Çarls Spërxhën (Charles Spurgeon), Princi i njohur i Predikuesve në Londrën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, e kuptoi më shumë se shumica nevojën e tij të vazhdueshme për fuqi shpirtërore teksa ngjitej në foltore për të predikuar. Baptisti Viktorian ishte plotësisht i bindur që veçmas fuqizimit prej Frymës së Shenjtë, fjalët e tij nuk do të kishin asnjë ndikim te dëgjuesit. Ai e dinte që të hyje në foltore pa fuqinë e Frymës do të thoshte të nisje një detyrë që nuk mund të kishte sukses.
Kur Spërxhën e lëvizi bashkësinë e tij te Tabernakulli Metropolitan në vitin 1861, ajo ishte shtëpia më e madhe protestante e adhurimit në botë që mbante mbi 6,500 besimtarë. Kur shërbesa e së Dielës fillonte në mëngjes, Spërxhën qëndronte në platformën e ulët për të drejtuar bashkësinë në adhurim dhe lutje. Kur arrinte koha për të predikuar, Spërxhën ngjiste disa shkallë për të arritur te platforma e ngritur. Nga ky parvaz i lartë, zëri i tij i fortë do të dëgjohej qartë nga dëgjuesit e tij të shumtë.
Një shkallë spirale e dyfishtë çonte nga kati përdhes te platforma e lartë, ku çdo shkallë ishte 15 hapa. Ndërsa Spërxhën ngjitej në foltore, ai ndjente mbi shpatullat e tij peshën e rëndë të përgjegjësisë që kishte ndaj Perëndisë. Ai e dinte që çdo fjalë e tij do të shkruhej nga një stenograf dhe do të printohej. Një transkript do të vendosej në tavolinën e tij ditën tjetër për redaktim dhe do të shitej me mijëra kopje në rrugët e Londrës. Pako të mëdha të predikimeve do të dërgoheshin në të gjithë Anglinë, dhe kopjet bliheshin nga baballarët që i lexonin në devocionet familjare. Këto predikime nga Spërxhën do të transmetoheshin me telegraf përtej oqeanit për publikim për një audiencë më të gjërë.
“Unë besoj në Frymën e Shenjtë”
Duke kuptuar ndikimin e gjërë të këtij predikimi, Spërxhën ripohonte besimin e tij të plotë në Perëndinë ndërsa ngjitej në foltore. Ndërsa pesha e rëndë e trupit të tij ngjiste çdo shkallë, ai në heshtje i përsëriste vetes këtë rrëfim besimi: “Unë besoj në Frymën e Shenjtë, Unë besoj në Frymën e Shenjtë, Unë besoj në Frymën e Shenjtë.” Pesëmbëdhjetë herë ai përforconte këtë mbështetje personale mbi personin dhe fuqinë e Frymës. Spërxhen e dinte mirë që veçmas kësaj force të dhënë nga Perëndia, predikimi nuk do të kishte efekt te dëgjuesit e tij.
Në një argument nga më e madhja te më e vogla, Nëse Spërxhën, që ishte predikuesi më i talentuar që prej apostullit Pal, ndërsa hidhte hapat drejt foltores ishte krejtësisht i varur te fuqia e Frymës së Shenjtë, sa më shumë duhet të jetë çdokush tjetër që predikon të jetë i varur te aftësimi hyjnor i Perëndisë. Asnjë njeri nuk mund të predikojë Fjalën në mënyrë efektive në forcën e vet dhe të presë të shoh rezultate shpirtërore. Çdo predikues i Shkrimit duhet të fuqizohet në mënyrë të mbinatyrshme për të shpjeguar Shkrimin, sepse puna e tij, më së shumti, do të jetë më kot. Ky është një mësim i nevojshëm që çdo predikues duhet ta mësojë.
E thënë thjesht, të gjithë predikuesit janë të fundëm, dhe ne duhet të mbështetemi te fuqia e pafundme e Perëndisë në shërbesat tona të foltores. Njerëzit me fuqi të kufizuar duhet të pushojnë në fuqinë e pafundme të Jezu Krishtit. Nëse predikimi biblik do të triumfojë në zemrat e burrave dhe grave, ai duhet të jetë gjithmonë në demonstrimin e fuqisë së Frymës.
“Predikimi i Vërtetë është Perëndia duke Vepruar”
Duke kuptuar këtë nevojë, Martyn Lloyd-Jones në një mënyrë të përmbledhur tha, “Nëse nuk ka fuqi, nuk ka predikim.” Kjo do të thotë që predikimi pa fuqi është një oksimoron. Veçmas fuqizimit të Frymës, çdo predikues thjesht po bën një prezantim materiali publik. Lloyd-Jones shpjegoi, “Në fund të fundit, predikimi i vërtetë është Perëndia duke vepruar. Nuk është thjesht një njeri që po pëshpërit disa fjalë; është Perëndia që po e përdor atë. Ai po përdoret nga Perëndia. Ai është nën ndikimin e Frymës së Shenjtë.” Me fjalë të tjera, predikimi i vërtetë përfshin Perëndinë që është duke vepruar fuqishëm në predikimin e predikuesit. Predikimi i vërtetë është Fryma që derdh fuqinë e Tij te burri që po qëndron në foltore. Rrjedhimisht, nëse nuk ka fuqi nga Perëndia, nuk ka predikim të vërtetë.
Veç kësaj, Lloyd-Jones pohoi, “Është Fryma e Shenjtë që bie mbi predikuesin në një mënyrë të veçantë. Është një hyrje fuqie. Është fuqi e dhënë nga Perëndia, dhe fuqi aftësuese, përmes Frymës, ndaj predikuesit që ai ta bëjë këtë punë në një mënyrë që e ngre lart atë përtej përpjekjeve të njeriut në një pozicion në të cilin predikuesi është duke u përdorur prej Frymës dhe bëhet kanali përmes të cilit Fryma punon.” Kjo do të thotë që nëse nuk ka fuqi nga Perëndia, njeriu në foltore është thjesht duke folur. Nëse nuk ka fuqi shpirtërore, ai thjesht po reciton shënimet e tij. Nëse nuk ka fuqi hyjnore, ai thjesht po përsërit çfarë ka studiuar. Nëse nuk ka fuqi, fjalët e tij arrijnë vetëm në sipërfaqen e veshëve të dëgjuesve. Kjo është gjendja e trishtë e të përpjekurit për të predikuar pa fuqi mbinatyrore. E thënë shkurt e shqip, nëse shërbesa e tij do të ketë sukses, Perëndia duhet të derdhë Fuqinë e Tij te predikuesi.
Premtimi i Fuqisë Shpirtërore
Përgjatë faqeve të Shkrimit, bëhet e qartë që ajo çfarë Spërxhën rrëfente dhe Martyn Lloyd-Jones ripohonte është e vërtetë. Fryma e Shenjtë duhet të fuqizojë atë që shpall Fjalën e Tij. Profetët e vjetër e kuptuan këtë. Isaia tha, “Fryma e Zotit, Zoti është mbi mua, sepse Zoti më ka vajosur për t’u dhënë një lajm të mirë të përulurve; më ka dërguar të lidh plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer, të shpall çlirimin e atyre që janë në robëri, hapjen e burgut të burgosurve.” (Isaia 61:1). Ky premtim i fuqisë së Frymës fillimisht u krye te Isaia për ofiqin e tij profetik dhe përfundimisht ishte e vërtetë për Mesian, Jezu Krishttin (Luka 4:17-21). Po kështu, Ezekieli dëgjoi Perëndinë t’i thoshte, “Dhe më tha: “O bir njeriu, çohu më këmbë dhe unë do të të flas”. Ndërsa ai më fliste, Fryma hyri tek unë dhe më bëri të çohem më këmbë, dhe unë dëgjova atë që më fliste.” (Ezekieli 2:1-2). Ezekieli u fuqizua të profetizonte nga vepra fuqizuese e Frymës.
Në një rast tjetër, një engjëll i’u shfaq Zorobabelit dhe i tha këto fjalë, “Jo për fuqinë dhe as për forcën, po për Frymën time” (Zakaria 4:6). Duke njoftuar këtë, ky engjëll po deklaronte të vërtetën e panegociueshme që asnjë njeri nuk mund ta bëjë punën e Perëndisë në vetë fuqinë e Tij njerëzore. Vepra e Perëndisë duhet të bëhet në fuqinë e Perëndisë nëse do të ketë suksesin e Perëndisë. Vetëm fuqia e Frymës së Shenjtë mund t’i mundësojë shërbëtorët e Tij të përmbushin detyrat e tyre të shërbesës në mënyrë efektive. Predikimi nuk bën përjashtim nga ky rregull i pathyeshëm.
“Fryma e Zotit duke Zbritur”
Kjo ishte mëse e vërtetë në shërbesën tokësore të Zotit Jezu Krisht. Kur Ai hyri në fazën publike të jetës së Tij, Jezusi qëndroi në lumin Jordan që të pagëzohej prej Gjon Pagëzorit. Ky ishte momenti që “qiejt u hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë të zbresë si një pëllumb e të vijë mbi të.” (Mateu 3:16). Kjo ishte Fryma që vajoste Jezusin me fuqi për të predikuar ungjillin dhe të bënte shërbesën e Tij publike.
Që nga ky moment, “Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!” (Mateu 4:17). Më pas, “Jezusi shkonte kudo nëpër gjithë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë” (Mateu 4:23). Ai më pas predikoi predikimin më të madh që është predikuar ndonjëherë, Predikimi në Mal (Mateu 5-7). Përgjatë pjesës së mbetur të ditëve të Tij mbi tokë, Jezusi vazhdoi të predikonte të vërtetat e mbretërisë së Perëndisë. Ishte me anë të Frymës së Shenjtë, që fuqizoi natyrën e Tij njerëzore të pamëkat, që Jezusi predikoi kaq në mënyrë dinamike. Madje dhe vetë Jezu Krishti kishte nevojë të vajosej nga Fryma për të predikuar.
“I Veshur me Pushtet nga Lart”
Në fund të jetës së Tij në tokë, Jezusi porositi dishepujt e Tij që të predikonin ungjillin në të gjithë botën: “dhe u tha atyre: ”Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë, dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt” (Luka 24:46). Kjo detyrë globale do të ishte e pamundur në vetë aftësitë e tyrë të kufizuara, veçanërisht për shkak të natyrës armiqësore të botës mosbesuese vetëm javë pasi ata kishin kryqëzuar Jezusin. Si mundej që ky mision botëror i predikimit të pendesës dhe faljes së mëkateve të kishte sukses?
Jezusi na jep përgjigjen kur shpjegon, “Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart”. ” (vargu 48). Me anë të këtyre fjalëve, Jezusi deklaroi që do të dërgonte fuqinë e Frymës që Ati kishte premtuar. Ky aftësim hyjnor do të ishte absolutisht i nevojshëm nëse ata do të arrinin botën me ungjillin. Jezusi premtoi që pas ngjitjes së Tij në qiell, do të dërgonte fuqinë e Frymës së Shenjtë tek dishepujt e Tij. Nga kjo derdhje, shërbëtorët e Tij do të vishen në mënyrë të mbinatyrshme me fuqi për të shpallur lajmin e mirë të shpëtimit te kombet mosbesuese. Një detyrë e tillë e frikshme do të kërkonte fuqi dinamike.
“Ju do të merrni Fuqi”
Në të njëjtën porosi, Jezusi e urdhëroi grupin e vogël të predikuesve të Tij, “Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8). Me anë të këtyre fjalëve autoritative, Jezusi premtoi përsëri fuqinë e Frymës për dishepujt e Tij. Ata me patjetër do të kishin nevojë për këtë fuqizim shpirtëror nëse do të flisnin të vërtetën e Tij me ndikim të madh. Përmbushja e këtyre fjalëve filloi në ditën e Pentakostit, ku apostulli Pjetër u mbush me Frymën e Shenjtë (Veprat 2:4) dhe predikoi një predikim që fitoi 3,000 shpirtra për Jezu Krishtin (v. 14-41). Përtej aftësive të tij dhe si asnjëherë më parë, Pjetri u bë i guximshëm nga Fryma e Shenjtë për të predikuar ungjillin.
Fuqia dinamike me të cilën predikoi Pjetri pati ndikim te mijëra veta që e dëgjuan atë ditë. Forca e madhe e shpalljes së tij për të vërtetën depërtoi përmes fortësisë së zemrës së tyre. Sa ndryshe ishte ai tani krahasur me mohimin që i bëri Zotit pak kohë më parë (Gjoni 18:15-18, 25-27). Ndërsa Pjetri predikoi në ditën e Pentakostit, gjithçka ishte ndryshe tani. Rikujtimi i tij i Shkrimit ishte tepër e shpejtë. Citimi i tij i Fjalës theri thellë në zemrat e atyre që ishin rezistent. Fuqia e argumentit të tij, që Jezusi ishte Mesia i shumëpritur, pushtoi zemrat e tyre krenare. Ai lajmëroi që përmbushja e premtimit të Dhiatës së Vjetër kishte ardhur.
Përgjatë librit të Veprave, predikimi i apostujve dhe të tjerëve qëndroi primar. Një varg nga çdo katër vargje te Veprat ose është një përmbledhje e një predikimi ose është një dëshmi e drejtpërdrejtë që ata dhanë dhe që kishte forcën e një predikimi. Fryma i pajisi këta dishepuj me fuqi për të predikuar personin hyjnor dhe veprën shpëtuese të Jezu Krishtit. Megjithëse titulli i librit është “Veprat e Apostujve,” libri mund të përshkruhet më mirë si “Predikimi i Apostujve,” i kryer në fuqinë e Frymës së Shenjtë.
Te Veprat, sa herë që deklarohet që dishepujt ishin të mbushur me Frymën e Shenjtë, ata menjëherë flisnin me guxim Ungjillin (Veprat 4:8,31; 6:3,5; 7:55; 8:17; 9:17; 11:15; 13:9,52). Rezultati i pashmangshëm i të qënit nën kontrollin e Frymës ishte shpallja e hapur e Fjalës. Sa herë që Fryma i mbërthente, gojët e tyre hapeshin për të deklaruar mesazhin e shpëtimit. Kjo marrëdhënie shkak-pasojë është e sigurt që të ndodhë. Sa herë që ata mbusheshin me Frymën e Shenjtë, ata merrnin fuqi për të dëshmuar për Jezu Krishtin. Kjo është lidhja e pandarë midis Frymës së Shenjtë dhe fuqisë shpirtërore që i jepet predikuesve të Tij. Perëndia jep me bollëk hirin aftësues që predikuesit kanë nevojë për të shpallur Fjalën.
Nevoja për Fuqi Shpirtërore
Pse kjo fuqi shpirtërore është kaq shumë e nevojshme në shërbesën e predikuesit? A nuk është fuqia e vetë Shkrimit e mjaftueshme për të kryer detyrën e predikimit? A nuk ka ardhur Fryma Sovrane në botë për të bindur, thirrur, dhe rilindur shpirtrat e humbur të të zgjedhurve? Çfarë mund të nevojitet më shumë?
