Kura për Dëshpërimin
Nga A.W. Pink (1886–1952)
Teolog, pastor dhe autor anglez i njohur për teologjinë e tij të patundur kalviniste dhe përkushtimin e thellë ndaj autoritetit të Shkrimeve.
“Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim?” — Psalmi 42:5
Kur psalmisti i tha këto fjalë, shpirti i tij ishte i brengosur dhe zemra e tij rëndonte brenda tij. Në jetën plot ndryshime dhe sprova të Davidit, kishte mjaft gjëra që mund ta hidhëronin dhe ta fundosnin atë në dëshpërim. Përndjekjet mizore të Saulit që e ndiqte si një thëllëzë në male, tradhtia e mikut të tij të besuar Ahitofelit, pabesia e Absalomit dhe kujtimi i mëkateve të tija — të gjitha këto do të mjaftonin për të thyer edhe shpirtin më të fortë. Dhe Davidi ishte një njeri me ndjenja të ngjashme me ne. Ai nuk ishte gjithmonë në majat e gëzimit, por herë pas here kalonte periudha në moçalin e dëshpërimit dhe në humnerën e trishtimit.
Por Davidi nuk iu dorëzua dëshpërimit, as nuk u mposht nga pikëllimet e tij. Ai nuk u shtri përdhe si një kafshë e plagosur që s’bën gjë tjetër veçse mbush ajrin me ulërimat e veta. Jo, ai veproi si një krijesë racionale, si një burrë i vërtetë dhe i pa hallet e tij drejt në sy. Por ai bëri më shumë se kaq. Ai kërkoi me zell, ai e sfidoi vetveten, ai u përpoq të zbulonte shkakun e dëshpërimit të tij. Ai pyeti: “Pse ligështohesh, o shpirti im?” Ai dëshironte të dinte arsyen për një trishtim të tillë. Ky është shpesh hapi i parë drejt shërimit nga dëshpërimi shpirtëror. Ankimi dhe murmuritja nuk na çojnë askund. Brengosja dhe përdredhja e duarve nuk sjellin asnjë lehtësim, as për kohën e tanishme, as për gjendjen shpirtërore. Duhet të ketë hetim dhe shqyrtim të vetvetes.
“Pse ligështohesh, o shpirti im?” Ne duhet të merremi seriozisht me veten tonë. Ne duhet të përballemi pa frikë me disa pyetje të thjeshta. Çfarë të mire sjell dorëzimi në dëshpërim? Çfarë dobie mund të sjellë për mua? Të rrish i mërzitur dhe i hidhëruar nuk është “shfrytëzimi i kohës” (Efesianëve 5:16). Të rënkuarit dhe të qarat nuk rregullojnë asgjë. Prandaj, cdokush që ndodhet në dëshpërim, le t’i kërkojë llogari shpirtit të tij dhe ta pyesë se çfarë arsye të vlefshme ka për hidhërimin dhe shqetësimin e tij. “Ne mund të kemi arsye të mëdha për të vajtuar për mëkatin dhe për tu lutur kundër paudhësisë së përhapur, por dëshpërimi i thellë, edhe në vuajtjet më të rënda të jashtme apo në sprovat e brendshme, buron nga mosbesimi dhe nga një vullnet kryeneç. Prandaj ne duhet të luftojmë dhe të lutemi kundër tij.” (Thomas Scott)
“Pse ligështohesh, o shpirti im?” A nuk mund ta zbulosh vetë përgjigjen pa pasur nevojë të kërkosh këshillë nga të tjerët? A nuk është e vërtetë që, në thellësinë e zemrës sate, ti tashmë e di, ose të paktën dyshon, për rrënjën e problemit tënd të tanishëm? A je “i ligështuar” për shkak të rrethanave të vështira të cilat i ke shkaktuar vetë përmes marrëzisë sate? Atëherë prano me psalmistin: “Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.” (Psalmi 119:75) A është për shkak të ndonjë mëkati, ndonjë sjelljeje egoiste, ndonjë mbjelljeje sipas mishit, që tani po korr kalbjen e mishit? Atëherë rrëfeje këtë përpara Perëndisë dhe mbështetu në premtimin që gjendet te Fjalët e Urta 28:13: “Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.” Apo je i mërzitur sepse Provania nuk të ka buzëqeshur aq ëmbël sa fqinjëve të tu? Atëherë vër veshin ndaj këtij urdhërimi: “Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi.” (Psalmi 37:1)
Ndoshta rastet e përmendura më sipër nuk përputhen saktësisht me gjendjen e disa lexuesve tanë. Jo të paktë janë ata që mund të thonë: “Shpirti im është i ligështuar dhe zemra më është rënduar sepse financat e mia janë në një gjendje kaq të dobët dhe e ardhmja duket kaq e errët.” Kjo është me të vërtetë një sprovë e dhimbshme. Një sprovë që natyra e brishtë e njeriut shpesh nuk e përballon dot. Por, i dashur mik, ekziston një kurë për dëshpërimin edhe kur ai vjen prej kësaj arsyeje. Ai që thotë: “Të gjithë bagëtitë mbi një mijë kodra janë të Miat,” ende jeton dhe mbretëron! A nuk mundet Ai që ushqeu dy milion izraelitë në shkretëtirë për dyzet vjet, të kujdeset për ty dhe familjen tënde? A nuk mundet Ai që mbajti Elian gjallë gjatë kohës së urisë, të të ruajë edhe ty nga uria? “Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?” (Mateu 6:30)
Duke u kthyer te pasazhi në fillim, le të vërejmë se Davidi jo vetëm që nuk iu dorëzua pikëllimeve të tij, e mori në pyetje shpirtin e vet dhe qortoi mosbesimin e vet, por ai edhe i predikoi vetes: “Shpreso te Perëndia!” Ah, kjo është ajo që njeriu i dëshpëruar ka nevojë të bëjë. Asgjë tjetër nuk do t’i sjellë lehtësim të vërtetë zemrës. Pamja e tanishme mund të jetë e zymtë, por premtimet hyjnore janë të shndritshme. Krijesa mund të të lërë në baltë, por Krijuesi nuk do ta bëjë këtë, nëse me të vërtetë ia beson veten Atij. Bota mund të jetë në rrëmujë e në panik, por i krishteri nuk ka pse të jetë ashtu. Ka Një që është “ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.” (Psalmi 46:1), dhe Ai nuk i braktis kurrë ata që me të vërtetë e bëjnë Atë strehën e tyre. Shkruesi e ka provuar këtë gjë, shumë e shumë herë — dhe po ashtu edhe lexuesi. Në të vërtetë, kushtet e tanishme janë një mundësi e shkëlqyer për të mësuar mjaftueshmërinë e hirit hyjnor. Besimi nuk mund të ushtrohet kur gjithçka që të nevojitet e ke përpara syve.
“Shpreso te Perëndia.” Në mëshirën e Tij: Ti ke mëkatuar, madje rëndë në të kaluarën dhe tani po merr shpërblimin e merituar. E vërtetë, por nëse me pendim të sinqertë i rrëfen mëkatet, ka mëshirë të bollshme te Zoti për t’i fshirë ato të gjitha (Isaia 55:7). Në fuqinë e Tij: Të gjitha dyert mund të jenë mbyllur përpara teje. Të gjitha rrugët e ndihmës mund të jenë prerë. Por asgjë nuk është e pamundur për të Plotfuqishmin! Në besnikërinë e Tij: Njerëzit mund të të kenë mashtruar. Ata mund të kenë shkelur premtimet e tani të kenë braktisur në orën e nevojës. Por Ai që nuk mund të gënjejë është për t’u besuar — mos dysho në premtimet e Tij. Në dashurinë e Tij: “Pasi i deshi të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1).
“Sepse unë do ta lavdëroj përsëri për ndihmën e pranisë së Tij.” Kjo është gjithmonë siguria e bekuar e atyre që me të vërtetë shpresojnë te Perëndia. Ata e dinë që “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.” (Psalmi 34:19). Perëndia u ka thënë se “të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.” (Psalmi 30:5). Prandaj, lexues i krishterë, kur sprova e zjarrit të ketë përmbushur qëllimin e saj, dhe lidhjet e tua të jenë djegur (Danieli 3:25), ti do ta falënderosh Zotin edhe për sprovat që sot të duken kaq të hidhura. Atëherë, shiko me shpresë përpara. Mbështetu te Perëndia dhe Ai nuk do të të zhgënjejë.
Le të bashkohet çdo lexues i krishterë që nuk po kalon aktualisht nëpër ujëra të thella me shkruesin në një lutje të zjarrtë drejt Perëndisë, që Ai me hirin e Tij të shenjtërojë “vështirësinë e tanishme” për të mirën shpirtërore të popullit të Tij dhe të përmbushë me mëshirë nevojat e tyre tokësore.