Zhan Kalvin,
Komentari mbi Mateun 19:10-12.
“Dishepujt e vet i thanë: ”Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, nuk i’a leverdis të martohesh”. Por ai u tha atyre: ”Jo të gjithë i pranojnë këto fjalë, por ata të cilëve u është dhënë. Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; dhe ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë.” (Mateu 19:10-12)
10 Dishepujt e vet i thanë. Duket se ishte një kusht i vështirë për burrat që të ishin kaq të lidhur me gratë e tyre, që, për aq kohë sa ata qëndronin të pastër, ishin të detyruar të duronin çdo gjë përveçse t’i linin ato. Të nxitur nga kjo përgjigje e Krishtit, dishepujt përgjigjen se është më mirë të mos kenë gra sesa të futen në një lidhje të tillë. Por pse ata nuk mendojnë anën tjetër, se sa e vështirë është robëria e grave? Për shkak se ata janë të përkushtuar ndaj vetes dhe volisë të tyre, ata shtyhen nga ndjenja e mishit për të injoruar të tjerët dhe për të menduar vetëm për atë që është e dobishme për veten e tyre. Por ndërkohë është një shfaqje e madhe e mosmirënjohjes që, nga frika ose mospëlqimi i një pengese të vetme, ata hedhin poshtë një dhuratë të mrekullueshme të Perëndisë. Sipas tyre, është më mirë që ta shmangin martesën sesa ta lidhin veten me të jetuarit gjithmonë së bashku. Por nëse Perëndia e ka caktuar martesën për dobinë e përgjithshme të njerëzimit, atëhere ajo nuk duhet të përbuzet, megjithëse, mund të shoqërohet me disa gjëra të pakëndshme.
Prandaj, le të mësojmë të mos jemi të dobët dhe të pacipë, por të përdorim me nderim e respekt dhuratat e Perëndisë, edhe nëse ka diçka në to që nuk na pëlqen. Mbi të gjitha, le të ruajmë veten nga kjo ligësi në lidhje me martesën e shenjtë. Sepse për shkak të shumë shqetësimeve që e shoqërojnë, Satani gjithmonë është përpjekur ta bëjë atë një objekt urrejtjeje dhe neverie, për ti larguar njerëzit nga ajo. Jeronimi ka dhënë një provë shumë të dukshme të një qëndrimi të keq dhe të lig, jo vetëm duke e ngarkuar me shpifje këtë kusht të shenjtë dhe të caktuar të jetës nga Perëndia, por mblodhi sa më shumë terma përbuzës (λοιδορίας) nga autorë profanë, për të hequr nderimin e saj. Por le të kujtojmë se çdo shqetësim që i përket martesës është aksidental, pasi ato vijnë nga mëkatshmëria e njeriut. Le të kujtojmë se që kur natyra jonë u prish, martesa filloi të jetë një ilaç, dhe prandaj nuk duhet të habitemi nëse ajo ka një shije të hidhur të përzier me ëmbëlsinë e saj. Por ne duhet të shohim se si Zoti ynë Jezus e hodhi poshtë këtë marrëzi.
11 Jo të gjithë i pranojnë këto fjalë. Me këtë ai nënkupton se zgjedhja për t’u martuar apo jo nuk është vendosur në duart tona, siç do të ishim duke u menduar për një çështje që na është paraqitur. Nëse ndonjë burrë, pa bërë ndonjë hulumtim, mendon se është më mirë që të mos ketë grua, dhe kështu e ngarkon veten me një detyrim për të mbetur beqar, ai gabon tepër rëndë. Perëndia, Ai që ka shpallur se është e mirë që një burrë të ketë grua për të qënë ndihmë për të, do ta ndëshkojë përbuzjen e asaj që Ai ka caktuar. Sepse vdekatarët i ngarkojnë vetes shumë, kur përpiqen ta përjashtojnë veten nga thirrja hyjnore. Por Krishti provon se nuk është aspak dicka e lirë ku të gjithë bëjnë zgjedhjen që ata duan, sepse dhurata e beqarisë, është një dhuratë e veçantë. Sepse kur ai thotë se jo të gjithë janë në gjendje ta pranojnë, por atyre që u është dhënë, ai po e tregon qartë se ajo nuk u është dhënë të gjithëve. Kjo qorton krenarinë e atyre që nuk hezitojnë të marrin për veten e tyre atë që Krishti ua refuzon kaq qartë.
