THIRRJE SOLEMNE E VITIT TË RI
James Smith, 1855
Fillimi i një viti të ri kërkon reflektim, pendim dhe reformim. Ne duhet të…
reflektojmë mbi të kaluarën,
pendohemi në të tashmen, dhe
të synojmë reformimin në të ardhmen.
Nëse reflektojmë siç duhet, do të pendohemi sinqerisht; dhe
nëse pendohemi sinqerisht, do të reformohemi menjëherë.
“Le të shqyrtojmë dhe provojmë rrugët tona, dhe të kthehemi përsëri te Zoti.”
Koha që fluturon thërret, reflekto;
përjetësia që afrohet thërret, pendoho;
dhe Zoti i kohës dhe përjetësisë thërret, reformohu.
Por kush mund ta mbajë një reflektim të ngushtë dhe serioz mbi të kaluarën? Kjo kërkon…
ndershmëri në zemër,
vendosmëri në shpirt, dhe
zell për lavdinë hyjnore.
Nuk është një çështje e lehtë të reflektohet mbi…
mëkatet e kryera,
mëshirat e marra,
detyrat e neglizhuara,
favoret e dhuruara,
mundësitë e humbura,
dhe mirësinë e shfaqur.
Por nëse nuk reflektojmë, nuk do të pendohemi;
nëse nuk pendohemi, nuk do të ecim me përulësi me Perëndinë;
nëse nuk ecim me përulësi me Perëndinë, nuk do të jemi të lumtur;
dhe nëse nuk jemi të lumtur, nuk do të nderojmë rrëfimin tonë.
Lexues, a je një i krishterë? Nëse po, merr njëzet minuta dhe shko në një vend të qetë për të reflektuar mbi vitin e kaluar. Mendo për dymbëdhjetë muajt e tij, pesëdhjetë e dy të dielat e tij, treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditët e tij. Hap librin e kujtimeve, dhe shiko nëse mund të llogaritësh…
mëshirat që ke marrë;
të këqijat nga të cilat je ruajtur;
tundimet nga të cilat ke shpëtuar;
mëkatet që ke kryer;
mundësitë për të bërë ose për të marrë të mira;
dhe privilegjet që të kanë dalluar.
Heto…
çfarë përdorimi ke bërë për talentet e tua,
çfarë motive kanë ndikuar në sjelljen tënde,
çfarë dobie ke pasur në Kishë,
çfarë të mire ke bërë për botën, dhe
çfarë nderi ke sjellë për Zotin Jezu Krisht.
Ah! kush nga ne mund të kalojë mbi terrenin që kemi shkelur gjatë vitit të kaluar, pa u mbuluar me turp dhe përshtjellim në fytyrë. Vëllezër,
le të shqyrtojmë seriozisht të kaluarën,
le të pranojmë me zemër të hapur shkeljet tona përpara Zotit,
le të shkojmë te burimi gjithmonë i hapur,
si dhe të mos pushojmë deri sa Fryma e Shenjtë të sjellë dëshminë e brendshme që mëkatet tona janë të gjitha të falura.
A je një predikues i Krishtit, pastor i një prej Kishave të tij? Nëse po, më jep dorën tënde, dhe le të shqyrtojmë thellësisht dhe së bashku shpirtin tonë përpara Perëndisë. Gjërat në Kishë nuk janë ashtu siç duhet të jenë, ose siç kanë qenë. Cila pjesë e fajit na takon ne? Le të mos e shmangim pyetjen ose të përpiqemi ta hedhm të gjithë fajin mbi njerëzit. Ne mund të jemi gabim në gjënë që mendojmë se jemi më të drejtë. A kemi parë seriozisht gjendjen e ulët të gjërave në Kishat tona? A jemi ndikuar siç duhet nga kjo? A kemi shqyrtuar zemrat tona për këtë?
A është fryma dhe temperamenti ynë i bukur?
A është predikimi ynë i qartë, i dashur, dhe sipas Shkrimit?
A janë motivet tona të pastra?
