DEKLARATA E FRANKFURTIT
PËR LIRITË E KRISHTERA DHE CIVILE
Në rrjedhën e ngjarjeve njerëzore, ndonjëherë bëhet e nevojshme për njerëzit mirëbesues të flasin hapur kundër abuzimit të pushtetit. Kjo duhet të bëhet vetëm pas shqyrtimit serioz dhe të bazuar në lutje, madje edhe atëherë, duke mbajtur një qëndrim të përulur e plot respekt për autoritetet që janë vendosur nga Perëndia. Një protestë e tillë duhet të shprehet me shpresën që autoritetet civile që janë duke cenuar të drejtat dhe liritë janë ende të afta që të përmbushin përgjegjësitë e tyre si kujdestarët e ligjshëm të tyre.
Disa pastorë të shqetësuar nga kontinente të ndryshme, të nxitur nga totalitarizmi shtetëror që po shfaqet në çdo sferë të shoqërisë dhe veçanërisht mbi Kishën, duke pasur parasysh shpërfilljen e të drejtave të dhëna nga Perëndia dhe të garantuara nga kushtetuta gjatë krizës së koronavirusit, të bashkuar në kauzën e përbashkët për të hartuar një deklaratë solemne, e cila i trajton këto kërcënime me anë të të vërtetave të përjetshme të Fjalës së Perëndisë. Pohimet dhe mohimet e mëposhtme, të hartuara në bazë të parimeve biblike, ne i paraqesim që të merren parasysh nga të gjithë të krishterët dhe autoritetet përkatëse, me shpresën që ky dokument do të hedhë dritë dhe falë forcë për dëshmi besnike ndaj Jezu Krishtit në ditët e sotme.
2 Samueli 12:1-14; Veprat 4:24-29; Romakët 13:1-7; 1 Pjetri 2:13-14
Neni 1
Perëndia Krijuesi si Ligjdhënësi dhe Gjykatësi Sovran
Ne pohojmë që Perëndia Triun – Ati, Biri, dhe Fryma e Shenjtë – është Krijuesi i të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme, Sovrani i bekuar dhe i vetëm, si dhe Ligjdhënësi suprem për të gjithë sjelljen njerëzore. Ne besojmë që Ai ka zbuluar në Shkrimet e Shenjta dhe në ndërgjegjen e njeriut një moral të pandryshueshëm që është i rrënjosur në vetë karakterin e Tij, dhe që përcakton natyrën e sjelljes së mirë dhe të keqe për të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat. Si Ligjdhënës, Perëndia ka caktuar një ditë në të cilën Ai do të gjykojë botën me drejtësi prej një personi, Zoti i ringjallur Jezu Krisht. Atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.
Ne mohojmë, për këtë arsye, që materia jopersonale është realiteti përfundimtar mbrapa të gjitha gjërave, si dhe besimin që sjellja njerëzore është thjesht një dukuri biologjike ose sociologjike. Meqenëse Perëndia është Ligjdhënësi dhe Gjykatësi përfundimtar, ne mohojmë të drejtën e çdo autoriteti tokësor që të përkufizojë moralin dhe të kërkojë bindjen pa kushte të qytetarëve të vet kur e gjitha kjo bie në kundërshtim me ligjin hyjnor. Ne gjithashtu kemi arsye të forta për të vënë në dyshim deklaratat etike dhe vizionin moral të shtetit modern, meqenëse humanizmi shekullar dhe etika relativiste që e karakterizojnë atë nuk përbëjnë një themel trashendental për sjelljen dhe moralin njerëzor.
Zanafilla 1:1; 2:15-17; Eksodi 1:17; 20:1-17; Jozueu 2:3-6; Psalmi 9:7-8; Danieli 6:11; Mikea 6:8; Mateu 28:19; Veprat 4:19; 5:29; 9:25; 12:17; 17:31; Romakët 1:32; 2:14-16; 11:36; Kolosianëve 1:16; 1 Timoteu 1:17; 6:15-16; 2 Timoteu 3:16-17; Hebrenjve 11:3; Jakobi 4:12; Zbulesa 4:11
Neni 2
Perëndia si Burimi i së Vërtetës dhe Roli i Shkencës
Ne pohojmë që Perëndia, Krijuesi, është e Vërteta dhe për pasojë e vërteta objektive ekziston dhe mund të nxirret nga zbulesa e Tij që gjendet në Shkrimin e Shenjtë dhe në natyrë, si dhe nga çdo fakt që mund të verifikohet në mënyrë të besueshme. Ne e mbështesim shkencën që kërkon të zbulojë nëpërmjet metodës dhe debatit shkencor të vërtetat që Perëndia ka ndërtuar në botën natyrore. Ne gjithashtu pohojmë kufizimet e shkencës, duke përfshirë paaftësinë e saj të flasë me autoritet mbi fushat jashtë kompetencave të saj dhe prirjes së saj për të gabuar kur të dhënat mungojnë. Meqenëse njeriu ka rënë në mëkat, ne më tej pohojmë që të gjitha mendimet, deduksionet dhe institucionet e tij përmbajnë shkallë prishjeje, të cilat kanë prirje ta shtrembërojnë, manipulojnë ose ndrydhin të vërtetën.
