Si Kisha Bashkëkohore Ka Gërryer dhe Shtrëmbëruar Adhurimin e Vërtetë të Perëndisë së Gjallë

Kisha

Kur hedhim një vështrim në historinë biblike, ne gjejmë një model adhurimi që është shumë larg nga ajo që shohim në shumicën e kishave moderne sot. Izraelit të lashtë, një popull i veçuar nga Perëndia, i’u dhanë ligje dhe udhëzime të hollësishme mbi mënyrën se si duhet të adhurohet Krijuesi i qiellit dhe tokës. Ishte një qasje thellësisht e mbushur me nderim të madh dhe e udhëhequr nga Fjala e shenjtë e Perëndisë. Adhurimi i Perëndisë nuk shihej kurrë si diçka opsionale apo e negociueshme. Detajet e hollësishme të flijimeve, roli i Levitëve dhe madhështia e Perëndisë e shfaqur në Arkën e Besëlidhjes, të gjitha këto ishin të menduara për t’i drejtuar njerëzit e Perëndisë drejt lavdisë së Tij. Ishte elementi qendror i jetës izraelite dhe mospërmbushja e tij gjithmonë përfundonte me pasoja drastike dhe gjykim.

Tani, nëse shkojmë në ditët tona ajo që dëshmojmë është një largim drastik nga adhurimi biblik historik. Adhurimi është deformuar në mënyrë të rëndë, ai është zhveshur nga shenjtëria dhe është ripërkufizuar sipas impulseve të kulturës popullore. Drejtuesit e adhurimit dhe grupet e tyre muzikore janë kthyer në asgjë më shumë se performues në skenë që transmetojnë talentet e tyre për çfarëdo audience që mund t’i ndjekë, në vend që të jenë shërbëtorë të përulur që udhëheqin bashkësinë në këndimin e lavdërimeve për Perëndinë. Ndërkohë që kapriçiozizmi i ideologjisë kolektive formëson shërbesën e adhurimit të kishës, Fjala e Perëndisë shpesh anashkalohet, duke u reduktuar thjesht në një mesazh të shkurtër që shtohet në fund të një seti muzikor të intensitetit të lartë.

Por le të jemi të qartë se adhurimi i vërtetë gjithmonë ka qenë i ndërtuar mbi Fjalën e Perëndisë. Qoftë kur Levitët recitonin Ligjin, leximi i Psalmeve, apo apostujt që shpjegonin mësimet e Krishtit në kishën e hershme, shpallja e Fjalës së Perëndisë ishte qendra e adhurimit. Në fakt, është e pamundur që ta adhurosh Perëndinë me të vërtetë pa njohur dhe pa i’u nënshtruar të vërtetës së Tij të zbuluar. Si mund të pretendojë dikush se nderon Perëndinë, ndërsa shpërfill Fjalën që Ai ka dhënë për mësimin dhe ndërtimin tonë?

Shumë kisha ungjillore bashkëkohore e kanë ndarë adhurimin, duke e ndarë muzikën nga predikimi i Fjalës. Në këto raste, “adhurimi” zakonisht i referohet vetëm pjesës muzikore ose koncertore të shërbesës, ndërsa predikimi shpesh shihet si një komponent i ndarë, madje edhe më pak i rëndësishëm. Ky është një gabim i rëndë pasi predikimi i Fjalës së Perëndisë nuk është një shtesë e thjeshtë. Është themeli i adhurimit. Përgjigjja jonë ndaj Fjalës së predikuar, pendesa, besimi, bindja, nderimi, respekti, është në vetvete një akt adhurimi, duke nderuar Perëndinë përmes pranimit dhe zbatimit të së vërtetës së Tij.

Megjithatë, rrjedha aktuale, ku përvojat emocionale kanë zëvendësuar të vërtetat biblike si qëllimi kryesor i adhurimit, është alarmante! Merrni për shembull lëvizjet e shumta ungjillore dhe karizmatike të kishave që fokusohen kryesisht në produktet e tyre muzikore. Këto kisha, të njohura dhe me ndikim global, qartazi i kanë dhënë përparësi krijimit të një ambienti emocionalizmi. Pesha e lavdisë së Perëndisë dhe pasuria e doktrinës së shëndoshë janë sakrifikuar në altarin e një ekstaze të përkohshme. Këngë me tekste të përsëritura dhe aranzhime muzikore hipnotike ose këngë që pasqyrojnë kulturën popullore përzgjidhen qëllimisht për të nxitur një shpërthim emocional.

Për shembull, në Hillsong, performancat madhështore, të shoqëruara me shfaqje dritash lazer dhe muzikë koncertesh, janë mahnitëse për shumë njerëz, por dikush mund të pyesë: ku është nderimi për vetë Perëndinë? Ku është respekti që Shkrimet na urdhërojnë kur hyjmë në praninë e të Plotfuqishmit?

Gjithashtu Kisha Bethel ofron një atmosferë ku dominojnë përvojat sensacionale. Njerëzit shkojnë në “dhomat e shërimit” dhe marrin pjesë në të ashtuquajturat “akte profetike,” ku shumica e të cilave janë të shkëputura plotësisht ose madje të kundërta me mësimet e Shkrimeve. Theksimi te shenjat e mbinatyrshme dhe përvojat individuale emocionale rrezikon të errësojë rëndësinë e mesazhit të Ungjillit.

Pastaj është Kisha “by the Glades”, një megakishë si bota baptiste jugore, e cila ka çuar sensacionalizmin në një nivel krejtësisht tjetër. Kjo kishë është e njohur për përdorimin e elementeve të kulturës popullore, duke shfaqur këngë nga artistë imoralë shekullarë dhe madje duke rikrijuar skena nga filmat e njohur si pjesë e shërbesave të tyre. Në kërkimin për të qenë “relevant,” serioziteti i Ungjillit është holluar, duke u ulur thjesht në një akt tjetër të spektaklit. Njerëzit vijnë për spektaklin dhe largohen të argëtuar, por a largohen ata të transformuar përmes ripërtëritjes së mendjeve të tyre përmes Fjalës së Perëndisë? Jo.

Shërbesat në këto kisha shpesh janë të projektuara për të stimuluar shqisat dhe për t’i argëtuar, në mënyrë që ti bëjnë ata të vijnë përsëri javën e ardhshme, jo për t’i shërbyer Zotit, por për të marrë një tjetër “dozë” argëtimi fetar. Fokusimi ka kaluar nga adhurimi i qendërzuar te Perëndia në përvojat e qëndërzuara të njeriut, dhe në këtë proces, kisha po humbet veçantinë e saj, duke u bërë më shumë si një park argëtimi shpirtëror sesa një shtëpi adhurimi.

Në këtë peizazh shqetësues, shumë të ashtuquajtur adhurues as nuk e kuptojnë idhujtarinë në të cilën po marrin pjesë. Ata largohen nga kisha duke u ndjerë të ngritur shpirtërisht, por mbeten thellësisht të paditur ndaj Perëndisë që pretendojnë të kenë adhuruar. Në këto ambiente, ne kemi shkëmbyer respektin dhe nderimin për Perëndinë me një ekstazë emocionale të çastit. Ne kemi shkëmbyer të shenjtën dhe të përjetshmen me sipërfaqësoren dhe të përkohshmen. Dhe duke bërë kështu, ne jo vetëm që kemi ripërkufizuar adhurimin, por e kemi përdhosur atë.

Kishat moderne duhet të rikthehen në rrënjët e tyre, të rikalibrojnë prioritetet dhe të kthehen në një model biblik të adhurimit. Një model që lartëson Perëndinë mbi gjithçka, nderon Fjalën e Tij dhe udhëheq popullin e Tij në një adhurim të vërtetë dhe të mbushur me Frymën. Çdo gjë më pak jo vetëm që është një padrejtësi ndaj Perëndisë, por edhe një dëm për shpirtrat që pretendojmë se po i ushqejmë.

 

Përkthyer nga:
https://disntr.com/2023/09/14/how-the-contemporary-church-has-eroded-and-perverted-true-worship-of-the-living-god/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes