Nga Alan Sharpe
Nëse dëshiron të ndalosh masturbimin si i krishterë, merri udhëzimet e tua nga burimi i vërtetë. Ndiq këto hapa biblikë për ta ndaluar atë.
Kur ishte hera e fundit që dëgjove një predikim të mirë mbi masturbimin? Asnjëherë, apo jo? Masturbimi është një nga ato tema që janë “jashtë kufijve” në foltoren e kishës, por që është shumë i zakonshëm në radhët e besimtarëve. Është një nga ato mëkate që askush nuk dëshiron ta diskutojë, por shumë njerëz duan që ta bëjnë. Nëse dëshiron të mësosh si të ndalosh masturbimin si i krishterë, duhet të gjesh udhëzime në një mënyrë tjetër. Dhe ja ku janë. Këto janë disa hapa biblikë që mund të ndjekësh për të ndaluar masturbimin.
Hapi 1: Prano që Masturbimi është Mëkat
“Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)” (Psalmi 32:5)
Hapi i parë në udhëtimin tënd drejt pastërtisë seksuale është të pranosh që masturbimi është mëkat. Nuk është një aktivitet i shëndetshëm. Nuk është i natyrshëm. Nuk është një mënyrë e vlefshme për të lehtësuar stresin. Nuk është vullneti i Perëndisë për ty. Nuk ka gjasa që ti do të mësosh si ta ndalosh masturbimin si i krishterë, derisa ta shohësh atë për atë që është, mëkat. Këto janë gjashtë arsye pse masturbimi është i lig:
1. Masturbimi është mëkat sepse kura për dëshirat seksuale është martesa, jo masturbimi. Kura për hormonet e trazuara të adoleshentëve, dëshirat seksuale, mendimet epshore dhe energjinë seksuale asnjëherë nuk është masturbimi. Ka vetëm dy rrugë biblike për dëshirat seksuale. Njëra është vetëpërmbajtja. Tjetra është martesa.
2. Masturbimi është mëkat sepse detyra jote martesore është ndaj gruas tënde, jo ndaj vetes. Seksi është projektuar për të ndodhur mes një mashkulli dhe një femre, mes një burri dhe një gruaje të martuar. Seksi kërkon dy njerëz që bashkohen si një. Kjo do të thotë se kur bëhet fjalë për seksin, as burri dhe as gruaja nuk duhet ta marrin atë vetë përsipër. Nëse dëshirojnë të kenë seks, ata duhet të drejtohen te bashkëshorti i tyre. Jo te dikush tjetër. Dhe jo te vetja.
3. Masturbimi është mëkat sepse autoritetin mbi trupin tënd i’a ke dhënë gruas tënde. Kur u martove me gruan tënde, ti i dhe asaj autoritetin mbi trupin tënd. Kjo do të thotë se ti i dhe asaj fuqinë për të marrë vendime se kur do të kesh seks, dhe humbe cdo autoritet për të pasur seks me këdo tjetër, përfshirë edhe veten. Vetëm gruaja jote ka të drejtë mbi trupin tënd për seks. Vetëm ajo ka fuqi mbi të, dhe të drejtën që ta përdorë sa herë që ajo dëshiron (sigurisht, me pëlqimin dhe bashkëpunimin tënd).
4. Masturbimi është mëkat sepse nuk mund ta bësh me besim. Me shumë gjasa, ti po e lexon këtë sepse kur bëhet fjalë për masturbimin ndërgjegjja jote të shqetëson. Ndërgjegjja jote të bën të ndihesh fajtor dhe të turpëruar pas aktit, kështu që, ti dyshon se akti duhet të jetë i gabuar. Ti e bën aktin në fshehtësi, dhe e mban të fshehtë nga e fejuara ose gruaja, dhe në mënyrë të natyrshme dyshon që mund të jetë mëkat. Bibla thotë: “gjithcka që nuk është prej besimit, është mëkat” (Romakëve 14:23 BiblaPRO). Me fjalë të tjera, nëse nuk mund ta bësh diçka me bindje të plotë se veprimi është i drejtë, ai veprim është mëkat. Nëse dyshon që dicka nuk është e drejtë, mos e bëj, sepse ta bësh është mëkat.
5. Masturbimi është mëkat sepse nuk mund ta bësh për lavdinë e Perëndisë. A mund të masturbosh për lavdinë e Perëndisë? A mund të jesh vetëm dhe të kënaqësh veten duke besuar se ajo që po bën e kënaq Perëndinë? Nëse dikush të shikon duke masturbuar, a do t’i çosh ata me shembullin tënd të lavdërojnë Perëndinë dhe të pranojnë Ungjillin e Tij? Përgjigjet për këto pyetje janë të qarta.
6. Masturbimi është mëkat sepse e bën në fshehtësi. Ti nuk ke nevojë të lexosh ndonjë varg biblik për të ditur se pse masturbimi është mëkat. Nëse e bën në fshehtësi sepse, frikësohesh se do të kapesh, nëse fsheh provat pas aktit, dhe nëse e mban aktivitetin sekret nga ata, që i do dhe që kërkon pëlqimin e tyre, atëherë ti ke përgjigjen tënde. Nëse është e turpshme madje të flasësh për ato gjëra që bëjnë të këqijtë në fshehtësi, atëhere gjithashtu, në mënyrë të dukshme, vetë ato akte janë të turpshme.
Frika e Zotit është fillimi i urtësisë (Fjalët e Urta 9:10). Duke e bërë Perëndinë qendrën e vëmendjes tënde, ti fillon të kuptosh se ku qëndron në lidhje me ligjet, premtimet, paralajmërimet dhe bekimet e Tij. Kur të kuptosh dhe të besosh se zakoni yt i masturbimit është në kundërshtim me ligjet e Perëndisë dhe vullnetin e Tij për ty, ti je gati të marrësh hapa konkretë dhe praktikë për të ndaluar masturbimin.
Lexo më shumë artikullin Pse Masturbimi është Mëkat.
Hapi 2: Për të Shmangur Vetë-kënaqësinë si Ndjekës i Jezusit, Braktis Pornografinë
“Kushdo që sheh një grua për ta dëshiruar, bëri tashmë kurorëshkelje me të në zemrën e vet. Por nëse syri yt i djathtë të shkandullon, nxirre dhe flake nga ti; sepse të leverdis më mirë që të humbasësh një prej gjymtyrëve të tua, sesa të hidhet tërë trupi yt në Gehenë.” (Mateu 5:28-29 BiblaPRO)
Masturbimi nuk është thjesht një akt, por Akti Final në një lojë të parashikueshme dhe të ndyrë. Loja fillon me një imazh, ose një kujtim, ose një tjetër nxitës, që çon në mendime epshore. Këto mendime sjellin eksitimin fizik, i cili çon në tundimin për të kënaqur veten. Nëse dëshiron të ndalosh aktivitetin që gjithmonë ndodh në fund të lojës, atëherë duhet ta rishkruash lojën. Duhet të përballesh me imazhet dhe mendimet e liga që ndodhin në Aktin e Parë.
Nëse ti je si shumica e burrave të krishterë që janë të kapur nga zakoni i masturbimit kompulsiv, loja jote zakonisht fillon me pornografinë. Perdet mbyllen dhe imazhet pornografike mbushin shikimin tënd. Këto imazhe të shtyjnë drejt epshit, dhe pastaj që të kërkosh çlirim përmes masturbimit. Problemi me pornografinë është se ajo është krijuar për të ndezur pasionet e tua. Ajo është ndërtuar për të të çuar mu te skaji i tundimit seksual, në mënyrë që të ndihesh sikur nuk ke asnjë rrugë tjetër për të shpëtuar përveçse të masturbohesh.
Loja që ti luan është e njëjta që Jezusi përshkruan në Predikimin në Mal (Mateu 5:28-29). Ajo fillon me një shikim, që çon në epsh, dhe pasohet nga mëkati seksual. Fillon me ty që shikon një grua, pastaj e sheh atë me epsh, dhe më pas kryen kurorëshkelje me të në zemrën tënde. Nëse e pason këtë shikim dhe epsh me masturbimin, kjo vetëm sa e shton mëkatin tënd.
Çelësi për të shmangur mëkatin në Aktin Final është të shmangësh epshin në Aktin e Parë. Jezusi thotë: “Nëse syri yt i djathtë të shkandullon, nxirre dhe flake nga ti.” Me fjalë të tjera, nëse diçka të bën të mëkatosh përmes epshit dhe masturbimit, hiqe nga jeta jote dhe mos e lejo të kthehet më. Ti mëson si të ndalosh masturbimin si i krishterë duke hequr nga jeta jote njerëz, vende dhe gjëra që ndezin epshin tënd, që ndezin dëshirat e tua seksuale, që të tundojnë për të kryer imoralitet seksual. Kjo fillon me heqjen e pornografisë nga jeta jote.
