Nevoja për një Rizgjim Personal

Rizgjim

Nevoja për një Rizgjim Personal
Nga Richard Baxter

Pastor, Teolog dhe Autor Puritan Anglez (1615–1691)

Nuk di ç’mendojnë të tjerët, por sa për veten time, turpërohem nga marrëzia ime dhe çuditem me veten, që nuk merrem me shpirtin tim dhe të të tjerëve si ai që pret ditën e madhe të Zotit, dhe që mund të kem vend për pothuajse çdo mendim apo fjalë tjetër, dhe që çështje aq të habitshme nuk më përthithin tërësisht mendjen. Habitem se si mund të predikoj për to në mënyrë të ftohtë e sipërfaqësore, dhe si mund t’i lë njerëzit në mëkatet e tyre, dhe që nuk shkoj tek ata për t’ju lutur, për hir të Zotit, që të pendohen, sido që ta marrin ata dhe çfarëdo mundimi a dhimbjeje që kjo do të më kushtonte.

Rallë zbres nga foltorja pa më qortuar ndërgjegjja që nuk kam qenë më serioz dhe më i zjarrtë. Ajo nuk më qorton për mungesën e zbukurimeve a bukurisë së të shprehurit, as për ndonjë fjalë të pakëndshme që mund të më ketë shpëtuar; por më pyet: ‘Si munde të flisje për jetën dhe vdekjen me një zemër të tillë? Si munde të predikoje për parajsën dhe ferrin me kaq pak kujdes e përgjumje? A e beson atë që thua? A je serioz apo po bën shaka? Si mund t’u thuash njerëzve se mëkati është një gjë e tillë, dhe se aq mjerim është mbi ta dhe përpara tyre, e të mos ndjesh asgjë për këtë? A nuk duhej të qaje për një popull të tillë, dhe a nuk duhej lotët të të ndërprisnin fjalët? A nuk duhej të bërtisje me zë të lartë, t’ua tregoje shkeljet e tyre, dhe t’u luteshe e përgjëroheshe atyre si për jetë a vdekje?’

Sa për veten time, ndërsa turpërohem për zemrën time të ftohtë dhe të pakujdesshme, dhe për jetën time të ngadaltë e të padobishme, Zoti e di që turpërohem për çdo predikim që mbaj; kur mendoj për çfarë kam folur, kush më ka dërguar, dhe se shpëtimi apo dënimi i njerëzve varet aq shumë prej tij, jam gati të dridhem nga frika se mos Zoti më gjykon si përçmues të së vërtetës së Tij dhe të shpirtrave të njerëzve, dhe se mos në predikimin më të mirë jam fajtor për gjakun e tyre. Mendoj se nuk duhet të flasim asnjë fjalë përpara njerëzve për çështje kaq të rëndësishme, pa lot, apo pa zjarrin më të madh që kemi të mundur. Nëse nuk do të ishim vetë aq fajtorë për mëkatin që qortojmë, kështu do të ishte.

Vërtet kjo është kambana që ndërgjegjja më bie në veshë, dhe megjithatë shpirti im i përgjumur nuk zgjohet. Oh, çfarë gjëje është një zemër e pandjeshme dhe e ngurtë! O Zot, na shpëto nga murtaja e mosbesimit dhe e zemrës së ashpër, përndryshe si mund të jemi vegla të denja për të shpëtuar të tjerët prej saj? Oh, bëj në shpirtrat tanë atë që do të na përdorje për të bërë në shpirtrat e të tjerëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes