Përkthyer nga PurelyPresbyterian
Dhiata e Re mëson se tani johebrenjtë janë pjesëmarrës në besëlidhjet e premtimit (Efesianëve 2:12-13) që më parë ishin ekskluzive për kombin e Izraelit. Një nga ato premtime është se Perëndia do të jetë Perëndi për ty dhe për pasardhësit e tu (Zanafilla 17:7); dhe ky premtim përsëritet në mënyrë të njëjtë në Dhiatën e Re: “Premtimi është për ju dhe për fëmijët tuaj” (Veprat 2:39). Kjo formon bazën teologjike për pagëzimin e foshnjave.
Pas rënies së njeriut, gjë që solli mallkimin dhe vdekjen në botë, Perëndia vendosi një besëlidhje hiri. Kjo besëlidhje hiri nuk bazohet në bindjen e njeriut, por vetëm në hirin e Perëndisë. Në premtimin e shpëtimit, Perëndia i tha gjarprit dhe gruas: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.” (Zanafilla 3:15). Aty te Zanafilla 3:15 premtohet Krishti që do të vijë dhe do të shtypë kokën e gjarprit. Kjo besëlidhje hiri administrohet gjatë gjithë Shkrimit, nën administrime të ndryshme. Katekizmi i Madh i Uestminsterit e shpjegon këtë koncept:
P. 34. Si u administrua besëlidhja e hirit nën Dhiatën e Vjetër?
P. Besëlidhja e hirit u administrua nën Dhiatën e Vjetër, me anë të premtimeve, profecive, flijimeve, rrethprerjes, Pashkës dhe tipeve dhe urdhëresave të tjera, të cilat të gjitha parashikonin Krishtin që do të vinte dhe ishin të mjaftueshme në atë kohë për të ndërtuar të zgjedhurit në besim në Mesian e premtuar, nëpërmjet të cilit ata kishin falje të plotë të mëkateve dhe shpëtim të përjetshëm.
(Rom. 15:8; Veprat 3:20, 24; Heb. 10:1; Rom. 4:11; 1 Kor. 5:7; Heb. 8-10, 11:13; Gal. 3:7-9, 14).
P. 35. Si administrohet besëlidhja e hirit nën Dhiatën e Re?
P. Nën Dhiatën e Re, kur Krishti, u shfaq, e njëjta besëlidhje hiri u administrua dhe vazhdon të administrohet në predikimin e Fjalës dhe administrimin e sakramenteve të pagëzimit dhe darkës së Zotit; në të cilat hiri dhe shpëtimi paraqiten me më shumë plotësi, qartësi dhe efektshmëri për të gjitha kombet.
(Marku 16:15; Mateu 28:19-20; 1 Kor. 11:23-25; 2 Kor. 3:6-18; Heb. 8:6, 10, 11; Mateu 28:19).
Besëlidhjet e Vjetra dhe të Reja janë administrime të besëlidhjes së hirit. Veprat 15:11 thotë: “Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata.” 1 Korintasve 10:4 thotë: “dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti.” Këto dhe pasazhe të tjera tregojnë se thelbi i të dyja Besëlidhjeve ka qenë dhe është gjithmonë Krishti. Meqënëse thelbi i të dyja Besëlidhjeve është i njëjtë, ekziston gjithashtu vazhdimësi në administrimet e jashtme të Besëlidhjeve. Shpëtimi iu dha atyre që jo vetëm morën pjesë në mënyrë të jashtme në administrimin e besëlidhjes, por gjithashtu kishin besim në atë që drejtonte ai administrim – Jezu Krishtin.
Besëlidhja e Re ka një administrim të jashtëm dhe kjo provohet nga pasazhet mbi apostazinë. Jezusi tha: “Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.” (Gjoni 15:2). Kjo nuk flet për të qenit i shpëtuar dhe humbjen e shpëtimit, gjë që është e pamundur (krahaso Gjonin 10:26-30, 1 Gjonit 2:18-19, etj.); por flet në të qënit në administrimin e jashtëm të Besëlidhjes së Re, por i hequr për shkak të mungesës së realitetit të brendshëm. Romakëve 11:16-22 gjithashtu provon se dikush mund të pritet nga populli i dukshëm i besëlidhjes së Perëndisë. Romakëve 11:22 thotë: “Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.” Kështu, fakti që këta njerëz janë në Krishtin ose pjesë e kishës së jashtme dhe priten, dëshmon se Besëlidhja e Re ka një administrim të jashtëm.
Fëmijët e besimtarëve ishin në administrimin e jashtëm të besëlidhjes së hirit në Dhiatën e Vjetër. Noeu besoi dhe Perëndia e konsideroi të drejtë (Zanafilla 7:1; Hebrenjve 11:7). Pas kësaj Perëndia tha: “Sa për mua, unë caktoj besëlidhjen time me ju dhe me brezin që vjen pas jush” (Zanafilla 9:9). Perëndia jo vetëm që bën një besëlidhje me besimtarin individual, por edhe me fëmijët e tij. I njëjti model gjendet te Abrahami. Abrahami besoi në Krishtin dhe Perëndia e shpalli të drejtë (krh. Zanafilla 15:6, Gjoni 8:56). Pas kësaj, Perëndia e urdhëroi të rrethpriste veten e tij (kredorrethprerje). Por Perëndia gjithashtu i tha që të rrethpriste çdo foshnjë mashkull në shtëpinë e tij (paedorrethprerje). Edhe pse foshnjat nuk ushtronin besim, Perëndia përsëri urdhëroi që ato të rrethpriteshin dhe të ishin pjesë e besëlidhjes së hirit, ashtu siç ishte edhe Esau. Zanafilla 17:7 thotë: “Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhësit e tu, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër.” “Zgjedhja e besëlidhjes nga ana e Perëndisë shtrihet te Pasardhësi, Ligji i Përtërirë 4:37, ‘Dhe nga që i deshi etërit e tu, ai zgjodhi pasardhësit e tyre’” (Rutherford, 2005, fq. 128). A vazhdon Perëndia t’i përfshijë fëmijët e besimtarëve në besëlidhjen e tij? Nuk ka asnjë tregues në Besëlidhjen e Re që natyra e një besëlidhjeje që përfshin fëmijët e besimtarëve ka ndryshuar.
Në fakt, e kundërta konfirmohet në Dhiatën e Re: fëmijët e besimtarëve janë nën administrimin e jashtëm të Besëlidhjes së Re. Mateu 19:13-14 thotë: “Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.Por Jezusi tha: ”I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve”” (krh. Isaia 40:11). “Nëse është e drejtë që fëmijët duhet të sillen te Krishti, përse nuk duhet të pranohen në pagëzim, simbolin e bashkësisë dhe lidhjes sonë me Krishtin? Nëse mbretëria e qiejve është e tyre, përse duhet t’u mohohet shenja me anë të së cilës hapet hyrja në kishë, që, duke u pranuar në të, të regjistrohen midis trashëgimtarëve të mbretërisë së qiellit?” (Kalvini, 2008, fq. 875-876).
Pjetri nuk i përjashtoi fëmijët e besimtarëve nga besëlidhja e hirit, por u tha hebrenjve të rritur në ditën e Pentakostit: “Atëherë Pjetri u tha atyre: ”Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë”.” (Veprat 2:38-39). Premtimi është për hebrenjtë dhe për fëmijët e tyre. Audienca të cilës po i fliste Pjetri ishin hebrenjtë e shpërndarë që ishin mbledhur për Shavuot—Rrëshajët. Ky premtim është një aludim për Zanafillën 17:7. Premtimi është gjithashtu për të gjithë ata që janë larg, për johebrenjtë, siç thotë Efesianëve 2:12-13: “Ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit.“ “Po e njëjta besëlidhje që është bërë me Abrahamin, është bërë edhe me korintasit, 2 Korintasve 6:16: ‘Unë do të jem Perëndia i tyre, dhe ata do të jenë populli im’” (Rutherford, 2005, fq. 131). Johebrenjtë tani janë pjesëmarrës të besëlidhjeve të premtimit dhe fëmijët e tyre janë të shenjtë. Sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë. (1 Korintasve 7:14). “Meqenëse konteksti është i tillë, ne nuk mund ta mbajmë se kjo ‘shenjtëri’ është ajo e ripërtëritjes. Por nuk mund të jetë asgjë më pak se ‘shenjtëria’ e lidhjes dhe privilegjit” (Murray, 1980, fq. 65). Fëmijët e besimtarëve tashmë kanë realitetin e ndarjes si anëtarë të popullit të besëlidhjes të Perëndisë, prandaj shenja e besëlidhjes, pagëzimi, është e drejta e tyre.
Në Dhiatën e Re, sa herë që kishte një person që bëhej i krishterë dhe ai kishte një familje, ndodhte një pagëzim i familjes. Lidia besoi mesazhin e Palit. Ajo u pagëzua dhe e gjithë familja e saj (Veprat 16:14-15). Po ashtu, roja i burgut në të njëjtin kapitull beson dhe ai pagëzohet së bashku me të gjithë familjen e tij. Pali pagëzoi edhe familjen e Stefanit (1 Korintasve 1:16). Duke studiuar të gjitha pasazhet që flasin për familjet, kuptohet se kur kreu i familjes hyn në besëlidhje, hyn gjithashtu dhe e gjithë familja.
