Karakteristikat e Neo-Kalvinizmit (Kalvinizmit të Ri) | Pse Duhet Shmangur!

Koalicioni i Ungjillit

Përkthyer nga newcalvinist.com

Neo-Kalvinizmi është një lëvizje e gjerë, me një gamë të gjerë besimesh, doktrinash dhe praktikash. Koalicioni i Ungjillit (The Gospel Coalition (TGC)), që filloi në vitin 2007 me një konferencë të udhëhequr nga Don Carson, Tim Keller dhe John Piper, ishte një ngjarje e rëndësishme, pasi, “Koalicioni i Ungjillit” është bërë një rrjet kombëtar për lëvizjen e Neo-Kalvinizmit. Teologu Don Carson shkruajti deklaratën e besimit të organizatës, ndërsa pastori Tim Keller (i kishës Redeemer Presbyterian në Nju Jork) shkruajti thirrjen teologjike për shërbesë. Këshilli i Koalicionit të Ungjillit (The Gospel Coalition) përfshin emra të njohur si Tim Keller, John Piper, Matt Chandler, Mark Driscoll, Mark Dever, Al Mohler dhe Joshua Harris (shën. i përkthyesit: përbërja e këshillit mund të ketë ndryshuar pasi ky artikull është shkruar më parë). Udhëheqësit e Koalicionit shpjegojnë se ata nuk janë një grup që përcakton kufij të qartë, pasi kjo do të nënkuptonte të përcaktonin se kush është “brenda” dhe kush është “jashtë”, dhe këtë gjë ata nuk e dëshirojnë. Si pasojë, pothuajse të gjithë janë të mirëpritur të bashkohen me rrjetin TGC, pavarësisht nga besimet e tyre doktrinore.

Ka disa karakteristika rreth të cilave Neo-Kalvinistët janë të bashkuar, por ajo është një lëvizje shumë e gjerë dhe jo të gjithë praktikojnë fenë e tyre në të njëjtën mënyrë. Ndërkohë që shumica pretendojnë se janë besnikë ndaj Shkrimit dhe ndjekin parimet e teologjisë kalviniste, shumë prej tyre shquhen për dashurinë ndaj mënyrave dhe gjërave të botës. Kjo e manifeston veten në sjellje të papërshtatshme që është larg nga rrugët dhe besimet e Kalvinistëve tradicionalë dhe ato të Puritanëve. Këtu janë disa nga karakteristikat kryesore të Neo-Kalvinizmit:

 

1 – Gabimet Doktrinore

Neo-Kalvinizmi ka një reputacion për mësimin e doktrinave biblike të Kalvinizmit (TULIP-in). Charles Haddon Spurgeon dhe Jonathan Edwards konsiderohen si heronj të lëvizjes. Por realiteti është se, ndërsa ata i japin rëndësi me buzë Kalvinit, Spurgeon-it dhe Edwards-it, Neo-Kalvinizmi është i dobët në çështjet doktrinore.

Neo-Kalvinistët përpiqen ta përshtasin ungjillin e së vërtetës për ta bërë atë të më relevant për botën post-moderniste. Tim Keller është një protagonist kryesor i këtij qëndrimi. Ai mëson se që një kishë në qytet të jetë e suksesshme, ajo duhet ta përshtasë ungjillin për ta bërë atë relevant për nevojat e një popullsie shumë-etnike. Mesazhi duhet të formulohet për t’u përshtatur me tendencat kulturore të kohës. Kaq e lëkundur është teologjia e Tim Keller-it saqë në një intervistë me gazetarin Martin Bashir, ai thotë se nuk është i sigurt nëse Perëndia ka siguruar një “derë të fshehtë” për myslimanët dhe hindutë jobesimtarë.

Në gusht të vitit 2011, në Forumin Veritas, Keller u intervistua nga gazetari i NBC-së, Martin Bashir. Qëllimi i Keller-it ishte të paraqiste një mbrojtje intelektuale të besueshme të ungjillit dhe të jepte arsye pse të besosh në Zotin ka kuptim. Gjatë intervistës, ai u pyet nëse Jezu Krishti është e vetmja rrugë për te Perëndia.

Përgjigjja e tij ishte e paqartë. Ai i tha se mund t’i përgjigjej në pyetje për shpëtimin e përjetshëm vetëm “nëse Jezusi është Ai që thotë se është”. Kelleri mund të kishte cituar Shkrimin për të bërë të qartë se Jezu Krisht është e vetmja rrugë për te Perëndia, por ai nuk e bëri këtë. Ai tha se të jesh i krishterë do të thotë që shpirti yt duhet të “marrë Jezusin”. Çfarë do të thotë kjo?

