Si të Luftojmë me Zemërimin Mëkatar

Zemerimin

Përpara se zemërimi të shpërthejë përsëri:

1. Rrëfeja mëkatet e tua të shkuara të zemërimit Perëndisë dhe të tjerëve që e kanë vënë re. Shpjego synimin tënd për të qenë i butë, i duruar dhe i përulur në të ardhmen dhe kërko falje (Mateu 5:23, 24).

2. Kërkoji Perëndisë të punojë në këtë fushë të jetës tënde dhe të të ndihmojë që të vësh të gjitha forcat për të ndryshuar dhe për t’u bërë më shumë si Krishti (2 Korintasve 9:8).

3. Gjej mendimet e drejta për të luftuar mendimet e gabuara që ti ke zakonisht. Shkruaji. Përdor pjesë nga Shkrimi, ose koncepte biblike në mendimet e tua të reja. Përfshi falenderimin në mendimet e tua të reja. Shprehi mendimet e tua të reja në formë lutjeje sa herë të mundesh (Romakëve 12:2).

  • Mendime që çojnë në zemërim
  • -S’më besohet që ajo po vonohet përsëri! E kam inat të bëhem vonë. Unë dua të jem në kohë. Nuk do ta duroj më këtë!!
  • Mendime që çojnë në butësi dhe durim
  • -Nuk më pëlqen të jem vonë, por dashuria është e durueshme. Unë do t’i tregoj dashuri asaj duke qenë i duruar. Si mund ta ndihmoj atë që të jetë në kohë më shumë për të mirën e saj? Faleminderit Zot që ajo merr kohë për t’u zbukuruar.
  • Mendime që çojnë në zemërim
  • – Si guxon ajo të më flasë ashtu! Unë meritoj më shumë respekt se sa kaq. Nuk do ta lejoj të më trajtojë kështu!
  • Mendime që çojnë në butësi dhe durim
  • -Nuk do të lejoj që krenaria ime të marrë zjarr. Zot, Ti nuk mëkatove kur nuk të respektuan. Çfarë po përpiqet ajo të më thotë? Do të merrem me mëkatin e saj më vonë. Jam mirënjohës që po më vihet në dukje që kam bërë diçka të gabuar.
  • Mendime që çojnë në zemërim
  • -Pse nuk sillen mirë këta fëmijë dhe të më lënë rehat? Jam i lodhur dhe dua të shikoj televizor. Do t’ua tregoj qejfin.
  • Mendime që çojnë në butësi dhe durim
  • -Të merrem me fëmijët është puna ime si prind dhe kjo të pëlqen Ty Zot. Jam i lodhur, por të lutem më jep hirin që t’i ndihmoj fëmijët të mësojnë. Faleminderit për ata Zot dhe për mundësinë që t’i mësoj.

4. Mëso përmendësh disa vargje mbi zemërimin dhe disa vargje mbi butësinë, durimin, faljen, përulësinë (Efesianëve 4:23).

5. Meqenëse zemërimi gjithmonë ka brenda krenari, egoizëm ose të dyja, syno të veshësh mendime dhe veprime të dashura dhe të përulura çdo ditë. Bëj një listë të kohëve dhe të mënyrave si mund të tregosh dashuri dhe përulësi (Gjoni 13:35; 1 Korintasve 13:4-7; 1 Pjetrit 5:5).

6. Vendos se në cilat dëshira dhe synime të perëndishme duhet të përqëndrohesh në situatat në të cilat zakonisht zemërohesh (Psalmi 40:8; 1 Korintasve 10:31).

7. Bëj një studim mbi durimin, zemërgjerësinë që Perëndia ka me ty (Numrat 14:18; Psalmi 145:8; 2 Timoteut 2:15; Bibla Tematike MekArtur durimi, zemërgjerësia dhe hiri).

8. Ji vigjilent, gati për të ushtruar vetëkontroll dhe për të ndryshuar të menduarit. Ki mendjen për situatat dhe për mendimet që ke zbuluar kur priresh të zemërohesh. Bëj një listë të përmbledhur të këtyre (1 Pjetrit 1:13).

