MËKATI DHE PASOJAT E TMERRSHME TË TRADHËTISË BASHKËSHORTORE – UDHËZIME PËR TË MOS RËNË

Tradhetia Bashkeshortore

Ajo është një gropë e thellë

Nga Puritani Thomas Watson (1620–1686), Shkëputur nga Vepra “Dhjetë Urdhërimet.” Kjo përzgjedhje është më e gjatë, por e nevojshme në shoqërinë tonë imorale. Edhe pse i drejtohet veçanërisht shkeljes së kurorës, ajo mund të aplikohet për çdo lloj imoraliteti. Ky është artikulli më i mirë që kam lexuar ndonjëherë mbi mënyrën se si të përballesh me epshin. Çdo burrë lufton me lustóso (epshin)—prandaj ju lutem dërgojuani këtë të tjerëve.

 

“Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.” Eksodi 20:14

Ky urdhërim është vendosur si një mur mbrojtës për të mbajtur jashtë papastërtinë. Ata që e thyejnë këtë mur—do të kafshohen nga një gjarpër! Burimi i këtij mëkati është epshi. Perëndia është një qënie e pastër, e shenjtë që ka një urrejtje të pafundme ndaj çdo papastërtie. Ne duhet t’i kushtojmë vëmëndje që të mos përplasemi mbi shkëmbin e papastërtisë dhe në këtë mënyrë të shkatërrojmë pastërtinë tonë. Kuptimi i këtij urdhërimi nuk është vetëm që të mos njollosim trupat tanë me imoralitet—por edhe që të mbajmë shpirtrat tanë të pastër. Të kesh një trup të papërlyer, por një shpirt të papastër, është si një fytyrë e bukur me një zemër të kalbur nga kanceri. “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.” 1 Pjetrit 1:16. 

Ka një kurvëri mendore. “kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.” Mateu 5:28. Ashtu si një njeri mund të vdesë nga një gjakderdhje e brendshme—po ashtu ai mund të dënohet për vlimet e brendshme të epshit, nëse nuk e vret atë. Për të të larguar nga mëkati i shkeljes së kurorës, më lejo të të tregoj të keqen e madhe të saj.

1. Shkelja e kurorës është një mëkat vjedhës. Ajo është lloji më i lartë i vjedhjes. Shkelësi i kurorës i vjedh fqinjit të tij atë që është më shumë se pasuria dhe prona e tij; ai i vjedh gruan e tij! 

2. Shkelja e kurorës degradon një person. Ajo e bën atë të ngjajë me kafshët. Për këtë arsye, shkelësi i kurorës përshkruhet si një kalë që hingëllin. “secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij.” Jeremia 5:8. Ajo është më keq se kafshërore; sepse disa krijesa që janë pa arsye, prapësëprapë nga instinkti i natyrës, ruajnë një farë rregulli dhe pastërtie. Turtullesha është një krijesë e pastër dhe qëndron me partnerin e saj. Dhe lejleku, kudo që fluturon, nuk hyn në asnjë fole përveç të tijës. Natyralistët shkruajnë se nëse një lejlek lë partnerin e tij dhe bashkohet me ndonjë tjetër, të gjithë lejlekët e tjerë do e sulmojnë dhe i shkulin pendët. Shkelja e kurorës është më keq se kafshërore, sepse ajo e zhvesh personin nga nderi i tij.

3. Shkelja e kurorës ndot. Djalli quhet një frymë e papastër. Luka 11:24. Shkelësi i kurorës është i parëlinduri i djallit; ai është i papastër; ai është një moçal i lëvizshëm. Ai është i mbushur i tëri me ulçera mëkati; sytë e tij vezullojnë nga epshi; goja e tij shkumëzon ndyrësi; zemra e tij digjet si mali Etna, me dëshira të papastra. Ai është aq i pistë, saqë nëse ai vdes në këtë mëkat, të gjitha flakët e ferrit nuk do ta pastrojnë ndonjëherë imoralitetin e tij! Dhe, sa për kurvëruesen, kush mund ta përshkruajë mjaftueshëm errësirën e saj të zezë? Shkrimi e quan atë një gropë të thellë. Fjalët e Urta 23:27. Ajo është një gropë e thellë! Trupi i një lavireje është një pleh lëvizës, dhe shpirti i saj një ferr më i vogël! 

4. Shkelja e kurorës është shkatërruese për trupin. “dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,” Fjalët e Urta 5:11. Imoraliteti e shndërron trupin në një spital, sjell sëmundje të rënda dhe ha bukurinë e fytyrës. Ashtu si flaka konsumon qiririn, po ashtu edhe zjarri i epshit konsumon trupin. Shkelësi i kurorës shpejton vdekjen e tij. “Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj. Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait, deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij!” Fjalët e Urta 7:21-23. 

5. Shkelja e kurorës është një shterim i pasurisë. Ajo nuk konsumon vetëm trupin, por edhe pasurinë. “për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj. Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj. Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.” Fjalët e Urta 6:24-26. Prostitutat janë shushunjat e djallit, sfungjerë që thithin para. Djali plangprishës shpenzoi trashëgiminë e tij kur ra mes prostitutave. Luka 15:30. Konkubina e Mbretit Eduard III, mori gjithçka që mundi prej tij, kur ai po vdiste. Madje ajo ia hoqi edhe unazat nga gishtat.

6. Shkelja e kurorës shkatërron reputacionin. “Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij. Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t’i hiqet kurrë.” Fjalët e Urta 6:32-33. Plagët e reputacionit—asnjë mjek nuk mund t’i shërojë. Kur shkelësi i kurorës vdes, turpi i tij jeton. Kur trupi i tij kalbet në tokë, emri i tij kalbet mbi tokë. Fëmijët e tij të paligjshëm janë monumente të gjalla të turpit të tij.

7. Shkelja e kurorës dëmton mendjen. Ajo vjedh të kuptuarit dhe mpin zemrën. “Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend.” Osea 4:11. Ajo ha gjithë pastërtinë nga zemra. Solomoni e humbi mendjen për shkak të grave, dhe ato e tërhoqën drejt idhujtarisë.

8. Shkelja e kurorës sjell gjykime të përkohshme. Ligji i Moisiut kishte si dënim për shkeljen e kurorës vdekjen. “shkelësi dhe shkelësja e kurorës do të dënohen me vdekje.” dhe vdekja e zakonshme ishte me gurë. Levitiku 20:10; Ligji i Përtërirë 22:24. Salonët urdhëruan që njerëzit fajtorë për këtë mëkat të digjeshin. Romakët bënin që kokat e tyre të priteshin. Ashtu si një akrep, ky mëkat mban një thumb në bishtin e tij. “Sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes!” Fjalët e Urta 6:34. Shkelësi i kurorës shpesh vritet në aktin e mëkatit të tij. “Praktika e epshit është të bëjë një hyrje të gëzueshme—por ai pas vetes mjerim.” Kam lexuar për dy njerëz në Londër, të cilët, pasi e ndotën veten me shkelje të kurorës, u goditën menjëherë për vdekje nga rrufeja. Nëse të gjithë ata që janë fajtorë për këtë mëkat do të ndëshkoheshin në këtë mënyrë, do të binte zjarr përsëri, si në Sodomë.

9. Shkelja e kurorës, pa pendesë, dënon shpirtin. “A nuk e dini ju se të padrejtët nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.” 1 Korintasve 6:9-10. Zjarri i epshit çon në zjarrin e ferrit. ” Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.” Hebrenjve 13:4. Edhe pse njerëzit mund të neglizhojnë që t’i gjykojnë, Perëndia do t’i gjykojë! Ai do t’i gjykojë me siguri. Ata nuk do të shpëtojnë nga dora e drejtësisë; dhe Ai do t’i ndëshkojë ashpër. Gjiri i kurvërueses mban larg nga gjiri i Abrahamit! “Kënaqësia zgjat një çast—por mundimi një përjetësi!” I cili për një kupë kënaqësie, do të pinte një det zemërimi! “të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit” Fjalët e Urta 9:18. Kurvëruesja është e parfumuar me pluhura dhe e bukur për t’u parë—por helmuese dhe mallkuese për shpirtin! “Ajo ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë..” Fjalët e Urta 7:26.

10. Shkelësi i kurorës bën gjithçka që mundet për të shkatërruar shpirtin e një tjetri—dhe kështu vret dy njerëz njëherësh! Ai është më keq se hajduti, sepse edhe pse një hajdut e grabit një njeri, madje ia merr edhe jetën, prapësëprapë shpirti i njeriut mund të jetë i lumtur. Aii mund të shkojë në qiell njësoj sikur të kishte vdekur në shtratin e tij. Por ai që bën shkelje kurore, rrezikon shpirtin e një tjetri dhe bën gjithçka që mundet për ta privuar atë nga shpëtimi. Sa gjë e tmerrshme është të jesh një instrument për të tërhequr një tjetër në ferr!

11. Shkelësi i kurorës është i neveritur nga Perëndia. “Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.” Fjalët e Urta 22:14. Çfarë mund të jetë më keq se të jesh i neveritur nga Perëndia? Perëndia mund të jetë i zemëruar me fëmijët e Tij; por që Perëndia të neverisë një njeri—është shkalla më e lartë e urrejtjes! Personi imoral qëndron në pragun e ferrit; dhe kur vdekja i jep një shtyrje—ai bie brenda!

E gjithë kjo duhet të tingëllojë si një paralajmërim në veshët tanë dhe të na thërrasë të largohemi nga ndjekja e një mëkati kaq të dënueshëm si imoraliteti. Dëgjo çfarë thotë Shkrimi: “Shtëpia e saj është rruga për në ferr.” Fjalët e Urta 7:27.

 

Do të jap disa udhëzime, si një antidot, për t’u mbrojtur nga infeksioni i këtij mëkati:

  1. 1. Mos hyr në shoqërinë e një gruaje kurvare; shmang shtëpinë e saj ashtu si një detar shmang një shkëmb. “Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj!” Fjalët e Urta 5:8. Ai që nuk do që të marrë murtajën, nuk duhet të afrohet pranë shtëpive të infektuara. Çdo shtëpi kurvërie ka murtajën brenda saj! Të lutesh, “Mos më lër që të bie në tundim,” por të mos shmangësh rastin për mëkat është njësoj sikur të fusësh gishtin te qiriri dhe megjithatë të lutesh që ai të mos digjet!

2. Kujdesu për sytë e tu. Shumë mëkate hyjnë përmes syrit. “Sytë i kanë plot me kurorëshkelje.” 2 Pjetri 2:14. Syri tundon imagjinatën, dhe imagjinata ndikon në zemër. Një sy epshor dhe dashuror mund të sjellë mëkat. Eva fillimisht pa pemën e njohjes—dhe pastaj mori. Zanafilla 3:6. Së pari ajo pa—dhe pastaj dashuroi. Syri shpesh ndez zemrën në flakë; prandaj Jobi vendosi një ligj mbi sytë e tij. “Unë bëra një besëlidhje me sytë e mi për të mos parë një virgjëreshë me dëshirim.” Jobi 31:1.

3. Kujdesu për buzët e tua. Ki kujdes nga çdo fjalë e papastër që mund të ndezë mendime të papastra tek ty ose te të tjerët. “shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.” 1 Korintasve 15:33. Diskutimet e papastra janë si një kacek që ndez zjarrin e epshit. Shumë ligësi përcillet në zemër përmes gjuhës. “O Zot, vër një roje para gojës sime.” Psalmi 141:3.

4. Kujdesu në mënyrë të veçantë për zemrën tënde. “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes,” Fjalët e Urta 4:23. Çdo person ka një tundues në gjirin e tij! “Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria…” Mateu 15:19. Mendimi për mëkatin hap rrugën për aktin e mëkatit. Shtyp ngritjet e para të mëkatit në zemrën tënde. Ashtu si gjarpri që ruan kokën e tij kur rreziku është afër, po kështu ruaj zemrën tënde, e cila është burimi nga ku dalin të gjitha lëvizjet e epshit.

5. Kujdesu për veshjen tënde. Ne lexojmë për veshjen e një kurvëruesjeje. Fjalët e Urta 7:10. Një veshje e shthurur është një provokim për epsh. Një fytyrë e lyer dhe një gjoks gjysmë i zbuluar janë joshje për imoralitet. Aty ku shenja është e varur—njerëzit do të hyjnë dhe do të shijojnë pijen. Jeronimi thotë: “Ata persona që me veshjen e tyre të shthurur përpiqen të tërheqin të tjerët në epsh, edhe nëse nuk pason asnjë e keqe, janë tundues dhe do të ndëshkohen, sepse u ofruan të tjerëve helmin, që ata vetë nuk e pinë.”

6. Ki kujdes nga shoqëria e keqe. Mëkati është një sëmundje shumë ngjitëse; një person tundon një tjetër drejt mëkatit dhe e forcon atë në të. Ka tre litarë që i tërheqin njerëzit drejt imoralitetit: 

– prirja e zemrës, 

– bindja e shoqërisë së keqe, dhe 

– përqafimet e kurvërueses. 

Ky litar i trefishtë nuk këputet lehtë. “Një zjarr shpërtheu në mes të tyre” Psalmi 106:18. Zjarri i epshit ndizet në shoqërinë e keqe.

7. Ki kujdes nga teatrot dhe shfaqjet. Shpesh, një sallë teatri është hyrja për te një sallë kurvërie. “Shfaqjet mbjellin farat e ligësisë.” Ne jemi urdhëruar të shmangim çdo dukje të së keqes; dhe a nuk janë shfaqjet dukje e së keqes? Aty ka pamje që nuk janë të përshtatshme për t’u parë nga sytë e virtytshëm. Një teolog i mësuar vëren se shumë njerëz, kanë rrëfyer me lot në shtratin e tyre të vdekjes, se ndotja e trupave të tyre erdhi nga shkuarja në shfaqje.

8. Ki kujdes nga kërcimet e përziera. “Kërcimet janë instrumente e epshit dhe shthurjes.” Nga kërcimi, njerëzit shkojnë në përkëdhelje me njëri-tjetrin, dhe nga përkëdhelja në imoralitet. Kalvini thotë “Në shumicën e rasteve, ka disa sjellje të pahijshme në kërcim.” Kërcimet tërheqin zemrën drejt imoralitetit—përmes gjesteve të shthurura, përmes prekjeve të pahijshme dhe përmes shikimeve epshore. Krisostomi u ngrit kundër kërcimeve të përziera në kohën e tij. Ai thotë “Ne lexojmë për një dasmë—por aty nuk lexojmë për kërcime.” Mateu 25:7. Shumë janë zënë në lakun e kërcimeve. “Kërcimi nuk është sjellja e një gruaje të virtytshme—por e një kurvëruesjeje,” thotë Ambrozi. Krisostomi thotë, “Aty ku është kërcimi, aty është djalli!”

9. Kini kujdes nga librat dhe figurat e shthurura, që provokojnë epsh. Ashtu si leximi i Shkrimeve nxisin dashurinë për Perëndinë, po ashtu leximi i librave të ndyrë nxisin mendjen për ligësi. Librat epshndjellës, si edhe figurat e epshndjellëse, magjepsin syrin dhe janë ndezës të epshit! Ato fshehurazi përcjellin helm në zemër.

10. Ki kujdes nga teprimi në ushqim. Kur grykësia dhe dehja udhëheqin rrugën, imoraliteti dhe shthurja i ndjekin nga pas. “Vera ndez epshin.” “Kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar,” Ezekieli 16:49. Barërat më të ndyra rriten në tokën më pjellore. Imoraliteti buron nga teprimi. “Janë si hamshorë të ushqyer mirë dhe tërë afsh në mëngjes; secili hingëllin prapa gruas së fqinjit të tij.” Jeremia 5:8. Merrni “freun e artë të vetëpërmbajtjes.” Zoti lejon freskimin e natyrës dhe atë që na përshtatet më mirë për shërbimin e Tij; por ki kujdes nga teprimi. Teprimi në gjërat tokësore—errëson mendjen, mbyt dëshirat e mira dhe nxit epsh. “e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj” 1 Korintasve 9:27. Mishi i përkëdhelur—është i prirur ndaj imoralitetit.

11. Ki kujdes nga plogështiaKur një njeri është i plogët, ai është gati të pranojë çdo tundim. Djalli mbjell shumicën e farave të tij të tundimit në tokë djerrë. Plogështia është shkaku i sodomisë dhe imoralitetit. “Kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar,” Ezekieli 16:49. Kur Davidi ishte i plogët mbi çatinë e shtëpisë së tij, ai pa Bathshebën dhe shkeli kurorën me të. 2 Samueli 11:4. Jeronimi i dha këshillë mikut të tij që të ishte gjithmonë i angazhuar në vreshtin e Zotit, që kur të vinte djalli, ai të mos kishte kohë për të dëgjuar tundimin.

12. Për të shmangur kurvërinë dhe imoralitetin, le të ketë çdo burrë një dashuri të virtytshme dhe të plotë për gruan e tijGruaja e Ezekielit ishte dëshira e syve të tij. Ezekieli 24:16. Kur Solomoni kishte paralajmëruar për gratë imorale, ai dha një ilaç kundër saj. “Gëzohu me nusen e rinisë sate.” Fjalët e Urta 5:18. Nuk është vetëm të kesh një grua—por ta duash një grua—ajo që e bën një burrë të jetojë me virtyt. Ai që e do gruan e tij, të cilën Solomoni e quan burimin e tij, nuk do të shkojë jashtë për të pirë ujëra të ndotura dhe të helmuara. Dashuria e pastër martesore është një dhuratë nga Zoti dhe vjen nga qielli. Por ashtu si zjarri i shenjtë, ajo duhet të ushqehet, që të mos shuhet. Ai që nuk e do gruan e tij, është personi më i prirur të përqafojë gjirin e një kurvëruesjeje.

13. Puno për të pasur frikën e Zotit në zemrën tënde. “Me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.” Fjalët e Urta 16:6. Ashtu si diga mban larg ujin, po ashtu frika e Zotit mban larg imoralitetin. Ata që nuk kanë frikën e Zotit, u mungon freri që duhet t’i ndalojë nga mëkati! Si i shpëtoi Jozefi tundimit të zonjës së tij? Frika e Zotit e tërhoqi mbrapsht! “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” Zanafilla 39:9. Bernardi e quan frikën e shenjtë “rojtarin e shpirtit”. Ashtu si derëtari i një fisniku qëndron te dera dhe mban larg endacakët, po ashtu frika e Zotit qëndron dhe mban larg të gjitha tundimet mëkatare nga hyrja.

14. Gjej kënaqësi në Fjalën e Zotit. “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time!” Psalmi 119:103. Krisostomi e krahason Fjalën e Zotit me një kopsht. Nëse ecim në këtë kopsht dhe thithim ëmbëlsinë nga lulet e premtimeve, nuk do të kemi kurrë dëshirë të këputim “frutin e ndaluar”. “Le të jetë Shkrimi kënaqësia ime e pastër,” thotë Agustini. Arsyeja pse njerëzit kërkojnë kënaqësi të papastra dhe mëkatare është sepse nuk kanë asgjë më të mirë. Cezari, duke kaluar nëpër një qytet dhe duke parë gratë që luanin me qen dhe papagajë, tha, “Me siguri, ato nuk kanë fëmijë.” Po ashtu, ata që argëtohen me kurvëruese, nuk kanë kënaqësi më të mirë. Ai që ka shijuar një herë Krishtin në një premtim, është i mbushur me kënaqësi; dhe ai do ta përbuzë një tundim për të mëkatuar! Jobi tha se Fjala ishte “racioni tim i ushqimit.” Jobi 23:12. Nuk është çudi, pra, që ai bëri një “besëlidhje me sytë e tij.”

15. Nëse do që të abstenosh nga shkelja e kurorës, ki këto konsiderata të kujdesshme.

[1] Merr parasysh se Zoti të sheh në aktin e mëkatit! Ai sheh të gjitha të këqijat e tua të fshehura. Ai është totus oculus—”syri që shikon gjithcka.” Retë nuk janë një mbulesë dhe nata nuk është një perde për të të fshehur nga syri i Zotit! Sa herë që mëkaton—Gjykatësi yt të vështron! “Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate” Jeremia 13:27. “Kanë shkelur kurorën me gratë e të afërmve të tyre, kanë shqiptuar në emrin tim fjalë të rreme, që nuk u kisha urdhëruar atyre. Unë vetë e di dhe jam dëshmitar i tyre, thotë Zoti.” Jeremia 29:23.

[2] Merr parasysh se pak janë ata njerëz të kapur në mëkatin e shkeljes së kurorës, që shërohen nga ky lak. “Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet.” Fjalët e Urta 2:19. Kjo i bëri disa nga të lashtët të dilnin në përfundimin se shkelja e kurorës ishte një mëkat i pafalshëm, por nuk është kështu. Davidi u pendua. Maria Magdalena ishte një grua e penduar që qante… duke larë këmbët e Krishtit me lotët e saj! Për këtë arsye, disa janë shëruar nga ky lak. “Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet.” do të thotë, “shumë pak.” Është e rrallë të dëgjosh për ndonjë njeri që është magjepsur dhe hipnotizuar nga mëkati i imoralitetit, që të shërohet nga ai. “dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo.” Predikuesi 7:26. “Zemra e saj është një kurth,” do të thotë, ajo është e zgjuar për të mashtruar ata që i afrohen; dhe “duart e saj janë pranga,” do të thotë, përqafimet e saj janë të fuqishme për të mbajtur dhe ngatërruar të dashurit e saj. Kjo konsideratë duhet të bëjë që të gjithë të kenë frikë nga ky mëkat. Kënaqësitë e buta, ngurtësojnë zemrën.

[3] Merr parasysh çfarë thotë Shkrimi, i cili mund të vendosë një pengesë në rrugën drejt këtij mëkati. “do të jem një dëshmitar i gatshëm… kundër shkelësve të kurorës” Malakia 3:5. Është mirë kur Zoti është një dëshmitar “për ne”, kur Ai është dëshmitar për sinqeritetin tonë, ashtu siç bëri me Jobin; por është e trishtueshme të kesh Zotin si një “dëshmitar kundër nesh.” “Unë,” thotë Perëndia, “do të jem një dëshmitar i gatshëm kundër shkelësve të kurorës.” Dhe kush do ta hedhë poshtë dëshminë e Zotit? Ai është si dëshmitar ashtu dhe gjykatës! “Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.” Hebrenjve 13:4.

[4] Merr parasysh lamtumirën e trishtueshme, të cilën lë pas mëkati i shkeljes së kurorës. Ai lë një ferr në ndërgjegje. “Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji; por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa. Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.” Fjalët e Urta 5:3-5. Perëndesha Diana ishte e vizatuar aq në mënyrë artistike sa dukej sikur ajo u buzëqeshte atyre që hynin në tempullin e saj—por të vrenjtur ata dilnin. Ashtu si kurvëruesja u buzëqesh dashnorëve të saj kur ata i afrohen—në fund, ata vijnë te shikimi i saj i vrenjtur dhe te thumbi! “deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë;.” Fjalët e Urta 7:23. “Fundi i saj është i hidhur.”

Kur një njeri ka qenë virtytshëm, puna ka shkuar—por ngushëllimi mbetet; por kur ai ka qenë i lig dhe imoral, kënaqësia ka shkuar—por thumbi mbetet. “Ai merr kënaqësi të përkohshme—por pas asaj, mundim të përjetshëm,” thotë Jeronimi. Kur shqisat janë ushqyer me kënaqësi të papastra, shpirti mbetet për të paguar llogarinë. Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; por, si helm, megjithëse të ëmbla në gojë, ato torturojnë ndërgjegjen. Mëkati gjithmonë përfundon në tragjedi! E trishtueshme është ajo që Fincelius raporton për një prift në Flandër që joshi një vajzë të re për imoralitet. Kur ajo protestoi se sa i lig ishte ky mëkat, ai i tha se me autoritetin nga Papa, ai mund të bënte çdo mëkat. Kështu që në fund ai e tërhoqi atë në qëllimin e tij të lig. Por kur ata kishin qënë së bashku për një kohë, erdhi djalli dhe e largoi kurvëruesen nga prifti, dhe, pavarësisht nga të gjitha thirrjet e saj, e mori atë! Nëse djalli do të vinte dhe të merrte të gjithë ata që janë fajtorë për imoralitetin në këtë komb—kam frikë se më shumë do të merreshin, sesa do të mbeteshin pas!

16. Lutu kundër këtij mëkati. Luteri i dha këtë këshillë një zonje, që kur ndonjë epsh fillonte të ngrihej në zemrën e saj, ajo të shkonte për t’u lutur. Lutja është parzmorja më e mirë kundër mëkatit; ajo shuan zjarrin e egër të epshit. Nëse lutja do të “nxjerrë djallin,” me siguri do të nxjerrë ato epshe që vijnë nga djalli.

O le të punojmë për pastërtinë e shpirtit! Për të mbajtur shpirtin të pastër—kërkoni gjakun e Krishtit, i cili është “burimi i hapur për të pastruar nga mëkati dhe papastërtia.” Zakaria 13:1. Një shpirt i zhytur në lotët e kripur të pendesës dhe i larë në gjakun e Krishtit—bëhet i pastër! Thuaj, “Zot, shpirti im është ndotur! Unë ndot gjithçka që prek! O më pastro me hisop—le të më spërkasë gjaku i Krishtit, le të më vajosë Fryma e Shenjtë. O më bëj të pastër, që të mund të merrem në qiell—aty ku do të jem po aq i shenjtë sa Ti dëshiron të jem—dhe po aq i lumtur sa mund të dëshiroj të jem!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes