Në Këtë Vit të Ri Kthe një Faqe të Re

Faqe te Re

Një Porcion për Ditën e Vitit të Ri

James Smith, 1864

“Duhet të kthej një faqe të re!” tha një njeri ditën e kaluar, dhe ishte koha e duhur që ai ta bënte këtë, sepse po jetonte në mëkat, duke neglizhuar familjen e tij dhe duke përbuzur shpirtin e tij. Tani, unë guxoj të them se shumë veta do t’i lexojnë këto rreshta që shpesh kanë folur për kthimin e një faqeje të re, por nuk e kanë bërë kurrë këtë. Një bindje e përkohshme kaloi përmes mendjes, dhe, pa shumë mendim ose ndonjë qëllim të vendosur, ata shprehën një pasthirrmë.

Mik, më dëgjo për disa minuta, dhe do të përpiqem të të tregoj se është e nevojshme të kthesh një faqe të re, dhe se e tashmja është koha më e mirë për ta bërë këtë. Një vit i ri fillon sot. Viti i vjetër ka treguar historinë e tij përpara fronit të Perëndisë.
Çdo veprim i kryer,
çdo fjalë e thënë,
çdo mendim i ngjizur,
çdo temperament i shfaqur —
është shkruar si me një penë hekuri në një tavolinë bronzi! Regjistri është i përhershëm. Asgjë nuk mund ta fshijë një shkronjë të vetme, përveç gjakut të çmuar të Krishtit. Engjëlli që regjistron sapo ka kthyer një faqe të re, dhe, me penë në dorë, është gati të regjistrojë mendimet, planet, qëllimet dhe praktikat e këtij viti. Ti nuk mund të shikosh të kaluarën me shumë kënaqësi, dhe ke nevojë të fillosh nga e para.

Së pari, nëse ke neglizhuar shpirtin tënd. Mijëra e kanë bërë këtë. Ndoshta dhe ti. Ata i janë kushtuar trupit, madje duke ushqyer epshet dhe prirjet e tij të këqija. Por shpirti, shpirti që nuk vdes kurrë, është neglizhuar! Çfarë marrëzie është kjo! Është si të kujdesesh për rrobat, dhe të lësh fëmijën të vdesë. Humbja më e madhe në universin e Perëndisë është humbja e një shpirti, dhe megjithatë mijëra shpirtëra humbasin çdo ditë nga neglizhenca mëkatare. Nëse shpirti yt është humbur, do të jetë si pasojë e neglizhencës tënde. Neglizhencë e vetëdijshme, e qëllimshme dhe e vazhdueshme. Ai mund të shpëtohet, sepse Jezusi është në gjendje dhe i gatshëm të shpëtojë. Por nëse ti nuk i drejtohesh Atij, dhe nuk kërkon shpëtim me vërtetësi, nuk ka ndonjë mundësi që Ai të të shpëtojë. Tani, nëse, deri në këtë moment, ke neglizhuar shpirtin tënd, nëse ende je i pa falur, i pa shenjtëruar dhe i pa shpëtuar, atëherë jam i sigurt se është koha e duhur që të “kthesh një faqe të re.”

Së dyti, nëse ke jetuar pa Perëndinë. Kjo do të thotë, pa njohuri mbi natyrën dhe karakterin e Tij. Pa besim në Fjalën e tij. Pa pajtim me Të përmes kryqit të Birit të tij. Pa e dashur, adhuruar dhe bindur Atij. Perëndia është dashuri, por nëse nuk e do Atë, nuk e njeh Atë. Perëndia është e vërteta, por nëse nuk e beson Fjalën e Tij, nuk e njeh Atë. Perëndia është objekti i vetëm i adhurimit, por nëse nuk e adhuron Atë në frymë dhe të vërtetë, ti nuk e njeh Atë. Tani, nëse nuk e njeh Perëndinë, po jeton pa Perëndinë — ti nuk ke besim në Të, dashuri për Të, zell për Të, ose bashkësi me Të. Ti konsiderohesh armiku i tij! Një armik që refuzon të pajtohet me Të. Një armik që preferon mungesën e Tij në shoqërinë e tij, krijesat e tij ndaj vetes së tij. Dhe nëse je duke jetuar pa Perëndinë, nëse nuk e njeh karakterin e Tij, nuk studion Fjalën e Tij, nuk adhuron në fronin e Tij, ose nuk kërkon të bësh vullnetin e Tij, atëherë jam i sigurt se është koha e duhur për ty të “kthesh një faqe të re.”