Kur u pyet për fatin e përjetshëm të njerëzve në fe të tjera, Keller u përgjigj: “Njerëzit në fetë e tjera, veç nëse gjejnë Krishtin, unë nuk di ndonjë rrugë tjetër (për në qiell), por unë gjithashtu marr informacion vetëm sa është e nevojshme. Nëse ka ndonjë derë të fshehtë, ose diçka të tillë, nuk më është thënë për të. Por gjithashtu nuk e di.”

Para një audience të madhe ai bëri një deklaratë të jashtëzakonshme se Perëndia mund të ketë një “derë të fshehtë” për jobesimtarët, për të cilën ai nuk është informuar. Ai po hamendëson se Perëndia mund të ketë një rrugë të fshehtë për njerëzit që nuk besojnë tek Krishti. Por kjo mundësi e “derës së fshehtë” e Keller-it është e jobiblike dhe thellësisht heretike, pasi nënkupton se Krishti vdiq më kot. Krishti tha: “Unë jam Dera. Nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet” (Gjoni 10:9). “Ai që nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar” (Gjoni 10:1). Ekziston vetëm një Derë për në qiell, Jezu Krishti.

Kelleri pohon se jobesimtarët janë ‘të mjerë’ tani, dhe në një miliard vite ata përsëri do të jenë të mjerë. Pse? Sepse sipas Kellerit jobesimtarët “do të rrudhen përjetësisht’.

Dhe goditja e fundit – Keller gjithashtu pranon se nuk e di se çfarë ndodh me jobesimtarët që vdesin pa Krishtin. Ai thotë: “Nëse ata vdesin dhe nuk kanë Jezu Krishtin, unë nuk e di” se çfarë ndodh me ta. Por si mund të thotë ai se nuk e di, kur Shkrimi është i qartë? A turpërohet ai nga ungjilli? Kjo intervistë që mund të shikohet online na tregon shumë për Tim Kellerin. Vini re që ai nuk i referohet asnjëherë Shkrimit. Dhe arsyeja është e dukshme – ungjilli i Kellerit nuk është i bazuar në Shkrime.

Në Forumin Veritas ne e pamë se kush ishte me të vërtetë Tim Kelleri. Përpjekja e tij për të përdorur arsyetimin njerëzor për të shpjeguar ungjillin e Krishtit ishte një dështim mjeran. “A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?” (1 Korintasit 1:20). Tim Kelleri më vonë e pranoi se kishte bërë gabime gjatë intervistës.

Koncepti i John Piper-it për “hedonizmin e krishterë” është i gabuar doktrinalisht, sic edhe do ta tregojmë në këtë faqe. Edhe vetë fraza “Hedonizmi i Krishterë” është kontradiktore: të krishterët janë ata që ndjekin Krishtin dhe mohojnë vetveten, ndërsa hedonistët janë ata që ndjekin kënaqësinë dhe kënaqin veten.

Ndërkohë, Mark Driscoll, i cili pretendon të jetë Kalvinist, ndan doktrinën nga sjellja. Ai urren rregullat dhe shumë nga shërbesa e tij ka një qasje antinomiane (kundër ligjit).

 

2 – Antinomianizmi (Kundra Ligjit)

Lëvizja e Kalvinizmit të Ri karakterizohet nga një qëndrim i pakujdesshëm kundrejt ligjit moral të Perëndisë. Një pohim i zakonshëm është se të krishterët nuk janë më nën ligjin e Perëndisë, por nën hirin e Tij. Nga kjo rrjedh se jeta e krishterë nuk duhet të udhëhiqet nga një grup rregullash, urdhërimesh apo një listë “duhet dhe nuk duhet”, pasi, hiri i Krishtit na ka çliruar. “Bindja” këtu nuk është një koncept i popullarizuar. Për shembull, indeksi i librit të John Piper, “Të Dëshirosh Perëndinë (Desiring God)” (1987), i cili përshkruan “Hedonizmin e Krishterë”, përmban mbi njëzet referenca për lumturinë, por vetëm një për bindjen.

Në një intervistë të regjistruar në vitin 2010 si pjesë e serisë së podkasteve “Pyet pastor Xhon”, Piperit i bëhet një pyetje

 e drejtpërdrejtë: “A janë të krishterët nën Dhjetë Urdhërimet?” Përgjigjja e tij ishte e qartë: “Jo. Bibla thotë se ne nuk jemi nën ligj. E dua Romakëve 7:4-6. Me një analogji, thuhet se ju jeni të martuar me ligjin…”

Dëgjo Komentet e Piperit për 10 Urdhërimet

Neo-Kalvinizmi dëshiron që ne të besojmë se hiri i Perëndisë do të thotë që të krishterët e Besëlidhjes së Re janë të lirë nga skllavëria ndaj ligjit moral të Perëndisë. Mark Driscoll përdor këtë interpretim të Shkrimit për të justifikuar atë që ai i quan tatuazhe të Besëlidhjes së Re. Në një predikim, ai deklaron: “Ju jeni të lirë në Krishtin për të qenë të çuditshëm… Po për këtë, tatuazhet? Sa prej jush u rritën në atë kishë fundamentaliste ku ju thanë për atë varg të vetëm mbi tatuazhet? Ku është ai varg? Në cilën libër? Levitiku… Është këtu te Levitiku, mos bëni tatuazh. Mirë. Por nëse lexoni gjithë kontekstin, nuk zbatohet – është Besëlidhja e Vjetër, jo Besëlidhja e Re, kështu që Jezusi e ka përmbushur ligjin.”

Ideja që besimtarët duhet të përpiqen të jetojnë në bindje ndaj ligjit moral të Perëndisë hidhet poshtë si legalizëm. “Jo”, – thotë Kalvinisti i Ri, “ne jemi të lirë në Krishtin”. Driscoll thotë se ai urren njerëzit fetarë që kanë rregulla për t’u bindur dhe lista “duhet dhe nuk duhet”. Ai mëson se hiri dhe veprat janë të kundërta. “Veprat janë unë duke u mburrur, hiri është unë duke u mburrur për Jezusin. Veprat janë unë duke parë çfarë kam bërë; hiri është duke parë çfarë ka bërë Jezusi.” Ndërkohë që Shkrimi mëson se ne shpëtohemi vetëm me anë të hirit, ai gjithashtu thotë se personi që shpëtohet me anë të hirit përmes besimit në Krishtin Jezus është shpëtuar “për vepra të mira, të cilat Zoti i ka përgatitur më parë që ne të ecim në to” (Efesianët 2:10).

A.W. Tozer e përkufizon antinomianizmin kështu: 

“Rrëfimi i Antinomianit është i thjeshtë për t’u shprehur: Ne shpëtohemi vetëm me anë të besimit; veprat nuk kanë vend në shpëtim; sjellja është vepër, dhe për këtë arsye nuk ka rëndësi. Çfarë bëjmë ne nuk ka rëndësi, për sa kohë që besojmë siç duhet. Divorci midis rrëfimit dhe sjelljes është absolut dhe përfundimtar. Çështja e mëkatit zgjidhet nga Kryqi; sjellja është jashtë rrethit të besimit dhe nuk mund të ndërhyjë midis besimtarit dhe Perëndisë. Kjo, shkurtimisht, është mësimi i Antinomianit… Ai merr mësimin e drejtësimit me anë të besimit dhe e shtrembëron atë në një deformim.” [1]

Besimi i Reformuar mëson se ligji moral i Perëndisë ka tre përdorime: E para është të bindë për mëkat dhe ta drejtojë mëkatarin e penduar te Zoti Jezus Krisht. Përdorimi i dytë është të frenojë paligjshmërinë në shoqëri. Përdorimi i tretë është të funksionojë si rregull jete për besimtarin. Një nga deklaratat më të famshme të kësaj të vërtete vjen nga Puritani Samuel Bolton në librin e tij “Lidhjet e Vërteta të Lirisë së Krishterë (The True Bounds of Christian Freedom)”. Ai thotë: 

“Ligji na dërgon te ungjilli për drejtësimin tonë;

ungjilli na dërgon te ligji për të formuar mënyrën tonë të jetesës.” [2]

 

Mënyra e të menduarit dhe sjellja e Puritanëve janë diametralisht të kundërta me mënyrat e Neo-Kalvinizmit.

 

3- Bota

Fryti i prirjes antinomiane të Kalvinizmit të Ri është një mendësi që gjen kënaqësi në dëshirimin e mishit, dëshirimin e syve dhe fodullëkun e jetës (1 Gjonit 2:16). Bota është një gjendje mendore që konformohet me modelin dhe kënaqësitë e botës; ajo nuk kërkon të ndahet nga gjërat e botës apo nga argëtimet e saj. Ky model mendimi lejon një liri të madhe në sjelljen e krishterë dhe është i zakonshëm midis Kalvinistëve të Rinj.

Shumë prej tyre mësojnë se të krishterët janë të lirë në Krishtin për të bërë gjithçka që nuk është specifikisht e ndaluar në Bibël. Kështu, pirja e duhanit dhe tatuazhet, leximi i revistave të botës, shikimi i filmave dhe programeve televizive të pahijshme, veshja jomodeste, gjuha e vrazhdë dhe shakatë e pahijshme konsiderohen si sjellje të pranueshme, sepse, në sytë e Kalvinistëve të Rinj këto forma sjelljeje nuk janë specifikisht të ndaluara në Bibël. Të gjitha format e muzikës bashkëkohore, madje edhe punk rock dhe hip-hop, pranohen si të lejueshme për të krishterët që t’i shijojnë. Ata që thonë se këto forma sjelljeje nuk janë të përshtatshme për të krishterët etiketohen si legalistë, ashtu si farisenjtë.

 

4 – Adhurimi Bashkëkohor

Ajo që rrjedh nga mendësia e botës e Kalvinistëve të Rinj është një dashuri për skenën muzikore të botës. Dhe kështu, është plotësisht e parashikueshme që adhurimi bashkëkohor është karakteristika më universale e Kalvinizmit të Ri. Kisha Mars Hill në Seattle udhëheq këtë prirje duke pretenduar se Perëndia e do punk rock-un. Sipas Mark Driscoll, hip-hop i shenjtë përqafohet nga shumë Kalvinistë të Rinj, dhe artistët e rap-it konsiderohen si misionarët e shekullit të 21-të.

Muzika bashkëkohore e botës është një përbërës thelbësor i konferencave të Pasionit (Passion Conference) me Louie Giglio dhe John Piper, Konferencave “Resolved” me John MacArthur dhe “Legacy”. Konferenca Kombëtare e Koalicionit të Ungjillit (Gospel Coalition) në vitin 2011 përfundoi me një koncert për të festuar skenën muzikore bashkëkohore. Delegatët u ftuan të bashkoheshin me Lecrae dhe artistët e tjerë të Reach Records për të “lartësuar Krishtin” përmes mediumit të hip-hop-it. Efekti ishte të përdhosej Emri i Krishtit, Emri që është mbi çdo emër, dhe Emri para të cilit çdo gju do të përkulet, në altarin e hip-hop-it të shenjtë. Shih Rapi i Krishterë – Muzika e Kalvinistëve të Rinj.

Shihni Konferencën e Pasionit, adhurimit të Perëndisë përmes muzikës rap:

Foto nga TGC: https://www.flickr.com/photos/39036017@N07/5655062172/in/set-72157626459666169/

 

5 – Kisha Emergjente

Kalvinistët e Rinj priren të jenë ambivalentë (shën. i përkthyesit: të paturit dhe të shfaqurit e ndjenjave dhe qëndrimeve kontradiktore ndaj dickaje ose dikujt) ndaj lëvizjes së kishës emergjente. Mark Driscoll ishte i përfshirë në këtë lëvizje dhe pretendon të jetë në anën e Reformuar të spektrit të saj. Libri i tij “Confessions of a Reformission Rev” (2006) përshkruhet si “mësime të vështira nga një Kishë Misionare Emergjente”. Shumë  janë simpatizantë të lëvizjes së kishës emergjente dhe lutja medituese inkurajohet nga disa, si Kisha Presbiteriane “Redeemer” e Tim Keller-it në Nju Jork që promovon lutjen e murgjve.

Ju mund të mësoni më shumë për Tim Kellerin, Mark Discorrlin dhe John Piper në librin “Kalvinistët e Rinj” (2014). Libri Hedonizmi i Krishterë: Një ekzamimin biblik i mësimeve të John Piperit (2017), ekspozon doktrinat e rreme të Piperit. Shih http://www.therealjohnpiper.com/

[i] http://www.bereanpublishers.com/Salvation_Issues/antinomians_are_coming.htm

[ii] http://www.banneroftruth.org/pages/articles/article_detail.php?747

 

Përkthyer nga: https://www.newcalvinist.com/


THIRRJE

Të dashur miq, pastorë dhe besimtarë, Neo-Kalvinizmi apo Kalvinizmi i Ri, me prirjen e tij për të përzier disa mësime biblike dhe kalviniste me botën dhe antinomianizmin, e bën atë shumë të rrezikshëm! Ai është shumë larg mësimeve dhe praktikave të Besimit të Vjetër të Reformuar, Besimit dhe Praktikave të Reformatorëve dhe Puritanëve, dhe Kalvinizmit të vjetër.

Oh, unë të lutem t’ja vësh veshin atij vargu të mocëm që thotë:

Kështu thotë ZOTI: Ndaluni nëpër rrugë dhe shikoni,

pyesni për shtigjet e vjetra, ku është rruga e mirë, dhe ecni nëpër të;

kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj” (Jeremia 6:16)

Nëse ti pastor, apo besimtar, je ende pjesë e kësaj lëvizje, nëse ke lidhur një aleancë të pashenjtë, aleancë e cila shtrëmbëron rrugët e Krishtit duke përzier të shenjtën me profanen, Fjalën e Zotit me botën, të vërtetën me gabimin, je ende në kohë për t’u penduar dhe për t’i qënë besnik Krishtit. Ashtu sic Pjetri gjeti hir pasi mohoi Krishtin tre herë edhe ti do të gjesh hir nëse pendohesh nga rrugët dhe aleancat e tua të pashenjta.

Zoti të ndihmoftë dhe të udhëheqtë. Amen!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes