Një Rrëfim i Përulur i Mëkateve të Burrave që Shërbejnë në Skoci

Rrefejne

Një Rrëfim i Përulur
i
Mëkateve të Burrave që Shërbejnë në Skoci

Botuar në vitin 1653.

Përkthyer nga TrueCovenanter

 

PARATHËNIA

 

Edhe pse jemi të vetëdijshëm se shumë përqeshës të çdo lloji mund të marrin shkas nga ky Rrëfim i Mëkateve të Burrave që Shërbejnë, për të forcuar paragjykimet e tyre ndaj personave dhe thirrjes sonë — dhe ta kthejnë këtë në turpin tonë — si edhe se disa mund të keqkuptojnë qëllimin tonë, sikur të donim ta bënim Shërbesën e kësaj Kishe të pavlerë dhe përçmuese (gjë që është shumë larg mendimeve tona, pasi e dimë dhe jemi të bindur se në këtë vend ka shumë shërbëtorë të zotë, të perëndishëm dhe besnikë), megjithatë, të bindur se jemi të thirrur të përulim vetveten dhe të justifikojmë Zotin në gjithë përçmimin që Ai ka hedhur mbi ne, dhe që ata që do të njohin mëkatet tona të mos pengohen nga gjykimet tona, kemi menduar se është detyra jonë të botojmë këtë Zbulim dhe Rrëfim të mëposhtëm të prishjeve dhe mëkateve të shërbëtorëve — që të duket sa thellë është dora jonë në shkelje, dhe se Shërbëtorët e Skocisë kanë një pjesë jo të vogël në sjelljen e këtyre gjykimeve që kanë rënë mbi vend.

Kërkojmë vetëm që në këtë Rrëfim të merret parasysh se përmenden mëkate për të cilat janë fajtorë vetëm pak shërbëtorë, dhe të tjera për të cilat janë përgjegjës më shumë persona; ndërsa disa prej tyre janë mëkatet e atyre që Zoti i ka ruajtur nga prishjet më të rënda të përmendura këtu. Dhe nuk është për t’u habitur që Shërbesa e Skocisë është ende, në një masë të madhe, e papastruar, duke marrë parasysh që për më shumë se tridhjetë vite, nën tiraninë e Peshkopëve, ka qenë hapur një derë shumë e gjerë për hyrjen e personave të korruptuar në Shërbesë; si edhe për shkak të shumë shmangieve dhe ndërprerjeve në përpjekjet për të pasur një Shërbesë të pastër në këtë vend.

 

MËKATET

E BURRAVE

QË SHËRBEJNË

Së pari, ato që janë përpara hyrjes në Shërbesë:

 

  1. MENDJELEHTËSIA dhe profaniteti në të folur, të papërshtatshme me atë Thirrje të shenjtë të cilën synonin dhe që nuk janë penduar sinqerisht për to.
  2. Arsimimi i korruptuar i disa prej tyre në mënyrën Peshkopale dhe Arminiane, përmes së cilës ata thithën gabimet dhe prishjet përkatëse dhe aftësitë e tyre u zhvilluan për të përforcuar dhe përhapur po ato gabime — dhe për këto nuk janë penduar.
  3. Mungesa e përpjekjes për të qenë në KRISHTIN, përpara se të jenë në Shërbesë. As të kenë njohuri praktike dhe përjetim personal të Misterit të Ungjillit në veten e tyre, përpara se tua predikojnë atë të tjerëve.
  4. Injorimi dhe neglizhimi i përgatitjes së vetes për Veprën e Shërbesës, në përparimin në lutje dhe bashkësi me Zotin, arsimimin në shkolla biblike, mundësitë nga një shërbesë e gjallë, si edhe mjete të tjera — dhe mungesa e vajtimit për këto neglizhenca.
  5. Mungesa e përpjekjes për vetëmohim dhe mungesë të vendosjes për të marrë kryqin e KRISHTIT mbi vete.
  6. Mungesë kujdesi dhe neglizhencë për të ruajtur një ndjeshmëri të gjallë për mëkatin dhe mjerimin, mospërpjekje për të luftuar kundër prishjes së brendshme dhe mungesë e përkushtimit për vrasjen e mëkatit dhe përulje të frymës.

 

Së dyti, në hyrjen në Shërbesë:

  1. Mënyra mishore, të prishura dhe të shtrembërura për hyrjen në Shërbesë, si ryshfeti gjatë kohës së Peshkopatës, ndërhyrja e miqve dhe të ngjashme me këto; përmes të cilave shumëkush nuk ka hyrë nga dera, por janë ngjitur nga një rrugë tjetër.
  2. Hyrje në Shërbesë përmes një betimi të nënkuptuar, të mallkuar, kanonik, si edhe nëpërmjet një nënshkrimi të dhënë Peshkopëve, për t’i njohur ata dhe për të përkrahur korruptimet që ata kishin futur ose synonin të fusnin.
  3. Hyrje në Shërbesë pa sprovime dhe marrja e shugurimit ose drejtpërdrejt nga Peshkopi, ose me një rekomandim prej tij drejtuar Presbiterit, dhe ndonjëherë pa, ose madje kundër vullnetit të Presbiterit.
  4. Hyrje në Shërbesë vetëm përmes paraqitjeve formale, ose përmes Lutjeve të blera prej shumicës së pjestarëve të kishës, pa ose kundër pëlqimit të të perëndishmëve në kishë.
  5. Hyrje në Shërbesë pa marrë parasysh një Thirrje dhe Dërgim prej Jezu Krishtit, prej nga ka ndodhur që shumë kanë vrapuar pa qenë dërguar.
  6. Hyrje në Shërbesë jo nga dashuria për Krishtin, as nga dëshira për të nderuar Perëndinë në fitimin e shpirtrave, por për qëllime të tjera të fshehta — për emër dhe për një mjet jetese në botë — megjithëse në pranim është bërë një deklaratë solemne për të kundërtën.
  7. Disa kanë ofruar veten për provë pa aftësi dhe përpiqen të fshehin dobësinë e tyre duke u mbështetur në ndihmën dhe përpjekjet e ndonjë miku apo të njohuri, ose duke u mbështetur në shkrimet e të tjerëve, në pjesë të ndryshme të provës; dhe disa janë autorizuar për të predikuar, e të tjerë janë pranuar në Shërbesë, ndonëse kanë pak ose aspak aftësi për të kryer detyrat përkatëse.
  8. Tepër të ndikuar nga prirja mishërore për t’u thirrur në Shërbesë në një vend ku kemi lidhje familjare ose të afërta.

Së treti, pas hyrjes, që ka të bëjë së pari me gjendjen dhe sjelljen e tyre personale:

  1. INJORANCË për Perëndinë, mungesë afërsie me Të dhe pak përjetim të Perëndisë në lexim, meditim dhe të folurit për Të.
  2. Egocentrizëm tepër i madh në gjithçka që bëjmë, duke vepruar nga vetja dhe për veten.
  3. Mospërkujdesje për sa jobesnikë dhe neglizhentë janë të tjerët, për sa kohë që, kjo mund të shërbente si dëshmi e besnikërisë dhe zellit tonë. Madje shpesh, duke qënë të kënaqur, në mos edhe duke u gëzuar për fajin e tyre.
  4. Kënaqësia më e vogël në ato gjëra ku qëndron bashkësia jonë më e ngushtë me Perëndinë. Luhatshmëri e madhe në ecjen tonë me Të dhe neglizhencë në njohjen e Tij në të gjitha rrugët tona.
  5. Në kryerjen e detyrave, ne tregojmë kujdesin më të vogël për ato që janë më larg syve të njerëzve.
  6. Rrallë në lutje të fshehta me Perëndinë, përveç kur kërkohet përgatitje për shërbime publike, dhe edhe atëherë, shpesh e lënë pas dore, ose e kryer në mënyrë shumë sipërfaqësore.
  7. Të kënaqur për të gjetur justifikime për neglizhimin e detyrave.
  8. Neglizhimi i leximit të Shkrimet në privatësi për ndërtimin tonë si të krishterë; duke i lexuar ato vetëm aq sa na përgatisin për detyrën tonë si Shërbëtorë dhe shpeshherë duke neglizhuar edhe këtë.
  9. Mospërsiatje dhe mos shqyrtim të rrugëve tona personale, as lejim që bindja të bëjë një punë të thellë brenda nesh, duke mashtruar veten përmes shmangies nga të këqijat dhe neveria e tyre, vetëm nga drita e ndërgjegjes natyrore,  duke e konsideruar këtë si një dëshmi të një ndryshimi të vërtetë.
  10. Ruajtje dhe mbikëqyrje e keqe e zemrës, si edhe pakujdesi në kërkimin dhe shqyrtimin e vetvetes, gjë që sjell një njohje të mangët të vetes dhe largim nga Perëndia.
  11. Mospërpjekje dhe mosluftim kundër mëkateve të dukshme dhe të njohura, veçanërisht atyre që na dominojnë.
  12. Lehtësi për t’u tërhequr nga tundimet e kohës dhe tundime të tjera të veçanta sipas prirjeve dhe shoqërisë.
  13. Paqëndrueshmëri dhe luhatje në rrugët e Perëndisë nga frika e përndjekjes, rrezikut ose humbjes së reputacionit; shmangie e detyrave nga frika e dyshimeve dhe përgojimeve.
  14. Mosvlerësim i Kryqit të Krishtit dhe vuajtjeve për Emrin e Tij si një nder. Përkundrazi, shmangie e vuajtjeve për shkak të dashurisë për veten.
  15. Plogështi shpirtërore pas gjithë goditjeve të rënda të Perëndisë mbi vendin.
  16. Pak ndërgjegje për përulje dhe agjërim të fshehtë, qoftë personalisht apo në familjet tona, që të qajmë për fajësinë tonë dhe të vendit dhe pak aplikim të shkaqeve të përuljes publike mbi zemrat tona.
  17. Kërkim i kënaqësive vetjake kur Zoti na thërret në përulje.
  18. Mosvendosje në zemër të vuajtjeve të rënda të popullit të Perëndisë në botë dhe e mos përparimit të Mbretërisë së Jezus Krishtit dhe fuqisë së perëndishmërisë midis tyre.
  19. Hipokrizi e rafinuar — dëshirë për t’u dukur atë që në të vërtetë nuk jemi.
  20. Më shumë përpjekje për të mësuar gjuhën e popullit të Perëndisë sesa ushtrimin e tyre.
  21. Rrëfim artificial i mëkateve pa pendim; pohim i padrejtësisë, por pa vendosmëri për të qenë të pikëlluar për të.
  22. Rrëfimi në fshehtësi shpesh lihet pas dore, madje edhe për ato gjëra për të cilat jemi të bindur.
  23. Asnjë reformim pas rrëfimeve solemne dhe betimeve personale, duke menduar se jemi të çliruar pasi rrëfehemi.
  24. Më të gatshëm për të zbuluar dhe kritikuar gabimet e të tjerëve sesa për t’i parë dhe pranuar ato në veten tonë.
  25. Vlerësim për gjendjen dhe rrugën tonë sipas vlerësimit që të tjerët kanë për ne.
  26. Vlerësim të njerëzve sipas pajtimit ose mospajtimit të tyre me ne.
  27. Mospasje frikë nga sprovat, por duke u mbështetur në forcën tonë për t’i përballuar ato pa lëkundje.
  28. Mosmësimi për të pasur frikë nga rëniet e njerëzve të perëndishëm; mospikëllim dhe moslutje për ta.
  29. Mosvënien re të shpëtimeve të veçanta dhe shkopinjve, as përdorimin e tyre për lavdinë e Perëndisë dhe ndërtimin tonë dhe të të tjerëve.
  30. Pak ose aspak vajtim për prishjen e natyrës sonë, dhe edhe më pak ankim dhe dëshirë për t’u çliruar nga trupi i vdekjes, rrënja e hidhur e të gjitha të këqijave tona të tjera.

 

Së dyti, në sjelljen dhe ecjen tonë me dhe para bashkësive dhe të tjerëve:

  1. Biseda të pafrytshme zakonisht me të tjerët, më shumë për keq sesa për mirë.
  2. Humbje kohe me shaka të pamenduara dhe biseda të padobishme e të papërshtatshme, shumë të padenja për shërbëtorët e Ungjillit.
  3. Qëllime shpirtërore që shpesh shuhen në duart tona, kur ato nisen nga të tjerët.
  4. Familjaritet mishëror me njerëz të pabesë dhe keqdashës, ku ata ngurtësohen në mëkatin e tyre, populli i Perëndisë pengohet, dhe ne vetë topitemi.
  5. Përbuzje e shoqërisë me ata prej të cilëve mund të përfitonim shpirtërisht.
  6. Dëshirim më i madh për të biseduar më shumë me ata që na ndihmojnë përmes aftësive të tyre sesa me ata që na ndërtojnë përmes hirit të tyre.
  7. Mungesë përpjekjeje për të shfrytëzuar raste për të bërë të mira ndaj të tjerëve.
  8. Shmangie nga lutja dhe detyra të tjera kur na kërkohen, duke zgjedhur më mirë t’i lëmë pas dore sesa t’i kryejmë vetë.
  9. Keqpërdorim i kohës në argëtime të shpeshta dhe dashuri për kënaqësitë tona më shumë se për Perëndinë.
  10. Pak ose aspak kohë e kaluar në biseda të krishtera me të rinjtë që përgatiten për shërbesë.
  11. Diskutime të zakonshme e të rëndomta edhe në Ditën e Zotit.
  12. Përbuzje ndaj qortimeve të krishtera nga ndonjë njeri nga bashkësia apo të tjerët, duke i parë si poshtë nesh dhe duke u turpëruar që të pranojmë dritë dhe paralajmërime nga të krishterë të thjeshtë.
  13. Pakënaqësi ose hidhërim ndaj atyre që na flasin lirshëm përmes qortimit apo vërejtjes, dhe mosqortim besnik ndaj të tjerëve që do ta mirëprisnin këtë nga ne.
  14. Mungesë përpjekjeje për të punuar me të paditurit dhe të pafetë për të mirën e tyre.
  15. Mosvajtim për padijen, mosbesimin dhe dështimet e grigjës që na është besuar.
  16. Durim i paktë ndaj të metave të të tjerëve, duke shpërthyer me nxitim kundër tyre më tepër sesa të kërkojmë që t’i fitojmë prej mëkateve të tyre.
  17. Mospërdorimi i lirisë shpirtërore me ata që janë nën kujdesin tonë dhe në pjesën më të madhe duke kaluar kohën me ta në biseda të zakonshme që nuk sjellin ndërtim.
  18. Neglizhencë në qortimin e miqve dhe të tjerëve që ndodhen në rrugë të keqe.
  19. Rezervim në hapjen e gjendjes sonë përpara të tjerëve.
  20. Të mos luturit për njerëzit me gjykime të kundërta nga tonat, duke treguar ftohtësi dhe distancë prej tyre, duke qënë më të gatshëm për të folur për ta sesa me ta, apo me Perëndinë për ta.
  21. Jo të rënduar nga rëniet dhe gabimet e të tjerëve, por përkundrazi duke përfituar prej tyre për të justifikuar veten tonë.
  22. Të folurit për gabimet e të tjerëve dhe përqeshja e tyre, në vend që të kemi dhembshuri për ta.
  23. Mospërpjekje për të rregulluar në mënyrë të perëndishme familjet tona, as për të qenë shembull për familjet e tjera në drejtimin e shtëpisë sonë.
  24. Zemërim i nxituar dhe shpërthime në familjet tona dhe në bisedim me të tjerët.
  25. Lakmi, mendësi tokësore, dhe dëshirë e tepruar për gjërat e kësaj jete, nga ku rrjedh neglizhimi i detyrave të thirrjes sonë dhe zënia me gjërat e botës.
  26. Mungesë mikpritjeje dhe bamirësie ndaj anëtarëve të Krishtit.
  27. Mospërkujdesje për të ushqyer perëndishmërinë tek njerëzit, dhe disa madje kanë frikë ose urrejtje ndaj popullit të Perëndisë për përshpirtmërinë e tyre, duke u përpjekur të shtypin dhe të shuajnë veprën e Frymës midis tyre.