Së Treti, Nëse po shpërfill të drejtat e afërmve të tu. Të afërmit e tu kanë të drejtë për dashurinë tënde, sepse Perëndia ka urdhëruar që të duash të afërmin si veten tënde. Prandaj, duhet të mendosh mirë për të gjithë, të flasësh mirë me të gjithë, dhe të kërkosh të bësh mirë për të gjithë. Sepse nëse nuk e bën këtë, si mund të thuhet që e mban ligjin e Perëndisë? Dhe nëse vepron me vetëdije dhe si zakon në mënyrë të kundërt me ligjin e Perëndisë, a nuk je një kriminel në sytë e Tij? Dhe nëse je një kriminel, atëherë ti je i zbuluar ndaj ndëshkimit? Dhe nëse je i zbuluar ndaj ndëshkimit nga dora e Perëndisë, a nuk je në rrezik të madh të dërgohesh në Ferr? Dhe nëse je në rrezik të madh të dërgohesh në Ferr, a nuk është koha e duhur për të “kthyer një faqe të re”?

“Por i afërmi im nuk është miku im.” Ndoshta jo, por dashuria bën miq, dhe mban miq kur janë bërë. “Por i afërmi im është më lart se unë, dhe nuk mund të bëj asgjë për të treguar dashurinë time.” A je i sigurt për këtë? Le të mbushë dashuria mendimet e tua, dhe ajo do të shfaqet në sytë e tu, dhe do të shohësh shpejt një mundësi për të treguar se e do të afërmin tënd. “Por i afërmi im është armiku im.” Nëse është kështu, Jezusi thotë, “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej…” (Mateu 5:44, 45.) A  urdhëroi Jezusi atë që është e drejtë? A është urdhërimi i tij i detyrueshëm për ty? A jeton në neglizhencë ose shkelje të tij? Nëse po, atëherë është koha e duhur për ty të “kthesh një faqe të re.”

Së Fundi, nëse ke neglizhuar Shpëtimtarin. Jezusi erdhi nga Qielli në tokë. Ai punoi, vuajti, dhe vdiq për të shpëtuar mëkatarët. Ai thërret, “Më shihni mua! Më shihni mua!” Ai thërret, “Ejani tek unë.” Ai premton, “Ai që beson do të shpëtohet.” A e ke përqendruar mendjen tënde mbi atë që është shkruar në Dhiatën e Re, ose që është predikuar nga shërbëtorët e Perëndisë, në lidhje me Zotin Jezu Krisht? A ke shkuar tek Ai te froni i Tij i hirit, duke rrëfyer mëkatet e tua me trishtim, dhe duke u lutur për shpëtim me tërë zellin e shpirtit tënd? A ushtron besim në Fjalën e Tij dhe mbështetesh vetëm në bindjen dhe sakrificën e Tij për pranimin tënd para Perëndisë? Me një fjalë, a e ke marrë Atë si Shpëtimtarin tënd, dhe e ke vendosur veten në duart e Tij për tu shpëtuar plotësisht, falas, dhe për gjithmonë? Nëse po, ti je i përkushtuar në shërbimin e Tij, dhe veprues në kauzën e Tij? Tani, a është kjo e vërtetë? Nëse jo, Shpëtimtari ende neglizhohet nga ti! Dhe të jetosh dhe të vdesësh duke e neglizhuar Shpëtimtarin është të sigurosh dënimin e përjetshëm! Dhe jam i sigurt se, nëse je në këtë situatë, atëherë është koha e duhur për ty të “kthesh një faqe të re.”

Lexues, çfarë thua? Me vitin e ri a do të fillosh një rrugë të re? Nëse po, largohu nga tavernat, shko në shtëpinë e lutjes, fillo me seriozitet të kërkosh Zotin, dhe sigurohu që çdo herë që shkon me gjunjë, t’i lutësh Zotit për të krijuar në ty një zemër të re, dhe të të bekojë me një frymë të drejtë. Ti do të jesh gjithmonë, ashtu siç është zemra jote. Për këtë arsye, ndryshimi i madh duhet të fillojë aty. Kjo është arsyeja pse Perëndia bëri premtimin, i cili thotë kështu, “Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.” (Ezekieli 36:26.) Ky premtim është dhënë për të treguar se Perëndia është i gatshëm të japë atë që ke nevojë, dhe për të të nxitur që ta kërkosh atë nga duart e Tij. Një zemër e re do të përqafojë Zotin Jezus, dhe do të çojë në një rrugë të re jete. Dhe një rrugë e re jete që buron nga besimi në Jezusin, do të bëjë një vit të ri të lumtur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes