Nga
Mëkati Seksual Kërkon një Zgjidhje Biblike
“Ngaqë fuqia e tij hyjnore na i ka dhuruar të gjitha ato që kanë të bëjnë me jetën dhe pershpirtërinë, nëpërmjet njohjes së plotë të atij që na thirri nëpërmjet lavdisë dhe virtytit” 2 Pjetri 1:3 (BiblaPRO)
Nëse je një djalë dhe burrë i krishterë që lufton me pornografinë dhe nëse lëngon të jesh i lirë, duhet të mësosh si të heqësh dorë nga pornografia në mënyrë biblike… Pornografia është një çështje mëkati dhe çështjet e mëkatit kërkojnë zgjidhje biblike.
Në thelb, pornografia është një çështje e zemrës. Një zemër që kënaqet duke parë pornografi është një zemër që qëndron kundër Perëndisë. Akti i të parit pornografi dhe akti i masturbimit janë thjesht manifestime të jashtme të një kalbjeje të brendshme. Në fund të fundit, sipas Jezusit, kurorëshkelja dhe imoraliteti seksual fillojnë në zemër (Mateu 15:19-20).
Nëse dëshiron të heqësh dorë nga pornografia, duhet ta bësh këtë në mënyrë biblike. Bibla ka shumë për të thënë rreth imoralitetit seksual (burimin e tij, pasojat e tij, zgjidhjen e tij dhe më shumë). Dhe Bibla gjithashtu premton se Perëndia na ka dhënë ty dhe mua “të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë” (2 Pjetrit 1:3). Bibla na tregon si të heqim dorë nga pornografia, kur dhe pse. Dhe Perëndia na jep fuqinë hyjnore që na nevojitet për të jetuar jetë të perëndishme.
Programet për bllokimin e pornografisë kanë vendin e tyre… Madje edhe mesazhet si ky kanë vendin e tyre. Por mënyra e garantuar për të hequr dorë nga pornografia është ta bësh sipas mënyrës së Perëndisë. Mënyra e sigurt për të fituar dhe për të ruajtur fitoren mbi mëkatin seksual është të ndjekësh udhëzimet e Perëndisë për këtë temë. Çdo taktikë që përdor në betejën për pastërtinë seksuale duhet të ketë një bazë biblike. Perëndia nuk dëshiron që të luftosh vetëm dhe nuk dëshiron që të luftosh pa një rrugë të provuar drejt fitores. Ai e përshkruan atë rrugë në fjalën e Tij, Biblën. Tani mbetet detyrë e jotja që ta ndjekësh atë.
Hapi 1
Shmang Imoralitetin Seksual
“Se ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj – që ju të rrini larg nga kurvëria” 1 Thesalonikasve 4:3 (BiblaPRO)
Gjëja e parë që duhet të bësh për të hequr dorë nga pornografia në mënyrë biblike është të heqësh dorë nga pornografia. Shikimi, dëgjimi apo leximi i pornografisë është imoralitet seksual. Dhe Perëndia thotë që duhet të “rrini larg nga kurvëria.” Fraza kurvëri në Dhiatën e Re vjen nga greqishtja porneia. Ajo nënkupton çdo akt që shkel urdhërimet e Perëndisë në lidhje me marrëdhëniet seksuale. Imoraliteti seksual përfshin seksin jashtë martese, seksin me kafshë, seksin me fëmijë, seksin me anëtarë të ngushtë të familjes, konsumimin e pornografisë dhe masturbimin.
Të rrish larg do të thotë të qëndrosh larg, të jesh në distancë, të përmbahesh, të mbash veten larg. Pra, ajo që Pali po thotë këtu është që duhet të qëndrosh larg, të jesh në distancë dhe të mbash veten larg pornografisë. Por kjo nuk është thjesht një urdhërim. Ky është vullneti i Perëndisë për jetën tënde. Nëse ndonjëherë je munduar të kuptosh vullnetin e Perëndisë për jetën tënde (cilën karrierë të ndjekësh, cilën ofertë pune të pranosh, me kë të martohesh, ku të jetosh), këtu nuk ke nevojë të mundohesh. Sepse Perëndia të tregon se cili është vullneti i Tij për ty kur bëhet fjalë për pornografinë: Të rrish larg prej saj.
