Wilhelmus à Brakel
Shërbesa e Arsyeshme e të Krishterit
Vëll. 3, fq. 123–128
Predikues dhe Teolog Hollandez i Reformuar (1635–1711)
Përkthyer nga PurelyPresbyterian
Mëkati i tetë [i urdhërimit të tretë] është abuzimi i hedhjes së shortit. Hedhja e shortit është një kërkesë e jashtëzakonshme ose e pazakontë drejtuar Perëndisë që Ai të zbulojë vullnetin e Tij në një çështje të rëndësishme, e cila nuk mund të zgjidhet me urtësi, aftësi ose forcë. Ajo ka të bëjë me një çështje që duhet zgjidhur, sepse përndryshe, do të kishte rrezik ose dëm të madh për vendin, kishën ose individin.
Nga urdhëresat e dhëna është e qartë se shorti mund të përdoret (krah. Lev. 16:8–9; Num. 26:55–56). Shenjtorët gjithashtu e kanë përdorur atë (Veprat 1:26).
Perëndia e drejton shortin dhe e lejon që ai të hidhet sipas vullnetit të Tij. Kjo është e qartë nga Fjalët e Urta 16:33: “Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.” Hedhja e shortit është një veprim fetar. Ai është bërja e një kërkese drejtuar Perëndisë dhe duhet të paraprihet nga lutja. “Dhe, duke u lutur, thanë: ”Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur, për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin… Atëherë hodhën short…” (Veprat 1:24–26). Në hedhjen e shortit pritet që përfundimi të jetë për lavdinë e Perëndisë dhe të mirën e vendit e të kishës. Prandaj është një veprim fetar dhe duhet kryer me zemër fetare.
Hedhja e shortit duhet bërë vetëm në diskutime dhe debate të rëndësishme dhe në rrethana të mëdha nga të cilat varet e mira e shoqërisë. Ai duhet të përdoret edhe për çështje që nuk mund të zgjidhen ndryshe, ose kur duhet vënë re qartësisht dora e Perëndisë, si ndarja e tokës së Kanaanit, zgjedhja e dy cjepve dhe përzgjedhja e apostullit të dymbëdhjetë. “Shorti u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.” (Fjalët e Urta 18:18).
Duket se në Dhiatën e Vjetër shorti është përdorur gjithashtu edhe për të zbuluar fajtorin. Me shumë mundësi Akani u veçua në këtë mënyrë (Joz. 7:18). Kjo është e vërtetë edhe për Jonathanin (1 Sam. 14:40–41) dhe Jonan (Jon. 1:7). Megjithatë, kjo nuk duhet imituar. Edhe nëse Akani u veçua me short (gjë që nuk është e sigurt), kjo gjithsesi ndodhi me zbulesë hyjnore. Sjellja e Saulit nuk është rregulluese, sepse ai shpesh vepronte keq. E fundit, në rastin e Jonës, detarët ishin paganë.
Të Tundosh Perëndinë
Meqënëse hedhja e shortit është një veprim fetar i natyrës së jashtëzakonshme, me anë të së cilës zgjidhen debate të rëndësishme, duhet pasur frikë nga keqpërdorimi i tij për të kënaqur kureshtjen, për të zbuluar ndonjë sekret, ose për të neglizhuar përdorimin e të vetmit rregull të Fjalës së Perëndisë. Kjo e fundit ndodh kur dikush, me anë të hedhjes së shortit, i kërkon Perëndisë që Ai t’i tregojë se çfarë duhet të bëjë në raste të pasigurta ku nuk mund të marrë një vendim, si për shembull: me kë të martohet, dhënia e ndonjë këshille për një cështje të caktuar, zgjedhja e profesionit, nëse duhet të zhvendoset apo jo, etj. Këto do të ishin tundime ndaj Perëndisë dhe do të zgjonin zemërimin e Tij—dhe në vend që Ai të përgjigjej nëpërmjet shortit, Ai mund të lejojë që shorti të bjerë për dëmin dhe shkatërrimin tënd. Qëndro tek Fjala e Perëndisë dhe mos e tundo ose provoko Atë. Nëse nuk mund të marrësh një vendim dhe je në mëdyshje, atëherë ndalo veprimin, sepse nuk të lejohet të bësh asgjë përveçse me besim.
Lojërat e Fatit
Është gjithashtu e qartë se abuzimi i shortit në lojëra, argëtime dhe bixhoz është një shpërdorim i tmerrshëm i provanisë së Perëndisë. Ka lojëra që luhen vetëm me aftësinë ose forcën e personit, dhe ka lojëra që luhen me të tjerët si shah, dam, lojëra rrëshqitëse, etj. Këto janë të lejueshme në vetvete, por duhet të luhen me një qëllim të shenjtë: për të freskuar një mendje të lodhur, për të ruajtur shëndetin e trupit, ose për ta bërë njeriun më të përshtatshëm për detyrën pasuese. Ato nuk duhet të ndodhin shpesh, dhe as për një kohë të gjatë, sepse atëherë do të dështonte qëllimi i tyre. Do të harxhohej koha dhe zemra do të largohej nga Perëndia dhe do të lidhej pas lojës. Ka gjithashtu lojëra të përziera që luhen pjesërisht me fatin dhe pjesërisht me aftësi, si letra, tavëll, etj. Këto janë po aq të paligjshme sa edhe lojërat krejtësisht të fatit, sepse edhe aty sundon hedhja e shortit. Nëse fati është krejtësisht kundër dikujt, atëherë aftësia e tij nuk i hyn në punë. Ka edhe lojëra që varen krejtësisht nga fati, si ato me zare, shkopi i shkurtër, etj.
Është e paligjshme që të luhen lojëra të fatit, qofshin ato krejtësisht të bazuara në fat apo të përziera me aftësi. Kjo vërtetohet për këto arsye:
Së pari, nuk ka as urdhërim, as shembull, as argument në Fjalën e Perëndisë nga i cili mund të nxirret logjikisht ligjshmëria e lojërave të fatit.
Argument shmangës #1: E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lojëra të tjera që përdorin aftësinë ose forcën.
Përgjigje: Jo, sepse është e themeluar në Fjalën e Perëndisë që njeriu mund të pushojë, të flejë, të hajë dhe të pijë, dhe gjithashtu të përpiqet të mbajë shpirtin dhe trupin në gjendje të mirë që të jetë i përshtatshëm për shërbimin ndaj Perëndisë.
Argument shmangës #2: Edhe një lojë fati mund t’i shërbejë këtij qëllimi.
Përgjigje: Kjo nuk është e mundur, sepse nuk është gjë tjetër veçse mëkat—dhe një shpirt që do të ishte i ndjeshëm ndaj mëkatit, do të tronditej. Nuk mund të nxirret përfundim duke krahasuar atë që është e bazuar në Fjalën e Perëndisë me atë që nuk është e bazuar.
Së dyti, përdorimi i shortit është veprim fetar i rregulluar nga Fjala e Perëndisë, e cila tregon rrethanat, mënyrën dhe qëllimin kur ai mund të përdoret. Ai është një veprim fetar; domethënë, është një kërkim i udhëheqjes nga Zoti dhe bërje e një kërkese që Ai të zbulojë vullnetin e Tij. Prandaj përdorimi i tij paraprihet nga lutja (Veprat 1:24–26). Duhet përdorur vetëm në rrethana të rënda ku dora e Perëndisë duhet të dallohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Kështu ishte për përzgjedhjen e dy cjepve, ndarjen e tokës së Kanaanit dhe zgjedhjen e apostullit të dymbëdhjetë. Duhet të bëhet me besim, duke besuar se e gjithë hedhja është nga Zoti (Fjal. 16:33), se Ai do të zbulojë vullnetin e Tij dhe se personi duhet të prehet në të me kënaqësi. Gjithashtu duhet përdorur për të zgjidhur grindjet (Fjal. 18:18). Të gjitha këto mungojnë në lojërat e fatit, prandaj ato janë të paligjshme.
Së treti, shorti është mjet i jashtëzakonshëm për të dalluar vullnetin e Perëndisë në një situatë me rëndësi të jashtëzakonshme. Por në një lojë fati nuk ka çështje të rëndë për t’u përcaktuar, as debat për t’u zgjidhur. Qëllimi në këto lojëra nuk është të dihet vullneti i Perëndisë për t’iu nënshtruar atij. Prandaj, të luash një lojë të tillë fati është të tundosh Perëndinë dhe kjo është e ndaluar. “Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd” (Mat. 4:7). Të tundosh Perëndinë do të thotë të largohesh nga rruga e zakonshme që Ai na ka urdhëruar dhe të kërkosh diçka të jashtëzakonshme prej Tij. Kjo është tallje me provaninë e Perëndisë dhe e bën Atë një shërbëtor të vullnetit tonë të marrë.
Argument shmangës: Lojtari mund të thotë: “Unë as që e mendoj këtë; unë jam i interesuar vetëm në nder ose fitim financiar.”
Përgjigje: Është mëkat të kesh qëllime të tilla, dhe është mëkat edhe të mos mendosh për Perëndinë. Njeriu duhet të mendojë për Perëndinë në gjithçka. Nëse dikush nuk mendon për Perëndinë në aktin e gënjeshtrës, a nuk është mëkat?
Së katërti, rezultati i hedhjes së shortit—për të cilin lojtari shpreson të jetë në dobi të tij—nuk është në duart e tij; e megjithatë ai shpreson. Në kë e vendos shpresën e tij ai—në djallin? Jo. Në fatin (të cilin paganët e quajnë perëndi)? Jo. Në zaret? Atëherë ai i bën zaret perëndinë e tij. Është e urryeshme të pritet ndonjë lumturi nga ndonjë burim tjetër veç Perëndisë.
Argument shmangës: Lojtari mund të thotë, “Unë nuk pres rezultat nga askush; unë thjesht shikoj rezultatin.”
Përgjigje: Kjo është përgjigjja e një ateisti; rezultati drejtohet nga Perëndia (Fjalët e Urta 16:33). Prandaj vetë thelbi i çështjes përfshin pritjen e lumturisë nga Perëndia në një mënyrë të jashtëzakonshme—nëpërmjet një loje. Kjo nuk është tjetër veçse tundim dhe tallje me Perëndinë dhe ta bësh Atë shërbëtor të epshit tënd.
Së pesti, lojërat e fatit—jo për shkak të vetë fatit—sillnin pasoja të dëmshme. Ato largojnë zemrën nga Perëndia, e cila, për shkak të gjykimit të drejtë të Tij, pushtohet nga një fuqi magjepsëse. Nëse rezultati i shortit është zhgënjyes, një pakënaqësi e heshtur ndaj Perëndisë ngjallet në zemër, edhe pse kjo mund të mos shprehet drejtpërdrejt. Prej kësaj vijnë mallkime, blasfemi dhe pakënaqësi ndaj fituesit. Njëri humbet pasurinë e vet (qoftë shumë apo pak), dhe tjetri fiton një përfitim të prishur dhe të ndotur.
Së gjashti, shto dëshminë e përgjithshme të të perëndishmëve dhe dijetarëve të të gjitha kohërave, si edhe të sinodeve dhe dekreteve perandorake. Nëse ndonjëherë ndodh që dikush i jep mbështetje lojërave të fatit, është ndonjë papist ose njeri i botës që nuk ka asnjë konsideratë për Biblën. Ose nëse ndonjë dijetar i rrallë i aprovon, janë të tjerë që i kanë kundërshtuar dhe ua kanë mbyllur gojën. Në këtë mënyrë, ai dijetar i ka vënë njollë vetes dhe shkrimeve të tjera të tij.
Përdorimi i Llotarisë Publike
Ajo që u tha më sipër për lojërat e fatit vlen gjithashtu për llotaritë publike, të cilat janë themeluar nga qeveria për të ndihmuar të varfrit ose kishat — edhe këto janë të paligjshme.
Së pari, lojërat e fatit dhe llotaritë në thelb janë e njëjta gjë. Meqënëse njëra është e paligjshme, edhe tjetra është e paligjshme. Të gjitha arsyet e dhëna kundër lojërave të fatit vlejnë po aq edhe për llotaritë. Miratimi i llotarive nga ana e qeverisë nuk ndryshon natyrën e çështjes. Qeveritë nuk kanë të drejtë të anullojnë urdhërimet hyjnore dhe të shpallin të ligjshme atë që Zoti e ka ndaluar. Ligjshmëria e tyre supozohet se buron ose nga miratimi i qeverisë ose qëllimi i tyre. Por, nuk mund të lidhet me qeverinë, sepse ne duhet të dëgjojmë më tepër Perëndinë sesa njerëzit. Qëllimi për të ndihmuar të varfrit dhe kishat nuk e justifikon llotarinë më shumë sesa qëllimi i Saulit për të sakrifikuar për Zotin atë që i ishte ndaluar të merrte. Nuk duhet bërë e keqja që të vijë e mira. Një qëllim i mirë duhet arritur në një mënyrë të ligjshme. Të varfrit mund të ndihmohen në mënyra të tjera, si për shembull përmes bamirësisë, taksave ose mjeteve të tjera që janë të bazuara në Fjalën e Perëndisë. Madje, llotaritë nuk janë as për dobinë e të varfërve, por për dëm të tyre, sepse shumë njerëz që mezi mbajnë veten, në këtë mënyrë bien në më shumë varfëri dhe më pas duhet edhe të ndihmohen.
Argument shmangës: Njerëz të tillë nuk duhet të marrin pjesë në llotari.
Përgjigje: Ata shpesh detyrohen të marrin pjesë nga pronari për të përmirësuar rrethanat e tyre. Dhe nëse ata, nuk dinë të administrojnë pak, nuk do dinë as të administrojnë shumë. Çdo njeri ka për detyrë të ruajë në mënyrë të përshtatshme atë që Zoti i ka dhënë.
Së dyti, llotaritë marrin nga njëri dhe ia japin një tjetri, ku shumë kontribuojnë dhe vetëm pak fitojnë — dhe kjo ndodh pa ndonjë aftësi, pa trashëgimi, dhe pa mjete të tjera të ndershme.
Argument shmangës: Askush nuk detyrohet, të gjithë japin me vullnetin e tyre.
Përgjigje: Nuk duhet të jepet asnjë mundësi që qytetarët të shpërdorojnë pasuritë e tyre, sepse Perëndia e ka ndaluar këtë.
Së treti, pjesëmarrja në llotari buron nga zemra e një personi të pakënaqur me gjendjen e tij, që dëshiron të bëhet i pasur, dhe kështu bie në dëshira të pamenda. Të gjithë dëshirojnë çmimin më të madh, dhe e bëjnë këtë në një mënyrë që nuk është urdhëruar, themeluar apo dhënë shembull në Fjalën e Zotit, e cila mëson se hedhja e shortit është një akt fetar dhe një mjet i jashtëzakonshëm për të zbuluar se cili është vullneti i Perëndisë në çështje me peshë. Llotaritë nuk e kanë këtë qëllim.
Argument shmangës 1: Unë marr pjesë në një mënyrë fetare. Unë jam në nevojë dhe kjo është një mundësi për të përmirësuar gjendjen time. Unë pres rezultatin nga Zoti dhe lutem për një bekim.
Përgjigje: E gjithë feja është e themeluar mbi Fjalën e Perëndisë. Por kjo nuk është e vërtetë për Llotaritë. Ato nuk janë një aktivitet fetar, prandaj, nuk mund të lutesh me besim dhe as të presësh një rezultat të mirë nga Perëndia. Është një tundim ndaj Perëndisë, sepse largohet nga rruga e zakonshme dhe kërkon një mënyrë të jashtëzakonshme.
Argumenti shmangës 2: Unë e bëj në mënyrë fetare, sepse jap për të varfrit.
Përgjigje: Kjo nuk qëndron. Nëse do që të japësh për të varfrit, jep pa pritur asgjë në këmbim. Të varfërit marrin vetëm një pjesë të vogël nga fitimi yt. Ti e di në zemrën tënde se nuk është qëllimi yt t’u japësh të varfërve, por që të marrësh një biletë të mirë llotarie.
Argumenti shmangës 3: Kam premtuar se do t’u jap shumë të varfërve nëse fitoj.
Përgjigje: Kjo është një marrëveshje tregtare me Zotin: “Më jep këtë dhe unë do të jap atë.” Për më tepër, nuk është asgjë më shumë se çmimi për një qen dhe pagesa e një prostitute. Perëndia nuk pranon të dhëna që janë fituar në mënyrë të paligjshme. Për këto arsye — së bashku me ato që janë dhënë më parë kundër lojërave të fatit — është e qartë se llotaritë janë të paligjshme, njësoj si lojërat e fatit.
Së katërti, nëse llotaritë do të ishin të ligjshme, atëherë miqtë, fqinjët dhe të njohurit mund të organizonin llotari mes tyre. Të gjithë do të jepnin diçka dhe pastaj do të hidhnin short se kush do t’i merrte të gjitha. Por kjo do t’i shqetësonte njerëzit e perëndishëm, dhe vetë qeveria nuk do ta lejonte. Në këtë mënyrë qeveria e pranon se ligjshmëria e llotarive, që janë një çështje fetare, varet nga gjykimi i saj, ose që ato janë vetvetiu të paligjshme ose të dëmshme për rendin shoqëror.