Ka të paktën 40 mënyra për të “nxjerrë syrin tënd të djathtë” në mënyrë që të mos tundohesh për të masturbuar me pornografi. Ti duhet ta heqësh pornografinë nga shtëpia jote, telefoni yt, vendi yt i punës dhe çdo vend tjetër ku tundohesh. Çelësi për një fund më të mirë të lojës tënde është të ndryshosh atë që ndodh në Aktin e Parë. Hiq pornografinë dhe ti redukton tundimin. Hiq nxitësin dhe ti ul epshin. Hiq eksitimin fizik dhe ti shmang masturbimin.
Hapi 3: Për të Kuptuar Si të Shmangësh Masturbimin si Besimtar, Bëji Qëndresë Djallit
“Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, por bëjini qëndresë djallit, dhe ai do të ikë nga ju.”
(Jakobi 4:7 BiblaPRO)
Dikur unë besoja se mënyra e vetme për të kapërcyer tundimin për të masturbuar ishte të masturboja. Kjo tingëllon qesharake, e di. Sepse ashtu është. Por isha i mashtruar. Kur më vinte dëshira, unë mendoja se nuk kisha zgjidhje tjetër përveçse të dorëzohesha. Mendoja se rezistenca ishte e kotë, sepse besoja se dëshira për të masturbuar nuk do të largohej derisa t’i dorëzohesha.
Sot kam fitore në këtë fushë të ecjes sime me Zotin, sepse kam mësuar si të ndaloj masturbimin si i krishterë. Kam mësuar të vërtetën që Jakobi përmend: “bëjini qëndresë Djallit,”, “dhe ai do të ikë nga ju” (Jakobi 4:7 BiblaPRO). Me fjalë të tjera, ti mund ta bësh tundimin seksual të zhduket nëse ndërmerr hapin e duhur. Ti mund ta kapërcesh tundimin për të masturbuar (ose për të parë pornografi), duke bërë diçka kur tundimi shfaqet.
Jakobi thotë se duhet “t’i bëjmë qëndresë djallit.” Fjala “t’i bëjmë qëndresë” në greqisht do të thotë të qëndrosh kundër, të kundërshtosh. Është një folje, një fjalë veprimi. Është një urdhër, një komandë. “T’i bëjmë qëndresë” është një urdhër që duhet t’i bindesh. Me fjalë të tjera, kur tundohesh për të kryer një mëkat seksual, dhe kur pas këtij tundimi fshihet djalli, ka një urdhër që duhet t’i bindesh, një veprim që duhet të ndërmarrësh. Ky veprim është qëndresa. Ti duhet të qëndrosh kundër djallit. Duhet ta kundërshtosh djallin.
Dhe cfarë ndodh kur i reziston djallit? Ai largohet. Jakobi nuk thotë që djalli mund të largohet, ose që ai do ta mendojë për t’u larguar. Jakobi premton që djalli do të largohet, e garantuar. Dhe gjithashtu vër re se djalli jo thjesht largohet ose ecën ngadalë. Ai ikën. Kjo do të thotë, ai vrapon larg, dhe zhduket nga shikimi yt.
Por vër re pjesën më të mirë të këtij premtimi: Djalli largohet prej teje. Ky është thelbi i çështjes, apo jo? Kur po përballesh me një tundim jashtëzakonisht të fortë, kur po përjeton një dëshirë të pazakontë për të masturbuar, ti ke premtimin që, djalli, personi pas tundimit tënd, do të largohet prej teje. Ai do të vrapojë larg prej teje. Ai do të zhduket nga prania jote.
Premtimi është personal. Perëndia të premton ty, si një besimtar individual, që djalli do të largohet prej teje, e garantuar, nëse plotëson vetëm një kusht: ti bësh qëndresë. Unë kam mësuar përmes provave dhe gabimeve që mënyra më e mirë për mua, për t’i rezistuar djallit kur jam në mes të tundimit, është të ndaloj atë që po bëj dhe të bëj diçka tjetër. Nëse jam në shtrat vetëm, ngrihem nga shtrati dhe vishem. Nëse jam në laptop, mbyll kapakun dhe largohem nga dhoma. Nëse jam në dush dhe një mendim i lig më vjen në mendje, e zëvendësoj duke kënduar një himn ose duke u lutur me zë të lartë. Mësimi këtu është se, për t’i bërë qëndresë djallit, duhet të bësh diçka. “Bëj qëndresë” është një folje. Kur bën qëndresë, ti ndërmerr veprim. Kur ndërmerr veprim, djalli largohet prej teje.
Masturbimi nuk është kurrë i pashmangshëm. Dhe tundimi nuk zgjat kurrë, jo nëse ti bën diçka për të. E di që kjo është e vështirë për t’u besuar. Para se të kisha fitore në këtë fushë, thjesht nuk mund ta imagjinoja të kaloja muaj pa kënaqur veten. Mendoja se tundimi për të masturbuar nuk do të largohej kurrë derisa t’i dorëzohesha. Isha gabim. Që atëherë kam mësuar si të ndaloj masturbimin si i krishterë. Kam mësuar nga përvoja që tundimi për të masturbuar, sado i fortë qoftë, largohet kur djalli largohet. Dhe djalli largohet kur unë i bëj qëndresë. M’u deshën pesë dekada për të zbuluar këtë të vërtetë. Rezultatet e tua mund të jenë më të shpejta.
Hapi 4: Për të Mësuar Si të Ndalosh Masturbimin si i Krishterë, Bëj Rob Çdo Mendim
“Se ndonëse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishi, sepse armët e luftimit tonë nuk janë mishërore, por të fuqishme për Perëndinë, për shkatërrim fortesash, duke përmbysur arsyetime dhe cdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë, dhe duke e bërë rob cdo mendim për bindjen ndaj Krishtit, dhe duke qënë gati për të ndëshkuar cdo mosbindje, kurdo që të përmbushet bindja juaj.” (2 Korintasve 10:3-6 BiblaPRO)
Masturbimi është një mëkat që ndodh mes veshëve të tu, jo mes këmbëve të tua. Sigurisht, ai përfshin një akt fizik, por akti është thjesht përfundimi i një mëkati që fillon në mendjen tënde. Nëse dëshiron të shmangësh masturbimin dhe të heqësh dorë nga ky zakon një herë e mirë, duhet të punosh mbi mendjen tënde. Fitorja mbi mëkatin seksual fillon me ndryshimin e mënyrës se si i menaxhon mendimet e tua.
Kjo është e vërteta që Pali komunikon në letrën e tij të dytë për kishën në Korint. “Duke e bërë rob cdo mendim për bindjen ndaj Krishtit,” – thotë Pali. Me fjalë të tjera, kur një mendim i lig hyn në mendjen tënde, kur një dëshirë e keqe ngjallet në mendimet tua, bëje atë rob. Bëje atë të burgosur. Mbylle në pranga që të mos bëjë atë që dëshiron, e cila është të të çojë në mëkat.
Kjo frazë, “duke e bërë rob cdo mendim,” do të thotë të nënshtrosh, të zësh në kurth, ato mendime që ngrihen kundër njohurisë së Perëndisë. Dhe Pali nuk thotë vetëm disa mendime, ose vetëm disa nga ato, ose madje shumë mendime, por “çdo mendim.” Çdo mendim që hyn në mendjen tënde dhe që ka ndonjë shans për të të çuar në masturbim është një mendim që duhet ta bësh rob duke e nënshtruar dhe duke zënë në kurth. Ti duhet të veprosh shpejt dhe me vendosmëri nëse dëshiron të mësosh si të ndalosh masturbimin si i krishterë.
Një mënyrë për të bërë rob çdo mendim është të citosh Shkrimin sa herë që mendon një mendim të lig. Sa herë që sapo dëgjon diçka, sheh diçka ose lexon diçka që të bën të mendosh për masturbimin, cito një varg nga Bibla me zë të lartë. Ja disa vargje që mund të konsiderosh t’i përdorësh, duke i përshtatur në mënyrë personale:
- “Ati në qiell, mos lejo të bie në tundim, por më çliro nga i ligu,” (Mateu 6:13)
- “Sepse unë nuk kam kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë e mia, po një që u tundua në të gjitha ashtu si unë, por pa mëkatuar.” (Hebrenjve 4:15)
- “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.” (Filipianëve 4:13)
- “I bekuar do të jem kur ngulmoj në provë, sepse kur të dal i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ma premtoi.” (Jakobi 1:12)
Nëse dëshiron të mësosh si të ndalosh masturbimin si i krishterë, ndrysho mënyrën se si mendon. Kur ndryshon mënyrën se si mendon, ndryshon mënyrën se si vepron. Kur ndryshon mënyrën se si menaxhon mendimet e liga, ti ndryshon trajektoren e ditës tënde—dhe të jetës tënde.