Gjëja kryesore për t’u mbajtur mend rreth këtij mësimi dhe urdhërimi është se, pornografia, është më shumë një dicka që e shmang, sesa e lë. Nuk është diçka që e pushton por një diçka nga e cila qëndron larg. Ky është një mendim inkurajues, apo jo? Sepse nëse ke qenë në robëri ndaj pornografisë dhe masturbimit për aq shumë kohë sa nuk mund ta llogaritësh dot, e gjithë ideja e fitimit të betejës kundër pornografisë, ose pushtimit të mëkatit tënd seksual, duket e pamundur. Ti e ke fituar dhe humbur betejën aq shumë herë, saqë fitorja e qëndrueshme duket jashtë arritjes.
Por çelësi i këtij urdhërimi është se thjesht duhet t’i rrish larg pornografisë. Nuk ka gjuhë për beteja, pushtime apo fitore këtu. Ti thjesht urdhërohesh të qëndrosh larg pornografisë. Nuk është e lehtë për t’u bërë, e di, por është e mundur. Sepse të shmangësh pornografinë është diçka që e di që mund ta bësh, apo jo? Ti e ke bërë më parë. Mund ta bësh përsëri. Pra, rriji larg asaj, duke filluar që tani. Pse? Sepse qëndrimi larg pornografisë është vullneti i Perëndisë për ty. Dhe nëse Perëndia të mban ndaj këtij standardi, Ai do të të ndihmojë edhe që ta arrish atë.
Hapi 2
Mos Trego Kujdes për Mishin
“Përkundrazi vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin për t’ia plotësuar dëshirimet.” Romakëve 13:14 (BiblaPRO)
Perëndia të urdhëron t’i rrish larg imoralitetit seksual, që përfshin edhe pornografinë. Por si mund t’i qëndrosh larg pornografisë, saktësisht? Si të përmbahesh dhe ta shmangësh atë? Duke ndjekur një tjetër urdhërim biblik: “mos tregoni kujdes për mishin për t’ia plotësuar dëshirimet.”
Fjala “mos tregoni kujdes” në këtë varg vjen nga greqishtja dhe do të thotë parashikim ose mendim i mëparshëm, që nënkupton njohuri paraprake për diçka. Ajo mbart idenë e të diturit të dickaje paraprakisht për ta mundësuar ose lejuar atë që të ndodhë. Në terma praktikë, ky varg të mëson që duhet të shmangësh njerëzit, vendet dhe gjërat në jetën tënde që të bëjnë të plotësosh dëshirat e mishit tënd. Ti e di paraprakisht se çfarë të shkakton të mëkatosh, prandaj shmang këto nxitës ose shkaktues duke mos u dhënë asnjë mundësi.
Të jap një shembull për të treguar se si funksionon kjo, duke treguar se çfarë nuk duhet të bësh. Një vëlla në Zotin, i cili po luftonte për të lënë pornografinë, më ndau një herë që ai përdorte një regjistrues kasetash për të regjistruar shfaqje televizive me përmbajtje për të rritur kur ai ishte në gjumë ose jashtë shtëpisë. “Nuk kam asnjë qëllim për t’i parë këto shfaqje,” tha ai, “dhe e di që nuk duhet t’i shoh. Por ndjej një detyrim për t’i regjistruar gjithsesi, edhe pse nuk kam qëllim t’i shikoj.” Kjo është një shembull i dhënies së mundësisë mishit.