A synojmë shpëtimin e mëkatarëve, ndërtimin e shenjtorëve, dhe vetëm lavdinë e Perëndisë në predikimet tona?
A e ndiejmë përgjegjësinë tonë të madhe?
A e kuptojmë varësinë tonë nga personi dhe shërbimi i Frymës së Shenjtë?
A jemi të veshur me përulësi përpara Perëndisë?
A veprojmë me besnikëri ndaj shpirtave?
A është dashuria jonë po aq e dukshme sa besnikëria jonë, në punën tonë publike?
A predikojmë në mënyrë të tillë saqë lëmë përshtypjen në mendjet e dëgjuesve tanë, se ne me të vërtetë dëshirojmë t’u bëjmë mirë atyre?
A i duam njerëzit tanë siç duhet?
A i vizitojmë ata sa duhet?
A kujdesemi për ta si persona që do të japim llogari?
A ndiejmë për mëkatarët siç duhet, dhe vuajmë për ta deri sa Krishti të formohet në ta?
A jemi mburrur shumë, ose kemi vendosur besimin në aftësitë tona dhe jo te Perëndia?
A jemi të shqetësuar sepse kauza e Zotit është në vështirësi?
Këto janë pyetje serioze. Shumë të tjera mund të thuhen. Një konsiderim serioz i tyre, me aplikim personal, nuk mund të na dëmtojë. Le të vajtojmë për të kaluarën, të kërkojmë një bashkësi më të ngushtë me Perëndinë, dhe komunikime më të mëdha nga Perëndia. Sepse vetëm ajo që vjen nga Perëndia bën vërtet dobi. Është vetë Fjala e Tij që Perëndia bekon. Nëse predikimi ynë do të ishte më apostolik, ka arsye të dalim në përfundimin se suksesi ynë do të ishte apostolik. Oh, të predikosh cfarë predikuan ata, dhe ashtu si predikuan ata!
A je një dëgjues i pavendosur i ungjillit?
Sa kohë ke që je ulur nën tingullin e tij?
Sa shumë predikime ke dëgjuar?
Sa shumë bindje ke ndjerë?
Sa shumë qëllime ke formuar?
Sa herë ke refuzuar të vendosësh?
Studioji këto pyetje.
I pavendosur! Po hyn në një vit të ri në një gjendje të tillë dhe ndoshta në vitin tënd të fundit! Sepse, për ty, mund të ketë dalë dekreti, “Këtë vit do të vdesësh!” Dhe mendo po vdiqe, cila do të jetë pasoja? Jezusi ka thënë, “Ai që nuk është me mua është kundër meje.” Nëse nuk je shoku i tij, atëherë je armiku i tij. Nëse nuk je një fëmijë i Perëndisë, atëherë je armiku i Perëndisë. “Sa kohë do të ngatërrohesh mes dy mendimeve?” Çfarë mund të fitosh nga vonesa? Sa më gjatë të jetosh i pavendosur…
aq më shumë mëkat do të ngurtësojë zemrën tënde,
aq më shumë pushtet bota do të ketë mbi ty,
aq më efektivisht Satani do të të kapë —
deri sa ndoshta të bëhesh një ilustrim i gjallë i asaj që thotë profeti, “A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?” (Jeremia 13:23)
Pse të mos dorëzohesh menjëherë? Pse të mos e bësh këtë, punën tënde të parë këtë vit të ri për t’ju dorëzuar Perëndisë? A nuk je një mëkatar, dhe a nuk e ndien këtë? A nuk është Jezusi një Shpëtimtar, dhe a nuk ke nevojë për Të? A nuk të ka ftuar Ai që të vish tek Ai, siç ti je, dhe të ka premtuar se nuk do të të hedhë kurrë jashtë? Atëherë, shko dhe hidhu në këmbët e Tij, thirr për mëshirën e Tij, lutu për premtimin e Tij, beso në veprën e Tij të përsosur, dhe do të gjesh paqe me Perëndinë. Pasi ta kesh bërë këtë, shko dhe pagëzohu në emrin e Tij, bashkohu me popullin e Tij, puno për lavdinë e Tij, ec me Të në bashkësi, dhe Parajsa do të kurorëzojë rrugën tënde.
