RRETH FAQES

udherrefyesi biblik

 

UdherrefyesiBiblik.com është një faqe e krishterë protestante që ka si qëllim të paraqesë, të mësojë dhe të mbrojë Krishtërimin e Vërtetë Biblik Historik, duke i pajisur të krishterët në të vërtetën e Fjalës së Perëndisë duke shkruar dhe përkthyer artikujt më të mirë nga predikuesit dhe autorët e së shkuarës dhe të kohëve të sotme. 

Ajo synon të deklarojë të gjithë këshillën e plotë të Perëndisë. Të theksojë doktrinat dhe mësimet biblike që kanë humbur, që janë mënjanuar ose janë kundërshtuar, me besimin që do të na ndihmojë në një nga detyrat më urgjente që kanë ungjllorët sot – Rikuperimin e Ungjillit, që është fuqia e Perëndisë për shpëtim. Ti ndihmojë besimtarët të njohin më mirë Perëndinë, t’i drejtojë ata te Krishti, të urrejnë mëkatin e tyre dhe të jenë as më biblikë.

kisha ka nevojë të rikthehet te Bibla, te shtigjet e vjetra dhe mënyrat e vjetra, sepse vetëm në këtë mënyrë, Perëndia do të përlëvdohet më shumë, mbretëria e Tij do zgjerohet më shumë, dhe fuqia e Perëndisë do derdhet mbi kishën.

Përmbajtja e faqes është komplet falas, mund të përdoret lirisht nga besimtarët, pastorët dhe misionarët, me kushtin e vetëm që të citohet burimi, pra, adresa e faqes: www.UdherrefyesiBiblik.com

Kjo faqe afirmon:

Pesë Solat e Reformacionit Protestant

  • Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi), Solus Christus (Vetëm Krishti), Sola Gratia (Vetëm Hiri), Sola Fide (Vetëm Besimi), Soli Deo Gloria (Vetëm për lavdinë e Perëndisë).

Mësimet biblike të Hirit Sovran të Perëndisë (të quajtur ndryshe TULIP)

  • Mëkatshmëria e Plotë e Njeriut,
  • Zgjedhja Sovrane dhe e Pakushtëzuar e Perëndisë për shpëtim,
  • Shlyerja Specifike e Krishtit për Popullin e Tij,
  • Hiri i Parezistueshëm dhe Efektiv i Perëndisë në Shpëtimin e Mëkatarëve
  • Këmbëngulja e Shenjtorëve në Besim.

Gjithashtu ajo beson në vendosjen e mbulesës së kokës nga gratë në shërbesën në kishë (dicka e humbur sot për shkak të lëvizjes feministe), rolet e ndryshme biblike për burrin dhe gruan dhe kundërshton lëvizjen feministe që është kryekëput një rebelim ndaj projektimit të Perëndisë.

Faqja është përpjekur që nga hiri i Zotit të jetë sa më besnike ndaj Shkrimeve, të shpallë të vërtetat biblike dhe të paralajmërojë për mësimet jo biblike sot në kishë. Ajo është përpjekur ta bazojë çdo deklaratë (dhe pikëpamje) me autoritetin e të gjithë këshillës së plotë të Shkrimit. Le të mos mjaftohemi me vetëm duke gërvishtur sipërfaqen e Shkrimit të Shenjtë dhe si rrjedhim të dimë shumë pak nga mos gërmimi në thesaret e tij të fshehura. 

Lutem që kjo faqe do të jetë vepruese, një burim për të inkurajuar lexuesit që të kërkojnë fytyrën e Perëndisë dhe të gërmojnë më thellë në Fjalën e Tij dhe që Fryma do të na hapë sytë ndaj të vërtetave të Fjalës së Tij.

Mosnjohja e përmbajtjeve të Shkrimit është rrënja dhe themeli i çdo gabimi. Por Zoti e përdortë këtë faqe për të hequr disa kokrriza mosdije, dhe për të hedhur pak dritë në Fjalën e çmuar të Tij.

Këtu përfundoj këtë hyrje të shkurtër për këtë faqe duke qënë i vetëdijshëm edhe për mangësitë e saj. Zoti e përdortë atë për vetë lavdinë e Tij dhe për shpëtimin dhe bekimin e shumë shpirtërave. Amen.

Soli Deo Gloria (Vetëm për lavdinë e Perëndisë)

 

Një mëkatar në nevojë të madhe për Hir nga Perëndia.

Bestar Flamuraj

Njoftohu për Postimet e Reja

Mos humb postimet e reja! Vendose Emailin tënd këtu dhe merr artikujt e fundit me Email! Abonohu Tani!

Lexo Politikat e Privatesise për më shumë informacion.

Rikthehu në Fillim të Faqes