 

Së treti, në përmbushjen e Detyrave Baritore, që fillon me përpjekjen në Fjalë dhe Mësim:

  1. Mosruajtja e atij zelli shpirtëror në detyrat tona të shërbesës që kishim në fillimet tona në shërbesë.
  2. Neglizhencë e madhe ndaj leximit dhe përgatitjes, ose një përgatitje thjesht letrare dhe prej librave, duke bërë një idhull nga libri, gjë që pengon bashkësinë me Perëndinë; ose mbështetje në ndihmën e kaluar, me pak lutje.
  3. Të besuarit te dhuntitë, aftësitë dhe mundimet në përgatitje, çka zemëron Perëndinë dhe çon në shpërbërjen e përmbajtjes së mirë, edhe kur është e rregulluar dhe shtjelluar mirë.
  4. Pakujdesi në përdorimin e KRISHTIT dhe në nxjerrjen e fuqisë prej Tij për të na bërë të aftë të predikojmë me Frymë e fuqi.
  5. Në lutjen për ndihmë, ne kërkojmë më shumë ndihmë për Lajmëtarin sesa për Mesazhin që mbajmë, duke mos u shqetësuar se çfarë bëhet me Fjalën. Për ne, mjafton të kemi pak ndihmë në kryerjen e Detyrës.
  6. Përmbajtja që sjellim nuk i dorëzohet me seriozitet Perëndisë në lutje që të gjallërohet te njerëzit e Tij.
  7. Neglizhencë e lutjes pas predikimit të Fjalës, që ajo të marrë shirat e parë dhe të fundit dhe që Zoti të vërë në zemrat e popullit të Tij atë që u themi në Emrin e Tij.
  8. Neglizhencë në dhënien e paralajmërimeve për mëkate dhe kurthe në çështjet publike nga disa, dhe nga të tjerë fjalë të shumta e të panevojshme për çështje publike dhe politike.
  9. Neglizhencë tepër e madhe dhe paaftësi për të paraqitur bukuritë dhe dobishmërinë e Jezu Krishtit dhe të Besëlidhjes së Re, që duhet të jenë përmbajtja kryesore e studimit dhe predikimit të çdo shërbëtori.
  10. Të folurit për KRISHTIN më shumë nga ajo që kemi dëgjuar sesa nga njohja dhe përvoja, apo nga ndonjë përshtypje të vërtetë të Tij në zemër.
  11. Mënyra e predikimit të shumicës së shërbëtorëve është tepër Ligjore.
  12. Mungesë maturie në predikimin e Ungjillit, duke mos shijuar asgjë tjetër përveç asaj që është e re, saqë thelbësoret e fesë zënë vetëm një pjesë të vogël.
  13. Mospredikimi i Krishtit në thjeshtësinë e Ungjillit, as vetes sonë si shërbëtorë të popullit për hir të Krishtit.
  14. Predikimi i Krishtit jo që njerëzit ta njohin Atë, por që ata të mendojnë se ne dimë shumë për Të.
  15. Predikimi për largimin e Krishtit nga vendi pa thyerje zemre, ose pa nxitur veten për t’u kapur pas Tij.
  16. Të mos predikosh me dhembshuri të thellë ndaj atyre që janë në rrezik të humbasin.
  17. Predikimi kundër mëkateve publike, as në mënyrën e duhur dhe as për qëllimin që duhet — për fitimin e shpirtrave dhe nxjerrjen e njerëzve nga mëkatet e tyre — por më tepër sepse është në interesin tonë të themi diçka për këto të këqija.
  18. Hidhësi në vend të zellit, në të folur kundër të këqinjve, sektarëve dhe personave të tjerë skandalozë, dhe pabesi në këtë çështje.
  19. Mos përpjekja për të njohur gjendjen e veçantë të shpirtrave të njerëzve, që të mund t’u flasim sipas nevojës së tyre, dhe as mbajtja e një shënimi të veçantë për këtë, megjithëse jemi të bindur për dobishmërinë e saj.
  20. Mos përzgjedhje e asaj që mund të jetë më e dobishme dhe ndërtuese, dhe mungesë urtësie në zbatimin e mesazhit për gjendjet e ndryshme të shpirtrave; jo aq të kujdesshëm në zbatimin e predikimit sesa në nxjerrjen e doktrinës; as nuk e themi me nderimin që i takon Fjalës dhe Mesazhit të Perëndisë.
  21. Zgjedhje pasazhesh mbi të cilat kemi ç’të themi, më shumë sesa atyre që i përgjigjen kohës dhe gjendjes së shpirtrave; dhe predikim i përsëritur i të njëjtave gjëra, që të mos lodhemi me studim të ri.
  22. Një mënyrë leximi, predikimi dhe lutjeje që na largon më shumë nga Perëndia në këto detyra.
  23. Kënaqësi e shpejtë në kryerjen e detyrave dhe mbajtja larg e qortimeve përmes justifikimeve.
  24. Përkëdhelje e trupit dhe humbje e madhe e kohës në kotësi.
  25. Shumë shikim për lavdinë tonë dhe pëlqimin e njerëzve dhe ndjenjë kënaqësie kur e marrim atë dhe pakënaqësi kur mungon.
  26. Frikë në shpalljen e Mesazhit të Perëndisë, duke lejuar njerëzit të vdesin në mëkatet e tyre sunduese pa paralajmërim.
  27. Vetëkënaqësi dhe krenari zemre, sepse Zoti përmbushi fjalën tonë në vitin 1648.
  28. Fjalë të nxituara në Emrin e Zotit, lidhur me suksesin e fundit të ushtrive tona.
  29. Përpjekje e përmbushjes së detyrave më tepër për të shmangur kritikën, sesa për t’u miratuar nga Perëndia.
  30. Shmangie nga predikimi në vende ku ndodheshim, nga frika se mos i mërzisim njerëzit, në këtë kohë të braktisjes dhe provës publike.
  31. Mos shpallje e gjithë Këshillës së Perëndisë ndaj popullit të Tij dhe veçanërisht mospërgjigje në kohë të largimeve nga e vërteta.
  32. Mos përpjekje për të përfituar nga doktrina jonë ose e të tjerëve.
  33. Shumicën e kohës predikojmë sikur të mos kishim pjesë në mesazhin që çojmë te njerëzit.
  34. Mos gëzim në kthimin e mëkatarëve, por kënaqësi që vepra e Zotit nuk përparon, sepse kjo përputhet më shumë me dëshirat tona, duke u trembur se nëse populli përparon më shumë, ne do të kemi më shumë punë dhe më pak vlerësim nga ta.
  35. Shumë prej nesh në predikim dhe në praktikë, shtypin fuqinë e përshpirtshmërisë.
  36. Mosbesnikëri në përmbushjen e detyrave baritore gjatë shoqërimit me ushtritë.
  37. Predikojmë jo si para Perëndisë, por si para njerëzve, siç tregon ndryshimi në përgatitjen që bëjmë kur predikojmë para dëgjuesve të zakonshëm dhe para të tjerëve të cilëve duam t’u pëlqejmë.
  38. Nuk e trajtojmë shërbesën si një punë me seriozitet, si diçka për të cilën do të japim llogari në çdo detyrë, çka sjell përtaci dhe mungesë fryti — duke e bërë detyrën thjesht nga detyra (ex officio), jo nga ndërgjegjja për detyrën (ex conscientia officio); më shumë për të përmbushur thirrjen tonë, sesa për të përmbushur ndërgjegjen tonë përpara Perëndisë.

 

Së dyti, në Administrimin e Sakramenteve:

1. Në Pagëzim.

  1. Pak kujdes ndaj vetes apo nxitje ndaj të tjerëve për të menduar për detyrimin që qëndron mbi ne dhe mbi ta, përmes Besëlidhjes së bërë me Perëndinë në Pagëzim.
  2. Të mos i mësosh Prindërit për detyrën e tyre, të mos i qortosh për premtimin që kanë dhënë në Pagëzimin e Fëmijëve të tyre, as të mos shqyrtosh se çfarë përpjekjesh kanë bërë për ta përmbushur atë.
  3. Të qenit shumë sipërfaqësor dhe thjesht formal në administrimin e këtij Urdhërimi.

2. Në Administrimin e Darkës së Zotit:

  1. Pranimi i turmave të përziera në Tryezën e Zotit, pa dalluar midis të çmuarit dhe të padrejtit.
  2. Sjellje e pabarabartë ndaj të pasurve dhe të varfërve në pranimin, pezullimin, ose përjashtimin nga Darka e Zotit.
  3. Neglizhencë e madhe për t’u përgatitur për atë veprim; duke u përgatitur për të më shumë si Shërbyes, sesa si të Krishterë.
  4. Sjellje mishërore dhe të padenjë e shërbëtorëve gjatë Kungimit; duke qenë më të prirur që kjo veprimtari të kryhet nga duart tona, për lavdinë tonë, sesa për dobinë e njerëzve.
  5. Mendimi se, kur kjo veprimtari kryhet, kemi pushim nga detyra të tjera baritore për një farë kohe.
  6. Pak përpjekje me Zotin për të pasur njerëzit të përgatitur për të, ose për të hequr fajin e përdhosjes së saj nga ne vetë dhe të tjerët.

Së katërti, në Vizita Baritore:

  1. NEGLIZHENTË, dembelë dhe të njëanshëm në vizitimin e të sëmurëve; nëse janë të varfër, shkojmë vetëm një herë, dhe vetëm kur na thërrasin. Nëse janë të pasur dhe me emër më të mirë, shkojmë më shpesh dhe pa qenë thirrur.
  2. Nuk dimë të flasim me gjuhën e të Mësuarve, një fjalë në kohë, për të lodhurit dhe ata që janë të trazuar në ndërgjegje, as për ata që janë në pikëllim nga humbja e burrit, gruas, fëmijëve, miqve apo pasurisë, për ta përdorur këtë provë për të mirën e tyre shpirtërore, as për ata që janë në grahmat e fundit.
  3. Gjatë vizitave, lodhemi ose shmangim të shkojmë tek ata që i konsiderojmë pa hir.
  4. Mosvizitimi i njerëzve nga shtëpia në shtëpi, as lutja me ta kur paraqiten mundësi të përshtatshme.

Së pesti, në Katekizim:

  1. Dembelë dhe neglizhentë në Katekizim.
  2. Nuk përgatitim zemrat tona më parë, as nuk luftojmë me Zotin për një bekim mbi to, për shkak të zakonshmërisë dhe lehtësisë së kuptuar të tij, përmes së cilit Emri i Zotit shumë herë merret kot, dhe njerëzit përfitojnë pak.
  3. Duke e parë atë Ushtrim si një punë nën nivelin tonë dhe duke mos u përulur të studiojmë një mënyrë të drejtë dhe të dobishme për udhëzimin e Popullit të Zotit.
  4. Të njëanshëm në katekizim, duke anashkaluar ata që janë të pasur dhe me status më të lartë, megjithëse shumë nga këta shpesh kanë nevojë të madhe për mësim.
  5. Duke mos pritur dhe ndjekur të paditurit, por duke i qortuar shpesh me pasion.

Së gjashti – Në Qeverisje dhe Disiplinë Kishe

  1. MOS përdorimi i kësaj Ordinance të Ndëshkimeve-Kishtare për fitimin e shpirtrave, por duke e kthyer atë në një ndëshkim thjesht Civil; {85} dhe në administrimin e saj duke u bërë ose të ftohtë [pa zemër], ose pa shpirt butësie, dhe duke përdorur një mënyrë ose thjesht racionale nëpërmjet urtësisë së botës, ose thjesht autoritare, më shumë sesa nga motive të nxjerra nga dashuria e Krishtit; dhe me sjelljen tonë në Gjykimet në Kishë duke i dhënë një formë njerëzore Ordinancave të Jezu Krishtit, duke u sjellë në një mënyrë tepër madhështore, si njerëzit e kësaj bote.
  2. Anësia në administrimin e Ndëshkimeve, duke bërë dallim ndërmjet personave, duke mos përdorur të njëjtën liri besnike ndaj të lartëve dhe të ultëve, të afërmve dhe të huajve.
  3. Marrje e nxituar mbi veten tonë për të hapur dhe mbyllur derën e Krishtit.
  4. Me veprimet tona, duke mësuar (si me thënë) një pendim formal tek mëkatarët, i kemi forcuar ata në mëkatet e tyre, duke pranuar vetëm forma të jashtme pa asnjë dëshmi të pendimit të vërtetë, dhe duke falur kur ne ishim të bindur se Krishti nuk falte; dhe së fundmi, duke e kthyer rrëfimin e pendimit në një mjet shtetëror për njerëzit që të ngjiten në pozita dhe punë publike.
  5. Ndjekja e mëkatarëve skandalozë që ishin në gjykimet më të rënda të Kishës, pa kujdes të sinqertë për t’i sjellë para Perëndisë.
  6. Mungesë dhembshurie ndaj atyre mbi të cilët ushtrohet Gjykimi, duke mos u përpjekur t’i bindim për mëkatin, por duke i kërcënuar me arrogancë dhe pasion në vend të zellit të vërtetë, duke menduar se mjafton të na binden ne, edhe nëse ata nuk fitohen për Krishtin.
  7. Gjykime sipërfaqësore, mëkatare dhe të pakujdesshme ndaj njëri-tjetrit në takimet e Presbiterëve dhe Sinodeve, duke lënë pas dore lirinë e sinqertë dhe dashurinë në kryerjen e këtij detyrimi.
  8. Pranimi i burrave në shërbesën baritore që nuk ishin të pajisur me Hirin, ashtu si edhe me Dhuntitë, megjithëse Fjala e Perëndisë dhe Kushtetutat e kësaj Kishe kërkojnë njërën po aq sa edhe tjetrën; gjë që ka qenë burimi i shumë të këqijave.
  9. Jobesnikëri e madhe në sjelljen dhe mbajtjen e personave të padenjë në shërbesë dhe mbajtjen e Ndëshkimeve larg njerëzve të pabesë.
  10. Jobesnikëri në dhënien e dëshmive dhe rekomandimeve, dhe pranimi i njerëzve me dëshmi vetëm negative, veçanërisht kandidatëve dhe studentëve të teologjisë.
  11. Formimi i pleqësive me me burra që dihen të jenë të paditur, profanë dhe të pakënaqur me veprën e Perëndisë; dhe pak kujdes për të pasur më të zotët dhe më të devotshmit në bashkësi – kjo ka sjellë shumë padituri, sjellje të pahijshme dhe skandaloze te njerëzit.
  12. Neglizhimi për të hequr nga Pleqësia ata që janë të paditur dhe skandalozë.
  13. Neglizhimi për të mbajtur kualifikimet dhe detyrat e nevojshme të Pleqve Drejtues, dhe për t’i nxitur ata në detyrën e tyre.
  14. Sjellje jo-vëllazërore ndaj pleqve në disiplinimet e Kishës dhe në çështje të tjera, duke mos i konsideruar bashkë-mbikqyrës në veprën e Zotit.
  15. Mungesë ndërgjegjësimi për pjesëmarrjen në disiplinimet kishtare, duke u lodhur nga shpenzimet dhe detyrimet, nëpërmjet të cilave gjëra të ndryshme janë nxituar [shpejtuar] dhe kanë dështuar dhe shmangie për të dhënë dëshmi në to, nga frika e pasojave të padëshiruara.
  16. Mungesë përulësie për t’i fituar të tjerët në debatet tona, as t’i drejtohesh Zotit për njohjen e mendjes së tij në gjërat e debatuara, përpara se ato të shndërrohen në një përfundim.
  17. Lodhje për të dëgjuar plotësisht ata që shprehin dyshimet e tyre dhe për të peshuar të gjitha argumentet e mundshme për “jo”-në, përpara se të miratohet “po”-ja.
  18. Armiqësi të mëdha në Disiplinime, madje edhe për çështje me rëndësi të vogël.
  19. Krenari, padurim dhe shpirt imponues, pa pritje për sqarimin e të tjerëve, duke gjykuar me ngut njerëz të çmuar dhe lejuar ndarjen e ndjenjave e përçarje të zemrave.
  20. Miratim i nxituar i Akteve dhe kërkesë bindjeje ndaj tyre pa baza të qarta biblike për të qetësuar ndërgjegjet e popullit të Zotit.
  21. Heshtje në kuvende kur nuk jemi të bindur, duke u drejtuar nga autoriteti i njerëzve, dhe ndjekje e tepërt e dritës së të tjerëve duke shtypur dritën tonë.
  22. Përdorim i votës në shërbim të kapriçove dhe interesave njerëzore.
  23. Disa i neglizhojnë krejtësisht Aktet e shëndetshme të Asambleve dhe të tjerët i pranojnë pa shqyrtim.
  24. Shprehje të hidhura ndaj kundërshtarëve në letra publike dhe predikime për të shmangur akuza, nga të cilat nuk ka tjetër fryt veç irritimit.
  25. Keqpërdorimi i transferimeve duke i bërë shumë të shpeshta, dhe pothuajse mënyra e zakonshme e vendosjes në vende me ndonjë rëndësi; ndonjëherë duke i kryer ato kur nuk ka nevojë të ngutshme, pa përpjekje të kujdesshme për të kënaqur njerëzit e interesuar dhe pa kujdes për t’i siguruar ata më pas.

 

Në Lidhje me Çështjet Publike

  1. Mospërpjekje për të studiuar debatet e kohës, që të jemi të aftë të shpallim dritën dhe të bindim kundërshtarët e së vërtetës.
  2. Mospasja frikë për t’u përfshirë në çështje më të mëdha se sa ne, dhe dëshira për t’u vënë re më shumë sesa për të qenë të dobishëm në çështjet publike.
  3. Braktisje e grigjës për shkak të përfshirjes në punë publike.
  4. Ndjekje e çështjeve publike me krenari, pasion dhe frymë të lartë, mbi baza mishërore dhe dëshirë për lavdi, më shumë se për zell të sinqertë për Krishtin, me pak ose aspak lutje.
  5. Pranim sipërfaqësor të të gjithëve në Besëlidhjet dhe Rrëfimin Solemn, pa u përpjekur mjaftueshëm për t’i mësuar dhe informuar për përmbajtjen e tyre.
  6. Zelli i pabarabartë ndaj armiqve – ftohje e zellit ndaj një armiku, ndërkohë që rritet ndaj një tjetri.
  7. Shumë ankim e pakënaqësi ndaj gjykimeve të Perëndisë mbi Vendin, për shkak të prirjeve mishërore, dhe hedhja e shkakut të zemërimit prej vetes sonë mbi të tjerët.
  8. Të kënaqurit lehtë me gjëra që mund të ishin në dëm të interesit të Krishtit, duke i peshuar pasojat e ndryshimeve të mëdha më shumë sipas interesit tonë vetjak, sesa për nderin e Tij.
  9. Pranim i Mbretit në Besëlidhje vetëm mbi letra, pa dëshmi të qarta të ndryshimit të vërtetë të parimeve të tij.
  10. Mospërdorim i lirisë për të treguar çfarë e dinim se ishte mëkat, në lidhje me traktatin me Mbretin, duke vazhduar me të edhe kur ndërgjegjja jonë nuk ishte e bindur, nga frika e turpit dhe keqkuptimit.
  11. Heshtje në Publik, dhe mosdhënie e Dëshmisë pas zbulimit të Komisionit të Mbretit dhënë James Graham; për pushtimin e Mbretërisë
  12. Shtytje e Mbretit për të bërë deklaratë publike, kur ne e dinim mirë që ai nuk kishte asnjë bindje të vërtetë për ato që përmbante ajo deklaratë.
  13. Dëshirë e tepërt për të qëndruar në hije kur kërkohej dëshmi.
  14. Mosdhënie dëshmie kundër devijimeve publike në mënyrë të drejtë dhe frymërore.
  15. Mospërgjegjësi në mbështetjen dhe mbajtjen e barrës të atyre që Perëndia ngriti që të jenë dëshmitarët e tij kundër rrëshqitjeve publike; dhe mosdhënie e dëshmisë nga vetë ne për shkak të interesave mishërore dhe ftohtësisë në përqafimin e dëshmive të dhëna më parë.

 

Postskript (Shtesë që nuk u mundësua të botohej)

Pasi që shkaktarët e mësipërm të zemërimit të Perëndisë janë paraqitur dhe rrëfyer përpara Zotit në disa ditë përuljeje të shenjtë, na u duk e përshtatshme që këtu t’u shtojmë edhe disa shkaqe të tjera të përuljes sonë së fundmi, siç janë:

  1. Rënia e fundit e vendit, përmes pranimit dhe angazhimit me veprimet publike të pushteteve të tanishme, në kundërshtim me Besëlidhjet dhe me dëme të mëdha për fenë dhe liritë.
  2. Largimi i shumë vetëve, që dikur llogariteshin të devotshëm, nga parimet e mëparshme, drejt ndarjes dhe gabimeve të tjera të kohës.
  3. Uzurpimi dhe sjellja e Asamblesë së tanishme.
  4. Shkeljet e mëdha të anglezëve ndaj lirive të kësaj Kishe.
  5. Që kthimi i premtuar i popullit të Tij të lashtë, Judenjve, të përshpejtohet.
  6. Që Zoti t’i bëjë të frytshme vendimet tona të tanishme për reformimin e vetvetes, të pleqësisë sonë dhe të njerëzve, dhe të bekojë përpjekjet tona në këtë drejtim.

F U N D

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes
wpChatIcon
wpChatIcon