Prandaj, ne mohojmë që qeveritë njerëzore janë moralisht dhe ideologjikisht neutrale; jo gjithmonë e dinë ose kërkojnë atë çfarë është e mirë për qytetarët e tyre dhe jo gjithmonë versioni i tyre i fakteve duhet të besohet në mënyrë të pakushtëzuar. Ne refuzojmë çdo mashtrim, frikëngjallje, propagandë, dhe indoktrinim nga institucionet shtetërore dhe organet e medias, si dhe çdo raportim rreth çështjeve botërore me rëndësi thelbësore që është i nxituar, selektiv ose ideologjikisht manipulues. Po ashtu, refuzojmë pretendimet e çdo të ashtuquajturi “konsensus shkencor” që braktis metodën shkencore dhe shpërfill ose ndrydh shqetësimet e zërave disidentë. Veç kësaj, refuzojmë adhurimin e shkencës [shkencizmin], sepse edhe kur gjetjet shkencore e përshkruajnë saktësisht një dukuri të veçantë, ato nuk mund t’i trajtojnë në mënyrë adekuate dhe normative realitetet shoqërore të ndërlikuara ose të parashtrojnë politika që sjellin pasoja etike.
Zanafilla 6:5; Psalmi 19:1-8; 31:6; 119:160; Predikuesi 7:29; Gjoni 3:33; 14:6; 16:13; 17:17; Romakët 1:18-20; 2 Korintasve 4:2; Efesianëve 2:3; 1 Timoteu 3:15; 2 Timoteu 3:16-17; Jakobi 2:9; Zbulesa 13:11-15
Neni 3
Njerëzimi si Shëmbëlltyra e Perëndisë
Ne pohojmë që çdo qenie njerëzore është krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe në ngjasim me Perëndinë (imago Dei) dhe për këtë arsye është e pajisur me dinjitet dhe vlerë të qenësishme dhe krahas tyre me disa të drejta dhe liri të caktuara dhe të patjetërsueshme, të cilat janë të domosdoshme për një jetë njerëzore normale. Këto të drejta dhe liri përfshijnë të drejtën për adhurim në grup, marrëdhënie personale dhe fizike, punësim profesional, si dhe për pjesëmarrje në ngjarjet e rëndësishme të jetës njerëzore, siç janë e drejta për të ngushëlluar të sëmurët dhe njerëzit në prag të vdekjes (veçanërisht nëse janë anëtarë të familjes), për të marrë pjesë në varrime, për të dëshmuar lindjen e fëmijës tënd, për t’u martuar në prani të miqve dhe të afërmve, për të pasur shoqëri dhe ngrënë bashkë me të tjerët dhe për t’u angazhuar në punë të ndershme. Ne gjithashtu pohojmë që qeveritë duhet ta pranojnë që çdo individ është përgjegjës për vetë mirëqenien e trupit të vet dhe duhet ta mbrojnë të drejtën për marrjen e vendimeve të pavarura rreth kujdesit mjekësor.
Për këtë arsye ne mohojmë veprimet çnjerëzore të autoriteteve qeveritare ose të çdo institucioni tjetër për t’ia nënshtruar njerëzit manipulime psikologjike dhe frikësimit. Kjo përfshin nxitjen e dyshimeve ndaj të tjerëve duke i portretizuar ata si kërcënime potenciale ndaj të mirës së përbashkët dhe vetjake. Ne po ashtu kundërshtojmë vendimet mjekësore që merr Shteti për shtetasit e vet, si dhe kriminalizimin, ndarjen e detyruar, pengesat profesionale, si dhe çdo kufizim tjetër të të drejtave të personave që zgjedhin të mos u binden rregullave mjekësore të qeverisë së tyre. Në këtë mënyrë, refuzojmë të gjitha format e detyrimit dhe shtrëngimit mjekësor dhe çdo kufizim të lirive individuale për njerëzit që nuk janë të infektuar nga ndonjë sëmundje ngjitëse dhe vdekjeprurëse; këtu përfshihet implementimi i certifikatave të vaksinimit, distancimi social, ose mbajtja e maskës si një parakusht i përgjithshëm për akses në vendet publike ose për pjesëmarrje në punë dhe jetën sociale. I kundërvihemi edhe prirjeve globale drejt transhumanizmit, mbikëqyrjes teknologjike dhe kontrollit mbi qeniet njerëzore, meqenëse minojnë agjencinë njerëzore që është kaq thelbësore për thirrjen tonë të dhënë nga Perëndia për të jetuar si shëmbëlltyrë-mbajtësit e Tij.
Zanafilla 1:26-28; 2:24; 9:6; Eksodi 20:9; Danieli 3:1-30; Mateu 25:31-40; 1 Korintasve 6:12-20; 1 Thesalonikave 4:11-12; Jakobi 3:9; 5:14-15; Zbulesa 13:16-17
Neni 4
Mandatet e dhëna nga Perëndia dhe Kufizimet e Autoritetit
Ne pohojmë që të gjitha autoritetet tokësore e marrin pushtetin e tyre (‘të drejtën për t’ju bindur’) nga Perëndia, që është mbi të gjithë dhe përpara të Cilit të gjithë do të japin llogari. Ne besojmë që Ai ka vendosur sferat e ndryshme të përgjegjësisë së tyre (p.sh., mandatet) dhe duke e bërë këtë i ka vendosur kufizime autoritetit të tyre. Perëndia i ka deleguar pushtet qeverive civile me qëllim që të shpërblejnë të mirën dhe ndëshkojnë të keqen, si dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e dhëna nga Perëndia për të gjithë njerëzit. Ai gjithashtu i ka deleguar pushtet Kishës në mënyra të ndryshme, veçanërisht për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet duke predikuar Fjalën e Perëndisë, si dhe për të themeluar dhe administruar komunitete të shpenguara të besimit që jetojnë nën autoritetin e Krishtit. Veç kësaj, Ai i ka deleguar pushtet familjes si njësia bazë e shoqërisë me synim nxitjen e kohezionit shoqëror dhe besnikërisë seksuale, si dhe për të mbrojtur, për të siguruar, për të rritur, dhe edukuar fëmijën në rrugën e Zotit. Ne pohojmë të drejtën tonë si qytetarë, prindër, dhe të krishterë të vetëvendosim lirisht besimet dhe sjelljet tona bazuar në këto të vërteta.
Për këtë arsye, ne mohojmë ideologjitë totalitariste të qeverive, të cilat nuk i njohin kufijtë e pushtetit të tyre dhe uzurpojnë pushtetin që Perëndia i ka deleguar Kishës ose familjes. Në veçanti, ne refuzojmë prirjen e qeverive për të qendërzuar besimet dhe sjelljet e qytetarëve të tyre duke krijuar një shoqëri autoritare në të cilën Shteti është absolut. Një totalitarizëm dhe statizëm i tillë ndërtohet mbi bindje që e ripërkufizojnë në mënyrë thelbësore të mirën dhe të keqen dhe natyrën e qenieve njerëzore dhe shkojnë kundër rendit hyjnor të gjërave. Pasoja që sjellin bindje të tilla ka të bëjë me skllavërimin e individit dhe lirive fetare, dhe të sjellë një jotolerancë ideologjike që përpiqet t’u mbyllë gojën, t’i eliminojë, dhe t’i ri-edukojë ata që nuk bien dakord. Ne gjithashtu kundërshtojmë pikëpamjen që fëmijët janë pronë e Shtetit dhe për pasojë subjekte për t’u indoktrinuar, dhe gjithashtu çdo nxitje ose manipulim të fëmijëve për t’ju nënshtruar procedurave mjekësore pa miratimin e prindërve.
Ligji i Përtërirë 6:6-7; Mateu 22:20-21; 28:18-19; Gjoni 17:14; Romakët 12:1-2; 13:1-7; Efesianët 5:21-6:4; Filipianët 2:14- 16; Kolosianët 3:18-20; 1 Timoteu 2:1-2; Hebrenjve 13:17; 1 Pjetri 2:13-14; 4:15; Zbulesa 13:7-8
Neni 5
Krishti si Kreu i Kishës
Ne pohojmë që Kisha e Zotit Jezu Krisht i përket Atij për shkak se e bleu me jetën e Tij dhe është jep llogari vetëm përpara Tij lidhur me të gjitha çështjet e besimit dhe praktikës. Ne besojmë që urdhërimi i Krishtit për t’i dhënë Cezarit (d.m.th, autoriteteve civile) atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë vendos pavarësinë funksionale të Kishës nga Shteti. Ne besojmë që Krishti, që është Zoti mbi gjithçka, i thërret të gjithë pa dallim që lirisht dhe rregullisht të mblidhen së bashku në Emrin e Tij në kishat lokale për të kërkuar dhe për t’i shërbyer Atij në të vërtetën dhe në dashuri. Ne pohojmë më tej që veprimtaritë e kishës lokale për aq sa ato janë vepra thelbësore të adhurimit duhet të rregullohen vetëm nga Krishti.
Për këtë arsye, ne mohojmë që ndonjë autoritet tjetër ka pushtet mbi kishën për të rregulluar ndonjë punë të saj lidhur me çështjet e besimit dhe praktikës, ose për t’i zhvlerësuar veprimtaritë e saj në gjëra jothelbësore. Për këtë arsye, nuk i njohim veprimet e Shtetit për të imponuar masa shtrënguese mbi Kishën dhe për të kriminalizuar, ndaluar, ose rregulluar ndonjë prej veprimtaritë e saj, të cilat ndërmerren si vepra shërbese ndaj Zotit të saj. Së fundmi, ne i rezistojmë prirjes që platformat dixhitale në adhurimin dhe shërbesën e Krishterë t’i zëvendësojnë shërbesat e përbashkët me pjesëmarrjen fizike të personave, të cilat janë thelbësore për besimin tonë.
Mateu 18:20; 22:21; Veprat 5:28-29; 10:36; 20:28; Romakët 13:6-7; 1 Korintasve 12:12-13; 2 Korintasve 4:5; 5:10; Efesianët 1:20b-23; 3:20; 4:15-16; Kolosianët 1:27; 1 Timoteu 6:3-5; Hebrenjve 10:24-25; Zbulesa 5:9
Një Thirrje për Respekt, Pendesë, dhe Rezistencë
Ne i lavdërojmë autoritetet civile që e respektojnë natyrën thelbësore të këtyre besimeve dhe praktikave të krishtera dhe që kanë një konsideratë të lartë për liritë individuale dhe fetare dhe shprehim mirënjohjen tonë ndaj tyre. Atyre autoriteteve civile që i kanë shpërfillur këto liri, ne iu bëjmë thirrje të pendohen dhe të bëhen përsëri mbrojtës të lirisë dhe të drejtave që Perëndia ua ka dhënë të gjithë njerëzve, me qëllim që të mos bien nën zemërimin e Perëndisë duke e abuzuar autoritetin e dhënë nga Perëndia. Atyre që duan të na shtrëngojnë që t’i bindemi Shtetit shekullar më tepër sesa Perëndisë, ne me respekt, por me vendosmëri iu themi (ashtu si tre hebrenjtë që refuzuan të adhuronin statujën e artë të mbretit Nebukadnetsar): “O Nebukadnetsar, ne nuk kemi nevojë të të japim përgjigje lidhur me këtë. Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur, dhe do të na çlirojë nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur“ (Danieli 3:16-18).
Vëllezërve dhe motrave tona në Krishtin nëpër botë iu themi: “Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh” (Jozueu 1:9). Duket që bota po hyn në një kohë sprovash, jo vetëm për Kishën, por edhe për këdo që beson në lirinë dhe që kundërshton tiraninë. Le të qëndrojmë me ata që janë shtypur, arrestuar, ose izoluar forcërisht, sepse kanë zgjedhur të bëjnë atë që është e drejtë. Le të qëndrojmë në solidaritet me ata, kishat e të cilëve janë mbyllur forcërisht ose që janë larguar nga kishat e tyre. Le të ndihmojmë dhe mbështesim në mënyra praktike ata që janë gjobitur ose kanë humbur punën e tyre për hir të Krishtit. Iu kërkojmë vëllezërve dhe motrave tanë që kanë jetuar nën përndjekje të gjithë jetën e tyre të luten për ne, që Perëndia të na falë hir që të bekojmë ata që na përndjekin dhe të lutemi për ta; që Perëndia të na falë kurajë që të qëndrojmë me vendosmëri në besimin tonë si Dëshmitarët e Tij; dhe që Ai, që është Zoti mbi gjithçka, të na japë forcë që t’i qëndrojmë besnikë dhe të ngulmojmë deri në fund. Amen.
2 Samueli 12:1-14; Danjeli 5:22-23; Mateu 24:12-13; 1 Korintasve 16:13-14; Efesianëve 5:10-13
Firmëtarët e Parë:
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|