9. Kërkoju të tjerëve të të mbajnë përgjegjës për zemërimin tënd (Galatasve 6:1,2; Hebrenjve 10:24, 25).

10. Mos u shoqëro me individë zemërakë, përveç rastit kur ata po kërkojnë të ndryshojnë (Fjalët e Urta 22:24).
——-

Në kohët kur tundohesh të zemërohesh, ose po fillon të zemërohesh:

1. Lutju Perëndisë për ndihmë (Hebrenjve 4:16).

2. Zhvishe zemërimin (Fjalët e Urta 14:17).

Bëji vetes pyetjen “Çfarë është ajo gjë që po dëshiroj kaq fort?” Dorëzoje atë gjë. E vetmja dëshirë që duhet të kesh është të përlëvdosh Perëndinë.

Bëji vetes pyetjen “Çfarë po mendoj që është gabim?”

3. Vish butësinë, durimin dhe përulësinë (Fjalët e Urta 16:32; Jakobi 1:19).

Bëji vetes pyetjen “Çfarë duhet të mendoj?” Përdor mendimet e tua të reja dhe Shkrimin.

Bëji vetes pyetjen “Cili është synimi i duhur?”

Bëji vetes pyetjen “Si mund të jem i duruar dhe të mendoj për të tjerët?”

Bëji vetes pyetjen “Çfarë dëshirojnë Perëndia dhe të tjerët?” Si mund t’iu shërbej atyre?

Bëji vetes pyetjen “A ka diçka të duhur që duhet ta bëj në lidhje me problemin apo çështjen?” (Për shembull: T’i vë në dukje mëkatin në mënyrën e duhur, të planifikoj një zgjidhje, të marr këshillë, etj.)
——-

Në qoftë se dështon dhe zemërohesh në mënyrë mëkatare:

1. Bëji vetes pyetjen “Si mëkatova?” Ji specifik.

2. Bëji vetes pyetjen “Në qoftë se mund ta përsërisja dhe një herë situatën, si duhej të kisha menduar dhe vepruar ndryshe?”

3. Merru me mëkatin e zemërimit sa më shpejt që të jetë e mundur (Efesianëve 4:26).

4. Rrëfe mëkatin dhe kërkoji falje Perëndisë dhe kujtdo tjetër që mund të ketë qenë dëshmitar i zemërimit tënd mëkatar dhe objekt i tij. Ji specifik në lidhje me mënyrën se si u zemërove në mënyrë mëkatare: mendime të gabuara, veprime të gabuara, mungesë dashurie etj (Psalmi 32:5; Jakobi 5:16).

5. Thuaji Perëndisë dhe të tjerëve çfarë planifikon të bësh në të ardhmen në vend që të zemërohesh në mënyrë mëkatare (Psalmi 119:59, 60).

6. Ji vigjilent përsëri (1 Pjetrit 5:8).

Është e rëndësishme që të mos ia ushqesh vetes mendimin “kjo është e pamundur” ose “unë mund të ndryshoj kurrë”. Nëse i praktikon parimet e mësipërme, do ta shohësh që zemërimi yt do të bëhet gjithmonë e më i rrallë. Me hirin e Perëndisë, me Fjalën e Perëndisë dhe me përpjekjet e tua të sinqerta ti do të mundesh të ndryshosh (1 Korintasve 10:13). Mbaj mend që tundimi nuk është mëkat, por veprimi sipas tundimit është mëkat. Mos u lodh së bëri të mirën dhe do të shohësh frytin e përpjekjeve të tua (Galatasve 6:9). Në qoftë se Perëndia mund të kthejë “një bir të bubullimës” (Apostullin Gjon) në apostullin e dashurisë, Ai mund të të ndryshojë dhe ty (Marku 3:17; 1 Gjonit 4:7-21). Një i Krishterë që do të imitojë Krishtin duhet të jetë “i ngadalshëm në zemërim” dhe “i madh në mirësi.”

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Psalmi 103:8

 

– Stuart Scott

Marre nga libri ne shqip “Zemërimi, Ankthi dhe Frika – Një Këndvështrim Biblik”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes