Cila do të jetë kënga jote?

Nga Augustus Toplady (1740 –1778)

Cila do të jetë kënga jote kur të arrish në qiell? Bekuar qoftë Perëndia, që Ai më dha vullnet të lirë; dhe e bekuar qoftë vetja ime e shtrenjtë, që e përdori atë si duhet? O jo, jo! Një këngë e tillë si kjo nuk është dëgjuar asnjëherë në qiell, dhe asnjëherë nuk do të dëgjohet, për sa kohë që Perëndia është Perëndi dhe qielli është qiell.

Shih në librin e Zbulesës, dhe aty do të gjesh punën e të bekuarëve, dhe fjalët që ata këndojnë. Ata hedhin kurorat e tyre përpara fronit dhe thonë, “I denjë je…sepse ti u there, dhe nëpërmjet gjakut tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi” (Zbu. 5:9). Ka hir të veçantë për ty! “Ti na ke shpenguar prej çdo fisi,” kjo do të thotë, nga pjesa tjetër e njerëzimit. A nuk është kjo zgjedhje e veçantë dhe shpengim i kufizuar?

Kisha poshtë në tokë mund të gabojë, dhe nëse ndonjë kishë mbi tokë pretendon se është e pagabueshme, vetë ky pretendim demonstron që ajo nuk është e pagabueshme. Por ka një kishë për të cilën unë guxoj të them se është e pagabueshme. Dhe cila kishë është kjo? Kisha e të përlëvduarve, që shndrisin si yjet në dorën e djathtë të Perëndisë. Dhe, mbi dëshminë e pagabueshme të kësaj kishe të pagabueshme, një dëshmi e regjistruar në faqet e pagabueshme të frymëzimit, unë guxoj të pohoj që asnjë grimcë Arminianizmi nuk e ka ndjekur kurrë një shenjtor në qiell. Nëse ajo pjesë e njerëzve të Perëndisë, që janë të kapur nga ky gabim, nuk kthehen prej tij në mënyrë të qartë ndërsa jetojnë ende midis njerëzve; do ta lënë mbrapa në Jordan (lumin e vdekjes) kur të kalojnë përmes tij. Ata mund të krahasohen me Palin, kur ai shkoi nga Jeruzalemi drejt Damaskut, dhe Hiri i Perëndisë e shëmbi në tokë; ai ra si vullnetlirë; por u ngrit si hirilirë. Kështu që megjithëse ndryshku i krenarisë së vetë-drejtësisë (dhe një ndryshk i mallkuar është; Fryma e Perëndisë e heqtë nga të gjithë shpirtrat tanë), megjithëse ai ndryshk mund të qëndrojë në ne në të tashmen, kur të qëndrojmë përpara fronit, dhe përpara Qengjit, do të zhduket plotësisht, dhe ne do të këndojmë në një zë të vetëm, kore të përjetshme, me engjëjt e zgjedhur dhe njerëzit e zgjedhur, “Jo për shkakun tonë, O Zot, jo për shkakun tonë.”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes