Nga Fikret
1 – Dëshmia e Ungjijve ofron dëshminë më të besueshme për Krishtin. Prediko Ungjillin ashtu siç është! Mos përdor terma biblikë të zbutur për të kënaqur dëgjuesit myslimanë. Ji i qartë për atë që ti beson dhe pse e beson. Njihi mirë Shkrimet dhe njih Rrëfimet e Besimit dhe atë që beson saktësisht (katekizmat). Sa më shumë të dish për besimin tënd, aq më lehtë është të flasësh me muslimanët.
2- Nuk ka Ungjill në Islam. Kurani e kundërshton qartë thelbin e Krishterimit biblik. Ai refuzon natyrën Triune të Perëndisë, shformon doktrinat biblike të personit të Krishtit dhe mohon drejtësimin përmes besimit për shkak të veprës së Krishtit në kryq. Ndërkohë që pretendon se është feja e përjetshme e natyrës dhe historisë, duke ndjekur hapat e Krishterimit, ai përpiqet të justifikojë pretendimet e tij duke pohuar se Fjala e Perëndisë, e shpallur në Dhiatën e Re dhe të Vjetër, është e korruptuar. Diskutimi ynë apologjetik me myslimanët duhet të jetë për të mbrojtur Shkrimet dhe të provojmë se Shkrimet nuk janë të korruptuara siç pretendojnë ata. Qëllimi ynë është të hapim pak mendjet e tyre në mënyrë që ata të mund të fillojnë të lexojnë Ungjijtë për një dëshmitar okular ose një shok të një dëshmitari të Jezu Krishtit të vërtetë.
3 – Gjithmonë u bëj atyre pyetjet klasike të ungjillëzimit. “Çfarë mund të thuash për shpëtimin tënd?” “A mund të jesh i sigurt për të?” “Nëse do të vdisje, a mund të jesh i sigurt që do të hysh në parajsë?” Përgjigja e tyre është gjithmonë, “Jo, nuk mund të jem i sigurt, dhe as nuk më intereson.”
4 – Shumica e misionarëve perëndimorë janë të orientuar drejt rezultateve. Në vend të kësaj, ti duhet të shqetësohesh për të predikuar Ungjillin si duhet (ashtu siç është). Thelbi i ungjillëzimit për myslimanët është komunikimi i saktë rreth mëkatit dhe hirit, thjesht dhe qartë. Fol për ligjin dhe Ungjillin, jo për infralapsarianizmin dhe thjeshtësinë hyjnore! Mos e krahaso Biblën me Kuranin. Kjo vjen më vonë!
5 – Gjithmonë kujto se po flet me myslimanë. Shmang përdorimin e zhargonit të krishterë. Fol për mëkatin e vërtetë, fajin e vërtetë, gjakun e vërtetë që është derdhur! Mos ki turp të përdorësh tituj të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të Jezusit si “Biri i Perëndisë,” “Drita e Perëndisë,” “Adami i Ri,” “UNE JAMI – YAHWEH,” “Shpëtimtari,” “Perëndia i Plotfuqishëm.”
6 – Përdor takt dhe ji ndihmues. Mos fol për dënimin me një mysliman ose një të kthyer të ri që sapo ka humbur një anëtar jobesimtar të familjes. Ji i sjellshëm dhe i dashur. Shumë myslimanë veprojnë dhe flasin nga padituria, jo nga keqdashja.
7 – Ji i ndjeshëm ndaj të kaluarës së tyre. Nëse ata kanë pasur një përvojë të keqe me të krishterët, misionarët, kishat, ose kanë luftuar me një mëkat të caktuar, etj., ji i kuptueshëm dhe i ngrohtë. Myslimanët i urrejnë të vetë-drejtët, dhe me të drejtë. Mos e zbut ligjin dhe fajin e mëkatit, por sigurohu që ata të kuptojnë që ti je një mëkatar i drejtësuar, jo një i vetë-drejtë që “i di të gjitha” që është aty për t’i korrigjuar ata.
8 – Myslimanët do të të bëjnë shumë pyetje për besimin tënd. Mos u ndje që duhet t’u përgjigjesh të gjitha pyetjeve të tyre në një ditë. Megjithatë, sigurohu që ata të dëgjojnë qartë përgjigjet e tua për një ose dy pyetje. Qëndro në temë dhe mos u largo nga ajo. Kur biseda devijon, ktheje atë përsëri në skenën kryesore, ligjin dhe Ungjillin.
9 – Myslimanët do të të kërkojnë të komentosh për besimin e tyre. Mos shko ay. Ata nuk do të kenë dobi nga kritika jote (ose miratimi i shtirur) i feve të tjera. Puna jote nuk është të demaskosh Islamin, por që të japësh një dëshmi të qartë për të vërtetën e Ungjillit. Në vend që t’i lejosh ata të të tërheqin në temën e tyre, ktheje bisedën dhe bëju pyetje. Lëri ata të artikulojnë kuptimet e tyre për temat fetare që po diskutoni. Ajo që po komunikon le të jetë e vërteta e thjeshtë e doktrinave të Krishtera pa numëruar se si Islami është gabim.
10 – Mesazhi i Ungjillit i ofendon myslimanët. Kjo është diçka që duhet të pritet. Por mos u shqetëso! Perëndia do të kujdeset për dëgjuesin. Është mesazhi i Tij. Myslimanët nuk do të kthehen te Krishti nëse nuk ofendohen nga mesazhi i Ungjillit. Ofendoji ata duke qenë shumë i qartë për mësimet e Krishtit!
11 – Mos përdor asnjë përkthim Bible “miqësore për myslimanët”. Përkthimet e Biblës “miqësore për myslimanët” janë shumë mashtruese. Ato nuk janë besnike ndaj Shkrimeve origjinale. Myslimanët e shohin këtë si një formë mashtrimi nga misionarët.
12 – Ungjillëzimi ndaj myslimanëve nuk është për të fituar një argument, por për t’i çuar myslimanët te Krishti me anë të Ungjillit. Diskutimet mund të bëhen të nxehta dhe intensive herë pas here, dhe kjo është në rregull. Por qëllimi i ungjillëzimit ndaj myslimanëve nuk është që të tregosh pse ti ke të drejtë dhe Islami është gabim. Është për të komunikuar të vërtetën e Ungjillit. Mesazhi duhet të jetë ofendimi. Jo ti!
13 – Kur myslimanët janë apatikë ndaj mëkatit, përdor ligjin. Kur myslimanët kanë dyshime ose janë skeptikë, përdor argumente bazike apologjetike. Kur myslimanët shprehin faj për mëkatin, prezanto Ungjillin.
14 – Ungjillëzimi ka të bëjë me çuarjen e myslimanëve te Krishti. Të bindësh jo të krishterët ose Ungjillorët që teologjia e Reformuar është e vërtetë, bie nën kategorinë e polemikave. Mos i ngatërro të dyja.
15 – Kur flet me myslimanët, qëndro me atë që të gjithë të krishterët mbajnë të përbashkët kudo që është e mundur. Lëri mosmarrëveshjet midis të krishterëve kur flet me myslimanët. Një mysliman nuk do t’ja dijë shumë për dallimet mes katolikëve dhe protestantëve apo luteranëve dhe baptistëve. Çështje si kuptimi i saktë i Darkës së Zoti ose metodat e pagëzimit duhet të adresohen më vonë, gjatë dishepullizimit.
16 – Sa herë që është e mundur, kur flet me myslimanët, fol për Krishterimin si të vërtetë faktike – “Jezusi bëri këtë,” “Jezusi tha këtë,” “njerëzit dëgjuan dhe e panë atë,” etj. Qëndro larg qasjes subjektive – “funksionon për mua,” “kjo është si ndihem për të,” “kjo është dëshmia ime.”
17 – Përpara takimit me miqtë e tu myslimanë, lutu për urtësi.
18 – Myslimanët do ta respektojnë pasazhin që citon, por jo mendimin tënd personal. Beso në fuqinë e Perëndisë Frymë e Shenjtë që vepron përmes Fjalës. Citoji pasazhet drejtpërdrejt nga Shkrimet me atribuim: “Jezusi thotë, Pali thotë…”. Nuk do i ndihmojë myslimanët të dëgjojnë mendimin tënd personal mbi çështjet biblike. Kështu që, mos thuaj “Mendoj se,” ose “Mua më duket se,” ose “Unë ndjej si…”. Myslimanët i interpretojnë mendimet e tua, qëndrimin tënd mbi gjërat, ose ndjenjat e tua si pjesë të korruptimit të Biblës.
19 – Mos i ngut gjërat me myslimanët. Vetëm sepse një mysliman nuk është gati të besojë te Krishti pas një takimi nuk do të thotë që nuk ka ndodhur ungjillëzim efektiv. Para-ungjillëzimi është po aq i rëndësishëm. Ti mund të mbjellësh, por dikush tjetër mund të duhet që ta ujitë. Gjithmonë mbaj mend që nuk jemi ne që i konvertojmë myslimanët te Krishti, por Perëndia Vetë (në kohën e Tij).
20 – Mbaj mend që ungjillëzimi nuk është i plotë pasi ti e paraqet për herë të parë mesazhin e Ungjillit për një mysliman. Ungjillëzimi duhet të vazhdojë edhe pasi ata të pendohen dhe t’ja japin jetën Krishtit. Ata duhet të ulen nën shërbesën e Fjalës. Ungjillëzimi i myslimanëve është i plotë vetëm pasi ata të pagëzohen, të sillen në Darkën e Zotit dhe të vazhdojnë të ulen nën predikimin e Fjalës në kishë. Në fjalë të tjera, ungjillëzimi kurrë nuk mbaron. Dishepullizimi është ungjillëzim.
21 – Trajtoi myslimanët si persona për të cilët shqetësohesh. Ndërto marrëdhënie dhe miqësi me myslimanët sa herë dhe kudo që është e mundur.
22 – Mos harro që një profet është pa nder në shtëpinë e tij. Mundësitë që të kthyerit nga islami të drejtojnë anëtarët jobesimtarë të familjes së tyre (ose dikë afër tyre) te Krishti janë të pakta. Inkurajoi ata ndërsa japin dëshmi për atë që kanë mësuar, por gjithashtu lutu që Perëndia të sjellë njerëz të tjerë në skenë për të ndihmuar në ungjillëzimin e familjeve të tyre.
23 – Mos i detyro gjërat. Nëse miqtë e tu myslimanë kundërshtojnë, tallin, dhe nuk janë të interesuar, tërhiqu. Gjej një kohë dhe një vend tjetër. Nëse pas përpjekjeve të përsëritura për të komunikuar Ungjillin, dikush ende tregon një mosgatishmëri për të dëgjuar atë që ke për të thënë, “shkund pluhurin nga këmbët e tua dhe kalo në një qytet tjetër.”
24 – Ji i gatshëm të marrësh për miqtë e tu myslimanë burimet që ata kanë nevojë: ji i gatshëm t’u ofrosh atyre një Bibël (jo vetëm Dhiatën e Re), librin e duhur për të lexuar, dhe sigurisht një ftesë për në shtëpinë tënde dhe më vonë një ftesë për të marrë pjesë në kishën tënde ose në një studim biblik, etj.
25 – Lutu për mundësi për të ungjillëzuar myslimanët. Sigurohu që t’u tregosh miqve të tu myslimanë se ti viziton rregullisht një kishë. Mos e shkëput përpjekjen tënde ungjillëzuese nga kisha. Lutu për kishën tënde, që Perëndia do të bekojë predikimin e Fjalës së Tij, që Ai të sjellë myslimanë në mesin tuaj, dhe që Ai ta bekojë kishën me rritje.
26 – Ti nuk ke nevojë të bëhesh një arminian praktik për të qenë një ungjilltar besnik. Një qasje e krishterë për ungjillëzimin ndaj myslimanëve do të thotë thjesht t’u thuash myslimanëve të vërtetën me dashuri pa e ndryshuar atë. Beso që Perëndia Frymë e Shenjtë do të depërtojë në zemrat dhe mendjet e myslimanëve me “ungjillin.”
27 – Myslimanët duan shumë të këndojnë himne islame që tregojnë historitë e Kuranit. Këndimi i himneve islame është këndimi i fjalëve të Kuranit. Tregoji miqve të tu myslimanë disa mostra të këngëve biblike të Krishtera me vargje të marra drejtpërdrejt nga Shkrimet. Në fjalë të tjera, këndoni Biblën për ta! Roli i muzikës në kulturën njerëzore është të bashkojë njerëzit. Biblikisht ne jemi të urdhëruar të këndojmë lavdërimet e Krishtit. Ka 694 referenca për këndimin ose krijimin e muzikës në Shkrimet e Shenjta. Këndimi pjesëmarrës është një çështje shumë e rëndësishme biblikisht. Nuk do të ketë këndim në ferr, por shenjtorët në qiell do të këndojnë pafundësisht. Kjo është vërtet mbresëlënëse dhe e mrekullueshme! Le t’u tregojmë myslimanëve se çfarë do të bëjmë në qiell.
28 – “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave.” (Zbulesa 14:7)