Drita e Nevojshme e Këshillimit Biblik
Nga Garry Eriks
Megjithëse njerëzit e Perëndisë janë thirrur për të jetuar për lavdinë e Tij, nganjëherë, për shkak të mëkatit të brendshëm dhe shumë tundimeve, njerëzit e Perëndisë bien në mëkate të mëdha dhe të tmerrshme. Me anë të këtyre mëkateve ata ofendojnë Perëndinë, përjetojnë faj, hidhërojnë Frymën e Shenjtë dhe ndoshta humbasin ndjesinë e favorit të Perëndisë (Kanunet e Dortit, 5.3). Kisha e sheh këtë realitet në martesat, të cilat janë nën sulmin e vazhdueshëm të Satanit dhe të botës. Brenda kishave sot, shumë anëtarë janë të skllavëruar nga mëkatet e pornografisë, dehjes, përdorimit të drogës, vetë-dëmtimit dhe shumë mëkate të tjera. Këto mëkate lindin nga një zemër që nuk po kërkon të vetmin, të vërtetin dhe të gjallin Perëndi.
Shumë nga njerëzit e Perëndisë gjithashtu po luftojnë në besimin e tyre ndërsa përballen me vuajtje dhe me përgjegjësitë e rënda të jetës së tyre. Çdo i krishterë që ka jetuar mjaft gjatë i di vështirësitë e mëdha të jetës. Shumë nga njerëzit e Perëndisë po përjetojnë sprova të tilla si kanceri, vështirësitë financiare, vdekjen e një të dashuri, një fëmijë që ecën në mëkat, një bashkëshort (apo prind) që ka braktisur familjen. Në vend që të besojnë te Perëndia duke ia besuar rrugën e tyre dashurisë së Tij sovrane, ata mbështeten në të kuptuarin e tyre, duke u përpjekur të gjejnë kënaqësi dhe gëzim në gjërat e kësaj bote. Kultura jonë thotë se ajo që njerëzit kanë më shumë nevojë është lehtësimi nga vuajtjet që përjetojnë. Burra, gra dhe të rinj të tjerë kërkojnë çfarëdo që duket se ofron lehtësim të shpejtë. Kjo mendësi ka infiltruar edhe kishën gjithashtu. Prandaj, herë pas here, delet e Perëndisë luftojnë për të reaguar siç duhet ndaj vuajtjeve në jetën e tyre.
Kur njerëzit e Perëndisë përballen me këto probleme shpirtërore, ku duhet të shkojnë ata? Kush është i aftë dhe i kualifikuar për t’i këshilluar? Cilat janë opsionet? A duhet të shkojnë te psikologu profesional dhe shekullar sepse ai është “eksperti” në këto çështje? Apo duhet të shkojnë te mjeku i tyre për medikamente? Apo duhet të dërgohen te këshillues të krishterë, të cilët kanë integruar psikologjinë shekullare me të vërtetën e krishterë? A është përgjigjja te pastorët, pleqtë dhe anëtarët e kishës që ndjekin më shumë edukim në psikologji? Apo duhet që kisha të këshillojë me Fjalën e Perëndisë? Apo ndoshta përgjigjja gjendet në një kombinim të këtyre opsioneve? Këto janë pyetjet e vështira me të cilat përballet kisha sot.
Njerëzit e Perëndisë që po vuajnë dhe po luftojnë me çështjet shpirtërore dhe mëkatin, duhet të kërkojnë këshillim biblik nga pastorët, pleqtë, dhjakët dhe anëtarët e tjerë të kishës. Njerëzit e Perëndisë duhet të kërkojnë këshillim biblik dhe jo psikologji shekullare apo këshillime që përpiqen t’i kombinojnë të dyja. Kisha duhet t’i trajtojë këto probleme shpirtërore me të vërtetën biblike sepse kisha ka Shkrimet, të cilat janë të mjaftueshme.
Antiteza
Pse psikologjia shekullare nuk është përgjigjja për problemet e jetës? Arsyeja qëndron te e vërteta biblike e antitezës. Antiteza ka të bëjë me mënyrën se si të krishterët ndërveprojnë me një botë dhe kulturë të paperëndishme. Fjala “antitezë” do të thotë të jesh kundër një pozicioni ose pikëpamjeje të caktuar. Antiteza i referohet diçkaje që është e kundërta e drejtpërdrejtë e diçkaje tjetër, e cila mund të përfshijë një person, ide dhe pretendime për të vërtetën.
Edhe pse fjala “antitezë” nuk gjendet në Shkrime, koncepti është aty. Për ta kuptuar këtë koncept, ne reflektojmë mbi premtimin e parë të Perëndisë që gjendet te Zanafilla 3:15. Pasi Adami mëkatoi, Perëndia shpalli antitezën si pjesë të premtimit të Tij: “Dhe unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; fara e saj do të shtypë kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj.” Duke i folur djallit, Perëndia tha se do të kishte urrejtje midis fëmijëve të djallit dhe fëmijëve të Perëndisë, midis të pabesëve dhe të drejtëve, midis kishës dhe botës. Kjo është antiteza. Që nga ky moment në histori, nuk do të ketë bashkësi, miqësi apo dashuri midis këtyre dy grupeve në botë, por vetëm urrejtje.
Kjo urrejtje ekziston sepse Perëndia e ka vendosur atë. Te Zanafilla 3:15, Perëndia thotë: “Unë do të shtie armiqësi midis…” Sepse Perëndia e bën këtë, dy grupet në botë janë rrënjësisht të ndryshme. Të ligjtë jetojnë për lavdinë e vetvetes, ndërsa njerëzit e Perëndisë jetojnë për lavdinë e Tij. Të pabesët janë nën zemërimin e Perëndisë dhe do të vuajnë përjetësisht në ferr, ndërsa njerëzit e Perëndisë janë nën favorin e Tij dhe do të jetojnë me Të përgjithmonë në qiell (Psalmi 73). Të pabesët e urrejnë Perëndinë, ndërsa njerëzit e Perëndisë e duan Atë. Prandaj, ka një ndarje shpirtërore midis tyre. Mëkati i Adamit në ngrënien e frutit të ndaluar solli vdekjen në botë (Romakëve 5:12). Por Perëndia i ka ndarë njerëzit e Tij nga bota duke i zgjedhur, i shpenguar dhe thirrur njerëzit e Tij nga errësira në dritën e Tij të mrekullueshme (1 Pjetri 2:9). Hiri i Perëndisë për njerëzit e Tij të zgjedhur ka krijuar këtë ndarje shpirtërore.
Antiteza duhet të jetohet nga njerëzit e Perëndisë. Të jetuarit antitezik është urdhri i Perëndisë te 2 Korintasve 6:14-18, i cili thotë: “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ”Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im”. Prandaj ”dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj, dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.”
Te Jakobi 4:4, Perëndia na thërret në të njëjtën ndarje shpirtërore nga bota: “O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.”
Çfarë do të thotë kjo për konsiderimin e këshillimit biblik? Antiteza duhet të zbatohet në këshillimin biblik dhe psikologjinë shekullare. Kjo sepse origjina e psikologjisë shekullare vjen nga një botë që e urren Perëndinë dhe që është rrënjosur në një fe të rreme. Kjo nuk do të thotë se gjithçka në psikologji duhet të refuzohet dhe të hidhet në det, por që psikologjia moderne nuk është e padëmshme. As nuk është ajo moralisht apo shpirtërisht neutrale. Asgjë në këtë botë nuk është shpirtërisht neutrale. Ose një ide, filozofi apo person është për Perëndinë, ose kundër Perëndisë. Psikologjia shekullare është kundër Perëndisë. Mbani mend që “antiteza” do të thotë të jesh kundër një pozicioni ose pikëpamje të caktuar.
Psikologjia shekullare është anti-Perëndi dhe anti-e krishterë. E para, “anti” do të thotë se është kundër Perëndisë dhe kundër Krishtit. Por është më shumë se kaq. “Anti” gjithashtu do të thotë “në vend të.” Psikologjia shekullare pretendon të jetë një alternativë më e mirë sesa këshillimi biblik. Me perspektivën e saj anti-e krishterë, psikologjia shekullare pretendon të njohë problemet e njeriut dhe në mënyrë të rreme premton një shpëtim nga këto probleme.
Psikologjia shekullare është e rrënjosur në fetë e rreme që përfshihen në përshkrimin e gjetur te Romakët 1:20-23, i cili shpjegon se çfarë bën një njeri krejtësisht i prishur kur sheh fuqinë e përjetshme të Perëndisë dhe Hyjninë e Tij të zbuluar në krijim. Psikologjia shekullare pretendon të jetë e urtë, por në të vërtetë është bërë e marrë sepse ka shndërruar “lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.” (Romakët 1:22, 23). Lavdia e Perëndisë është zëvendësuar me “lavdinë” e të kuptuarit të vetë njeriut për veten.
Si e ka refuzuar psikologjia shekullare Perëndinë dhe të vërtetën e Tij? Ata nuk gjejnë të vërtetë në Shkrim, por në studimin dhe kuptimin e njeriut. E vërteta gjendet te njeriu. Ajo që është kaq absurde në këtë është se psikologjia e sheh njeriun si një kafshë të avancuar, i cili në thelb është i mirë, ose në rastin më të keq, një fletë bosh. Psikologjia shekullare ka përvetësuar pikëpamjen e Darvinit për njeriun. E prapësëprapë, ajo beson se kjo kafshë e avancuar ka të gjitha përgjigjet. Në fund, njeriu është i aftë të zgjidhë problemet e tij sepse njeriu është autonom.
Për të qenë më specifik, psikologjia shekullare identifikon si sëmundje atë që Shkrimi e quan mëkat. Shembulli i dukshëm i kësaj është alkolizmi. Ajo që Shkrimi e identifikon si mëkatin e dehjes, psikologjia e ka identifikuar si një sëmundje të kurueshme. Shkrimi e identifikon egoizmin si mëkat, por psikologjia e identifikon atë si narcisizëm. Përgjigjja biblike për këto mëkate është kryqi i Jezu Krishtit. Burri, gruaja, ose fëmija që lufton me këto mëkate duhet të pendohet dhe të besojë në Jezu Krishtin. Por psikologjia nuk di asgjë për kryqin e Jezu Krishtit. Përkundrazi, përgjigjja është medikamentet dhe terapia, të ngjashme me trajtimin për një muskul të tërhequr ose një krah të thyer.
