nga Majkëll Horton [Michael Horton]
Asnjë njeri nuk është më përgjegjës për shtrembërimin e së vërtetës së krishterë në epokën tonë sesa Çarls Fini. “Masat e reja” të tij krijuan bazën për teologjinë moderne të vendimeve dhe përpjekjes njerëzore për të rikrijuar rizgjimin. Në këtë artikull të shkëlqyer, Dr. Majkëll Horton shpjegon sesi Çarls Fini shtrembëroi doktrinën e rëndësishme të shpëtimit.
Xheri Faluell [Jerry Falwell] e quan atë “një nga heronjtë e mi dhe një hero për shumë ungjillorë, duke përfshirë këtu edhe Billi Grahamin [Billy Graham]”. Mbaj mend që kur vizitova qendrën e Billi Grahamit disa vite më parë, vura re vendin e nderit që i ishte dhënë Çarls Finit në traditën ungjillore, fakt i cili u përforcua edhe më nga klasa e parë në teologji që ndoqa në një Kolegj të krishterë, ku vepra e Finit mu dha si detyrë shtëpie për t’u lexuar. Ky rikrijues rizgjimi nga Nju Jorku ishte heroi i shumëcituar dhe shumë i dashur i këngëtarit të krishterë Kith Grin [Keith Green] dhe organizatës “Të Rinjtë me një Mision – YWAM”. Ai vlerësohet veçanërisht mes udhëheqësve të së Djathtës së Krishterë dhe të së Majtës së Krishterë, nga Xheri Faluell e deri te Xhim Uollis [Jim Wallis] (revista Sojourners), dhe vula e tij, pra vula e Finit, mund të shihet në lëvizje që në pamje të parë janë të ndryshme nga njëra-tjetra, por që në realitet janë thjesht bashkëpjesëtare të trashëgimisë së Finit. Tek të gjitha këto lëvizje, pra, që nga Lëvizja Vineyard dhe Lëvizja për Rritjen e Kishës te fushatat politike dhe sociale, teleungjillëzimi, e deri tek Lëvizja e Premtim-mbajtësve [Promise Keepers], siç e pranoi edhe një President i Kolegjit Uiton [Wheaton] me brohori: “Fini jeton!”
Kjo sepse impulsi moralist i Finit ravijëzoi një kishë që ishte më së shumti një ndërmarrje reformimi/përmirësimi personal dhe social dhe jo një institucion ku mjetet e hirit, Fjala dhe Sakramentet, bëhen të disponueshme për besimtarët, duke e çuar më pas Ungjillin në botë. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, lëvizja ungjillorë sa vinte dhe identifikohej më shumë me kauzat politike, të cilat shkonin nga heqja e skllavërisë dhe miratimi i ligjeve për punën e fëmijëve tek të drejtat e grave dhe ndalimi i përdorimit të alkoolit. Në një përpjekje të dëshpëruar për të rifituar këtë fuqi institucionale dhe lavdinë e “Amerikës së Krishterë” (një vizion që është gjithmonë i fuqishëm në imagjinatë, por, pas shpërbërjes së Anglisë së Re të Puritanëve, i paarritshëm), establishmenti protestant i fund-shekullit-të-nëntëmbëdhjetë-fillim-shekullit-të-njëzetë i hyri fushatave morale për të “amerikanizuar” emigrantët”, për të imponuar formimin moral dhe “edukimin e karakterit”. Ungjilltarët e paraqisnin ungjillin e tyre amerikan nga këndvështrimi i dobishmërisë së tij praktike për individin dhe kombin.
Ja pse Fini është kaq i mirënjohur. Ai është guri kilometrik që shënon kalimin nga ortodoksia (besimi dhe mësimi i drejtë) e Reformuar, që përbënte tiparin dallues të Rizgjimit të Madh (i cili kishte për protagonistë Eduardsin [Jonathan Edwards] dhe Uitfilldin [George Whitefield]), te rikrijimi arminian i rizgjimit (në të vërtetë, madje edhe pelagian) që u shfaq nga fundi i Rizgjimit të Dytë të Madh e vazhdon deri në të tashmen. Për të treguar ndikimin e madh të Finit në ungjillorizmin modern, së pari duhet të vërejmë gabimet dhe shmangiet e tij teologjike. Falë këtyre shmangieve, Fini u shndërrua në pikënisjen e pararendësve të disa prej sfidave më të mëdha të sotme brenda kishave ungjillore, konkretisht, Lëvizja për Rritjen e Kishës, Pentakostalizmi dhe rikrijimi i rizgjimit politik.
Kush është Fini?
Si kundërpërgjigje ndaj Kalvinizmit që përshkonte çdo pore të Rizgjimit të Madh, pasardhësit e kësaj lëvizjeje të madhe të Frymës së Perëndisë u kthyen nga Perëndia drejt njerëzve, nga predikimi i përmbajtjes objektive (konkretisht, Krishti dhe ai i kryqëzuar) në theksimin e nevojës që një person “të marrë një vendim” [për Krishtin].
Çarls Fini (1792-1875) shërbeu në vazhdën e “Rizgjimit të Dytë,” siç njihet ndryshe kjo lëvizje. Duke qenë një firo e presbiterianëve, Fini një ditë përjetoi “një pagëzim të madh të Frymës të Shenjtë”, i cili “kaloi përmes meje si një rrymë elektriciteti … valë-valë si një dashuri e lëngshme”. Mëngjesin tjetër, ai informoi klientin e tij të parë të asaj dite: “Unë kam marrë një autorizim nga Zoti Jezu Krisht që të mbroj kauzën e tij dhe nuk mund ta mbroj çështjen tuaj”. Duke refuzuar që të ndiqte Seminarin e Prinstonit [Princeton] (apo çdo seminar tjetër teologjik për atë punë), Fini filloi të rikrijonte rizgjime në shtetin e Nju Jorkut. Një nga predikimet e tij më të njohura ishte “Mëkatarët duhet të ndryshojnë vetë zemrat e tyre”.
Pyetja e vetme e Finit për çdo mësim qe: “A bën punë për t’i kthyer në besim mëkatarët?”. Si pasojë e fushatës për rikrijimin e rizgjimit nga ana e Finit ndodhi përçarja e presbiterianëve të Filadelfias dhe Nju Jorkut në tarafe arminiane dhe kalviniste. “Masat e Reja” të shpikura prej tij përfshinin “stolin e ankthit” (pararendësi i thirrjeve që bëhen sot për të dalë përpara dhe për të bërë lutjen e shpëtimit), taktika emocionale që sillnin për pasojë rënien e të fikëtit apo të qara, si dhe turli farë “emocionimesh”, siç i quanin ato Fini dhe ithtarët e tij.
Teologjia e Finit?
Nuk ka nevojë të shkosh më tej se tabela e përmbajtjes së Teologjisë të tij Sistematikepër të mësuar që e gjithë teologjia e Finit vërtitej rreth moralit njerëzor. Nga kapitulli parë deri tek i pesti flitet për qeverisjen morale, detyrimin, dhe njësinë e veprimit moral; kapitulli i gjashtë dhe ai i shtati flasin për “Bindjen e Plotë”, ndërsa nga kapitulli i tetë deri tek i katërmbëdhjeti trajtohen cilësitë e dashurisë, egoizmit, si dhe në përgjithësi virtytet dhe veset njerëzore. Duhet të shkosh deri tek i njëzetenjëti kapitull që të lexosh për një doktrinë që është veçanërisht e rëndësishme për Krishterimin: shlyerja e Krishtit. Kjo ndiqet prej trajtesave rreth rilindjes, pendesës dhe besimit. Është edhe një kapitull mbi drejtësimin, i cili pasohet prej gjashtë të tillëve mbi shenjtërimin. Me fjalë të tjera, Fini nuk shkroi një Teologji Sistematike, por një përmbledhje esesh mbi etikën.
Por kjo nuk do të thotë që Teologjia Sistematike e Finit nuk përmban disa deklarata domethënëse teologjike.
Së pari, pyetjes: “A pushon një i krishterë së qeni i krishterë, sa herë që mëkaton?”, Fini i përgjigjet:
“Sa herë që mëkaton, ai duhet, për atë kohë, të pushojë së qeni i shenjtë. Kjo është e vetë-kuptueshme. Sa herë që ai mëkaton, ai duhet të dënohet; ai duhet të pësojë ndëshkimin e ligjit të Perëndisë… Nëse thuhet që urdhërimi është ende i detyrueshëm për të, por që sa i përket të Krishterit, ndëshkimi mënjanohet përgjithmonë, ose shfuqizohet, unë përgjigjem, që të shfuqizosh ndëshkimin do të thotë të anulosh urdhërimin, sepse një urdhërim pa ndëshkim nuk është ligj. Është vetëm një këshillë. Prandaj i krishteri, është i drejtësuar për sa kohë që bindet, dhe duhet të dënohet kur ai nuk bindet ose përndryshe antinomianizmi është i vërtetë … Në këto aspekte, pra, i krishteri që mëkaton dhe mëkatari i pakthyer në besim janë saktësisht në të njëjtën gjendje (f. 46).”
Fini besonte që Perëndia kërkonte përsosmëri absolute, por në vend që kjo ta bënte që të kërkonte drejtësinë e Tij të përsosur në Krishtin, ai doli në përfundimin që, “… bindja e plotë e tanishme është një kusht për drejtësim. Por përsëri, për pyetjen, a mund të drejtësohet njeriu ndërsa mëkati qëndron ende ne të? Sigurisht që jo, mbi parimet ligjore ose të ungjillit, veç nëse ligji shfuqizohet … Por a mundet ai të falet dhe të pranohet, dhe të drejtësohet, në këndvështrimin e ungjillit, ndërsa mëkati, çdo shkallë mëkati, qëndron në të? Sigurisht qe jo” (f. 57).
Fini deklaroi për formulën e Reformacionit simul justus et peccator ose “njëkohësisht edhe i drejtësuar edhe mëkatar”: “Druhem se ky gabim ka rrënuar më shumë shpirtra sesa i gjithë Universalizmi që mallkoi botën tonë”. Sepse, “sa herë që i krishteri mëkaton, bie nën dënim dhe duhet të pendohet dhe të bëjë veprat e tij të para, ose të humbasë” (f. 60).
Doktrina e Finit për drejtësimin mbështetet mbi mohimin e mësimit të mëkatit fillestar. I pranuar si nga katolikët dhe protestantët, ky mësim biblik shpall që ne të gjithë lindim në këtë botë duke trashëguar fajin dhe prishjen e Adamit. Prandaj, ne jemi skllevër të natyrës mëkatare. Siç ka thënë dikush, “Ne mëkatojmë sepse ne jemi mëkatarë”: gjendja e mëkatit përcakton veprat e mëkatit, jo anasjelltas. Por Fini ndoqi Pelagun, heretikun e shekullit të pestë, i cili u dënua nga më shumë koncilë kishash se çdo person tjetër në historinë e kishës, në mohimin e këtij mësimi biblik.
Fini besonte se qeniet njerëzore janë të afta të zgjedhin nëse do të jenë të prishura nga natyra ose do të shpengohen, duke e etiketuar mëkatin fillestar si një “dogmë kundërbiblike dhe absurde” (f. 179). Pa dyshim, Fini e mohoi nocionin që qeniet njerëzore kanë një natyrë mëkatare (ibid.). Prandaj, nëse Adami na çon në mëkat, kjo nuk ndodh sepse trashëgojmë fajin dhe prishjen e tij, por sepse ndjekim shembullin e tij të keq. Kjo logjikisht të çon te pikëpamja se Krishti, pra, Adami i dytë, shpëton me anë të shembullit. Ky është saktësisht shpjegimi që jep Fini sa i përket shlyerjes së mëkateve.
Gjëja e parë që duhet të vëmë re lidhur me shlyerjen, thotë Fini, është që Krishti nuk mund të vdesë për mëkatet e askujt tjetër njeri përveç Vetes. Bindja e tij ndaj ligjit dhe drejtësia e tij e përsosur ishin të mjaftueshme për ta shpëtuar, por ligjërisht nuk mund të pranoheshin në vend të të tjerëve. Fakti që e gjithë teologjia e Finit drejtohet nga pasioni për përmirësimin moral të njeriut shihet më së qarti në këtë pikë: “Nëse ai [Krishti] i qe bindur Ligjit si zëvendësi ynë, atëherë pse duhet që kthimi ynë në bindje personale të theksohet si një sine qua non (kusht thelbësor) për shpëtimin tonë” (f.206)? Me fjalë të tjera, pse duhet të kërkojë Perëndia që ta shpëtojmë vetveten në sajë të bindjes sonë nëse vepra e Krishtit ishte e mjaftueshme? Lexuesi duhet të kujtojë fjalët e apostullit Pal lidhur me këtë çështje: “Unë nuk e hedh poshtë hirin e Perëndisë sepse, në qoftë se drejtësia vjen përmes ligjit, atëherë Krishti ka vdekur më kot”. Në pamje të parë duket se përgjigjja e Finit përputhet me këtë varg. Mirëpo e vërteta është se ai nuk e ka të vështirë të besojë edhe njërën edhe tjetrën premisë.
Natyrisht, kjo nuk është plotësisht e saktë sepse Fini besonte që Krishti vdiq për diçka, pra, jo për dikë, por për diçka. Me fjalë të tjera, ai vdiq për një qëllim, por jo për njerëzit. Qëllimi i asaj vdekjeje ishte që të konfirmonte sundimin moral të Perëndisë dhe të na çonte në jetë të përjetshme me anë të shembullit, ashtu si shembulli i Adamit na nxiti që të mëkatojmë. Pse vdiq Krishti? Perëndia e dinte që “Shlyerja do t’u paraqiste krijesave motivet e larta më të mundshme drejt virtytit. Shembulli është ndikimi më i fortë moral që mund të ushtrohet … Nëse dashamirësia e shfaqur tek shlyerja nuk e mposht egoizmin e mëkatarëve, atëherë ata janë të pashpresë” (f. 209). Prandaj, ne nuk jemi mëkatarë të pashpresë që kanë nevojë që të shpengohen, por mëkatarë kokëfortë që kanë nevojë për një demonstrim kaq prekës të vetëmohimit sa të na nxisë që t’i kthejmë krahët egoizmit. Jo vetëm që Fini besonte se teoria e “ndikimit moral” lidhur me shlyerjen ishte mënyra e vetme për ta kuptuar kryqin, por ai qartësisht e mohoi shlyerjen zëvendësuese, e cila “hamendëson që shlyerja ishte një pagesë e një borxhi, gjë që ne e kemi parë që nuk përputhet me natyrën e shlyerjes … Është e vërtetë që shlyerja në vetvete nuk siguron shpëtimin për askënd” (f. 217).
Pastaj është çështja e realizimit të shpengimit. Duke e hedhur poshtë ortodoksinë (besimin dhe mësimin e drejtë) e Reformuar, Fini argumentoi fuqishëm kundër besimit se lindja e re është një dhuratë hyjnore, duke këmbëngulur që “rilindja ka të bëjë me mëkatarin që ndryshon zgjedhjen, qëllimin, preferencën e tij përfundimtare; ose që kalon nga egoizmi në dashuri a dashamirësi”, teksa influencohet nga ndikimi moral i shembullit të Krishtit (f. 224). “Mëkati fillestar, rilindja, të gjitha të ngjashmet e tyre dhe dogmat rezultuese, janë njësoj armiqësore ndaj ungjillit, dhe të neveritshme për inteligjencën njerëzore” (f. 236).
Duke mohuar mëkatin fillestar, shlyerjen zëvendësuese të Krishtit, dhe karakterin e mbinatyrshëm të lindjes së re, Fini u hodh në sulm kundër “nenit mbi të cilën kisha qëndron ose bie”— drejtësimin vetëm me anë të hirit dhe vetëm përmes besimit.
Shtrembërimi i Doktrinës Themelore të Drejtësimit
Në bazë të pasazheve të qarta biblike, reformatorët këmbëngulnin që drejtësimi (në greqisht, “të deklarohesh/të shpallesh i drejtë,” jo “të bëhesh i drejtë”) ishte një vendim gjyqësor (domethënë ligjor). Me fjalë të tjera, ndryshe nga Roma që besonte që drejtësimi ishte procesi i shndërrimit të një personi të keq në një person më i mirë, Reformatorët argumentonin që ishte një deklaratë ose një shpallje që kishte drejtësinë e dikujt tjetër (të Krishtit) në themel të saj. Prandaj, ishte një vendim i përsosur dhe i përjetshëm i shpalljes si i drejtë.
Ky vendim duhet të shpallej në fillim të jetës së krishterë, jo në mes apo në fund të saj. Fjalët kyçe në doktrinën ungjillore janë “gjyqësor” (domethënë ligjor) dhe “veshje/ngarkim” (kreditimi i llogarisë së dikujt, kundrejt idesë së “infuzionit” të drejtësisë brenda shpirtit të dikujt). Duke i njohur këto të vërteta, Fini pohon:
“Por që mëkatarët të shpallen ligjërisht të drejtë është e pamundur dhe absurde… Siç do ta shohim, ka shumë kushte, ndërsa ka veç një bazë, për drejtësimin e mëkatarëve … Siç është thënë tashmë, nuk mund të ketë asnjë drejtësim në kuptimin ligjor, por mbi bazën e bindjes universale, të përsosur dhe të pandërprerë të ligjit. Kjo sigurisht që mohohet nga ata që pretendojnë që drejtësimi i ungjillit ose drejtësimi i mëkatarëve të penduar ka natyrë ligjore ose gjyqësore. Ata bazohen në maksimën ligjore që ajo që një njeri bën me anë të dikujt tjetër ai e bën nga vetja e vet dhe prandaj ligji e sheh bindjen e Krishtit si tonën, mbi bazën që ai u bind për ne”.
Kësaj, Fini i përgjigjet: “Doktrina e drejtësisë së ngarkuar/të veshur, ose që bindja e Krishtit ndaj ligjit u llogarit si bindja jonë, bazohet në hamendjen më të rreme dhe më absurde”. Pas së gjithash, drejtësia e Krishtit “nuk mund të bënte asgjë më tepër se të drejtësonte veten e tij. Nuk mund të na ngarkohet kurrë neve… kështu që ishte e pamundur nga ana natyrore që ai të bindej në vendin tonë”. “Paraqitja e shlyerjes si shkaku i drejtësimit të mëkatarit është kthyer në gur pengese për shumë veta” (f. 320-2).
Pikëpamja që besimi është kushti i vetëm për drejtësimin është “pikëpamja antinomianiste (anti-ligj),” pohon Fini. “Ne do të shohim që këmbëngulja në bindje në fund të jetës është gjithashtu kusht për drejtësimin. Disa teologë e kanë kthyer drejtësimin në një kusht për shenjtërimin, në vend që ta bënin shenjtërimin një kusht të drejtësimit. Mirëpo, siç do ta shohim kjo është një pikëpamje e gabuar rreth kësaj teme.” (f. 326-7).
Fini sot
Siç dëshmoi në mënyrë kaq elokuente teologu i shquar i Prinstonit B. B. Uorfilld [Warfield], përgjatë historisë kanë ekzistuar vetëm dy fe: paganizmi, shprehja fetare e të cilit është Pelagianizmi, dhe shpengimi i mbinatyrshëm.
Duke qenë në anën e Uorfilldit dhe të atyre që me aq seriozitet i paralajmëruan vëllezërit dhe motrat e tyre për gabimet e Finit dhe ithtarëve të tij, edhe ne gjithashtu duhet të përballemi me këtë rrymë të egër heterodokse të protestantizmit amerikan. Duke i pasur rrënjët tek rikrijimet e rizgjimit të Finit, ungjillorët dhe protestantizmi liberal ndoshta nuk janë edhe aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. “Masat e Reja” të Finit, ngjashëm me Lëvizjen për Rritjen e Kishës, i kthyen vendimet njerëzore dhe emocionet në fokusin e shërbesës së kishës, e bënë teologjinë një gjë qesharake dhe e zëvendësuan predikimin e Krishtit me predikimin e vendimeve për të besuar në Krishtin.
Mbi themelin e moralizmit natyralist të Finit fushatat politike dhe sociale të krishtera ndërtuan besimin e tyre te njerëzimi dhe te burimet e tij për shpëtimin e vetes. Duke tingëlluar si një deist, Fini shpalli: “Besimi ynë ka asgjë brenda tij përveç fuqive të zakonshme të natyrës. Ai ka të bëjë tërësisht në ushtrimin e drejtë të fuqive të natyrës. Kjo është e gjitha dhe asgjë tjetër përveç saj. Kur njerëzimi bëhet me të vërtetë fetar, nuk aftësohet që të bëjë gjëra për të cilat ata më parë ishin të paaftë që t’i bënin. Ata shfaqin fuqi që i kishin që më përpara, në një mënyrë të ndryshme, dhe i përdorin ato për lavdi të Perëndisë”. Ashtu siç ishte lindja e re një fenomen i natyrshëm njerëzor për Finin, po kështu ishte edhe rizgjimi: “Ngado që ta marrësh, një rizgjim nuk është mrekulli, as nuk varet prej një mrekullie. Është tërësisht rezultati filozofik i përdorimit të duhur të mjeteve të caktuara, ashtu si çdo efekt tjetër i prodhuar nga përdorimi i mjeteve”.
Besimi që lindja e re dhe rizgjimi varen domosdo nga veprimi hyjnor është i dëmshëm. “Asnjë doktrinë tjetër,” thotë ai, “nuk është më e rrezikshme sesa kjo për mbrothësinë e kishës dhe nuk ka gjë tjetër më absurde” (Revivals of Religion [Revell], f.4-5).
Kur udhëheqësit e Lëvizjes për Rritjen e Kishës na thonë se teologjia pengon rritjen dhe këmbëngulin që nuk ka rëndësi se çfarë beson një kishë: rritja ka të bëjë thjesht me zbatimin e parimeve të duhura, ata po shfaqin ndikimin e Finit mbi ta.
Kur udhëheqësit e Lëvizjes “Vineyard” lavdërojnë veprimet gjoja të krishtera të lehjes, hungërimës si luan, bërtitjes, të qeshurës, dhe fenomeneve të tjera të çuditshme me arsyetimin që ato “funksionojnë” dhe që të vërtetën duhet ta gjykosh nga frytet e saj, ata po ndjekin Finin si edhe babanë e pragmatizmit amerikan, Uilliam Xhejms [William James], sipas të cilit e vërteta duhet të gjykohet mbi bazën e “dobive të saj sa i përket përvojës”.
Kështu, në teologjinë e Finit, Perëndia nuk është sovran, njeriu nga natyra nuk është mëkatar, shlyerja e Krishtit nuk është pagesë e vërtetë për mëkatin, drejtësimi me anë të ngarkimit/veshjes është fyes për arsyen dhe moralin, lindja e re është thjesht efekti i teknikave të suksesshme, dhe rizgjimi është rezultati i natyrshëm i fushatave të zgjuara. Në parathënien e botimit dyqindvjeçar Teologjisë Sistematike të finit, Herri Kon [Harry Conn] lavdëroi pragmatizmin e këtij të fundit: “Shumë shërbëtorë të Zotit tonë duhet të kërkojnë me zell një ungjill që “funksionon” dhe unë jam i lumtur të deklaroj që ata mund ta gjejnë në këtë libër”.
Siç ka dokumentuar me shumë kujdes Uitni R. Kros [Whitney R. Cross], territoret ku “rizgjimet” e Finit ndodhnin më së shpeshti ishin gjithashtu djepi i kulteve perfeksioniste që pllakosën dhe goditën atë shekull. Një ungjill që “funksionon” për një çast për perfeksionistët e zellshëm i hap rrugën supershenjtorëve të shuar e të zhgënjyer të së ardhmes. Pra, nënkuptohet se mesazhi i Finit është rrënjësisht i ndryshëm nga besimi ungjillor, sikurse është edhe orientimi themelor i lëvizjeve që ne shohim rreth e rrotull sot e që mbajnë vulën e tij, siç janë: rikrijimi i rizgjimit (ose versioni i tij modern Lëvizja për Rritjen e Kishës), ose perfeksionizmi dhe emocionalizmi pentekostal, ose triumfizmi politik i bazuar në idealin e “Amerikës së Krishterë,” ose prirjet kundërintelektuale dhe kundërdoktrinore të shumë ungjillorëve dhe fundamentalistëve amerikanë.
Jo vetëm që rikrijuesit e rizgjimit e braktisën mësimin biblik të drejtësimit, duke e shpallur atë si një tradhti kundër krishterimit ungjillor, por ata hodhën poshtë edhe doktrina të tilla, sikurse mëkati fillestar dhe shlyerja zëvendësuese, të cilat janë përqafuar si nga Katolikët ashtu edhe Protestantët. Prandaj, Fini nuk është thjesht një arminian, por një pelagian. Ai nuk është vetëm një armik i protestantizmit ungjillor, por edhe i krishterimit historik të llojit më të gjerë.
Për një gjë Fini kishte absolutisht të drejtë: Ungjilli që mbahej nga Reformatorët, të cilët ai i sulmonte drejtpërdrejt, dhe në të vërtetë që mbahet nga komuniteti i ungjillorëve, është një “ungjill tjetër” rrënjësisht i ndryshëm nga ai që shpallej nga Çarls Fini. Pyetja për ne është: Kë ungjill do të përqafojmë?
(Riprintuar me leje nga Modern Reformation.)
Të gjitha citimet janë nga Çarls Fini, Teologjia Sistematike e Finit (Bethany, 1976). Dr. Majkëll Horton është Anëtar i Aleancës së Ungjillorëve Rrëfyes dhe bashkëdrejtues në programin radiofonik të njohur White Horse Inn.
Përkthyer nga: https://www.monergism.com/disturbing-legacy-charles-finney