Pyetje: Si mund ta refuzosh vullnetin e lirë? A nuk i’u thotë Moisiu izraelitëve “Zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhja jote” (Ligji i Përtërirë 30:19)
Përgjigje: Po, është shumë e vërtetë që Perëndia i urdhëron izraelitët të “zgjedhin jetën”, Por kur lexohet në kontekst të të gjithë kapitullit, Moisiu zbulon që fuqia për t’ju bindur këtij urdhërimi vjen nga hiri ripërtëritës:
“Zoti, Perëndia yt, do ta rrethpresë zemrën tënde dhe zemrën e pasardhjes sate, që ti ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, dhe kështu ti të jetosh.” (Ligji i Ripërtërirë 30:6)
Në fjalë të tjera, Perëndia i urdhëron njerëzit të binden, por Ai gjithashtu jep të gjithë hirin e nevojshëm për ta bërë këtë. Urdhërimi për të besuar nuk përmban në vetvete fuqinë për ta bërë këtë. Urdhërimi i Perëndisë për bindje (çfarë ne duhet të bëjmë) nuk nënkupton që një person mund ta bëjë këtë veçmas hirit. Perëndia duhet t’i çlirojë nga dashuria e natyrshme për mëkatin dhe nga armiqësia e natyrshme ndaj Perëndisë, nëse ata do të kenë ndonjë shpresë për të lëvizur drejt tij. Të lënë në dorën tonë ne jemi tepër krenarë për të lënë vetë-kënaqësinë dhe vetë-drejtësinë tonë, dhe kështu ne kurrë nuk do të kuptonim gjendjen tonë të mjerë, të humbur dhe fajtore, derisa Perëndia ta japë.
Por pse nuk besuan të gjithë Izraelitët? Sepse jo të gjithë ishin fëmijë të premtimit. Disa Perëndia i la në mburrjen e vullnetit të tyre të lirë duke i lënë të bënin çfarë deshën. Te Romakët 9: 6-8 thuhet për Izraelin:
“Sepse jo të gjithë që janë nga Izraeli janë Izrael. As sepse janë pasardhje e Abrahamit janë të gjithë bij; por: “Në Isakun do të quhet pasardhja jote”. Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por bijtë e premtimit llogariten si pasardhës.”
Kjo do të thotë që rrethprerja shpirtërore nuk i’u dha të gjithë pasardhësve fizikë të Abrahamit por fëmijëve të premtimit në mesin e tyre. Të tjerët u urdhëruan por refuzuan të bindeshin. Disa marrin mëshirë por të tjerët marrin drejtësi.
Në 2 Kronikat 30:6-12 na jepet gjithashtu një pamje se çfarë ndodh mbrapa skenave se pse disa njerëz besojnë ungjillin dhe disa të tjerë jo:
“6. Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judë me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: “Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që ju ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë. 7. Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni. 8. Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju. 9. Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë çuar në robëri dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai”.”
- Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta. 11. Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem. 12. Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëjtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të princave, sipas fjalës të Zotit.”
Pse disa besuan? Sipas këtij pasazhi, është për shkak se Perëndia pati mëshirë mbi ta dhe i’u dha një zemër për të ndjekur urdhërimin e Perëndisë për t’u penduar. Vini re që të tjerët përqeshën dhe tallën fjalën e Perëndisë.
Perëndia na dhëntë të gjithë sytë për të parë këtë të vërtetë.
Përkthyer nga:http://www.reformationtheology.com/theology/