Nëse po përpiqesh të humbasësh peshë, nuk shkon në restorante që ofrojnë “Ha sa të mundesh për 2000 Lekë”. Nëse po përpiqesh të lësh alkoolin, nuk shkon në bare. Nëse po përpiqesh të lësh drogën, nuk mban drogë në xhep. Nëse po përpiqesh të shmangësh seksin përpara martesës, ti nuk qëndron në sediljen e pasme të makinës tënde me të dashurën në një mbrëmje të nxehtë dhe të lagësht vere.
“mos tregoni kujdes për mishin për t’ia plotësuar dëshirimet” ka të bëjë me vendosjen e një distance mes teje dhe njerëzve, vendeve dhe gjërave që të tundojnë të mëkatosh. Ky është një vendim i ndërgjegjshëm që e merr përpara se të tundohesh. Ti liston të gjitha mënyrat që e di që të çojnë në mëkat për të parë pornografi, dhe më pas i heq këto burime tundimi nga jeta jote. Ja si duket kjo:
- Gruaja jote lë revistat e saj të grave të shpërndara nëpër shtëpi. Ato përmbajnë foto të grave me të brendshme ose kostume banje. Ti tundohesh të shikosh këto imazhe. Atëhere, gruaja jote anullon abonimet e saj dhe pastron shtëpinë tuaj nga ato.
- Një film i ri del me aktorin tënd të preferuar. Para se ta shikosh, kontrollon Udhëzuesin e Prindërve në IMDB. Filmi është i vlerësuar R për përmbajtje seksuale të fortë. Atëhere ti e shmang atë.
- Telefoni yt celular të jep një qasje të lehtë, të lirë dhe anonime në çdo formë të mundshme të pornografisë. Është mënyra kryesore që Satani të tundon të mëkatosh. Kështu ti instalon një filtër për pornografinë që bllokon të gjitha faqet dhe aplikacionet pornografike.
Kujto, të tregosh kujdes për mishin do të thotë të presësh mëkatin për ta bërë të ndodhë ose për ta lejuar që të ndodhë. Kjo do të thotë që, për të mos treguar kujdes për mishin, duhet të vendosësh se çfarë i përmbush epshet e tua, ose çfarë ka gjasa të plotësojë epshet e tua, dhe pastaj ta shmangësh atë. Mënyra më e lehtë për të parë se si ta bësh këtë është të kujtosh ditët kur i kushtoje kujdes mishit. Krahaso ato ditë me mënyrën se si dëshiron të jetosh tani, dhe do të kesh planin tënd të veprimit përpara teje.
Për t’i treguar kujdes mishit, bëj këtë: | Për të mos i treguar kujdes mishit, bëj këtë: |
Shiko çdo lloj filmi, pavarësisht skenave | Shmang të gjithë filmat me skena tunduese |
Shtrihu në shtratin e dhomës së hotelit gjatë një udhëtimi pune, natën vonë dhe vetëm, dhe pa mend, vizito kanalet e TV-së për të kërkuar argëtim. | Fik televizorin. Vëre telekomandën në sirtarin pranë krevatit ku është Bibla dhe lexo atë. |
Shko në pishinën e lagjes gjatë verës. | Vizito muzeun. |
Shfleto Instagramin duke shpresuar të gjesh aksidentalisht imazhe të grave seksi. | Fshije llogarinë tënde në Instagram. |
Mbaj foto të të dashurave të mëparshme. | Fshiji fotot e të dashurave të mëparshme. |
Mbaj DVD-të e vjetra edhe pse e di që përmbajnë skena seksuale. | Hidh të gjitha DVD-të problematike në plehra. |