Psikologjia shekullare e ka bërë njeriun të rritet dhe Krishtin të ulet. Vetë themeli i psikologjisë shekullare është qendërzimi te njeriu dhe jo qendërzimi te Perëndia. Në fjalë të tjera, njeriu është perëndia i psikologjisë. Njeriu është fillimi, qendra dhe fundi. Idhulli i psikologjisë nuk është një statujë që njeriu ka gdhendur nga druri, por vetë njeriu. Njeriu e ka ngritur veten në një pozicion më të lartë se Krijuesi i qiellit dhe i tokës. Si ata që njohim Perëndinë e vetëm, të vërtetë, të gjallë dhe të shenjtë, ne duhet të jemi të zemëruar për një idhujtari të tillë, ashtu sic do të ishim kur të lexonim për popullin e Izraelit që u përkulën para Baalit nën udhëheqjen e paudhë së Ahabit.
Në kontrast me psikologjinë shekullare, këshillimi biblik është i qendërzuar te Perëndia, i qendërzuar te Krishti dhe i qendërzuar te Fryma e Shenjtë. Standarti i së vërtetës është Perëndia, i Cili e zbulon Veten në Shkrimet e Shenjta. Perëndia e krijoi njeriun për të qenë i varur prej Tij për gjithçka që ka nevojë fizikisht dhe shpirtërisht. Perëndia e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e Tij për t’ju bindur dhe shërbyer Atij (Zanafilla 1:28). Por njeriu ra në mëkat, duke mos i’u bindur urdhrit të Perëndisë për të mos ngrënë nga pema e njohjes së të mirës dhe të keqes (Zanafilla 2:17 dhe Zanafilla 3). Prandaj, problemi më i madh i njeriut nuk është sëmundja ose vuajtja, por mëkati. Ai i ka rebeluar kundër Perëndisë, duke e bërë veten të denjë për zemërimin e Perëndisë në ferr. Por Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin, për të shpëtuar popullin e Tij të zgjedhur përmes vdekjes së Tij në kryq. Nevoja më e madhe e njeriut është shpëtimi nga mëkati, të cilin vetëm Perëndia me hir e ofron.
Kështu, psikologjia dhe këshillimi biblik janë dy fe që janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Të integrosh psikologjinë shekullare me këshillimin biblik do të thotë të përziesh dritën me errësirën, Krishtin me Belialin, tempullin e Perëndisë me idhujt. Të integrosh të dyja këto shkel Fjalën e Perëndisë te 2 Korintasve 6:14-18 dhe Jakobi 4:4. Integrimi është miqësia me atë që është kundër Perëndisë.
Antiteza midis këshillimit biblik dhe psikologjisë shekullare është e dukshme në fushat e autoritetit, qëllimeve dhe shpresës.
Autoriteti
Këshillimi biblik është i mjaftueshëm për të adresuar mëkatin e njeriut dhe problemet shpirtërore sepse Shkrimi i Shenjtë është plotësisht i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat shpirtërore në çdo situatë. Ka nga ata që mendojnë që Shkrimi nuk është i mjaftueshëm për të adresuar disa çështje në kishë. Disa mendojnë që Bibla nuk është e mjaftueshme për të trajtuar abuzimin në martesë. Të tjerë mund të mendojnë se Bibla nuk është e mjaftueshme për të trajtuar depresionin. Por e vërteta biblike e Reformuar është që Shkrimi është i mjaftueshëm. Një sqarim nevojitet këtu, dhe do të kthehemi te kjo pas pak. Kjo nuk do të thotë që asnjëherë nuk duhet të merren medikamente për depresionin. Medikamentet mund të ndihmojnë me simptomat e depresionit, por kjo nuk heq nga mjaftueshmëria e Shkrimit për të adresuar atë që një person i depresionuar ndjen, mendon dhe dëshiron.
Por çfarë mund të themi për zbulesën e përgjithshme? A nuk e zbulon Perëndia Veten në krijim? Këto janë pyetje të rëndësishme sepse disa kanë argumentuar që psikologjia ka autoritet sepse është pjesë e zbulesës së përgjithshme të Perëndisë për njeriun. Nuk ka dyshim që Perëndia e zbulon Veten në krijim. Kjo është dëshmia e qartë e Romakëve 1:20, “Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.” Ajo që shumë njerëz kanë bërë sot është të ngrejnë atë që njeriu (zakonisht njeriu jobesimtar) gjen në krijim në të njëjtin nivel me Shkrimin. Kjo ka infiltruar kishën me rritjen e liberalizmit, i cili refuzon autoritetin dhe mjaftueshmërinë e Shkrimit. Përtej liberalizmit, në epokën tonë postmoderniste, bota e ligë thotë që nuk ka të vërtetë absolute sepse, e vërteta përcaktohet nga individi, ndërsa ai vëzhgon dhe kupton këtë botë. Sipas postmodernistit, e vërteta mund të gjendet në gjithçka. Kjo e ka ndikuar shumë kishën për të refuzuar autoritetin e Shkrimit të Shenjtë. Një nga kërcënimet e mëdha për kishën sot është ky refuzim i autoritetit të Shkrimit. Në kontrast me liberalizmin dhe postmodernizmin, kisha duhet të kuptojë marrëdhënien midis zbulesës së përgjithshme dhe zbulesës së veçantë (Shkrimi).
Zbulesa e përgjithshme i referohet veprës së Perëndisë për ta bërë Veten të njohur në krijim, ndërgjegje dhe histori. Kjo zbulesë e përgjithshme përcaktohet në Rrëfimin Belg të Besimit, Neni 2 në këtë mënyrë:
“Ne e njohim Atë përmes dy mënyrave; së pari, përmes krijimit, ruajtjes dhe zotërimit të universit që është përpara syve tanë si një libër shumë i hijshëm, përbrenda të cilit të gjitha krijesat, të mëdha e të vogla, janë shkronja që na bëjnë të sodisim gjërat e padukshme të Perëndisë, kryesisht fuqinë dhe hyjninë e Tij, siç thotë apostulli Pal (Rom. 1:20). Gjëra, të cilat, të gjitha janë të mjaftueshme për t’i bindur njerëzit dhe për t’i lënë ata pa shfajësim.”
Romakëve 1:20 thotë që Perëndia e bën Veten të njohur në gjërat e krijimit. Kjo është e vërtetë për të gjitha gjërat në krijim. Të gjithë njerëzit kudo e shohin firmën e Krijuesit në këtë tokë. Ajo që Perëndia e bën të njohur për Veten në krijim është e kufizuar: fuqia e Tij e përjetshme dhe Qënia e Tij si Perëndi (Romakëve 1:20). Zbulesa e përgjithshme nuk ofron një mënyrë tjetër shpëtimi. Ideja nuk është që zbulesa e përgjithshme ekziston që të ligjtë të shpëtohen përmes një përgjigjeje bindjeje ndaj zbulesës së përgjithshme. Romakëve 1:20 e bën të qartë se zbulesa e përgjithshme shërben vetëm për t’i lënë të ligjtë, të cilët meritojnë zemërimin e Perëndisë për shkak të mëkatit të tyre, pa justifikim. Në fakt, përgjigjja e të ligjve ndaj zbulesës së përgjithshme është një refuzim kokëfortë ndaj Perëndisë. Ata e shndërrojnë “lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm…” (Romakëve 1:23).
Ajo që njeriu gjen në këtë botë nuk mund të besohet sepse zbulesa e përgjithshme vetëm i lë të ligjtë pa justifikim. Njeriu gjithmonë e shtrembëron atë që sheh në këtë botë sepse e sheh jetën vetëm përmes lenteve të shtrembëruara dhe të mjegullta të mëkatit që e verbon atë ndaj Perëndisë (Jeremia 17:9). Kjo nuk do të thotë që njeriu mëkatar nuk mund të kuptojë se si funksionon trupi njerëzor ose si funksionon truri. Kjo nuk do të thotë që gjithçka që njeriu prodhon ose zbulon është e keqe dhe duhet të refuzohet. 1 Timoteu 4:4, 5 na thotë, “çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s’është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim, sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.” Por njeriu nuk e sheh këtë nga perspektiva e Perëndisë. Vlerësimi dhe përfundimi i njeriut mëkatar gjithmonë do të jenë të gabuara. Zgjidhja e njeriut për problemin e njeriut është e përqendruar në lehtësimin nga vuajtja dhe jo në shpëtimin nga mëkati. Njeriu mëkatar nuk është i shqetësuar për shpëtimin nga mëkati.
Për shkak se zbulesa e përgjithshme është e pamjaftueshme, njerëzit e Perëndisë kanë nevojë për Fjalën hyjnore për të njohur të vërtetën. Vetëm Shkrimi është i mjaftueshëm sepse Shkrimi është ajo Fjalë e Perëndisë. Autoriteti i Shkrimit vjen nga autoriteti i vetë Perëndisë, sepse Ai e frymëzoi Shkrimin. 2 Timoteu 3:16, 17 thotë: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.” Që Shkrimi është i frymëzuar do të thotë se ai është i frymëzuar dhe ka ardhur nga Perëndia. Shkrimi nuk erdhi nga vullneti i njeriut, por njerëz të shenjtë të Perëndisë folën siç i lëvizi Fryma e Shenjtë (2 Pjetri 1:20, 21). Për shkak se është Fjala e Perëndisë nga fillimi deri në fund, Shkrimi është i pagabueshëm. Kjo është ajo që e bën atë të mjaftueshëm.
Çfarë do të thotë kjo për këshillimin biblik? Këshillimi biblik ka një themel të pandryshueshëm dhe të fortë. Këshillimi biblik ndriçon të vërtetën e Perëndisë te ata që po luftojnë në errësirën e mëkatit dhe mosbesimit (Psalmi 119:105). Bibla është e mjaftueshme për gjithçka që njeriu ka nevojë shpirtërisht. Për shkak se Shkrimi është i gjallë dhe i fuqishëm, ai është në gjendje të dallojë “mendimet dhe qëllimet e zemrës” (Hebrenjve 4:12). Ndërsa lexojmë Biblën, ajo ka fuqinë të na lexojë – veprimet, mendimet dhe dëshirat tona. Kur Fryma e Shenjtë e përdor Fjalën për të zbuluar mendimet dhe dëshirat e këqija të njeriut, e njëjta Frymë e përdor Fjalën për ta bërë zemrën e këtij njeriu të urtë (Psalmi 19:7). Kur Fryma e Shenjtë e përdor Fjalën për të zbuluar veprimet, mendimet dhe dëshirat tona mëkatare, Bibla jep vetëm një përgjigje për mëkatin tonë: vepra e përfunduar e Jezu Krishtit në kryqin e Kalvarit. E vetmja mënyrë që Bibla është në gjendje ta bëjë këtë është përmes veprës së Frymës së Shenjtë.
Psikologjia shekullare është e paaftë për të sjellë pendesë dhe besim të fuqizuar sepse nuk sjell të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Kjo tregon një nga problemet e shquara të psikologjisë. Ajo nuk ka një standard absolut të të vërtetës. Ajo nuk ka një standard të vlerave morale. Psikologjia është gjithmonë në një gjendje ndryshimi. Kjo është e dukshme nga vetë libri që konsiderohet si bibla e psikologjisë, DSM, që është Manuali Diagnostik dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore. Në vitin 2013 u botua DSM (edicioni i 5-të), gjë që tregon se ky libër autoritar është vazhdimisht në ndryshim. DSM nuk di asgjë për mëkatin. Në fakt, DSM (edicioni i 2-të) e identifikoi homoseksualitetin si një sëmundje mendore, por në edicionin pasues, homoseksualiteti u zhduk krejtësisht. Edhe pse DSM reflekton axhendën humaniste dhe anti-Perëndi të psikologjisë moderne, ka gjëra për të mësuar nga DSM. Ai mund të përdoret nga këshilluesi biblik për të kuptuar sjelljen njerëzore, por nuk është manuali që këshilluesi biblik përdor për të kuptuar motivet e zemrës ose zgjidhjen e problemeve.
Në kontrast të theksuar me DSM (edicionin e 5-të), Bibla ka vetëm një edicion sepse është e vërteta e pandryshueshme e Perëndisë. Ky dallim në librat autoritarë thekson opozitën e psikologjisë ndaj të vërtetës biblike.
Hiri
Këshillimi nga Shkrimi është i nevojshëm për shkak të rënies së njeriut në mëkat. Njeriu mëkatar ka nevojë për hirin shpëtues të Perëndisë për të parë luftërat e jetës dhe mëkatin përmes lenteve të Shkrimit.
Është argumentuar se hiri shpëtues është i nevojshëm për shkak të pamjaftueshmërisë së hirit të zakonshëm. Unë me përulësi kundërshtoj konceptin dhe idenë e hirit të zakonshëm sepse Bibla nuk mëson për një hir ose favor të Perëndisë që është i zakonshëm, që do të thotë për të gjithë njerëzit. Përkundrazi, Shkrimi mëson se hiri i Perëndisë është gjithmonë i veçantë dhe vetëm për të zgjedhurit. Ky është mësimi i Fjalëve të Urta 3:33, i cili thotë: “Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.” Vini re që bekimi i Perëndisë është vetëm mbi shtëpinë e të drejtëve, ata që janë të drejtë në Jezu Krishtin. Por mallkimi i Perëndisë është mbi shtëpinë e të ligjve. Ky mallkim nuk është i ardhshëm, por i tashëm. Ky është gjithashtu mësimi i Psalmit 73. Në këtë Psalm, Asafi po përleshet me stuhitë e jetës së tij, ndërsa duket se të ligjtë përjetojnë një jetë të qetë. Por Perëndia i zbulon atij se të ligjtë po zhyten në shkatërrim (v. 18) ndërsa Perëndia udhëheq jetët e popullit të Tij për t’i sjellë ata në lavdi (v. 24).
Megjithatë, një kundërshtim ndaj hirit të zakonshëm, nuk e përjashton faktin se Perëndia jep dhurata të mira për të këqijtë. Perëndia vërtet u jep dhurata të mira të këqijve, por jo në një qëndrim të hirit ose të favorit. Për më tepër, Perëndia e kufizon mëkatin, jo si një shfaqje favori, por në kontrollin e Tij provanor mbi të gjitha gjërat. Pas rënies së Adamit në mëkat, njeriu ishte krejtësisht i prishur, që do të thotë se ai nuk mund të bëjë asnjë të mirë dhe është i prirur për çdo të keqe. Por prapësëprapë, njeriu është ende njeri. Perëndia e krijoi njeriun si një krijesë të arsyeshme dhe morale. Kjo nuk ndryshoi pas rënies. Prandaj, njeriu ka aftësinë për të kuptuar gjërat në këtë botë. Nën provaninë e Perëndisë, njerëzit e këqij janë në gjendje të bëjnë përparim në të kuptuarin e shkencës, trupit, mendjes, etj. Megjithatë, njeriu i rënë nuk do ta lavdërojë Perëndinë në gjithçka që percepton për shkak të prishjes së tij. Provania e Perëndisë e lejon njeriun të kuptojë gjërat e kësaj bote, megjithëse ai është kundër Perëndisë dhe të vërtetës së Tij.
Prandaj, njeriu ka nevojë për hirin shpëtues të Perëndisë për të parë siç duhet veten, këtë botë dhe Vetë Perëndinë. Kur Perëndia rigjeneron një njeri, duke vendosur në zemrën e tij jetën e re të Jezu Krishtit, Perëndia e aftëson atë njeri ti shohë gjërat siç duhet përmes lenteve të Shkrimeve të Shenjta. Hiri shpëtues i Perëndisë në mënyrë të mrekullueshme hap sytë e verbër për të parë të vërtetën.
Kjo do të thotë se besimtari i zgjedhur, i shpenguar dhe i ripërtërirë ka nevojë për dritën e Shkrimit për të parë veten, këtë botë dhe vendin e tij në të. Këshillimi biblik ndihmon fëmijën e dobët që po përleshet të Perëndisë të marrë ngushëllim, shpresë dhe drejtim për jetën. Siç thotë 1 Korintasve 10:13, Perëndia, i Cili është besnik, ofron rrugën e shpëtimit nga çdo tundim që është e zakonshme për njeriun. Rruga e shpëtimit gjendet në Shkrime.
