Në zemër të Romës së lashtë qëndronte Koloseu, një monument kolosal argëtimi dhe mizorish të mëdhaja. Për shekuj me radhë, kjo arenë ndeshjesh dhe luftimesh kishte qenë epiqendra e argëtimit romak, një vend ku turmat e njerëzve mblidheshin për të shuar oreksin e tyre për dhunë dhe gjakderdhje. Gladiatorët fitimtarë ishin heronj popullorë, versioni romak i yjeve të mëdhenj ose heronjve sportivë. Fusha e kësaj arene të madhe kishte marrë jetën e shumë gladiatorëve, skllevërve dhe martirëve të krishterë.
Këto lojëra gladiatorësh nuk ishin aspekti më i keq i Koloseut, sepse këtu, të krishterët vriteshin me shumicë. Kafshë të egra si luanë, tigra, leopardë dhe arinj mbaheshin të uritur në kafaze. Pastaj ato lëshoheshin mbi të krishterët – djem, vajza, gra dhe burra të moshuar. Ndonjëherë të krishterët zhyteshin në vaj dhe pastaj ndizeshin si pishtarë të gjallë. Burra dhe gra shqyheshin me çengela hekuri, piqeshin mbi hekura të nxehtë, sharroheshin përgjysmë dhe vendoseshin në kazanë me vaj të vluar. Megjithatë, ata i përballonin këto tortura me vendosmëri të palëkundur, dhe shpesh, këndonin himne teksa torturoheshin. Mizoritë romake nuk njihnin kufij, dhe çdo formë e imagjinueshme torture, masakre dhe epshi brutal praktikohej mbi të krishterët nga shekulli i parë deri në të katërtin.
Mirëpo në kulmin e lojërave të gladiatorëve, në Janar të vitit 404, spektatorët nuk e dinin që do të dëshmonin jo thjesht një spektakël tjetër, por një ndërhyrje hyjnore që do të ndryshonte përgjithmonë rrjedhën e perandorisë.
Telemaku, një i krishterë i thjeshtë nga Azia, kishte dëgjuar për këto argëtime barbare. Kështu, i udhëhequr nga një thirrje që mezi mund ta kuptonte ai udhëtoi për javë të tëra, dhe kishte mbërritur në Kolose. Teksa ai hyri në të ai pa gladiatorët një nga një të përshëndesnin perandorin duke thënë: “Ave, Caesar, morituri te salutant!”- “Të përshëndesim, Cezar, ata që do të vdesin të përshëndesin!”
Telemaku i tronditur e kupton që këta gladiatorë do të luftojnë deri në vdekje për të argëtuar turmat. Gladiatorët filluan dy-luftimin e teksa çeliku i shpatave dhe sëpatave përplasej dhe entuziazmi i turmës po arrinte kulmin, Telemaku me dhembshuri e trishtim po vështronte spektaklin brutal para tij. Zemra e tij digjej me indinjatë të drejtë dhe në atë moment, ai e kuptoi pse Perëndia e kishte çuar në këtë vend.
Pa hezitim, Telemaku zbriti, kapërceu murin dhe u fut në arenë drejt dy gladiatorëve. Një heshtje ra mbi turmën ndërsa të gjitha sytë u kthyen drejt këtij ndërhyrësi të papritur. Duke qëndruar mes gladiatorëve të habitur, Telemaku ngriti krahët dhe zërin e tij, dhe çdo fjalë që thoshte tingëllonte me autoritet hyjnor: “Në emër të Zotit Jezu Krisht, Mbretit të Mbretërve dhe Zotit të Zotërve, ndaloni! Mos e shpërdoroni mëshirën e Zotit duke derdhur gjak të pafajshëm!” Spektatorët e tërbuar lëshuan fyerje, fruta, gurë dhe mbeturina drejt tij. “Heretik!” thirrën ata. “Armik i Romës!” Por Telemaku qëndroi i palëkundur. Besimi i tij ishte një mburojë e papërshkueshme kundër urrejtjes së tyre.
