JOZEFI I VARFËR
Një rrëfim autentik nga vitet 1800
“Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.” – 1 Timoteu 1:15
Një burrë i varfër, me mendje të dobët, me emrin Jozef, puna e të cilit ishte të bënte porosi dhe të mbante pako, duke kaluar një ditë rrugëve të Londrës, dëgjoi këndim psalmesh në shtëpinë e Perëndisë. Ai hyri brenda me një tufë të madhe leshi të varur mbi supet. Ishte kisha e Dr. Calamy. Një audiencë e veshur shumë mirë e rrethonte doktorin. Ai lexoi vargun nga 1 Timoteu 1:15, “Kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari.” Nga ky varg, ai predikoi në mënyrë shumë të qartë ungjillin e lashtë apostolik, të vërtetën e kësaj fjale besnike, që ka shpëtim të përjetshëm për mëkatarët më të ligj, vetëm përmes meritës së Jezu Krishtit, Perëndia që krijoi gjithçka. “Jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë” – thotë apostulli; “Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët.” (1 Korintasve 1:26-27).
Ndërsa pjesa më elegante e kishës e dëgjonte këtë doktrinë ndoshta pa shumë vëmendje dhe nëse u prekën nga ndonjë gjë, ajo mund të ishte nga ndonjë shprehje e ndritur apo frazë e ndërtuar bukur, Jozefi, i veshur me rrecka, duke vështruar me habi, nuk i hoqi sytë asnjëherë nga predikuesi dhe piu me etje çdo fjalë që ai tha. Duke u kthyer për në shtëpi, ai u dëgjua duke murmuritur me vete: “Jozefi nuk e ka dëgjuar kurrë këtë gjë më parë! Krishti Jezus, Perëndia që krijoi gjithçka, erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarë si Jozefi; dhe kjo është e vërtetë, është një ‘fjalë besnike!’”
Jo shumë kohë më vonë, Jozefi u sëmur me ethe dhe ishte në gjendje të rëndë për jetën. Teksa shtrihej në shtrat, gjuha e tij e përhershme ishte: “Jozefi është mëkatari më i madh, por Jezu Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, dhe Jozefi e do Atë për këtë.” Fqinjët që e vizitonin, çuditeshin kur e dëgjonin që fliste vetëm për këtë gjë. Disa prej tyre e pyetën kështu: “Po ç’mendon ti për zemrën tënde, Jozef? A nuk ka ndonjë shenjë të mirë në të? Ndonjë ndryshim shpëtues? A e ke bërë paqe me Krishtin, duke ushtruar besim tek Ai?” “Ah jo,” – tha ai, Jozefi s’ka asgjë për të thënë për veten, përveçse që ai është mëkatar i madh; por, meqë është një thënie besnike që Jezusi, Ai që bëri të gjitha, erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, pse të mos shpëtohet edhe Jozefi?”
Një njeri, pasi mësoi ku e kishte dëgjuar Jozefi këtë doktrinë dhe si ai qëndronte vazhdimisht tek ajo me aq gëzim, shkoi dhe i kërkoi Dr. Calamy të vinte dhe ta vizitonte. Ai erdhi, por Jozefi tashmë ishte shumë i dobët dhe nuk kishte folur prej kohësh. Edhe pse i thanë që doktori kishte ardhur, ai nuk reagoi. Por kur doktori filloi ti fliste, Jozefi sapo dëgjoi zërin e tij, u ngrit menjëherë mbi bërryla, e kapi doktorin për duar dhe bërtiti sa mundi me zërin e tij të dobët dhe drithërues: “O zotëri! Ju jeni miku i Zotit Jezus, për të cilin dëgjova të flitej aq bukur për Të. Jozefi është mëkatari më i madh; por është një fjalë besnike që Jezu Krishti, Perëndia që krijoi gjithçka, erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, dhe pse jo edhe Jozefi? Oh lutuni për mua tek Ai Jezus; lutuni që Ai të më shpëtojë: thuaji Atij që Jozefi mendon se e do Atë, që erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarë të tillë si Jozefi.” Doktori u lut dhe kur e përfundoi lutjen, Jozefi e falënderoi me shumë mirënjohje. Pastaj, ai futi dorën nën jastëk dhe nxori një copë të vjetër pëlhure, në të cilën ishin futur pesë monedha dhe ia vendosi në dorë doktorit. Dhe, duke e mbajtur dorën e tij të shtrënguar gjatë gjithë kohës, i tha kështu: “Jozefi, në marrëzinë e tij, i kishte ruajtur këto për pleqëri, por Jozefi s’do ta arrijë pleqërinë. Merri dhe ndaji midis miqve të varfër të Zotit Jezus; dhe thuaju që Jozefi ua dha për hir të Atij që erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët ai është më i madhi.” Pasi tha këtë, ai vuri kokën në jastëk. Mundimi për të folur kishte qenë shumë e mundishme për të dhe kështu, ai dha frymën e fundit menjëherë.
Dr. Calamy u largua, por jo pa derdhur lotë mbi Jozefin dhe ai e tregonte këtë histori me shumë ndjenjë, si një nga ngjarjet më prekëse që kishte përjetuar ndonjëherë. Kjo histori na jep disa vrojtime të rëndësishme:
Le të vërejmë bazën e besimit të Jozefit. Ajo ishte e vërteta e madhe se i vetmi Shpëtimtar i mëkatarëve është Perëndia “i shfaqur në mish” (1 Timoteu 3:16; Romakëve 8:3), që preku zemrën e tij dhe mbështeti besimin e tij. Kur një mëkatar me të vërtetë përulet për shkak të mëkateve të tij, ai do të bindet se askush tjetër përvecëse një Shpengues Hyjnor dhe i Plotfuqishëm mund ta shpëtojë. Kështu që, zemra e tij e dridhur, do të kthehet tek Krishti, si “përmbi cdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë” (Romakëve 9:5); dhe duke parë vlerën e pafundme të flijimit të Tij në kryq, do të besojë dhe do të gëzohet në Të me “ngazëllim me hare të patregueshme dhe të lavdishme” (1 Pjetrit 1:18). Mbi këtë themel të fortë do të mbështetet me siguri shpirti i penduar, sepse gjaku i Tij “na pastron nga çdo mëkat”; “gjithmonë rron që të ndërmjetësojë” për ata që besojnë në Të, dhe ata “nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora e tij.” (1 Gjoni 1:7; Hebrenjve 7:25; Gjoni 10:28).
Ungjilli prodhon dashuri për Perëndinë dhe për popullin e Tij. Jozefi e kishte marrë fjalën, jo si fjalë njerëzish, por siç ajo është në të vërtetë, si fjala e Perëndisë—dhe ajo punoi me fuqi në zemrën e tij. Ai tregoi se një ndryshim shpëtues kishte ndodhur tashmë në zemrën e tij, për të cilën ai dha jo pak dëshmi, duke pranuar se Jozefi nuk kishte asgjë për të thënë për veten e tij. Ai përjetoi të vërtetën e pohimit të apostullit: “Ne e duam Atë sepse Ai na deshi i pari” (1 Gjoni 4:19). “Oh lutju,” – tha ai, “tek Ai Jezus për mua; lutu që Ai të më shpëtojë. Thuaji Atij që Jozefi mendon se e do, për ardhjen e Tij në botë për të shpëtuar mëkatarë të tillë si Jozefi.” Çfarëdo që mund të thuhet për ta dashur Perëndinë për atë që Ai është në Vetvete, ishte ndjenja e dashurisë së Krishtit, e shfaqur në shpëtimin e mëkatarëve, ajo që fillimisht tërhoqi vëmendjen e tij, tërhoqi ndjenjat e tij më të zjarrta dhe pushtoi të gjitha mendimet e tij. Kështu është me cdo mëkatar të shpëtuar me anë të hirit. Një ndjenjë e dashurisë së Krishtit që derdhet në zemër nga Fryma e Shenjtë (Romakëve 5:5), pashmangërisht prodhon dashuri, e cila shfaqet në bindje të plotë ndaj vullnetit të Perëndisë (Gjoni 14:21) dhe në përpjekjen për ta zbukuruar doktrinën e Perëndisë me një jetë dhe sjellje që i përshtaten ungjillit (1 Pjetrit 1:15-16). Jozefi nuk mund ta shfaqte dashurinë e tij për Perëndinë në këtë mënyrë, por ai e bëri këtë duke treguar dashuri për njerëzit dhe kjo, sepse ata ishin miqtë e Jezusit. Kur ai dëgjoi zërin e Dr. Calamy-t, ai thirri: “O zotëri, ju jeni miku i Zotit Jezus, për të cilin dëgjova të flitej aq bukur për Të, dhe të cilin unë e dua për ato që thatë për Të”; dhe kësaj dëshmie dashurie ai i shtoi një provë të prekshme, duke u dhënë miqve të varfër të Jezusit gjithçka që kishte në këtë botë.
Ungjilli është i mjaftueshëm për të mbështetur mendjen përballë vdekjes së afërt. Jozefi nuk e ngushëlloi veten me mendimin se ai nuk ishte më i keq se fqinjët e tij, dhe prandaj, meqë Perëndia ishte i mëshirshëm, ai do të ishte i sigurt. Shlyerja e Krishtit ishte themeli i vetëm dhe ekskluziv i shpresës dhe besimit të tij përballë vdekjes, gjykimit dhe përjetësisë. Duke qenë i drejtësuar me anë të besimit (Romakëve 3:28), ai kishte paqe me Perëndinë përmes Zotit Jezu Krisht, dhe gëzohej në shpresën e lavdisë së Perëndisë (Romakëve 5:2).
Vdekja është një çështje me rëndësi të madhe. “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe pas kësaj vjen gjykimi” (Hebrenjve 9:27). Mendoni për këtë, ju që harroni Perëndinë dhe largoni nga vetja mendimin për vdekjen. Kujtoni se fryma juaj është në flegrat e hundës. Ndoshta këtë natë vetë shpirti juaj mund të kërkohet prej jush dhe çfarë do të jetë atëherë gjendja juaj? Ju lutem, konsideroni rrugët tuaja dhe ikni për strehë te shpresa që paraqitet para jush në ungjill. Ende qëndron “kjo fjalë është e sigurt e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët,” edhe “më të këqijtë” (1 Timoteut 1:15); “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.” (Veprat 4:12). “Besoni në Zotin Jezu Krisht, dhe do të shpëtoheni” (Veprat 16:31). – Anonim
Përkthyer nga ChapelLibrary