William Perkins
Komentar mbi Galatasve 4:23
Veprat II, fq. 298–299
Për sa i përket çështjes së Abrahamit, mund të shtrohet pyetja: çfarë duhet të gjykohet për këtë? Baza e përgjigjes do të jetë kjo: se martesa është bashkimi i pandashëm i vetëm një burri dhe një gruaje. Këtë e mëson Krishti qëllimisht (Mateu 19), ku thotë se “Perëndia në fillim i krijoi burrë dhe grua,” dhe jo gra (v. 4), se “burri duhet të lërë atin dhe nënën, dhe të bashkohet me gruan e tij,” dhe jo me gratë e tij (v. 5), që “të dy do të jenë një mish i vetëm” (v. 6). Dhe në të gjitha këto, Krishti nuk bën një ligj të ri, por vetëm ringjall institucionin e parë të martesës të krijuar në parajsë. Dhe Moisiu, pasi jep këtë institucion hyjnor, shton gjithashtu se Lameku ishte i pari që e theu atë duke marrë shumë gra.
Pra, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje është e dyfishtë. Disa thonë se Abrahami dhe patriarkët e tjerë kishin një lejim nga Perëndia për të marrë shumë gra, dhe për këtë arsye nuk ishte mëkat për ta. Këtë mendim e mbajnë disa njerëz të ditur, si protestantë ashtu edhe papistë (katolikë). Por kjo përgjigje është vetëm hamendësim dhe nuk ka asnjë provë në Shkrim.
Përgjigja e dytë është se Perëndia nuk e miratoi poligaminë e etërve e as nuk e urdhëroi atë, por vetëm e toleroi si një të keqe më të vogël për të shmangur një të keqe më të madhe. Kjo tolerancë shihet kur Perëndia urdhëroi që mbreti “nuk duhet të ketë një numër të madh grash” (Ligji i Përtërirë 17:17) dhe se fëmija i gruas së urryer (edhe nëse është gruaja e dytë), nëse është i parëlinduri, do të jetë trashëgimtari (Ligji i Ripërtërirë 21:15). Arsyet e këtij tolerimi ishin dy. Njëra ishte dëshira e patriarkëve për të shumuar pasardhësit e tyre, që nëse ishte e mundur, Mesia të vinte nga gjiri i tyre. E dyta ishte zakoni i zakonshëm i njerëzve në vendet lindore që nuk e quanin problem martesën me shumë gra. Dhe një zakon i zakonshëm solli një gabim të zakonshëm, dhe një gabim i zakonshëm solli një padituri të zakonshme, përmes së cilës ajo që në të vërtetë ishte mëkat nuk konsiderohej si mëkat.
Mund të kundërshtohet: nëse të paturit e shumë grave ishte një shkelje, atëherë Abrahami dhe patriarkët e tjerë të shenjtë jetuan dhe vdiqën në mëkat pa pendim, sepse nuk gjejmë gjë në Shkrim që flet për pendimin e tyre për këtë mëkat. Përgjigja: mëkatet e njohura kërkojnë pendim të veçantë. Por nëse mëkatet janë të panjohura ose të papërfillura për shkak se njerëzit tërhiqen nga rryma e kohës (siç ndodhi me patriarkët), një pendim i përgjithshëm mjafton (Psalmi 19:12).
Përsëri, mund të thuhet se Abrahami e mori Hagarin me pëlqimin e Sarës. Përgjigja: kjo nuk mjafton për ta justifikuar plotësisht Abrahamin. Sepse nëse martesa do të ishte vetëm një kontratë civile, ashtu sic bëhet me pëlqimin e burrit dhe gruas, po ashtu mund të prishej me të njëjtin pëlqim. Por ajo është më shumë se një kontratë civile, sepse në krijimin e saj, përveç pëlqimit të palëve, ndërhyn edhe autoriteti i Perëndisë. Prandaj, pëlqimi i Sarës (në dhënien e Hagarit Abrahamit) nuk vlen pa lejen e Perëndisë. Dhe nuk duhet të mendojmë se Perëndia do të miratojë atë që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me urdhrin e Tij.
Së treti, mund të thuhet se nëse të kesh shumë gra është një faj, atëherë Abrahami dhe të tjerët ishin kurorëshkelës. Përgjigja: jo, poligamia e etërve duhet të vendoset në mes, midis kurorëshkeljes dhe martesës së shenjtë. Ata nuk morën gra me mendje të ndyrë për të kënaqur epshin e tyre, por nga një ndërgjegje që nuk ishte e ndriçuar siç duhet në këtë pikë.
…
Perëndia nuk e miratoi poligaminë e Abrahamit, e megjithatë Ai e përdori atë për të treguar misterin më të madh të fesë sonë. Këtu shohim një pikë të madhe të providencës hyjnore të Perëndisë, i cili rregullon dhe përdor mirë edhe gjërat që nuk i pëlqen. Ky është themeli i durimit tonë dhe një mjet i ngushëllimit të vërtetë. Kështu ngushëllohet vetë Jozefi dhe vëllezërit e tij, që Perëndia e drejtoi dhe e përdori veprimin e tyre të keq për të mirën e tij dhe të tyre (Zanafilla 45:5–7). [fq. 303].
Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2020/12/21/polygamy-in-the-old-testament/