Rri zgjuar vonë me laptopin tënd, duke shpresuar të mos biesh në mëkat. | Instalo një program që bllokon pornografinë në laptopin tënd, në mënyrë që të mos shikosh pornografi, pavarësisht se sa i vetmuar, i lodhur ose i tunduar ndihesh. |
Vizito faqe në internet që e di që përmbajnë imazhe që të ndezin seksualisht. | Instalo program përgjegjësie që bën screenshot-e të faqeve që viziton online dhe që ia dërgon dikujt që të mban përgjegjës për mëkatin tënd. |
Mbaj gjithmonë me vete një smartphone, edhe pse të shkakton të shikosh pornografi. | Zëvendëso smartphone-in tënd me një telefon të thjeshtë që është i mirë vetëm për telefonata dhe mesazhe (pa qasje në internet). |
Hapi 3
Nxirr Syrin Tënd të Djathtë dhe Flake nga Ti
“Dëgjuat se u tha: “Nuk do të bësh kurorëshkelje”. Por unë po ju them: kushdo që sheh një grua për ta dëshiruar, bëri tashmë kurorëshkelje me të në zemrën e vet. Por nëse syri yt i djathtë të shkandullon, nxirre dhe flake nga ti: sepse të leverdis më mirë që të humbësh një prej gjymtyrëve të tua, se sa të hidhet tërë trupi yt në Gehenë. Dhe nëse dora jote e djathtë të shkandullon, prite dhe flake nga ti; sepse të levërdis më mirë që të humbësh një prej gjymtyrëve të tua, sesa të shkojë tërë trupi yt në Gehenë.” Mateu 5:27-30 (BiblaPRO)
Fitimi i betejës kundër pornografisë do të të kushtojë diçka, ndoshta shumë. Ti nuk mund të lësh pas botën e zakonit të mëkatit seksual dhe të hysh në tokën e pastërtisë seksuale pa paguar një çmim. Ky çmim ndryshon për çdo njeri. Por duhet ta paguash. Arritja e pastërtisë seksuale kërkon veprime drastike që do të të kushtojnë diçka.
Kjo është e vërteta thelbësore që Jezusi komunikon në Predikimin e Tij në Mal, kur thotë se duhet të nxjerrësh syrin tënd të djathtë dhe ta flakësh larg teje nëse të shkakton të mëkatosh. Për të kuptuar peshën e plotë të asaj që Jezusi urdhëron, analizo mësimin e Tij. Këto janë 10 mësime nga Jezusi për shmangien e mëkatit seksual.
- Kurorëshkelja fillon me sytë: Ti shikon, ti ke epsh, ti kryen kurorëshkelje, në këtë rend. Për të shmangur kurorëshkeljen, shmang shikimin e dytë.
- Mëkati seksual është një çështje epshi: Në rrënjën e saj, kurorëshkelja është lakmi. Ti dëshiron një grua tjetër përveç gruas tënde. Ti dëshiron dikë që nuk ke të drejtë ta kesh. Kjo vlen edhe për pornografinë.
- Kurorëshkelja nuk ka nevojë të përfshijë aktin: Ti kryen kurorëshkelje thjesht duke dëshiruar me sytë e tu. Po, ti e bën këtë në zemrën tënde, jo në një krevat. Jezusi thotë se, duke dëshiruar një grua me sytë e tu, ti “tashmë ke bërë kurorëshkelje.”
- Kurorëshkelja kërkon dy: Kur ti dëshiron një grua me sytë e tu, ti kryen kurorëshkelje me të. Jo me një abstraksion, jo me një imazh, por me një person.
- Duhet të identifikosh nxitësit: Ky urdhërim është në varësi të mënyrës se si ti tundohesh. Për ty, mund të jetë syri yt i djathtë. Për një njeri tjetër, mund të jetë dora e tij e djathtë. Mund të jetë smartphone-i yt. Ose laptopi yt. Ti duhet të identifikosh njerëzit, vendet dhe gjërat që të nxisin që të shikosh pornografi.
- Fitorja kërkon sakrificë: Për të shmangur mëkatin seksual, duhet të heqësh çdo gjë që është e çmuar ose e dobishme nga jeta jote (syri yt “i djathtë”) nëse të bën të mëkatosh. Nuk ka përjashtime. Nxjerrja e syrit tënd të djathtë është një sakrificë. Instalimi i një filtri për pornografinë në të gjitha pajisjet e tua është një sakrificë. Anulimi i abonimit tënd në Netflix do të lëndojë. Mbyllja e llogarive të tua sociale nuk do të jetë e lehtë.
- Fitorja kërkon që të mos kthehesh mbrapsht: Ti jo vetëm që nxjerr syrin tënd të djathtë por ti e flak atë tutje nga vetja gjithashtu. Në këtë mënyrë, ti nuk ke asnjë mundësi për ta lejuar atë burim të tundimit seksual në jetën tënde përsëri.
- Gjymtimi i vetes është i dobishëm: Fitimi i fitores mbi kurorëshkeljen, pornografinë, seksin përpara martesës dhe formave të tjera të imoralitetit seksual është i kushtueshëm por i dobishëm. Ti paguan një çmim, por është një çmim që ia vlen të paguhet.
- Pastërtia seksuale kërkon veprime drastike: Të nxjerrësh syrin tënd të djathtë është një hap drastik për të shmangur kryerjen e kurorëshkeljes me sytë e tu. Por ky është thelbi. Jezusi të urdhëron të marrësh veprime drastike për të eliminuar burimet e tundimit seksual nga jeta jote dhe për t’i shmangur ato në të ardhmen. Prit që ky veprim të jetë diçka që njerëzit do e vënë re. Prit që të të veçojë.
- Pasojat janë të përjetshme: Nëse ti, si një i krishterë, merr veprime drastike për të hequr tundimet seksuale nga jeta jote, ti ecën në jetë me vetëm një sy ose vetëm një dorë, por trashëgon mbretërinë e Perëndisë. Nëse nuk paguan çmimin e kërkuar për të arritur dhe ruajtur pastërtinë seksuale, Perëndia të hedh në ferr.
Hapi 4
Ikni Prej Kurvërisë
“Ikni prej kurvërisë! Çdo mëkatim cfarëdo që të bëjë një njeri, është jashtë trupit, por ai që kurvëron, mëkaton ndaj trupit të vet.” 1 Korintasve 6:18 (BiblaPRO)
Një gjë që duhet ta kuptosh në lidhje me lënien e pornografisë është se ti nuk e lë atë—ti ikën. Pornografia nuk është diçka që thjesht e lë pas në jetën tënde. Ti nuk mund ta lësh pornografinë ashtu si lë klasën e 12-të ose sic lë një punë. Pornografia nuk është diçka që përfundon një ditë në pasqyrën e prapme të jetës tënde, një kujtim i largët. Ti nuk e lë pornografinë, ose nuk e pushton atë. Ti ikën nga pornografia.
Pornografia është një formë e imoralitetit seksual. Dhe Bibla thotë që imoraliteti seksual është diçka nga e cila duhet të ikësh. Në këtë varg nga letra e Palit drejtuar kishës në Korint, fjala “ikni” vjen nga greqishtja pheugó. Do të thotë të shpëtosh, të largohesh me vrap. Me fjalë të tjera, shpëto nga pornografia, largoju me vrap pornografisë, ik nga pornografia. “ikni” është një folje urdhërore. Ikja është diçka që duhet ta bësh. Është një urdhërim.
Pali të thotë ty dhe mua ti ikim imoralitetit seksual për tre arsye, një prej të cilave është përmendur më herët në këtë pasazh, ndërsa dy të tjera janë nënkuptuar:
- Kur masturbohesh duke parë pornografi, mëkaton kundër trupit tënd. Ti e bashkon veten (tempullin e Frymës së Shenjtë) me një prostitutë.
- Pornografia është diçka kundër së cilës duhet të mbrohesh sot. Nuk është një ves që e pushton një herë e përgjithmonë dhe e lë pas, por një tundim që duhet ta shmangësh çdo ditë. Duhet të jesh i përgatitur për ti ikur pornografisë sot.
- Pornografia është diçka kundër së cilës duhet të veprosh fizikisht. Ti nuk mund t’i shpëtosh tundimit seksual duke qëndruar në vend. Për të shmangur pornografinë, ti duhet të largohesh me vrap, të shpëtosh, të ikësh. Kjo mund të përfshijë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe largimin fizik në disa raste. Por më shpesh, do të thotë të ndërrosh kanalet e televizorit, të fikësh televizorin, të shmangësh një film, të kalosh në anën tjetër të rrugës, të shtypësh butonin “mbrapa” në shfletuesin tënd të internetit, të mbyllësh kapakun e laptopit, të fshish një aplikacion në telefonin tënd, të largosh sytë në qendrën tregtare, ose të dalësh nga një dhomë.
Çelësi për të fituar ndaj pornografisë në jetën tënde sot është largimi, jo luftimi. Nëse sheh imazhe ose video pornografike, dëgjon biseda të papërshtatshme ose lexon mendime me përmbajtje seksuale sot, arratisu. Ik sikur jeta jote të varej prej saj, sepse ajo vërtet varet prej saj.
Hapi 5
Bëje Epshin të Vdesë
“Prandaj, bëjini të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, papastërtinë, pasionin, dëshirimin e keq dhe lakminë (e cila është idhujtari), për shkak të të cilave vjen zemërimi i Perëndisë dhe në të cilat ecët edhe ju më parë, kur jetonit në to.” Kolosianëve 3:5-7 (BiblaPRO)
Kura për pornografinë në jetën tënde është ekzekutimi. Ti e mposht pornografinë duke vrarë epshin. Ti e pushton imoralitetin seksual duke e vrarë atë. Ti i eliminon dëshirat seksuale të këqija duke i shfarosur ato. Rruga drejt pastërtisë seksuale është ndëshkimi kapital.
Kur vret diçka në jetën tënde, ti e bën atë të dobët dhe të pafuqishme. Ti e sheh atë si një kufomë, pa jetë. Ti ia heq asaj gjëje fuqinë e saj energjike. Ti i pret burimin tundimit seksual.
Në këtë pasazh nga letra e Palit drejtuar kishës në Kolose, mëkati i parë që përmend Pali është imoraliteti seksual (kurvëria). Por ai po flet për mendimin, jo për aktin. Ashtu si papastërtia, pasioni, dëshira e keqe dhe lakmia ndodhin në mendje, po ashtu ndodh edhe imoraliteti seksual. Ky është vendi ku fillon. Kurvëria gjithmonë fillon si një mendim, një dëshirë, një shtysë. E lënë pa kontroll ose e inkurajuar, ai mendim seksualisht i pamoralshëm çon në një akt të imoralitetit seksual. Akti i seksit përpara martesës fillon në mendje. Akti i incestit fillon në mendje. Akti i pedofilisë fillon në mendje. Dhe aktet e shikimit të pornografisë dhe masturbimit ndaj pornografisë gjithmonë fillojnë në mendje. Nëse dëshiron të shmangësh aktet seksualisht të pamoralshme, duhet të bësh të vdesin mendimet seksualisht të pamoralshme.
- Mënyra e parë se si të vrasësh imoralitetin seksual në jetën tënde është ta shmangësh atë. Hiq çdo libër, DVD, revistë, lojë, shfaqje televizive, faqe interneti, aplikacion telefoni dhe çdo burim tjetër të tundimit seksual nga shtëpia, zyra, makina dhe çdo vend tjetër. Kjo është fusha jote kryesore e betejës. Sa më shpejt të heqësh të gjitha burimet e tundimit seksual, aq më shpejt nuk do të tundohesh më në ato mënyra.
- Mënyra e dytë për ta bërë pornografinë të vdesë në jetën tënde është të ndryshosh mendimet. Sapo një mendim mëkatar hyn në mendjen tënde, sapo të të vijë në mendje kujtimi i një akti seksualisht të pamoralshëm, mendo për diçka tjetër. Vrite mendimin përpara se të ketë kohë të zhvillohet. Disa burra fitojnë në këtë fushë duke ndryshuar pozicionin e tyre. Nëse ata janë ulur në dhomën e ndenjes duke parë një shfaqje, kur mendimi i keq vjen pa ftesë, ata ngrihen, dalin në garazh (për shembull) dhe fillojnë të rregullojnë makinën. Një ndryshim i menjëhershëm i vendndodhjes dhe aktivitetit e bën tundimin seksual të vdesë shpejt. Kur zhvendosesh në një vend të ri, kur fillon të bësh diçka ndryshe, ti ndryshon fokusin e mendjes tënde. Ti zëvendëson mendimin e keq me një më të shëndetshëm.
- Një mënyrë e tretë dhe e provuar për të vrarë mendimet epshore është të recitosh Shkrimin e Shenjtë. Kur një mendim hyn në mendjen tënde dhe e di që do të të çojë të shikosh pornografi ose të masturbohesh, vrite atë mendim me Fjalën e Perëndisë. Recito një varg biblik nga kujtesa, një që ka të ngjarë të vrasë tundimin tokësor dhe të të bëjë të mendosh për gjëra qiellore. Ja disa vargje për të mësuar përmendësh:
- “Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?” Jobi 31:1
- “Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt” Mateu 5:29
- “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.” Filipianëve 4:13
- “Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria” 1 Thesalonikasve 4:3
Në gjë që duhet mbajtur mend rreth bërjes të vdekur të imoralitetit seksual është që duhet ta bësh vazhdimisht. Një i burgosur i ekzekutuar nga shteti nuk mëkaton më. Por mendimet, kujtimet dhe dëshirat seksualisht të pamoralshme duhet t’i bësh të vdesin deri në vdekjen tënde. Ti duhet të vrasësh epshin, të ekzekutosh pornografinë dhe të shfarosësh imoralitetin seksual sa herë që ato hyjnë në mendjen tënde. Do të inkurajohesh të mësosh se kjo bëhet më e lehtë me kalimin e kohës. Sapo ti ndalon së shikuari pornografi, kujtimet e imazheve dhe videove pornografike që ke parë në të kaluarën do të zbehen me çdo javë që kalon. Ato bëhen më të vështira për t’u kujtuar, më të vështira për t’u vizualizuar dhe më të vështira për t’u rikrijuar në mendjen tënde, dhe kështu gradualisht humbasin fuqinë për të joshur.
Hapi 6
Mos U Mashtroni
“Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! as kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as të zhburrëruar seksualisht, as ata që shkojnë me meshkuj, as vjedhës, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as grabitqarë, nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.” 1 Korintasve 6:9-10 (BiblaPRO)
Unë pashë pornografi për 30 vite si një i krishterë sepse isha i mashtruar. Unë besoja se, pavarësisht se çfarë shikoja, Perëndia do të më falte sepse isha i shpëtuar, i rilindur dhe në rrugën për në qiell. Mëkatet e mia, të kaluara, të tashme dhe të ardhshme, ishin të gjitha të falura, dhe kështu mund të kryeja imoralitet seksual e prapësëprapë do të hyja në qiell. Gjithçka që më duhej të bëja ishte të rrëfeja mëkatin tim dhe gjithçka do të ishte në rregull. Isha i mashtruar.
Isha i mashtruar sepse Bibla e mëson qartë që të pamoralshmit seksualë nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Nuk po flasim këtu për aktin e mëkatit. Ne po flasim për mëkatarin. Pali rendit një grup njerëzish që nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Mashtruesit janë në listë. Pijanecët janë në listë. Kurorëshkelësit janë në listë. Dhe të pamoralshmit seksualë janë në listë.
Pali nuk po thotë që një burrë që dehet disa herë në jetën e tij nuk do ta trashëgojë mbretërinë e Perëndisë. Sepse një burrë që dehet disa herë nuk është një pijanec. Ai nuk po mëson që nuk do të hyjë në qiell një njeri që kryen një akt seksualisht të pamoralshëm në disa raste. Sepse ai njeri nuk është seksualisht i pamoralshëm. Ai po mëson që pijanecët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë. Të pamoralshmit seksualë nuk do ta trashëgojnë mbretërinë.
Sa shpesh në javë duhet të dehesh për t’u quajtur pijanec? Nuk e di. Sa herë në javë duhet të shikosh pornografi për t’u quajtur seksualisht i pamoralshëm? Nuk dua ta zbuloj. Ajo për të cilën po flasim këtu është një klasë njeriu që mbetet në mëkatin e tij pavarësisht se rrëfen Krishtin. Ata mund ta rrëfejnë mëkatin e tyre vazhdimisht, por nuk e braktisin atë. Ajo që Pali ka në mendje është njeriu që pretendon se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Zoti i tij, por që vazhdon të dehet, javë pas jave. Ose njeriu që pretendon të jetë ndjekës i Jezusit, por qëndron në një marrëdhënie kurorëshkelëse muaj pas muaji. Ose njeriu që pretendon të jetë i shpëtuar, por vazhdon të masturbohet ndaj pornografisë për 30 vite. Të gjithë këta janë të mashtruar.
Thelbi këtu është se pavarësisht se çfarë ti deklaron, pavarësisht se sa i shpëtuar beson se je, dhe pavarësisht se sa herë rrëfen mëkatet e tua, ka qartësisht një kohë ku mund të quhesh një pijanec, një kurorëshkelës ose një njeri seksualisht i pamoralshëm nëse dështon të braktisësh mëkatin tënd. Këta njerëz—pijaneci, kurorëshkelësi dhe njeriu seksualisht i pamoralshëm—mund të mendojnë se janë të krishterë sa të duan, por ata nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Nëse ata mendojnë se do ta trashëgojnë, ata janë të mashtruar. Dhe kjo është arsyeja pse Pali i paralajmëron ata. Kjo është arsyeja pse Pali të paralajmëron ty dhe mua sot. Sepse është e mundur ta rrëfesh Krishtin, të jesh pagëzuar, të shkosh në kishë, të mendosh se je i shpëtuar dhe megjithatë të hidhesh në ferr kur të vdesësh.
Ky mashtrim është një nga arsyet kryesore pse kemi një problem kaq të madh me pornografinë në kishë sot. Njerëz që pretendojnë të jenë të krishterë shikojnë pornografi në mënyrë të përsëritur, si zakon dhe në mënyrë kompulsive, dhe prapësëprapë mendojnë se do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. Me fjalë të tjera, ata angazhohen në zakone mëkatare që i bën seksualisht të pamoralshëm, por prapësëprapë besojnë se do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.
Ky pasazh të mëson disa mënyra për të dalluar trashëgimtarët e mbretërisë së Perëndisë: Ata janë të larë, dhe nuk kryejnë kurorëshkelje. Ata janë të shenjtëruar, dhe nuk praktikojnë homoseksualitetin. Ata janë të drejtësuar në emrin e Zotit Jezus dhe nga Fryma e Perëndisë sonë, dhe ata nuk shikojnë pornografi. Nëse je një i krishterë që rrëfen besimin dhe je në robëri ndaj pornografisë, ky mund të jetë problemi yt—ti je i mashtruar. Ti beson se mund të jesh seksualisht i pamoralshëm dhe të trashëgosh mbretërinë e Perëndisë. Nuk mundesh. Kjo është e pamundur. Mos beso askënd që të thotë ndryshe.