Njerëzit, që janë duke shkuar në Ferr, nuk kanë nevojë të ledhatohen, të lajkatohen dhe të argëtohen! Nëse vërtet i duam, ata kanë nevojë që me dashuri t’u tregohet e vërteta për mëkatet dhe mjerimin ku ndodhen dhe se së shpejti do të përballen me Gjykatësin, zemërimi i të Cilit po grumbullohet çdo ditë e më shumë ndaj tyre për shkak të paudhësive të tyre. Njerëzit nuk kanë nevojë për të ashtuquajturat “mesazhe shprese” që japin veçëse një ungjill të zbutur, që nuk ka fuqi të shpëtojë dhe që jep shpresë të rreme, por për mesazhe për mëkatin, ferrin dhe Shpëtimtarin.
Të lutem, më dëgjo. Të lutem, mendo! Do jetë një gjykim tepër i ashpër dhe tepër tepër i madh për ata që, nën emrin e Perëndisë, zbusin dhe “përmirësojnë” Ungjillin e Perëndisë. A thua ne jemi më të urtë se Perëndia dhe e dimë më mirë se Ai? Jo vetëm që po ndryshohet Ungjilli i një Perëndie të plotëfuqishëm që do të kërkojë llogari për të por po u bëhet dëm, si në këtë botë, po ashtu edhe në përjetësi, edhe njerëzve të cilëve marrin këtë lloj ungjilli.
Profetët, Krishti dhe Apostujt nuk vepruan asnjëherë në këtë mënyrë. Ata predikonin të vërtetën, pa lajkatuar, dhe si pasojë u përndoqën dhe u vranë.
Të lutem, mendo dhe shqyrto! Shpëtimi i përket Perëndisë dhe është Ai që i shpëton njerëzit. Nuk varet nga njerëzit dhe sa të kënaqur janë ata me atë që u ofrojmë ne. Detyra dhe përgjegjësia jonë është të përçojmë besnikërisht, mesazhin e Tij, ashtu siç Ai na e ka dhënë.
Pendohu dhe kthehu tek Fjala e Perëndisë. Kthehu tek Krishtërimi i vjetër biblik, tek mënyrat e vjetra dhe tek shtigjet e vjetra dhe, më pas, ne do shohim Fuqinë e vërtetë të Perëndisë.