Një Moto për Vitin e Ri!
James Smith, 1865
“Shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.” Luka 21:28
Koha e ardhjes së dytë të Krishtit po afrohet, dhe i takon dishepujve të tij të mendojnë për atë ngjarje, dhe të përgatiten me zell për të. Por edhe nëse nuk jemi dëshmitarë të zbritjes së Zotit tonë në re, vdekja do të vijë shpejt dhe do të na çojë në praninë e Tij. Por përpara kësaj, ne mund të përballemi me shumë dhimbje dhe vuajtje, kështu që, drejtimi i dhënë nga Zoti ynë dishepujve mund të jetë i përshtatshëm edhe për ne: “Atëherë shikoni lart!“
Ne jemi duke hyrë në një vit të ri. Do të kemi punë të reja, sprova të reja, tundime të reja dhe shqetësime të reja. Por kurdo që ato të vijnë, le të “shikojmë lart!” Dhe, për ta inkurajuar shpirtin tonë për ta bërë këtë, le të konsiderojmë në fillim të vitit:
Së pari, RASTET për të cilat vlen kjo këshillë. Mund të ketë fatkeqësi kombëtare, si murtaja, uria, apo lufta. Por çfarëdo që t’i ndodhë kombit, të krishterët brenda tij duhet të “shikojnë lart.”
Mund të ketë persekutim. Punëtorët mund të humbasin punën e tyre, banorët shtëpitë e tyre, dhe fëmijët ngushëllimet e tyre, për hir të Krishtit dhe ndërgjegjes. Ndërsa shpata e magjistratit është ende e mbështjellë, pena, gjuha, fytyra e zemëruar, persekutojnë disa. Mospunësimi ose mosshërbimi persekuton disa të tjerë. Por nëse persekutimi shpërthen kundër ndonjërit prej nesh këtë vit, le të “shikojmë lart.”
Provania Hyjnore mund të duket sikur na ka kthyer krahët dhe të na hedhë në shushatje dhe vështirësi. Humbje dhe kryqe mund të bëhen pjesa jonë e përditshme. Ne mund të mendojmë se Perëndia është kthyer kundër nesh, dhe se gjithçka është kundër nesh. Por kur rrethanat tona janë më të vështira, kur shpirtrat tanë janë gati të fiken brenda nesh, le të kujtojmë se Zoti ka premtuar dhe ka bërë besëlidhje për ne, dhe le të “shikojmë lart.”
Mund të na kërkohet të ndryshojmë vendbanimin tonë, dhe të lëmë pas miq të dashur. Ose, çka është më keq, miqtë tanë mund të largohen nga ne dhe të kthehen kundër nesh. Por nëse çdo mik na kthen shpinën, madje dhe babai dhe nëna na braktisin, ose nëse na çojnë në skajet e tokës, le të kujtojmë se Perëndia ynë mbetet i njëjtë ndaj nesh, dhe se Ai është gjithmonë pranë nesh. Prandaj le të “shikojmë lart.”
Nëse vdekja hyn në dritaret tona, dhe na merr dëshirën e syve tanë me një goditje; nëse prindërit tanë vdesin, fëmijët tanë largohen, ose bashkëshortët tanë vendosen në varr; edhe nëse të dashurit dhe miqtë largohen prej nesh, dhe të njohurit tanë mbyllen në errësirë, sërish, çfarëdo që të bëjë vdekja, le të vendosim që do të “shikojmë lart.”
Nëse errësira mbulon veprat tona, pengon rrugën tonë, dhe hedh hijen e saj mbi mendjet tona; nëse zhgënjimi qëndron mbi shpirtrat tanë, ose vendos pengesa në rrugën tonë; nëse gjithë përvoja jonë e kaluar duket e pasigurt, dhe pranimi ynë nga Perëndia në të tashmen i dyshimtë, sërish le të mos dorëzohemi ose të mposhtemi nga dëshpërimi, por le të “shikojmë lart.”
Nëse shtrihemi në shtratin e sëmundjes, të rraskapitur nga dhimbja dhe të dobësuar nga pafuqia; nëse vdekja qëndron para nesh, dhe varri duket gati për ne; nëse përjetësia hedh dritën e saj zbuluese mbi ne, ose tërheq perden përpara nesh, le të mos dridhemi, ose të tundemi nga frika, por le të “shikojmë lart.” Në çdo gjendje, në çdo vend, në çdo situatë që mund të ndodhemi këtë vit, le të kërkojmë hirin për të ndjekur këshillën e Zotit tonë të dashur, dhe të “shikojmë lart.” Tani do të vëmë re:
Së Dyti, DREJTIMI që na jep Shpëtimtari ynë: “Atëherë shikoni lart!”
- Mos shiko pas, si gruaja e Lotit.
- Mos shiko brenda, siç bëjnë shumë të tjerë.
- Mos shiko përreth, siç bëri Davidi.
Por “shiko lart!” Shiko lart te Perëndia. Ai është Ati yt, Miku yt, Shpëtimtari yt. Ai mund të të ndihmojë. Ai do të të ndihmojë. Ai thotë, “Shikoni tek Unë dhe do të shpëtoni, sepse Unë jam Perëndia!”
- Shiko lart për dritë që të të udhëheqë, dhe Ai do të drejtojë rrugën tënde.
- Shiko lart për hir që të të shenjtërojë, dhe hiri i Jezusit do të jetë i mjaftueshëm për ty.
- Shiko lart për forcë që të të aftësojë për të bërë dhe për të vuajtur vullnetin e Perëndisë, dhe forca e Tij do të bëhet e përsosur në dobësinë tënde.
- Shiko lart për ngushëllim që të të gëzojë, dhe siç një nënë ngushëllon fëmijën e saj, kështu do të të ngushëllojë Zoti.
- Shiko lart për guxim që të të forcojë, dhe Zoti do t’i japë guxim të dobëtit; dhe atyre që nuk kanë forcë. Ai do t’u rrisë fuqinë.
- Shiko lart për durim që të të mbajë, dhe Perëndia që të ruan, do të të aftësojë që të mbartësh me qetësi barrën më të rëndë, dhe të durosh në heshtje vuajtjen më të dhimbshme.
- Shiko lart për provaninë që të të furnizojë, dhe shtamba e miellit nuk do të mbarojë dhe ena me vaj nuk do të thahet. Perëndia do të furnizojë të gjitha nevojat e tua sipas pasurive të Tij të lavdishme në Krishtin Jezus.
- Shiko lart me besim, duke ushtruar besim në Fjalën e një Perëndie besnik.
- Shiko lart me lutje, duke kërkuar atë që Perëndia me hir ka premtuar.
- Shiko lart me shpresë, duke pritur atë që ti kërkon në emër të Jezusit.
- Shiko lart me adhurim, dhe adhuro sovranitetin, drejtësinë dhe urtësinë e Perëndisë.
- Shiko lart vazhdimisht. Asgjë të mos të të trembë apo të të dekurajojë! Përkundrazi thuaj: “Sytë tanë janë te Zoti, Perëndia ynë, derisa Ai të na tregojë mëshirë.”
Shiko lart, sepse kjo do të të ruajë…
- kokën nga turbullimi,
- zemrën nga zhytja në dëshpërim,
- gjunjët nga dridhja,
- këmbët nga rrëshqitja, dhe
- duart nga lëshimi!
Miqtë e mi, çfarë thoni? A do ta ndiqni këtë këshillë? A do ta merrni këtë udhëzim? A do të veproni sipas tij? Ai që ju do më shumë, ai që ju njeh më mirë, dhe ai që gjithmonë dëshiron të mirën tuaj, është Ai që e dha këtë këshillë. Merreni atë dhe nuk do të pendoheni kurrë. Veproni sipas saj, dhe nuk do të pendoheni për asgjë.
Është e pamundur të dimë se çfarë do të na ndodhë, ose çfarë do të na kërkohet këtë vit, por “Shiko lart!” Kjo këshillë, nëse ndiqet si duhet, do të…
- sigurojë gjithçka që kemi nevojë,
- na mbrojë nga gjithçka që kemi frikë, dhe
- na bëjë më shumë se të aftë për të përballur të gjithë armiqtë dhe frikërat tona!
Besimtar i dashur, a je i frikësuar? “Shiko lart” dhe dëgjo Jezusin duke të thënë: “Mos ki frikë, Unë vetë do të të ndihmoj!”
A je i dekurajuar? “Shiko lart” dhe rinia jote do të ripërtërihet si ajo e shqiponjës, dhe dritë e re, ngushëllim dhe guxim do të të jepen!
A je në dëshpërim? “Shiko lart” sepse Jezusi nuk e thyen kurrë kallamin e thyer, as nuk e shuan fitilin që tymos.
Mos shiko shumë te mëkati yt. Shiko më shumë te gjaku pafundësisht i merituar i Birit të dashur të Perëndisë!
Mos shiko shumë te vetja jote, por shiko te Jezusi, i cili jeton për të bërë ndërmjetësim për ty në Qiell.
A je i zhveshur nga ngushëllimet e tua, mbështetëset e tua, dhe pasuritë e tua? Atëherë shiko lart! Ai që të zhveshi, të do! Ai do të jetë më shumë se të gjitha këto për ty! Ai do të lidhë zemrën tënde të thyer, do të qetësojë shpirtin tënd të shqetësuar, do të gëzojë mendjen tënde të dëshpëruar, dhe do të të mbushë me paqen dhe lumturinë e Tij.
Shiko lart…
- për gjithçka që të nevojitet;
- nga gjithçka që ke frikë;
- përmes gjithçkaje që do të pengojë rrugën tënde;
- dhe pavarësisht nga gjithçka që do të të parandalojë nga bërja e kësaj.
Shiko lart çdo ditë, duke thënë me Davidin: “O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres.” (Psalmi 5:3)
Shiko lart në çdo sprovë, duke thënë: “Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma? Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.” (Psalmi 121;1,2)
- Mos shiko te mëkati yt, do të të dekurajojë!
- Mos shiko te vetja jote, do të të shqetësojë!
- Mos shiko te Satani, do të të çoroditë!
- Mos shiko tek njerëzit, ata do të të mashtrojnë ose të zhgënjejnë!
- Mos shiko te sprovat e tua, ato do të të trishtojnë!
Por bëj siç bëri kisha, shiko lart “deri sa Zoti vështron nga qielli dhe shikon.” (Vajtimet 3:50 NKJV).
“…duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit…” (Hebrenjve 12:1-2). Shiko vetëm, shiko gjithmonë, shiko me vëmendje, te Jezusi. Vrapo duke shikuar, puno duke shikuar, lufto duke shikuar, vuaj duke shikuar, jeto duke shikuar, dhe vdis duke shikuar, te Jezusi, i cili ndodhet në të djathtën e Perëndisë në lavdi. Oh, shiko, shiko, shiko te Jezusi!
“Shiko Qengjin e Perëndisë, që mbarti
Barrën tënde në kryq;
Dhe me gjak pagoi faturën e tmerrshme —
Shpërblesën për ty!
Shiko te Ai derisa shikimi të dojë
Shpëtimtarin në zemër;
Këmbët e Tij të shpuara, të lagura me lot,
Dhe nga kryqi i Tij mos u largo!
Shiko te Ai dhe dashuria e Tij
Cdo mendim tëndin të kontrollojë;
Dhe ndikimin e tij të madh të dëshmojë,
Mbi trup, shpirt dhe frymë.
Shiko te Ai, ndërsa garën vrapon,
Mikun tënd që nuk dështon kurrë;
Veprën e nisur Ai do ta përfundojë,
Dhe hiri, në lavdi do ta mbarojë!”