Jo vetëm që Shkrimi ofron rrugën e shpëtimit, por gjithashtu ofron standardin e të vërtetës që i mundëson fëmijës së Perëndisë të dallojë të vërtetën nga gabimi kur vlerëson atë që njeriu mëkatar ka zbuluar në këtë botë. Mësimet, premtimet dhe parimet e Shkrimit janë të vërtetat e përjetshme të Perëndisë. Fjala e frymëzuar e Perëndisë është në gjendje t’i japë kuptim të gjitha gjërave në të gjitha vendet dhe në të gjitha kohët. Fjala e Perëndisë duhet të përdoret për të dalluar të vërtetën nga gabimi në të dyja fushat, atë shekullare dhe atë fetare të kësaj bote. Për shembull, kur psikologjia moderne thotë të shfryhesh dhe ta nxjerrësh zemërimin tënd te një thes goditjesh, Shkrimi na thërret të heqim dorë nga zemërimi (Efesianëve 4:26).
Specifikisht, kur bëhet fjalë për psikologjinë moderne, çdo zbulim duhet gjithmonë të testohet me standardin e Shkrimeve të Shenjta. Për shkak të sundimit provanor të Perëndisë përmes Krishtit të ngjallur qeveris psikologjinë moderne, këshilluesi biblik nuk e refuzon të gjithë mësimin e njeriut në fushën e shkencës dhe psikologjisë. Jo, këshilluesi biblik me urtësi teston atë që gjendet në shkencë dhe psikologji me standardin e pagabueshëm të Fjalës së Perëndisë. Nëse ajo që gjendet në fushat shekullare nuk është në kundërshtim me Shkrimin, atëherë ai mund ta përdorë atë. Atje ku shkenca dhe psikologjia janë në kundërshtim me të vërtetën e Perëndisë siç është zbuluar në Shkrim, atëhere ato duhet të refuzohen.
Qëllimet
Qëllimet e këshillimit biblik i tejkalojnë shumë qëllimet e psikologjisë shekullare, sepse qëllimet e këshillimit biblik janë qëllimet e Perëndisë të gjetura në Fjalën e Tij. Konsiderimi i qëllimeve tregon ndarjen radikale midis të dyjave dhe inkurajon ata që kanë luftra shpirtërore të kërkojnë udhëzimin e këshillimit biblik brenda kishës.
Cilat janë qëllimet e ulëta të psikologjisë shekullare? Psikologjia shekullare premton lumturi. Disa mund të vrasin mendjen nëse kjo është vërtet një qëllim i ulët. Kush nuk dëshiron të jetë i lumtur? Në fund të fundit, Krishti premton gëzim për popullin e Tij në Lumturitë e Predikimit në Mal (Mateu 5), “Të bekuar (të lumtur) janë…” Por kjo nuk do të thotë se Perëndia premton një ndjenjë të vazhdueshme lumturie. Qëllimi kryesor i botës sot është të bëjë çfarëdo që e bën njeriun të ndihet i lumtur. Kjo është përvetësuar nga shumë “këshillues të krishterë” që, për shembull, këshillojnë njerëzit të divorcohen për arsye jobiblike, sepse kjo i bën ata të lumtur. Ata në mënyrë të gabuar pretendojnë se kur ne jemi të lumtur, Perëndia është i lumtur.
Kjo sjell një tjetër qëllim të psikologjisë – një jetë pa vuajtje. Psikologjia premton shëndet, sidomos pasi keqdiagnostikon mëkatet si sëmundje. Të gjitha këto janë shumë tërheqëse për mishin mëkatar kur përjetojnë vështirësi të mëdha në jetë. Ata që përjetojnë dhimbje dhe trazira dëshirojnë lehtësim. Ka një vend për një lehtësim të tillë. Për shembull, nëse keni një dhimbje koke për shkak të muskujve të tendosur, mund të merrni një ibuprofen ose të bëni një masazh që të merrni lehtësim. Por dëshira për lehtësim nuk duhet të bëhet qëllimi përfundimtar. Një qëllim i tillë është i ulët sepse bie shumë poshtë qëllimeve të mira të Perëndisë për besimtarët.
Qëllimet e këshillimit biblik janë qëllimet më të larta sepse ato janë qëllimet e Perëndisë. Qëllimi i këshillimit biblik është të japë udhëzime nga Shkrimi në mënyrë që ai që këshillohet të arrijë qëllimet e Perëndisë në jetën e tij/saj në varësi nga Fryma e Shenjtë. Cilat janë këto qëllime?
Së pari, qëllimi përfundimtar i Perëndisë është lavdia e Emrit të Tij. Këshillimi biblik e sheh këtë si qëllimin kryesor, duke u kujtuar atyre që këshillohen që ky duhet të jetë fokusi i tërë jetës së tyre, siç mësohet te 1 Korintasve 10:31, “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” Ky qëllim më i lartë i Perëndisë është urdhëruar te Kolosianëve 3:17, “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.” Këshilluesit biblikë e vendosin këtë qëllim përpara njerëzve të Perëndisë, duke u kujtuar atyre që kjo është arsyeja pse ne jetojmë, punojmë dhe luajmë, sepse kjo është arsyeja pse Perëndia bën gjithçka që bën (Romakëve 11:33-36).
Së dyti, Perëndia përlëvdohet kur besimtarët janë si Krishti. Këshillimi biblik ka si qëllim themelor që njerëzit e Perëndisë të konformohen në shëmbëlltyrën e Birit të Tij. Kjo është “e mira” që Perëndia e punon në jetët tona përmes të gjitha gjërave (Romakëve 8:28, 29). Ky modelim dhe formim përshkruhet specifikisht si fryti i Frymës: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, butësia, mirësia, besimi, përulësia dhe vetëkontrolli (Galatasve 5:22, 23).
Së treti, qëllimi i këshillimit biblik është rritja në besim. Në vështirësitë e dhimbshme dhe vuajtjet e tmerrshme të kësaj jete, Perëndia po i mëson popullit të Tij të besojë vetëm në Të. Shkrimet shpesh u bëjnë thirrje njerëzve të Perëndisë të mos kenë frikë, por të besojnë. Ky është urdhërimi i një pasazhi të dashur, Fjalët e Urta 3:5, 6, “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” Te Psalmi 37, ne gjejmë shumë fjalë që mësojnë se si duket besimi në Perëndinë (mos ki frikë, beso, gëzo, angazhohu, pushoni, prit me durim, ndalo nga zemërimi), besim i cili bazohet në premtimet besnike të Perëndisë.
Së fundi, qëllimi i këshillimit biblik është jeta e përjetshme në qiell. Shpresa dhe qëllimi përfundimtar i të gjithë njerëzve të Perëndisë është bashkësia me Të përjetësisht. Kjo jetë pa mëkat dhe vështirësi është e sigurt për shkak të kryqit dhe ringjalljes së Jezu Krishtit.
Lehtësimi nga dhimbja (fizike dhe emocionale) dhe lumturia në jetë janë të këndshme. Por qëllimet e Perëndisë për lavdinë e Tij, shenjtërimin tonë, rritjen në besim dhe qiellin janë pafundësisht më të larta.
Shpresa
Bashkë me qëllimet e këshillimit biblik vjen shpresa se këto qëllime do të arrihen për shkak të hirit shpëtues të Perëndisë. Një dallim i dukshëm midis këshillimit biblik dhe psikologjisë është shpresa e vërtetë që ofron këshillimi biblik. Pa shpresën e ungjillit, ka vetëm dëshpërim. Bota është e mbushur me dëshpërim sepse bota është pa shpresën e ungjillit.
Një nga mangësitë e mëdha të psikologjisë shekullare është mungesa e shpresës. Shpresa biblike do të thotë sigurimi i një të mirë të ardhshme e të sigurt. Psikologjia shekullare nuk mund të ofrojë këtë lloj shprese. Psikologjia mund të ofrojë një lloj lehtësimi dhe lumturie, megjithatë, jo vërtet. Por si mund të ofrojë psikologjia shpresë kur ajo është vazhdimisht në ndryshim dhe është e varur nga urtësia e mendjes dhe zbulimeve të njeriut? Psikologjia shekullare është pa shpresën e kryqit dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, e cila është shpresa dhe ngushëllimi i vetëm për fëmijën e Perëndisë, siç lexojmë te Kolosianëve 1:27, “që është Krishti në ju, shpresë lavdie.” Prandaj, ne nuk duhet të presim të gjejmë shpresë ose përgjigje për luftërat tona te psikologjia.
Këshillimi biblik ofron shpresën e sigurt të së mirës në të ardhmen. Kjo e mirë e ardhshme nuk do të thotë një jetë pa vështirësi. Nuk do të thotë një jetë pa dhimbje dhe vuajtje. Shpresa e këshillimit biblik është shpresa e ungjillit. Ajo është shpresa e Filipianëve 1:6, “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” Ajo është shpresa e veprës së përfunduar të Jezu Krishtit në kryqin e Kalvarit ku Ai pagoi plotësisht për të gjithë mëkatet e të gjithë njerëzve të Tij. Ajo është shpresa se, për shkak se Jezu Krishti vdiq dhe u ringjall, ashtu edhe ne do të ringjallemi nga të vdekurit dhe do të jetojmë përgjithmonë me Shpëtimtarin tonë në lavdinë e pranisë së Perëndisë në qiell (1 Thesalonikasve 4:13, 14). Kjo është shpresë e vërtetë dhe e sigurt e ndërtuar mbi një themel të fortë: vdekja dhe ringjallja e Jezu Krishtit (1 Korintasve 15).
Për shkak të veprës së Jezu Krishtit në kryq, ekziston shpresa për faljen e mëkateve sipas pasurive të hirit të Tij (Efesianëve 1:7). Për shkak të vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, ekziston shpresa për ndryshim të vërtetë në zemrat dhe jetët tona (Filipianëve 1:6). Për shkak të fitores së ngjitjes së Krishtit në qiell, ne kemi shpresën për jetë të përjetshme me Perëndinë (Psalmi 23:6). Ne kemi shpresën e sigurt se të gjitha vuajtjet e kësaj jete po punojnë për përlëvdimin tonë në Jezu Krishtin (2 Korintasve 4:17, 18). Ne kemi shpresën se, edhe nëse rrethanat tona nuk ndryshojnë kurrë në këtë jetë, Zoti është me ne në vuajtjen tonë (Filipianëve 4:19). Hiri i Tij është gjithmonë i mjaftueshëm (2 Korintasve 12:9). Prandaj, ne do të krenohemi në dobësitë tona, siç thotë Pali në këtë varg.
Konkluzionet
Pasi vumë në kontrast këshillimin biblik dhe psikologjinë shekullare, pyetja që ne hasim është se cila është marrëdhënia midis të dyjave? Së pari, kjo do të thotë qartë që kisha nuk duhet t’i dërgojë anëtarët e saj te psikologët për problemet shpirtërore. Psikologjia shekullare nuk ka përgjigjet për nevojën më të madhe të njeriut: shpëtim nga mëkati.
Së dyti, kjo do të thotë se Shkrimi dhe psikologjia nuk i përkasin njëri-tjetrit si të barabartë. Shkrimi dhe psikologjia nuk janë dy dema që tërheqin plugun në të njëjtin drejtim, por janë më shumë si një dem dhe gomar që nuk janë në gjendje të tërheqin së bashku. Të dy po shkojnë në drejtime të kundërta, prandaj nuk duhet të lidhen si të barabartë. Ato nuk i përkasin njëri-tjetrit për shkak të së vërtetës së antitezës. Ato nuk i përkasin njëri-tjetrit ashtu sic Bibla dhe shkenca nuk i përkasin njëri-tjetrit në evolucionin teist (Shën. i përkthyesit: evolucioni teist është bindja antibiblike që Perëndia e krijoi botën përmes evolucionit, në miliona vite). Ashtu sic psikologjia shekullare është një fe e rreme me njeriun në fron, po ashtu është edhe evolucionizmi. Ata që shpjegojnë origjinën e botës me ndonjë formë të evolucionit darvinian janë anti-të krishterë (Shën. i përkthyesit: një nga mëuesit e kësaj ishte Tim Keller). Evolucionizmi është një fe e rreme që mohon Perëndinë e Plotfuqishëm që krijoi qiellin dhe tokën. Por ka shumë sot që përpiqen të integrojnë Biblën dhe shkencën për të dhënë një shpjegim të origjinës së botës, që të bën të mbash pikëpamjen e një tokë të vjetër dhe njëkohësisht që Perëndia ka krijuar të gjitha gjërat. Nëse dikush do të fillonte të mësonte evolucionin teist në shkollat tona të krishtera ose në kishat, anëtarët do të ishin të zemëruar! Dhe ata duhet të jenë. Drita dhe errësira nuk i përkasin njëri-tjetrit.
Por sa shumë prej psikologjisë ka përvetësuar kisha dhe është përpjekur ta integrojë në botëkuptimin dhe mësimet e saj nga foltorja dhe në dhomën e këshillimit? Kisha duhet ta marrë seriozisht këtë dhe të heqë dorë nga errësira e psikologjisë aty ku ka kompromentuar ungjillin.
Së treti, a do të thotë kjo se ne jemi lënë vetëm me një parim të flakjes së botës kur bëhet fjalë për psikologjinë? A do të thotë kjo një refuzim të plotë të saj? Absolutisht jo. Shkrimi i Shenjtë është i mjaftueshëm për të adresuar dhe përmbushur të gjitha nevojat shpirtërore të njeriut. Shkrimi ka autoritet për atë që besimtarët e krishterë besojnë dhe si duhet të jetojnë. Për shkak se njeriu është ende njeri dhe Perëndia është sovran mbi të gjitha gjërat në këtë botë, kisha mund të përdorë atë që Perëndia ofron në zhvillimet më të fundit të shkencës dhe psikologjisë, por gjithmonë duke i testuar ato me Fjalën e Perëndisë. Kisha nuk duhet të fusë kokën në rërë, duke injoruar komponentët fizikë, truporë dhe emocionalë të jetës, duke menduar kështu se nuk ka asgjë për të mësuar nga shkenca ose psikologjia. Megjithatë, kisha nuk duhet ta shohë kurrë psikologjinë si një autoritet në vetvete thjesht sepse burra të arsimuar mirë kanë arritur në këto përfundime. Të gjitha gjërat duhet të testohen me Shkrimin. Rezultati i këtij vlerësimi do të jetë se shumë në psikologjinë shekullare duhet të refuzohet. Por megjithatë, ka gjëra të tjera që mund të përdoren në këshillimin biblik. Sa e dobishme është të kuptohet se si një varësi si pornografia ose grykësia ndikon në mendje. Sa e dobishme është të kuptohet truri i dikujt që vuan nga OCD (çrregullimi obsesiv-kompulsiv).
Perëndia i ka dhuruar kishës përparime të mëdha shkencore dhe njohuri sot. Ai na ka dhuruar burra të arsimuar, të mençur dhe të krishterë që studiojnë shkencat, dhe kisha ka nevojë për më shumë nga këta burra dhe gra. Në mes të këtyre përparimeve, Perëndia i ka dhuruar kishës së Tij me burimin më të lartë dhe më të mirë të Shkrimeve të Shenjta për të na udhëhequr dhe drejtuar derisa të merremi në shtëpinë tonë qiellore. Kisha ka nevojë për këshillimin biblik për të ndihmuar njerëzit e Perëndisë në udhëtimin e tyre shtegëtues.
Përkthyer nga: https://sb.rfpa.org/the-needed-light-of-biblical-counseling/
Lexo: Nga Dëshpërimi në Shpresë: Të Shikosh Lart në Kohë të Vështira!