Por nëse një mëkatar i shkujdesur lexon këto rreshta, çfarë mund të të them? Vëllai im i varfër e i shkujdesur, mendo!
Mendo…
për vlerën e shpirtit tënd,
për shkretinë e mëkatit,
për shkurtësinë e kohës,
për pasigurinë e jetës,
për nevojën tënde për një Shpëtimtar,
për përshtatjen e saktë të Jezusit për të përmbushur rastin tënd,
për gatishmërinë e Tij për të të pranuar,
për marrëzinë e të luajturit me Fjalën e Tij, dhe
për pasojat e tmerrshme të vdekjes në mëkatin tënd!
Nëse nuk kujdesesh për asgjë tjetër, kujdesu për shpirtin tënd. Kujto, një herë i humbur, je i humbur përjetësisht! Nëse shpirti yt humb, vetë mëkati dhe marrëzia jote do të jenë shkaku i saj. Askush nuk mund ta humbasë atë për ty. Faji do të mbetet përjetësisht mbi ty. Fillo këtë vit duke kërkuar Zotin. Ai flet me ty kur thotë përmes shërbëtorit të tij, “I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.” (Isaia 55:7)
Ndoshta syri i një rrëshqitësi mund të kalojë mbi këtë faqe. Nëse po, më lër të të përgjërohem me dashuri, vëllai im i rënë, që të fillosh këtë vit duke u kthyer te Perëndia yt. Shko dhe kthehu te burri yt i parë, sepse ishte më mirë për ty atëherë, sesa tani. Ke rënë për shkak të mëkatit tënd, por Perëndia të thotë të marrësh me vete fjalë dhe të kthehesh tek Ai. Ai thotë, “Vetëm prano mëkatin tënd.” Gjithçka që Ai kërkon nga ti është të rrëfesh, dhe kështu të falesh. Të pranosh, dhe kështu të bekohesh nga Ai. Ai pret të jetë i mëshirshëm ndaj teje. Ti kurrë nuk do të jesh i lumtur, kurrë nuk do të kesh paqe, derisa të kthehesh. Mos dysho në dashurinë e tij. Mos ki frikë nga refuzimi.
Hidh veten tënde në këmbët e tij,
lutu për atë që Jezusi vuajti,
vajto për marrëzitë e tua të kaluara,
kërko hir rikthyes, dhe
ky do të jetë një nga vitet më të lumtura të jetës tënde.
Të gjithë ne, le ta dorëzojmë veten më pa rezervë te Zoti. Le ta bëjmë lavdinë e tij punën kryesore të jetës sonë. Le të mos jetojmë për veten tonë, por për Atë që vdiq për ne dhe u ngrit përsëri. Duke jetuar, le të jetë qëllimi ynë të shfaqim dhe të lartësojmë Krishtin, dhe pastaj vdekja do të jetë për ne fitim i përjetshëm. Le të kërkojmë shpëtimin e mëkatarëve më me pasion, qëndrim, dhe lutje se sa kemi bërë ndonjëherë. Le të përpiqemi, në çdo mënyrë të mundshme, ti zgjojmë Kishat nga gjendja e gjumit. As të pushojmë, as të lejojmë të tjerët të pushojnë, derisa kishat tona të jenë të mbushura, të kthyerit në besim të shumëzuar, dhe anëtarët tanë të jenë të shenjtë. Le të kuptojmë faktin se “Zoti i Plotfuqishëm është me ne, Perëndia i Jakobit është streha jonë — “se krahu i tij nuk është shkurtuar për të shpëtuar, as veshi i tij i rëndë që nuk mund të dëgjojë. Se ai po na thotë, “Hap gojën tënde, dhe unë do ta mbush!” dhe, “Nuk keni sepse nuk kërkoni, ose sepse kërkoni keq. Kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.”
Të dashur, autori i’u uron të gjithëve një Vit të Ri të shenjtë, të lumtur dhe të suksesshëm!