Një nga gladiatorët, duke kërkuar të fitonte favorin e turmave të etura për gjak, ngriti sëpatën e tij të luftimit dhe e goditi në kokë Telemakun i cili u rrëzua në tokë. Sytë e Telemakut, megjithëse duke u errësuar, vështruan drejt qiellit ndërsa shihte drejt Shpëtimtarit të tij, që do t’i thoshte. “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik,”.
Ndërsa gjaku i tij po derdhej në rërën e arenës, duke u përzier me atë të martirëve të panumërt përpara tij, një heshtje e çuditshme zbriti mbi gjithë Koloseun. Duke pare këtë dikush në rreshtin e sipërm të arenës, u cua, dhe me qetësi u largua. Kështu një nga një stadiumi u boshatis nga njerëzit që kishin mbetur të habitur nga martirizimi i këtij njeriu të thjeshtë.
Ndikimi i sakrificës së Telemakut u përhap kudo. Perandori Honorius, i prekur nga qëndrimi i tij i guximshëm, nxori një dekret që ndalonte luftën e gladiatorëve në të gjithë perandorinë. Ndeshjet, që ishin një gur themeli i kulturës romake për shekuj me radhë, ndaluan menjëherë.
Në ditët dhe vitet që pasuan, historia e Telemakut u përhap në të gjithë botën e krishterë. Koloseu, dikur simbol i fuqisë brutale të Romës, tani qëndronte si një dëshmi e heshtur e ndërhyrjes hyjnore përmes një njeriu të thjeshtë të ardhur nga Lindja. Gurët e tij të motshëm jehonin me lutjet e martirëve të panumërt që kishin dhënë jetën e tyre për Ungjillin brenda mureve të tij.
Historia e tij shërben si një kujtesë e fuqishme për të krishterët e kohëve moderne: se edhe ne jemi të thirrur të jemi dritë në errësirë, të qëndrojmë të fortë kundër rrymave kulturore që bien në kundërshtim me vullnetin e Zotit. Ajo na sfidon të shqyrtojmë jetën tonë dhe të pyesim: Cilat janë “arenat” e ditëve tona që kërkojnë guximin e një Telemaku? Ku po na thërret Perëndia që të mbajmë qëndrim, edhe nëse kjo vjen me kosto të madhe personale?
Sa argëtime pagane dhe madje argëtime zëvendësuese “të krishtera” të ditëve tona presin një shfaqje të tillë guximi? Telemaku nuk sugjeroi një garë gladiatorësh “të krishterë” në Kolose. Ai nuk reklamoi një “dramë të krishterë” në shesh si një alternativë ndaj shfaqjeve të papastra në teatrin romak. Ai nuk u përpoq të shpikte ndonjë strategji të re për të kënaqur turmat e Romës që donin argëtimin. Ai nuk u përpoq të shpikë një “version të krishterë” të argëtimit. Perëndia kishte urdhëruar të shpëtojë jobesimtarin me marrëzinë e predikimit, jo me dramën skenike dhe argëtimin.
Telemaku ishte i gatshëm të kërcente mbi mur dhe të derdhte gjakun e tij. Ai kishte guximin që në emër të Jezu Krishtit të urdhëronte që ndeshjet e gladiatorëve të ndaleshin, dhe me hirin e Zotit, ato u ndalën. Sot, Koloseu qëndron në gërmadha ndërsa Kisha e Jezu Krishtit vazhdon të përparojë. Por ne nuk duhet të pushojmë mbi lavditë e “burrave të fuqishëm” të së kaluarës si Telemaku. Sot, në brezin tonë, ka gjëra në kulturën tonë, gjëra që nga ana kuturore konsiderohen të pranueshme nga shumë të krishterë të sinqertë, që presin guximin e palëkundur të një Telemaku.