Mund të ngritet kundërshtimi se nuk ka asnjë shembull në Shkrim të një foshnjeje që është pagëzuar nga duart e apostujve. “Nëse argumente të tilla do të ishin të mira, do të ishte e nevojshme që në të njëjtën mënyrë, grave t’u ndalohej pjesëmarrja në Darkën e Zotit, pasi, nuk lexojmë se ato ishin ndonjëherë të pranuara në të në ditët e apostujve.” (Kalvini, 2008, fq. 876). Ja një kundërshtim nga Walter Chantry: “Premtimet [Veprat 2:39] nuk u përkasin fëmijëve të besimtarëve veçmas nga thirrja efektive” (Chantry, 2013, fq. 126). “Premtimi bëhet për ta pa kushte, nëse besojnë apo jo. Por bekimi i premtimit dhe besëlidhjes së hirit jepet dhe vihet në dispozicion vetëm me kusht, nëse ata besojnë” (Rutherford, 2005, fq. 151). Një kundërshtim tjetër nga Chantry: “Nëse fjala ‘shenjtëruar’ [1 Korintasve 7:14] sugjeron një marrëdhënie besëlidhjeje… duke i bërë fëmijët objektet e duhura për pagëzim, atëherë bashkëshorti që nuk beson është gjithashtu një kandidat i vlefshëm për sakramentin” (Chantry, 2013, fq. 127). Ne përgjigjemi se shenjtëria federale mbështet të drejtën e tyre për të qenë anëtarë të dukshëm të kishës dhe, për pasojë, për pagëzim. Megjithatë, një refuzim të besimit ose një hezitim për të rrëfyer publikisht Krishtin kur është i aftë do t’i përjashtonte ata praktikisht nga kisha e dukshme dhe, kështu, anulonte të drejtën e tyre për pagëzim. Me fjalë të tjera, një refuzim për të rrëfyer besimin është një heqje dorë nga e drejta për pagëzim. Foshnjat janë të paafta për të rrëfyer ose refuzuar rrëfimin e besimit, dhe kështu ato pagëzohen vetëm mbi bazën e shenjtërisë federale. Një kundërshtim tjetër është se nuk kishte foshnja të pranishme në familjet që u pagëzuan. Ky është vetëm spekulim. Çështja është që familja u pagëzua mbi rrëfimin e kreut, gjë që është në vazhdimësi me besëlidhjen e hirit nën Besëlidhjen e Vjetër. Prandaj, të gjithë anëtarët e familjes duhet të pagëzohen, përfshirë foshnjat.
Në përfundim, të dyja Besëlidhjet, e Vjetra dhe e Reja, janë administrime të së njëjtës besëlidhje hiri. Besëlidhja e Re, ashtu si e Vjetra, ka një administrim të jashtëm, që përbën kishën e dukshme, dhe kjo u provua nga pasazhet mbi apostazinë. Fëmijët e besimtarëve janë në administrimin e jashtëm të besëlidhjes së hirit nën të dyja Besëlidhjet, sepse të dyja janë administrime të së njëjtës besëlidhje hiri. Ashtu si foshnjat në Besëlidhjen e Vjetër u rrethprenë dhe u përfshinë në besëlidhjen e hirit në shtëpinë e Abrahamit, po ashtu foshnjat në Besëlidhjen e Re duhet të pagëzohen dhe janë në besëlidhjen e hirit në bazë të qenies së tyre në një familje besimtare, ashtu siç dëshmojnë pagëzimet familjare te Veprat 16 dhe 1 Korintasve 1:16. Prandaj, pa asnjë dyshim, foshnjat e besimtarëve duhet të pagëzohen.
Referencat:
Blackburn, E.M. (2013). Covenant theology: A Baptist distinctive. Birmingham, Ala.: Solid Ground Christian Books.
Calvin, John. Translator: Beveridge, Henry (2008). Institutes of the Christian Religon. Peabody, MA: Hendrickson Publishers.
Murray, John (1980). Christian Baptism. Philadelphia, PA: Presbyterian and Reformed Publishing Co.
Rutherford, Samuel. Editor: McMahon, C. M. (2005). The Covenant of Life Opened. New Lenox, IL: Puritan Publications.
The Holy Bible: Old and New Testaments in the authorized King James version ; translated out of the original tongues and with previous translations diligently compared and revised. (2003). Nashville: Thomas Nelson.
The Westminster Confession of Faith. (2003). Glasgow: Free Presbyterian Publications.