Fjalë për Prindërit
Nga A. W. Pink (1886-1952)
Teolog, pastor dhe autor anglez i njohur për teologjinë e tij të patundur kalviniste dhe përkushtimin e thellë ndaj autoritetit të Shkrimeve.
Një nga gjërat më të trishtueshme dhe më tragjike të “qytetërimit” tonë të shekullit njëzet është përhapja e tmerrshme e mosbindjes së fëmijëve ndaj prindërve gjatë viteve të fëmijërisë dhe mungesa e nderimit dhe respektit kur ata rriten. Kjo vihet re në shumë mënyra, fatkeqësisht, edhe në familjet e atyre që pohojnë se janë të krishterë. Gjatë udhëtimeve të shumta që ka bërë gjatë tridhjetë viteve të fundit, autori ka qëndruar në shumë shtëpi. Devotshmëria dhe bukuria e disa prej tyre mbeten kujtime të shenjta dhe të këndshme. Por disa të tjera kanë lënë përshtypjet më të dhimbshme. Fëmijët që janë kokëfortë apo të llastuar, jo vetëm që e çojnë veten në një gjendje të vazhdueshme pakënaqësie, por edhe sjellin shqetësim për të gjithë ata që bien në kontakt me ta, dhe, paralajmërojnë për gjëra të këqija në të ardhmen.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk janë fëmijët ata që duhen fajësuar më shumë, por prindërit. Mosbindja ndaj urdhërimit për të nderuar babain dhe nënën, kudo që haset, është në masë të madhe pasojë e largimit të prindërve nga modeli i Shkrimeve të Shenjta. Sot, babai mendon se ka përmbushur detyrimet e tij thjesht duke siguruar ushqim dhe veshje për fëmijët dhe duke vepruar herë pas here si një lloj polici moral. Shumë shpesh nëna është e kënaqur të jetë thjesht një shtëpiake që rropatet, duke e bërë veten skllave të fëmijëve të saj, në vend që t’i edukojë ata për të qenë të dobishëm, duke kryer shumë punë që vajzat e saj duhet t’i bënin vetë, vetëm për t’u dhënë atyre liri për gjëra të kota. Pasoja ka qenë që shtëpia, e cila — për rregulline saj, shenjtërinë e saj dhe mbretërimin e dashurisë së saj— duhet të ishte një qiell i vogël mbi tokë, është shndërruar në “një stacion mbushjeje për ditën dhe një vend parkimi për natën,” siç e ka shprehur me mençuri dikush.
Përpara se të përshkruajmë detyrat e prindërve ndaj fëmijëve të tyre, le të theksohet se ata nuk mund të disiplinojnë siç duhet fëmijët e tyre, nëse më parë nuk kanë mësuar të vetëdisiplinohen. Si mund të presin të nënshtrojnë vullnetin kokëfortë të të vegjëlve të tyre apo të ndalin shpërthimet e zemërimit, nëse vetë pasionet e tyre nuk janë të kontrolluara? Karakteri i prindërve riprodhohet në një masë të madhe te pasardhësit e tyre: “Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij.” (Zanafilla 5:3). Prindërit vetë duhet të jenë të nënshtruar ndaj Perëndisë nëse duan me të drejtë të presin bindje nga fëmijët e tyre të vegjël. Ky parim përforcohet vazhdimisht në Shkrimet: “Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson veten?” (Romakëve 2:21). Për peshkopin apo pastorin thuhet se duhet të jetë, “njeri që e qeveris mirë familjen e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjellje; (sepse në qoftë se dikush nuk di të qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?).” (1 Timoteut 3:4-5). Dhe nëse një burrë apo grua nuk di të qeverisë shpirtin e vet (Fjalët e Urta 25:28), si do të kujdesen për fëmijët e tyre?
Perëndia u ka besuar prindërve një privilegj tejet solemn dhe tejet të çmuar. Nuk është e tepërt të thuhet se në duart e tyre janë vendosur shpresa dhe bekimi, ose mallkimi dhe dënimi, i brezit të ardhshëm. Familjet e tyre janë çerdhet e Kishës dhe të Shtetit, dhe sipas mënyrës se si i kultivojnë tani, ashtu do të jetë fryti i tyre në të ardhmen. Sa me lutje dhe kujdes duhet që ta përmbushin këtë përgjegjësi. Ështe e sigurt plotësisht që Perëndia do të kërkojë llogari për fëmijët nga duart e prindërve, sepse ata janë të Tij dhe vetëm u janë besuar atyre për kujdes dhe ruajtje. Detyra që ju është dhënë nuk është aspak e lehtë, veçanërisht në këto ditë jashtëzakonisht të liga. Megjithatë, nëse kërkohet me besim dhe përkushtim, hiri i Perëndisë do të gjendet i mjaftueshëm edhe këtu, si në çdo fushë tjetër. Shkrimet na japin rregulla për të ndjekur, premtime për të kapur, dhe paralajmërime të frikshme në rast se e marrim këtë çështje lehtë.
Mësoni Fëmijët Tuaj
Kemi vend vetëm për të përmendur katër nga detyrat kryesore që u janë caktuar prindërve. E para: të mësojnë fëmijët e tyre. “Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.” (Ligji i Përtërirë 6:6-7). Kjo detyrë është shumë e rëndësishme për t’u deleguar të tjerëve. Prindërit, jo mësuesit e shkollës së të dielës, janë ata që Zoti i ka ngarkuar për të edukuar të vegjlit e tyre. Dhe kjo nuk duhet të jetë një gjë e rastësishme apo e rrallë, por një detyrë që kërkon vëmendje të vazhdueshme. Karakteri i lavdishëm i Perëndisë, kërkesat e ligjit të Tij të shenjtë, ligësia e pamasë e mëkatit, dhurata e mrekullueshme e Birit të Tij dhe dënimi i tmerrshëm që është pjesa e sigurtë e të gjithë atyre që e përçmojnë dhe e hedhin poshtë Atë, duhet t’u paraqiten vazhdimisht në mendje të vegjëlve. “Ata janë shumë të vegjël për të kuptuar këto gjëra” është një argument nga djalli për t’ju penguar që të kryeni detyrën tuaj.
“Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.” (Efesianëve 6:4). Duhet të vihet re se këtu “etërit” përmenden në mënyrë të veçantë. Kjo është për dy arsye: sepse ata janë kreu i familjes dhe qeverisja e saj u është besuar atyre, dhe sepse kanë prirjen ta kalojnë këtë përgjegjësi te gratë e tyre. Ky mësim duhet t’u jepet fëmijëve duke u lexuar Shkrimet e Shenjta dhe duke ua shpjeguar gjërat në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre. Pas kësaj duhet të vijojë katekezmi. Një ligjëratë e vazhdueshme për të vegjlit nuk është aq efektive sa kur ajo ndërthuret me pyetje dhe përgjigje. Nëse ata e dinë që do të pyeten për atë që u lexua, do të dëgjojnë me më shumë kujdes. Formulimi i përgjigjeve i mëson të mendojnë vetë. Kjo metodë ndihmon gjithashtu në forcimin e kujtesës, sepse dhënia e përgjigjeve konkrete ngulit ide më të qarta në mendje. Vëreni sa shpesh Krishti u bëri pyetje dishepujve të Tij.
Jini Shembull i Mirë
Së dyti, mësimi i mirë duhet të shoqërohet me shembull të mirë. Ai mësim që del vetëm nga buzët, nuk ka shumë gjasa të depërtojë më thellë se veshët. Fëmijët janë veçanërisht të shpejtë për të dalluar mospërputhjet dhe e përçmojnë hipokrizinë. Është pikërisht këtu që prindërit kanë më shumë nevojë të gjunjëzohen përpara Perëndisë, duke kërkuar përditë nga Ai hirin që aq shumë u nevojitet dhe që vetëm Ai mund të japë. Sa shumë kujdes duhet të kenë që të mos thonë apo bëjnë ndonjë gjë përpara fëmijëve të tyre që mund të prishë mendjet e tyre ose të ketë pasoja të këqija për t’u ndjekur! Sa shumë kanë nevojë të jenë vazhdimisht në roje ndaj çdo gjëje që mund t’i bëjë të përçmueshëm në sytë e atyre që duhet t’i respektojnë dhe t’i nderojnë! Prindi jo vetëm që duhet t’i mësojë fëmijët në rrugët e shenjtërisë, por edhe vetë duhet të ecë përpara tyre në ato rrugë, duke treguar përmes sjelljes dhe praktikës së tij se sa e këndshme dhe e dobishme është që të jetosh sipas ligjit hyjnor.
Në një familje të krishterë, qëllimi suprem duhet të jetë përkushtimi shtëpiak ndaj Perëndisë—nderimi i Perëndisë në çdo kohë—dhe çdo gjë tjetër duhet t’i nënshtrohet këtij qëllimi. Në çështjen e jetës familjare, as burri dhe as gruaja nuk mund t’ia hedhin gjithë përgjegjësinë njëri-tjetrit për karakterin fetar të shtëpisë. Nëna, pa dyshim, duhet të plotësojë përpjekjet e babait, sepse fëmijët kalojnë shumë më tepër kohë me të sesa me të atin. Nëse baballarët kanë prirjen të jenë tepër të rreptë e të ashpër, nënat shpesh janë shumë të buta dhe tolerante. Ato duhet të kenë shumë kujdes që të mos dobësojnë autoritetin e burrit të tyre. Kur ai ka ndaluar një gjë, ajo nuk duhet të japë leje për të. Është e goditur të vihet re se këshilla e Efesianëve 6:4 paraprihet nga urdhërimi “mbushuni me Frymën” (5:18), ndërsa paralelja në Kolosianëve 3:21 paraprihet nga “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet” (v. 16), duke treguar se prindërit nuk mund t’i kryejnë detyrat e tyre siç duhet, përveçse nëse janë të mbushur me Frymën dhe me Fjalën.
Disiplinoni Fëmijët Tuaj
Së treti, mësimi dhe shembulli duhet të përforcohen me ndreqje dhe disiplinë. Para së gjithash, kjo nënkupton ushtrimin e autoritetit—sundimin e duhur të ligjit. Për atin e besimtarëve, Perëndia tha: “Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë, në mënyrë që Zoti të mund të plotësojë premtimet që i ka dhënë Abrahamit.” (Zanafilla 18:19). Mendoni me kujdes për këtë, o baballarë të krishterë. Abrahami bëri më shumë sesa të jepte këshilla të mira. Ai vendosi ligj dhe rregull në shtëpinë e tij. Rregullat që ai zbatonte kishin për qëllim ruajtjen e “udhës së Zotit” — asaj që është e drejtë në sytë e Tij. Dhe këtë detyrë patriarku e përmbushi që bekimi i Perëndisë të prehej mbi familjen e tij. Asnjë familje nuk mund të rritet siç duhet pa ligje familjare, të cilat përfshijnë shpërblime dhe ndëshkime, dhe këto janë veçanërisht të rëndësishme në fëmijërinë e hershme, kur karakteri moral ende nuk është formuar dhe motivet morale nuk kuptohen apo vlerësohen.
Rregullat duhet të jenë të thjeshta, të qarta, të arsyeshme dhe të përshtatshme, ashtu si Dhjetë Urdhërimet. Disa rregulla të mëdha morale, në vend të një morie kufizimesh të kota. Një mënyrë për të provokuar padrejtësisht fëmijët në zemërim është t’i ngarkosh me mijëra kufizime të vogla dhe rregulla të imëta që janë arbitrare, si pasojë e një prindi që është perfeksionist. Është jetike për të mirën e ardhshme të fëmijës që ai apo ajo të vihet nën disiplinë që në moshë të hershme. Një fëmijë i patrajnuar do të bëhet një i rritur pa ligj — burgjet tona janë të mbushura me ata që janë lejuar të bëjnë sipas qejfit të tyre gjatë rinisë. Faji më i vogël i një fëmije kundër rregullave të shtëpisë nuk duhet të kalojë pa ndreqje të duhur, sepse nëse një shkelje tolerohet në një drejtim, ai do të presë të njëjtën lehtësi edhe për të tjerat, dhe pastaj mosbindja do të shtohet, derisa prindi nuk do të ketë më asnjë kontroll përveç forcës së verbër.
Mësimi i Shkrimit është tepër i qartë në këtë pikë. “Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.” (Fjalët e Urta 22:15; krah. gjithashtu 23:13,14). Prandaj Perëndia ka thënë: “Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.” (Fjalët e Urta 13:24). Dhe përsëri: “Ndreqe birin tënd sa ka shpresë, por mos e lër zemrën tënde të preket nga të qarat e tij” (Fjalët e Urta 19:18 KJV). Mos lejo që një dashuri e pamend të të ndalojë. Me siguri Perëndia i do fëmijët e Tij me një dashuri prindërore shumë më të thellë sesa mund të duash ti të tutë, megjithatë Ai na thotë: “Unë i qortoj dhe i ndreq të gjithë ata që i dua” (Zbulesa 3:19; krahaso edhe Hebrenjve 12:6). “Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.” (Fjalët e Urta 29:15). Një ashpërsi e tillë duhet ushtruar në vitet e hershme, përpara se mosha dhe kokëfortësia ta kenë forcuar fëmijën kundër frikës dhe dhembjes së ndreqjes. Nëse e kursen shkopin, e shkatërron fëmijën; nëse nuk e përdor për të, atëherë përgatit një për shpinën tënde.
Nuk ka nevojë të thuhet se Shkrimet e sipërpërmendura nuk kërkojnë që jeta familjare të karakterizohet nga një mbretëri terrori. Fëmijët mund të qeverisen dhe ndëshkohen në një mënyrë të tillë që ata të mos humbasin respektin dhe dashurinë për prindërit e tyre. Kini kujdes që të mos u helmoni karakterin me kërkesa të paarsyeshme, apo të mos i zemëroni duke i rrahur për të shfryrë zemërimin tuaj. Prindi duhet ta ndëshkojë një fëmijë të pabindur jo sepse është i zemëruar, por sepse është e drejtë—sepse Perëndia e kërkon dhe e mira e fëmijës e kërkon. Kurrë mos bëj një kërcënim që nuk ke ndërmend ta përmbushësh, as një premtim që nuk synon ta realizosh. Mbaj mend se është mirë që fëmijët të jenë të informuar, por është edhe më mirë që ata të jenë të disiplinuar.
Kushtojini shumë vëmendje ndikimeve të pavetëdijshme që e rrethojnë fëmijën. Studioni që ta bëni shtëpinë tërheqëse: jo duke sjellë gjëra mishore e të botës, por me ideale fisnike, duke ushqyer një frymë vetëmohimi, përmes shoqërimit të ngrohtë dhe të gëzueshëm. Ndajini të vegjlit nga shoqëritë e këqija. Vëzhgoni me kujdes revistat dhe librat që hyjnë në shtëpi, mysafirët e rastësishëm që ulen në tryezë, dhe shoqërimet që krijojnë fëmijët tuaj. Prindërit shpesh lejojnë njerëz të kenë qasje të lirë te fëmijët e tyre, të cilët pastaj minojnë autoritetin prindëror, përmbysin idealet e tyre dhe hedhin fara lehtësie dhe paudhësie pa u kuptuar. Mos e lini kurrë fëmijën tuaj të kalojë natën tek të panjohur. Edukojini vajzat tuaja në mënyrë që të jenë anëtare të dobishme dhe ndihmëse për brezin e tyre dhe djemtë tuaj që të jenë punëtorë dhe vetëmbështetës.
Lutu për Fëmijët e Tu
Së katërti, detyra e fundit dhe më e rëndësishme, që ka të bëjë si me të mirën e përkohshme ashtu edhe me atë shpirtërore të fëmijëve tuaj, është lutja e zjarrtë dhe e përditshme drejtuar Perëndisë për ta. Pa këtë, gjithçka tjetër do të jetë e pafrytshme. Të gjitha mjetet janë të kota nëse Zoti nuk i bekon ato. Froni i Hirit duhet të kërkohet me ngulm që përpjekjet tuaja për t’i rritur fëmijët për Perëndinë të kurorëzohen me sukses. Është e vërtetë që duhet një përulje e thellë përpara vullnetit sovran të Zotit dhe një nënshtrim përpara të vërtetës së Zgjedhjes Hyjnore. Por nga ana tjetër, është privilegji i besimit të kapet pas premtimeve hyjnore dhe të kujtojë se lutja e zjarrtë dhe me besim e njeriut të drejtë ka fuqi të madhe. Për Jobin e shenjtë është shkruar për djemtë dhe vajzat e tij se ai “ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre” (Jobi 1:5). Një atmosferë lutjeje duhet të mbushë shtëpinë dhe të përshkojë jetën e të gjithëve që jetojnë në të.