Që të mos biem në humnerën e thellë të fatalizmit, le të mbajmë mend që Perëndia jo vetëm ka caktuar fundin e të gjitha gjërave, por gjithashtu ka caktuar edhe mjetet me anë të cilave këto funde do të realizohen. E vërteta është që Perëndia ka zgjedhur të punojë kryesisht përmes instrumenteve njerëzore. Ndër këto mjete të ndryshme, Perëndisë i pëlqen të punojë përmes lajmëtarëve të dobët që e njohin pafuqishmërinë e tyre për të predikuar Fjalën. Ata që mbështeten tek Perëndia, Ai i fuqizon të predikojnë Fjalën e Tij. Perëndia ka caktuar të përmbushë vullnetin e Tij sovran duke përdorur enë të dobëta, që janë të fuqizuara hyjnërisht për të shpallur të vërtetën. Nëpërmjet këtyre mjeteve, Ai merr të gjithë lavdinë.
Në Dhomën e Sipërme, Jezusi mbajti po këtë të vërtetë me dishepujt e Tij. Ai i udhëzoi, “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.” (Gjoni 14:12). Me anë të kësaj, Jezusi nuk donte të thoshte që këta burra do të kryenin vepra më të mëdhaja në cilësi sesa kreu Ai gjatë shërbesës së Tij tokësore. Ata që e dëgjuan Jezusin me të drejtë dolën në përfundimin që asnjë njeri nuk ka folur kurrë si Jezusi (Gjoni 7:46). Ata do të kryenin vepra më të mëdha në shtrirje. Kjo do të thotë që ata do ta predikonin ungjillin në shumë më tepër vende dhe me rezultate shumë më të mëdhaja. Siç edhe e kemi thënë, kjo u pa në ditën e Pentakostit kur Pjetri predikoi dhe 3,000 shpirtra u shpëtuan. Jezusi nuk predikoi asnjëherë një predikim me rezultate të tilla. Nën predikimin e tyre, mijëra më shumë do të ktheheshin në besim.
Kishte mjete specifike me anë të të cilave Perëndia zgjodhi të kryejë këto vepra më të mëdha përmes tyre. Mjetet e para të hirit ishin përmes lutjeve të tyre (Gjoni 14:13-14), dhe e dyta ishte përmes bindjes së tyrë për të dashur njëri-tjetrin (Gjoni 14:15). Mjetet e treta të hirit ishin përmes shërbesës së Frymës së Shenjtë. Jezusi tha, “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju. ” (Gjoni 14:16-17). Fryma do të ishte Ngushëlluesi i tyre, që do t’i aftësonte të kryenin shërbesën e predikimit që u ishte besuar.
“Ju nuk mund të bëni asgjë”
Fuqia e Frymës së Shenjtë do të ishte kaq shumë e nevojshme saqë pa të, nuk do të kryenin asgjë me ndonjë rezultat të vazhdueshëm dhe të përjetshëm. Jezusi tha, “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.” (Gjoni 15:5). Veçmas mjaftueshmërisë së Tij që rridhte në jetët e tyre nga banimi i Frymës, ata nuk do të kryenin asnjë vepër të suksesshme të vërtetë shpirtërore. Vetëm nga fuqia e gjithëmjaftueshme që siguron Fryma ata mund të bëjnë ndonjë gjë në jetët e të tjerëve.
Në masë të madhe, fryti i premtuar që do të kenë do të vijë nga shërbesa e tyre e predikimit. Në të njëjtën bisedë të Dhomës së Sipërme, Jezusi shpjegoi, “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm” (Gjoni 15:16). Kjo është të thuash që në shërbesat e tyre do të ketë një të korrë njerëzish që do të fitohen për Krishtin nga predikimi i tyre i ungjillit. Me fjalë të tjera, Jezusi i zgjodhi në mënyrë që ata do të kishin fryt që do të qëndrojë nëpër përjetësi. Kjo u krye kryesisht përmes predikimit të tyre të fuqizuar nga Fryma.
Natyra e Fuqisë Shpirtërore
Specifikisht, çfarë bën Fryma e Shenjtë te predikuesi ndërsa ai kryën detyrën e tij të shenjtë në foltore? Dua që të shohim disa nga aspektet e ndryshme të veprës fuqizuese të Frymës tek ai qe shpall Fjalën e Perëndisë. Kjo listë nuk është gjithëpërfshirëse, por vetëm një përfaqësim i vogël i asaj që bën Fryma te predikuesi që Ai e vesh me fuqi.
Kuptushmëri e rritur në Shkrim
Kur predikuesi është i mbushur me Frymën ai aftësohet të shohë pasazhin biblik me kuptueshmëri dhe me një qartësi mendimi të pazakontë. Ai është i fuqizuar hyjnërisht të rrokë të vërtetën që po predikon me një fokus më të madh dhe të kuptuar gjithëpërfshirës. Nën ndikimin e Frymës, e vërteta e pasazhit bëhet shumë më e qartë në mendjen e tij. Fryma e Shenjtë e sjell të vërtetën më qartë në vështrimin e tij. Rrokja e pasazhit biblik nga predikuesi është rritur në mënyrë domethënëse. Në kohën e predikimit, ai aftësohet të shohë me një vështrim edhe më depërtues të vërtetën që po shpjegon.
Ky është realizimi për të cilën u lut psalmisti, “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd.” (Psalmi 119:18). Psalmisti e dinte që Perëndia duhet t’i japë një aftësi më të madhe për të kuptuar të vërtetat e ndodhura në Fjalën e shkruar. Ai është duke kërkuar për të kuptuar shpirtëror që tejkalon aftësitë e tij natyrore të të parit. Ai është duke kërkuar për hapje të syve ndërsa studion dhe qëndron për të predikuar. Kjo është një lutje që Perëndia kënaqet t’i përgjigjet.
Përseri, psalmisti kërkon, “Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua” (Psalmi 119:27). Përmbushja e kësaj kërkese është ajo që çdo ekspozues i Fjalës duhet të kërkojë në lutje. Ne duhet të jemi burra të mësuar nga Perëndia përpara se të mësojmë të tjerët. Përsëri, psalmisti i kërkon Perëndisë, “Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu” (Psalmi 119:33 kr. 12). Kjo është një lutje për një rritje të të kuptuarit e së vërtetës që vetëm Perëndia mund ta japë. Kjo sigurisht që nuk heq përgjegjësinë e predikuesit për të studiur Shkrimin. Por nënvizon realitetin që vetëm Autori i Shkrimit të Shenjtë, Fryma e Shenjtë, duhet të jetë mësuesi jonë kryesor.
Lloyd-Jones bie dakord kur thotë, “Ti do të shikosh që Fryma që të ka ndihmuar në përgatitjen tënde tani mund të të ndihmojë, teksa flet, në një mënyrë tërësisht të re, dhe të të hapë gjërat që ti nuk i pe kur po përgatisje predikimin.” Kjo do të thotë që e vërteta nuk duket asnjëherë kaq e dukshme sa kur predikuesi, i mbushur me Frymën e Shenjtë, është duke qëndruar në foltore. Sytë e tij shpirtërore ndriçohen, me një intesitet gjithnjë e më të madh të dritës hyjnore duke shndritur mbi Biblën e tij të hapur. Ndërsa ai qëndron të predikojë, ai e sheh të vërtetën me mprehtësi të rritur. Ky ndiriçim i dhënë nga Perëndia mund t’i atribuohet vetëm Frymës së Shenjtë, që i jep atij shikim depërtues në të vërtetën. Ky është rezultati i drejtpërdrejtë i dritës së rritur që Fryma po ndriçon mbi atë pasazh.
Rikujtim i Menjëhershëm i Shkrimit
Për më tepër, Fryma e Shenjtë i jep predikuesit një aftësi përshpejtuese për të kujtuar atë që ka studiuar më herët. Fryma i sjell në mendje çfarë ka lexuar gjatë përgatitjes së mesazhit dhe çfarë ka shkruar në shënimet e tij. Ndërsa ai qëndron në foltore, mendja e tij është e nxitur në mënyrë të pazakontë për të rikujtuar atë që ka zbuluar në studimin e tij dhe që kishte për qëllim të jepte në këtë predikim. Fryma nuk do të na aftësojë të kujtojmë çfarë nuk e kemi studiuar më parë. Ky rikujtim i menjëhershëm nuk është një përvojë mistike ekzistenciale. Fryma do na sjellë në vëmëndje atë që ne kemi studiuar tashmë. Nëse nuk e kemi mësuar, Fryma e Shenjtë nuk mund të na rikujtojë për atë që nuk e dimë. Kjo shërbesë e Frymës nuk është zëvendësim për studimin e zellshëm të Fjalës. Por Ai dëshiron shumë që të na sjellë në mendje atë që kemi mësuar më parë në mendje.
Ky është realiteti që Jezusi u premtoi dishepujve të Tij, “Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve. Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni; sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju. ” (Mateu 10:18-20). Kjo është shërbesa e Frymës së Shenjtë në predikuesit e Tij, duke i aftësuar të kujtojnë atë që u është mësuar.
Në këtë mënyrë, Fryma gjithashtu sjell në kujtesën e predikuesit çfarë ai ka mësuar gjatë një jete studimi. Të vërtetat e studiuara shumë kohë më parë papritur sillen në mendjen e tij. Fryma do sjellë në mendje çfarë ështe studiuar shumë muaj më parë. Ai madje do na aftësojë të rikujtojmë se çfarë kemi lexuar, dëgjuar dhe mësuar në vitet e kaluara, madje dekada më parë. Është një gjë e mrekullueshme sesi Fryma e Shenjtë rifreskon kujtesën e predikuesit për të risjellë të vërtetat që janë mësuar shumë kohë më parë.
Duke vepruar kështu, Fryma e Shenjtë i jep predikuesit një aftësi për të rikujtuar dhe përsëritur pasazhe specifike të Shkrimit. Këto pasazhe vijnë në mendje dhe përforcojnë atë që ai po thotë. Në atë moment, Fryma do të rifusë në të menduarin e predikuesit një pasazh biblik që themelon pikën që po thotë. Mund të jetë një pasazh i veçantë biblik që nuk është lexuar ose studiuar për goxha kohë. Por saktësisht në atë çast, pasazhi mbështetës i Shkrimit vjen në mendjen e predikuesit dhe del menjëherë prej gojës së tij.
Në vetë predikimet e mia, në mes të predikimit kam përjetuar këtë risjellje të papritur të Shkrimit në mendje. Një citim biblik që nuk ishte përfshirë në shënimet e predikimit sillet papritur në mendjen time, dhe unë aftësohem ta citoj atë me përpikmëri të jashtëzakonshme. Ky referim te Shkrimi tejkalon shumë më tepër aftësinë normale të rikujtimit të një pasazhi. Ndërsa qëndroj në foltore, një pasazh i Shkrimit vjen në mënyrë të menjëhershme në mendjen time dhe në moment, del nga goja ime. Në mënyrë të pashmangshme është një varg që thekson më shumë të vërtetën që po them. Me thënë të drejtën, është një varg që e tregon thelbin më mirë se ajo që është në shënimet e mia. Vetëm Perëndia në veprim brenda meje mund ta bëjë këtë.
Bindje të Thelluara në të Vërtetën
Më tej, Fryma e Shenjtë gjithashtu thellon bindjet e predikuesit në të vërtetën. Kur bëhet i guximshëm përmes Frymës, ai asnjëherë nuk e beson Shkrimin më thellë dhe mbahet më fort pas tij, sesa kur qëndron në foltore. Siguria e tij për të vërtetën shtohet shumë. Mbështetja e tij për doktrinën e shëndoshë fortësohet. Siguria e tij për besueshmërinë e Shkrimit sa vjen dhe bëhet më e fortë. Në këtë moment, ai mbahet pas parimeve të besimit duke u kapur edhe më fort. Ndërsa qëndron përpara një Bible të hapur, Fryma e bën më të vendosur se kurrë. Një predikues i tillë zakonisht mund të jetë introvert ose fjalëpakë. Por në foltore, ai bëhet i guximshëm si një luan që gjëmon të vërtetën. Zakonisht i butë në të folur, ai papritur bëhet një folës me një konfidencë të patundur.
Jashtë foltores, ky burrë mund të jetë deri diku hezitues që të flasë. Ai madje mund të jetë edhe pak i mbyllur dhe i turpshëm. Por ndërsa predikon, ai është gati të ballafaqojë botën me të vërtetën. Ndërsa jep predikimin, nuk ka asnjë kockë hezituese në trupin e tij. Ai është bërë i guximshëm dhe është gati të mësyjë portat e ferrit. Për nga temperamenti ai mund të jetë i ndruajtur, por tani ai është një luftëtar i frontit të parë dhe një forcë për Perëndinë. Introverti është bërë ekstrovert. Personaliteti i tërhequr është bërë i patrembur dhe guximtar. Ai nuk mban asgjë. Ai është çliruar nga çdo frikë e njeriut. Nga fuqizimi i Frymës ai qëndron me guxim si një këmbëngulës, madje edhe predikues dogmatik për Zotin.
Padyshim që ky ishte rasti i Stefanit ndërsa qëndronte përpara Sinedrit. Ai ishte “i mbushur me Frymën” dhe, kështu, “plot hir dhe fuqi” (Veprat 6:3,5,8). Ndërsa ai fliste me udhëheqësit fetare të pashpëtuar, ai u bë zemërluan me një thellësi bindjeje që e bëri të guximshëm edhe kur ishte përballë vetë martirizmit të tij. Jo vetëm që ai kishte një rikujtim të jashtëzakonshëm të Shkrimit (Veprat 7:2-53), por u bë nga Perëndia që të ishte i palëkundur për të vërtetën ndërsa ata e kundërshtonin me egërsi. Ai ishte “i mbushur me Frymën” (Veprat 7:55) dhe qëndroi i patundur në qëndrimin e tij për Zotin Jezu Krisht. Ky është një fuqizim që mund të vijë vetëm nga Perëndia me anë të Frymës së Tij.
Kjo është pikërisht sesi predikoi apostulli Pal. Kur ai mbërriti në Thesalonik në udhëtimin e dytë misionar, ai shpjegoi, “sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje” (1 Thesalonikasit 1:5). E vërtetë, kishte ardhur në fjalë. Por gjithashtu erdhi në fuqinë e Frymës së Shenjtë që e shfaqi veten me një siguri të thellë që ungjilli do të ndryshonte jetët njerëzore. Kjo ishte konfidenca e madhe që Fryma e Shenjtë i kishte dhënë apostullit ndërsa predikonte në Thesalonik dhe kudo.
Me anë të kësaj konfidence të dhënë nga Fryma, predikuesi bëhet i patundshëm në bindjet e tij, më shumë sesa mund të jetë ndryshe. Gjithçka duket kaq e sigurt. Kryqi shihet edhe më shumë i nevojshëm. Qielli duket edhe më shumë i dëshirueshëm. Ferri duket edhe më shumë i tmerrshëm. Çdo e vërtetë biblike edhe më shumë e besueshme. Ai nuk mundet ta mbajë dot brenda shpalljen e tij. Këto të vërteta të predikuara vijnë prej thellësisë së shpirtit të tij. Ai asnjëherë nuk beson më fort se kur qëndron të predikojë. Madje edhe një burrë me sjellje të butë e shpreh çfarë beson pa asnjë hezitim.
Një Dashuri e Zgjeruar për Njerëzit
Në të njëjtën kohë, predikuesi i fuqizuar nga Fryma i jepet një dashuri e rritur ndaj atyre që u flet. Ndërsa ngjitet në foltore, zemra e tij zmadhohet më shumë se në çdo kohë tjetër. Atij i jepet një dashuri më e thellë për njerëzit. Ai ndjen një pasion të rritur për të mirën e tyre shpirtërore. E gjithë dashuria e vërtetë është e prodhuar nga Fryma e Shenjtë. “Fryti i Frymës është dashuria” (Galatasit 5:22). Pa këtë dashuri, i gjithë predikimi është kot. Pali shkruan, “Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon. ” (1 Korintasve 13:1). Fryma e Shenjtë duhet të japë një shqetësim të tillë të vërtetë për ata të cilëve predikuesi u flet nëse predikimi do të ketë sukses në zemrat e tyre.
Nën ndikimin shenjtërues të Frymës, predikuesi ndjen një thellësi të re të dashurisë ndaj njerëzve që u predikon. Ai papritur mbërthehet me një dëshirë pushtuese për rritjen e tyre shpirtërore. Ndoshta zakonisht ai mund të jetë stoik dhe i përmbajtur, por tani ky burrë rënkon brenda vetes së tij për të mirën shpirtërore të atyre që u predikon. Ai shikon që është më i ndjeshëm ndaj nevojave të tyre. Ai është me të vërtetë i shqetësuar që Krishti të formohet brenda tyre (Galatasit 4:19). Një valë e re dhembshurie mbush shpirtin e tij për rritjen e tyre shpirtërore.
Në foltore, predikuesi i fuqizuar nga Fryma nuk mund të abuzojë me këtë mundësi për përfitim vetjak. Nën fuqinë e Frymës, ai vdes ndaj vetes. Ai nuk mund t’i manipulojë njerëzit për përfitimin e tij. Në vend të kësaj, ai duhet të sakrifikojë veten për të mirën e dëgjuesve të tij. Ai e nënshtron veten e tij përsëri ndaj qëllimit më të lartë të Zotit Jezu Krisht në jetët e tyre. Fryma e bën që të braktisë ambicien e qëndërzuar te vetja dhe mendimet e lajkatimit të vetes. Ai beson që Perëndia për të cilin predikon do u bëjë mirë atyre që u predikon Fjalën. Ai nuk mund të pushojë derisa ata të cilëve u predikon të pushojnë në Perëndinë.
Bindje e Zgjeruar me Njerëzit
Predikuesi i mbushur me Frymën është një predikues bindës ndërsa shpall Fjalën e Perëndisë. Ai nuk është asnjëherë i kënaqur që thjesht t’i lejojë dëgjuesit e tij të kenë një qëndrim ‘merre ose lëre’ me të vërtetën. Ai kupton që paraqitja e së vërtetës nuk është një qëllim në vetvete. Ai e di që predikimi që predikon është vetëm një mjet për te një qëllim më të madh. Dëgjuesit e tij jo vetëm që duhet ta mësojnë të vërtetën, por edhe ta jetojnë atë. Predikuesi i drejtuar nga Fryma e di që qëllimi nuk është thjesht informacioni, por transformimi. Me këtë në mendje, predikuesi i fuqizuar hyjnërisht përpiqet papushim t’i fitojë njerëzit për Jezu Krishtin.
Apostulli Pal ishte i mbushur me Frymën. Për këtë arsye, ai ishte një predikues bindës. Ai shkruan, “Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit ” (2 Korintasve 5:11). Kjo fjalë “bind” (peitho) do të thotë, “të bindësh, të nxitësh me fjalë dikë që të besojë, të kërkosh të fitosh dikë, të lëvizësh dikë për të bërë diçka.” Nën ndikimin e Frymës, ky ishte qëllimi i predikimit të Palit. Ai ishte këmbëngulës për të kapur zemrat dhe jetët e atyre që u predikonte. Fryma e Shenjtë bindte atë që ai të bindte të tjerët. Gjithmonë është kështu për predikuesin.
Kur Pali erdhi në Korinth, ai “bindte Judenj dhe Grekë.” (Veprat 18:4). Ai jo thjesht i mësonte. Më shumë se sa kaq. Ai mundohej që ti lëvizte që të besonin në Krishtin. Ata që e dëgjuan Palin kur predikonte e akuzuan, “Ky ua mbush mendjen njerëzve t’i shërbejnë Perëndisë.” (Veprat 18:13). Madje edhe kundërshtarët e tij e kuptuan sa bindës ishte me njerëzit. Në Azi, kundërshtarët e Palit thanë, “Ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish” (Veprat 19:26). Agripa i rrëfeu Palit, “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë.” (Veprat 26:28). Kur ishte në arrest shtëpie në Romë, Pali vizitohej nga shumë njerëz dhe ai u fliste atyre. Është thënë që ai “shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë” (Veprat 28:23). Kudo ku Pali shkonte dhe kujtdo që i fliste, ai ishte bindës.
Një bindje e tillë në predikim është një shenjë dalluese e një burri të mbushur me Frymën. Një predikues i tillë bëhet agresiv në përpjekjet e tij për t’i lëvizur dëgjuesit të besojnë në Jezu Krishtin. Ai nuk mund të ketë një qëndrim të pashqetësuar dhe moskokëçarës në predikimin e tij. Një predikues i mbushur me Frymën zakonisht nuk do të jetë i qetë në podium por do të jetë kategorik në mënyrë që t’i bindë dëgjuesit drejt Krishtit.