12 Sepse ka eunukë. Krishti vë në dallim tre lloje eunukësh: [1.] Ata që janë të tillë nga natyra, ose [2.] ata që janë kastruar nga njerëzit, të cilët për shkak të këtij gjymtimi, dhe sepse që nuk janë burra janë të ndaluar për t’u martuar. [3.] Ai thotë se ka eunukë të tjerë, që e kanë kastruar veten, që të jenë më të lirë për t’i shërbyer Perëndisë. Edhe këta ai i përjashton nga detyrimi për t’u martuar. Për rrjedhim, ajo që pason është se të gjithë të tjerët që shmangin martesën luftojnë kundër Perëndisë me paturpësi të pabesë, sic bënin gjigantët. Eshtë shumë e pavend kur papistët (katolikët) e përdorin fjalën kastruar (εὐνούχισαν), sipas dëshirës së tyre, sikur njerëzit mund të ngarkojnë veten me detyrimin për të mbetur beqar. Sepse Krishti tashmë ka shpallur se Perëndia ua jep atë atyre që ai zgjedh, dhe pak më vonë do shohim se është marrëzi për çdo njeri të zgjedhë të jetojë beqar, kur ai nuk e ka marrë këtë dhuratë të veçantë. Prandaj, kastrimi nuk është lënë në dorën e njeriut. Kuptimi i tij i qartë është që ndërkohë që disa njerëz megjithëse janë në rregull nga ana fizike për t’u martuar, por nuk martohen, ata nuk e provokojnë Perëndinë, sepse Perëndia u jep atyre një përjashtim.
Për mbretërinë e qiejve. Shumë e shpjegojnë këtë në mënyrë të marrë sikur ka kuptimin për të merituar jetën e përjetshme; sikur beqaria të përmbante në vetvete ndonjë shërbim meritues, siç imagjinojnë papistët se është një gjendje engjëllore. Por Krishti nuk donte të thoshte asgjë më shumë se personat beqarë duhet ta kenë këtë si qëllimin e tyre, sepse duke qënë të lirë nga të gjitha shqetësimet, mund të angazhohen më lehtë në detyrat e devotshmërisë. Prandaj, është një imagjinatë e marrë të mendosh që beqaria është një virtyt. Ajo nuk është më e pëlqyer për Perëndinë se sa agjërimi, dhe nuk ka të drejtë të llogaritet mes detyrave që ai kërkon nga ne… Madje, Krishti donte të deklaronte që ndonëse një njeri mund të jetë i pastër nga kurvëria, prapësëprapë beqaria e tij nuk miratohet nga Perëndia nëse ai thjesht po konsideron vetëm lehtësinë dhe volinë e saj. Beqaria ka një arsye të vetme. Një meditim të lirë dhe të pakufizuar mbi jetën qiellore. Shkurtimisht, Krishti na mëson se nuk është e mjaftueshme, që burrat beqarë jetojnë me pastërti, vecëse në rastin kur ata abstinojnë nga të pasurit gra për qëllimin e vecantë e përkushtimit të vetes së tyre ndaj angazhimeve më të mira (për të qenë më të lirë për t’u angazhuar në gjëra më të mira për lavdinë e Perëndisë).
Ai që mund ta pranojë, le ta pranojë. Me këtë përfundim, Krishti i paralajmëron ata se martesa nuk duhet të përbuzet. Veç nëse kemi ndërmend që me një guxim të verbër të turremi me kokë drejt shkatërrimit! Ishte e nevojshme që dishepujt që po vepronin pa përfillje dhe pa gjykim, të korrigjoheshin. Por paralajmërimi është i dobishëm për të gjithë, sepse në zgjedhjen e një mënyre jetese, pak njerëz mendojnë për atë që u është dhënë. Sepse njerëzit, pa shqyrtuar, turren përpara në çdo drejtim që zelli i tyre i pakujdesshëm i nxit. Do doja që paralajmërimi të ishte marrë parasysh në kohët e kaluara, por veshët e njerëzve janë mbyllur nga ndonjë magjepsje e Satanit që nuk e di, aq sa, në kundërshtim me natyrën, dhe pavarësisht Perëndisë, ata që Perëndia i thirri në martesë e kanë lidhur veten me litarin e virgjërisë së përjetshme. Më pas erdhi litari vdekjeprurëse i betimit për beqari, me të cilin u lidhën shpirtra të mjeruar, që kurrë nuk u ngritën nga kjo gropë.
Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2019/06/10/folly-of-a-celibate-life-without-the-special-gift/