SHOQËRIA E PERËNDISHME
Arthur W. Pink (1886–1952)
Teolog, pastor dhe autor anglez i njohur për teologjinë e tij të patundur kalviniste dhe përkushtimin e thellë ndaj autoritetit të Shkrimeve.
“Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.”
Psalmi 119:63
Në vargun e mësipërm ne kemi një përshkrim të popullit të Perëndisë sipas mënyrës së jetës dhe sjelljes së tyre. Ata janë një popull që dallohen për dy gjëra: frikë dhe nënshtrim. Kjo e fundit është fryt i së parës. Shpirtrat e rilindur i binden Perëndisë me ndërgjegje, nga nderimi që kanë për madhështinë dhe mirësinë e Tij dhe nga një konsideratë e denjë për vullnetin e Tij, ashtu siç është bërë i njohur në Fjalën e Tij. I njëjti përshkrim jepet për ta edhe te Veprat 10:35: “Por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.” Kjo është një frikë birnore, që mbushet me drithërimë për shkak të madhështisë së Perëndisë dhe që kujdeset të mos e fyejë Atë; që shtyhet nga dashuria e Tij dhe dëshiron me zjarr ta kënaqë Atë. Të tillë janë të vetmit njerëz që janë të përshtatshëm të jenë “shokët” e një të krishteri.
Një “shok” në kuptimin e saktë, është ai që unë zgjedh për të ecur dhe biseduar me të në një marrëdhënie miqësore. Meqenëse zgjedhja e shokëve është një çështje e vullnetshme, shpesh është e vërtetë ajo që thuhet, “njeriu njihet nga shoqëria që mban”. Kjo është arsyeja e asaj shprehjes së vjetër që thotë, “Zogjtë e së njëjtës puplë fluturojnë bashkë.” Shkrimi Shenjtë bën këtë pyetje shqyrtuese: “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?” (Amosi 3:3). Përpara se të kthehej në besim, i krishteri ishte nën sundimin e Princit të errësirës dhe ecte sipas ecjes së botës (Efesianëve 2:2-3). Kjo është arsyeja pse ai kërkonte dhe gëzonte shoqërinë e njerëzve të botës. Por kur u rilind, natyra e re brenda tij nxiti shije dhe dëshira të reja dhe kështu ai kërkon një shoqëri të re, duke gjetur kënaqësi vetëm te shenjtorët e Perëndisë.
I krishteri duhet të ketë një vullnet të mirë ndaj të gjithë atyre me të cilët ka kontakt, duke dëshiruar dhe kërkuar të mirën e tyre (Galatasve 6:10), por ai nuk duhet të jetë në zgjedhë me ta (2 Korintasve 6:14) dhe as të ketë bashkësi me ta (Efesianëve 5:11) nëse janë jobesimtarë. Ai nuk duhet të gjejë kënaqësi apo pajtim me ata që përbuzin Zotin e tij. “”A duhet të ndihmoje ti një të pafe dhe të doje ata që urrenin Zotin?” (2 Kronikave 19:2). A do të merrje ti me vetëdije një nepërkë në gjirin tënd? “Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët.” (Fjalët e Urta 29:27). Kështu tha edhe Davidi: “A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje? Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.” (Psalmi 139:21-22). Ky njeri i shenjtë nuk mund të ishte në bashkim me të tillë njerëz.
Shoqëria e keqe duhet të shmanget me kujdes të veçantë nga i krishteri, që të mos ndotet prej saj. “Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.” (Fjalët e Urta 13:20). Dhe nuk janë vetëm ata që janë haptazi mëkatarë dhe kriminalë që duhen shmangur, por edhe – po, madje sidomos – ata që pretendojnë se janë të krishterë por nuk jetojnë si të tillë. Është pikërisht ky grup i fundit ndaj të cilit fëmija i vërtetë i Perëndisë duhet të jetë më i kujdesshëm. Ata që thonë një gjë dhe bëjnë një tjetër. Ata që flasin me devotshmëri, por që në sjellje nuk dallohen aspak, ose fare pak, nga ata që nuk e rrëfejnë besimin. Fjala e Perëndisë është e qartë dhe e prerë në këtë pikë: “Të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.” (2 Timoteut 3:5). Kjo nuk është thjesht një këshillë e mirë, por një urdhërim hyjnor, të cilin e shpërfillim për rrezikun tonë.
Kur zgjedh “shokët” e tu, mos lejo që një personalitet i këndshëm të të mashtrojë. Djalli vetë shpesh paraqitet si “një engjëll drite” dhe ndonjëherë agjentët e tij ujqër maskohen si “dele” (Mateu 7:15). Ji shumë i kujdesshëm për të parë që ajo që të tërheq dhe që të bën të dëshirosh shoqërinë e miqve të krishterë është dashuria dhe ngjashmëria e tyre me Krishtin, dhe jo dashuria apo ngjashmëria e tyre me ty. Shmangi sikur të ishin një murtajë vdekjeprurëse ata që nuk janë të tronditur nga frika e Perëndisë, domethënë, ata që nuk dridhen nga frika se mos e fyejnë Atë. Mos e lejo djallin të të bindë se je aq i qëndrueshëm në besim sa nuk ndikohesh nga afërsia me të ashtuquajtur “të krishterë” të botës. “Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.” (1 Korintasve 15:33). Përkundrazi, “bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.” (2 Timoteut 2:22).
“Mos u gënjeni; shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira.” (1 Korintasve 15:33). Fjala greke për “shoqëritë” këtu saktësisht ka kuptimin “bashkim, miqësi.” Dhe miqësitë e këqija “prishin.” Çdo e keqe është ngjitëse dhe shoqërimi me të ligjtë, qofshin ata “anëtarë kishe” apo jobesimtarë të hapur, ka një efekt ndotës dhe degradues mbi fëmijën e vërtetë të Perëndisë. Vëre mirë se si Fryma e Shenjtë e parathotë këtë paralajmërim: “Mos u gënjeni.” Me sa duket, ekziston një rrezik i vërtetë që populli i Perëndisë të mendojë se mund të luajë me zjarrin pa u djegur. Por jo, nuk është kështu. Perëndia nuk ka premtuar të na mbrojë kur ne i kundërvihemi sinjaleve të Tij të rrezikut. Shiko gjithashtu vargun që vjen menjëherë pas atij që sapo cituam dhe që është i pandashëm nga ai: “Zgjohuni për drejtësinë dhe mos mëkatoni, sepse disa nga ju nuk e njohin Perëndinë; për turpin tuaj po ua them.” (1 Korintasve 15:34). Fjala “zgjohuni” nënkupton të çohesh nga një gjendje përgjumjeje ose apatie. Është një thirrje për të shkundur magjinë mashtruese se një i krishterë mund të ketë shoqëri me njerëz pa Krishtin pa u ndotur prej tyre. “Dhe mos mëkatoni” në këtë drejtim. Të kultivosh miqësi me njerëz fetarë si bota është mëkat, sepse të tillë “nuk e njohin Perëndinë”. Ata nuk kanë asnjë njohje personale me Të. Ata nuk kanë frikën e Tij dhe autoriteti i Tij nuk ka asnjë peshë për ta. “Për turpin tuaj po ua them.” Fëmija i Perëndisë duhet të ndjejë turp dhe hutim që i duhet thënë një fjalë e tillë.
“Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.” Të tillët janë të vetmit “shokë” që vlejnë të kesh; të vetmit që do të të inkurajojnë të vazhdosh përpara në “Rrugën e Ngushtë.” Nuk janë ata që thjesht pretendojnë se “besojnë” në urdhërimet e Perëndisë, apo që rrëfejnë se “qëndrojnë” për to, por ata që vërtet “i zbatojnë”. Por ku mund të gjenden të tillë në këto kohë? Ah, ku me të vërtetë? Ata janë vetëm “pak” në numër (Mateu 7:14) – një këtu, një atje. Po, aq shumë “pak” janë sa që ndjejmë nevojën të thërrasim: “Na ndihmo, o Zot, sepse i perëndishmi është zhdukur; sepse besnikët kanë humbur nga bijtë e njerëzve” (Psalmi 12:1 KJV).
Është vërtet serioze të lexosh fjalët që vijnë menjëherë pas këtij vargu dhe të shohësh sa mirë i përshkruajnë ato shumicën e “të krishterëve” të paperëndishëm përreth nesh: “Secili i flet kotësi të afërmit të vet, me buzë lajkatare, me zemër të dyfishtë flasin” (v. 2). Vër re tre gjëra për ta: Së pari, ata “flasin kotësi” ose “boshësi.” Fjalët e tyre janë si flluska, nuk ka asgjë ndërtuese në to. Dhe kjo nuk është për t’u habitur, sepse “ç’ka zemra qet goja.” (Mateu 12:34). Zemrat e tyre janë bosh (Mateu 12:44), prandaj edhe e folura e tyre është e zbrazët. Së dyti, ata kanë “buzë lajkatare” – kjo është arsyeja pse janë kaq të pëlqyer nga të paperëndishmit. Ata do të përpiqen të të fryjnë mendjen, duke pretenduar të admirojnë “dritën e madhe” që ti ke dhe të të thonë se është detyra jote ta “ndash me të tjerët.” Së treti, ata kanë një “zemër të dyfishtë.” Ata përpiqen (kot) t’u shërbejnë dy zotërinjve (krf. 2 Mbretërve 17:32-33).
“Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.” Ka një kuptim shumë të vërtetë në këtë deklaratë edhe kur nuk ka ndonjë kontakt të drejtpërdrejtë me të tillë njerëz. Besnikëria ndaj Perëndisë, bindja ndaj Fjalës së Tij, zbatimi i urdhërimeve të Tij, shoqërimi vetëm me ata që bëjnë të njëjtën gjë dhe largimi nga të gjithë të tjerët ka sjellë gjithmonë me vete një rrugë të vetmuar. Kështu ndodhi me Enokun (Juda 14). Kështu ndodhi me Abrahamin (Isaia 51:2). Kështu ndodhi me Palin (2 Timoteut 1:15). Dhe kështu është edhe sot. Çdo qytet në vend është i mbushur me “Kisha,” “Misione,” “Salla Ungjillore,” “Institute Biblike,” etj., por ku janë ata që tregojnë me dëshmi të qarta se po jetojnë në këtë botë si “të huaj dhe shtegëtarë”, dhe si të tillë po përmbahen “nga dëshirat mishore që luftojnë kundër shpirtit”? (1 Pjetrit 2:11).
Por faleminderit Perëndisë që, megjithëse rruga e besnikërisë ndaj Tij është e vetmuar, ajo më sjell në bashkësi shpirtërore me ata që kanë ecur përpara në Të. Ne jemi të thirrur të ecim me besim dhe jo me anë të shikimit dhe besimi e kupton se të ecësh me Krishtin “jashtë fushës” (Hebrenjve 13:13) do të thotë të hysh në bashkim me “të gjithë” të shpenguarit e Tij, qofshin ata në tokë apo në qiell. Prandaj apostulli Gjon, në mërgimin e tij të vetmuar në Patmos, e quajti veten “vëllai juaj dhe pjestar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit,” (Zbulesa 1:9). Po, i dashur lexues i krishterë, për një kohë të shkurtër kjo do të thotë bashkësi në vuajtje, por lavdi Zotit që kjo nuk do të thotë të vuash pjesën e shpejtë dhe të frikshme që u takon atyre që janë pa Krishtin, të lënë pas kur Ai të vijë për të Tijtë (2 Thesalonikasve 2:10-12). Për një kohë të shkurtër kjo do të thotë bashkësi në “mbretërinë dhe durimin e Jezu Krishtit,” por së shpejti ajo do të jetë bashkësi në mbretërinë dhe lavdinë e Krishtit. U bëftë mëshira hyjnore aq e mjaftueshme për ne sa të na ndihmojë të jetojmë tani, që në atë Ditë të dëgjojmë prej Tij: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik.”