Kështu, predikuesi i fuqizuar nga Fryma do të jetë i shtyrë të sfidojë dëgjuesit e tij të cilëve u predikon. Me anë të drejtimit të Perëndisë, një predikues i tillë do të bëhet edhe më agresiv për të fituar dëgjuesit e tij për të ndjekur Krishtin. Ai do i sfidojë dëgjuesit e tij që të ndjekin Krishtin. Ai duhet të kapë vëmëndjen e tyre me ungjillin. Ai do të jetë bindës në paraqitjen e së vërtetës. Ai duhet t’i kapë dëgjuesit e tij me të vërtetën. Ata jo vetëm që duhet të marrin atë çfarë shpjegon. Ata duhet ta marrin me gjithë zemër. Një predikues i tillë do t’i sfidojë dëgjuesit e tij derisa ata të gjithë të kenë besuar. Ai beson që ftesa e hapur e ungjillit duhet të besohet nga të gjithë ata që e dëgjojnë atë. Ai nuk është i kënaqur që ai ka të drejtë. As nuk është i kënaqur që e vërteta thjesht njihet. Dëgjuesit e tij duhet të veprojnë sipas mesazhit që ai shpall.
Një Barrë e Shtuar për Kthime në Besim
Një predikues i mbushur me Frymën do të mbërthehet me një barrë për të fituar shpirtrat e burrave dhe grave te e vërteta e Shkrimit. Gjendja e humbur e dëgjuesve të tij do të peshojë rëndë mbi të. Nën ndikimin e Frymës, ai do të shqetësohet shumë që të pashpëtuarit të fitohen te e vërteta e Shkrimit. Ai nuk do të jetë i kënaqur thjesht të flasë të vërtetën. Megjithëse ai e di që rezultatet ia lë Perëndisë, ky predikues i fuqizuar nga Fryma akoma do dëshirojë që njerëzit të sillen në besim te Krishti. Ai duhet të ketë një marrje pozitive për të vërtetën. Mesazhi i tij duhet të besohet. Kjo është pesha e rëndë që ndien shpirti i tij.
E njëjta dëshirë e fortë për të arritur shpirtra për Krishtin u shpreh nga apostulli Pal kur shkroi, “Kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time.” (Romakët 9:2). Barra e tij ishte të arrinte judenjtë e humbur për Krishtin. Ai tha, “do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit” (Romakët 9:3). Kjo është në të njëjtin kapitull ku ai parashtron argumentin për zgjedhjen sovrane. Pasi deklaroi që Perëndia është Poçari dhe i gjithë njerëzimi argjila nga të cilat Perëndia bën enë për prishje dhe enë për mëshirë, Pali shtoi, “Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.” (Romakët 10:1). Edhe përballë determinizmit hyjnor, Pali kishte një barrë të madhe që ata të vinin në besim në Jezu Krishtin.
Pikërisht në këtë mënyrë Fryma e Shenjtë e bën çdo predikues të ndiejë barrën për të fituar ata që dëgjojnë predikimin e tij. Ai jo vetëm që duhet të përçojë besnikërisht të vërtetën e Fjalës së Perëndisë, por të paraqesë të vërtetën si një mjet te një qëllim më i madh. E vërteta e Fjalës duhet të besohet nga ata që e dëgjojnë atë. Ky burrë i Perëndisë nuk do të pushojë derisa ungjilli të besohet. Kjo është barra e vazhdueshme e mbajtur nga çdo predikues i mbushur me Frymën.
“Perëndia dha Frymën e Tij të Shenjtë“
Si mund ta mbajë ndonjë sfidën e jashtëzakoshme të predikimit? Përgjigjja nuk qëndron te vetë predikuesi. Përgjigjja gjendet në Frymën e Shenjtë që banon brenda tij. Perëndia duhet të ndezë zjarrin brenda tij për ta fuqizuar të predikojë me fuqi të mbinatyrshme. Ishte Xhon Noks (John Knox), reformatori i madh skocez, që tha, “Perëndia dha Frymën e Tij të Shenjtë me bollëk të madh te njerëz të thjeshtë.” Ky është shpjegimi i vetëm që një njeri ka aftësinë e nevojshme për të qënë predikues qw përdoret fuqimisht prej Perëndisë. Madhështia nuk qëndron te njeriu. Fuqia jepet nga Ai që jeton brenda. Fuqia vjen nga Fryma që banon dhe që i aftëson shërbëtorët e Tij për të shpallur Fjalën.
Nën kontrollin e Frymës, predikuesi aftësohet në mënyrë të mbinatyrshme të flasë me një lehtësi të fjalëve. Atij i jepet një lehtësi të foluri dhe një lehtësi shprehje. Çfarë ai përpiqet të thotë rrjedh prej tij me një rrjedhë e shpejtë të foluri. Lloyd-Jones shpjegon që Fryma jep “qartësi të foluri” me një “lehtësi të foluri.” me pak përpjekje, Perëndia është duke i dhënë këtë mënyrë të shpejtë të foluri.
Kaq e domsodoshme është fuqia shpirtërore në predikim saqë Spërxhën tha, “Ishte më mirë të flisje gjashtë fjalë në fuqinë e Frymës së Shenjtë sesa të predikosh shtatëdhjetë vite predikime pa Frymën.” Zoti dhëntë plotësinë e Frymës së Tij ndaj çdo predikuesi të Fjalës së Tij. Është Fryma e Shenjtë ai që fuqizon shërbëtorët e Tij që të kenë sukses në misionin që janë thirur. Qoftë kështu në çdo predikim tonin.