8 Arsye Pse Festat e Krishtera (Krishtlindja dhe Pashka) nuk Duhet të Festohen!

Festat e Krishtera

Nga Paul Barth

Historikisht, shumë kisha të Reformuara kanë qenë kundër mbajtjes së ditëve të shenjta të krijuara nga njerëzit, sic janë Krishtlindjet dhe Pashkët. Madje edhe kishat e Reformuara në kontinentin europian, të cilat e lanë në lirinë e krishterë mbajtjen e disa ditëve të shenjta në disa nga Rrëfimet e tyre, e bënë këtë për shkak të një kompromisi me njerëz kokëfortë për hir të shtyrjes përpara të Reformimit, ose, sepse magjistratët civilë i detyruan (shih artikullin Zhan Kalvin dhe Ditët e Shenjta). Gisbertus Voetius, një delegat në Sinodin e Dortit, tregon se Kisha Hollandeze kishte kohë që përpiqej t’i hiqte ditët e shenjta, por lejimi i këtyre ditëve të shenjta nga sinodi u bë “i imponuar nga jashtë, një barrë për kishat, në vetvete e padëshiruar; për të cilat, Sinodet u thirrën, u detyruan dhe u shtrënguan t’i merrnin, t’i sillnin dhe t’i pranonin, si një transaksion, për të parandaluar situata më të këqija dhe të pakëndshme” (Selectarum Disputationum Theologicarum pars prima, cituar te “Pse janë Ditët e Festave Kishtare në Rendin e kishës sonë?”). Reformimi i mëtejshëm hollandez më vonë ishte më i suksesshëm në heqjen e mbajtjes së ditëve të shenjta nga kishat. (krahaso. Nadere Reformatie Contra Christmas). [1]

Fatkeqësisht, sot, jo vetëm që shumë kisha të Reformuara po kthehen në mbajtjen e Krishtlindjeve dhe Pashkëve, por disa madje po fillojnë të mbajnë edhe Kreshmët, të Premten e Madhe, Adventin, etj. Në këtë postim do të japim tetë arsye pse të Reformuarit kanë qenë kundër ditëve të shenjta të krijuara nga njerëzit dhe kanë mbajtur ekskluzivisht Ditën e Zotit (E Diela) 52 herë në vit.

 

1 – “PUNO GJASHTË DITË DHE NË ATO BËJ TË GJITHË PUNËN TËNDE” (EKSODI. 20:9).

Perëndia na ka dhënë gjashtë ditë pune dhe një ditë pushimi dhe adhurimi. I interpretojmë këto gjashtë ditë pune si një urdhërim apo si leje, ky parim shkelet kur në to vendoset një ditë e shenjtë. Nëse është një urdhërim, asnjë njeri nuk mund të urdhërojë ndryshe. Nëse është një leje për të punuar gjashtë ditë, atëhere asnjë autoritet njerëzor, përfshirë edhe pleqësia e kishës, nuk mund të lidhë ndërgjegjen dhe të heqë lirinë që Perëndia ka dhënë për të punuar gjashtë ditë në javë, përveçëse kur këtë e kërkojnë provanitë e jashtëzakonshme për ditë festimi dhe agjërimi (shih më poshtë).

Ka një presion të madh shoqëror për të mbajtur festa të caktuara si Krishtlindjet ose Pashkët. Familjet do të mërziteshin nëse anëtarët e tyre do të zgjidhnin të mos merrnin pjesë në to. Disa ndihen se kanë një të drejtë morale për t’i pasur këto ditë pushim nga punëdhënësi i tyre, dhe gabimisht mendojnë se punëdhënësi do të cënonte lirinë e tyre të krishterë nëse do të detyroheshin të punonin në këto festa. Kur kishat lokale kanë shërbesa të veçanta adhurimi, ka një presion të madh ndaj anëtarëve të kishës që të marrin pjesë, etj. Të gjitha këto, janë shkelje të vërteta të lirisë së ndërgjegjes, dhe parimit të natyrës që gjashtë ditë të javës mund të përdoren ose duhet të përdoren për punë. Këto shembuj tregojnë se edhe pse disa mund të pohojnë se këto festa nuk janë të detyrueshme, investimi emocional që ata kanë në to, dhe veprimet e tyre ndaj të tjerëve për to, në praktikë, ato ditë nuk po trajtohen në mënyrë neutrale (adiafora).

Ky argument është i rëndësishëm, por jo përfundimtar. Shtatë arsyet e mëposhtme japin një pamje më të plotë të kundërshtimit të Reformuar ndaj ditëve të shenjta të krijuara nga njerëzit.

 

2 – VETËM PERËNDIA MUND TA BËJË NJË DITË TË SHENJTË

“Mënyra e pranueshme e adhurimit të Perëndisë të vërtetë është e institucionuar nga vetë Ai, dhe është e kufizuar në vullnetin e Tij të zbuluar, që Ai të mos adhurohet sipas imagjinatave dhe mënyrave të njerëzve, ose sugjerimeve të Satanit, në ndonjë përfaqësim të dukshëm ose në ndonjë mënyrë tjetër që nuk është e përshkruar në Shkrimet e Shenjta (Eksodi 20:4-6; Ligji i Përtërirë 4:15-20; 12:32; Mateu 4:9-10; 15:9; Veprat 17:25; Kolosianëve 2:23).”

Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit 21:1

Perëndia na ndalon ta adhurojmë Atë “sipas zemrës dhe syve tanë,” sepse mendjet tona të rëna do të na çojnë “në kurvëri;”. Shenjtëria e vërtetë është të adhurosh Perëndinë sipas urdhërimeve të Tij (Numrat 15:39-40). Vetëm mendja e Perëndisë është e aftë të na udhëheqë në adhurimin e shenjtë, pasi ne nuk jemi të aftë ta bëjmë vetë. Ditët dhe ceremonitë e shenjta të krijuara nga njeriu janë një fyerje për Kreun e Kishës sepse njeriu nuk ka fuqi ose autoritet për të shenjtëruar ditët ose për të shpikur elemente të adhurimit “sipas imagjinatave dhe mënyrave të njerëzve (Veprat 17:29; krahaso 1 Mbretërve 12:33). Caktimi i një rëndësie shpirtërore për diçka që Shkrimi nuk e bën është kulmi i adhurimit të vullnetit (Kolosianëve 2:23), d.m.th. idhujtari.

“Çfarë është idhujtaria, nëse nuk është kjo: t’u atribuosh riteve të shpikura nga njeriu, fuqinë dhe virtytin për të bërë atë, që asnjë përvec Atij të cilit i përket gjithë fuqia në qiell dhe tokë, mund ta bëjë?”

George Gillespie, Një Argument Kundër Ceremonive Papale Angleze, fq. 192.

Vetëm Perëndia ka të drejtën dhe autoritetin për të veçuar një ditë të veçantë për adhurim dhe pushim. Qeniet njerëzore nuk kanë autoritet për të shenjtëruar një ditë. Ne nuk mund ta adhurojmë Perëndinë si të na pëlqejë. Ne duhet ta adhurojmë Perëndinë ashtu siç Ai na ka thënë se dëshiron të adhurohet. Krishti, si Kreu i Kishës, nuk ka shenjtëruar asnjë ditë tjetër përveç Ditës së Zotit (E diela) për adhurimin e Dhiatës së Re. Prandaj, të shtojmë kalendarin tonë kishtar në kalendarin e Kishës së Krishtit do të ishte një fyerje për kryesimin e Tij mbi Kishën. Ne duhet të shenjtërojmë duke mbajtur atë që Perëndia ka institucionuar, jo duke u përpjekur t’i bëjmë përshtypje Perëndisë nga zgjuarsia dhe inovacioni jonë në adhurim.

“Nuk ka asnjë fuqi, civile ose kishtare, që mund të bëjë një ditë të shenjtë: asnjë Mbret, asnjë Kishë: vetëm Zoti që bëri ditën, dhe e dalloi atë nga nata: ai ka shenjtëruar ditën e shtatë… Nëse shenjtërimi i veçantë i një dite për një përdorim të shenjtë varet nga urdhërimi dhe institucioni i Zotit, atëherë as Mbreti as përfaqësuesi i Kishës nuk mund të bëjë një ditë të shenjtë.”

Asambleja e Perthit, fq. 67.

Ndonëse Krishtlindjet dhe Pashkët mund të mos konsiderohen më të shenjta se ditët e tjera, në kuptimin që po flasim këtu, në lidhje me qëllimin dhe përdorimin e tyre, për shkak të vecimit që u është bërë për shërbesa fetare, ato janë bërë “ditë të shenjta”. Në këto ditë, ndryshe nga Dita e Zotit, duhet të zgjidhen vargje specifike biblike ku është lënë e lirë për të mësuar çdo pjesë të Fjalës së Perëndisë. Shtohen ceremoni jo biblike si ndezja e qirinjve, valëvitja e degëve të palmave dhe dekorime të caktuara me rëndësi fetare të synuar. Të gjitha këto shkelin Parimin Rregullativ të Adhurimit dhe minojnë kryesimin e Krishtit mbi Kishën e Tij. Kështu, në realitet, ditët e shenjta të caktuara nga njeriu nuk janë thjesht të barabarta, por “në solemnitet tejkalojnë Shabatin moral të caktuar nga Zoti” (po aty.).

Ditë sipas Rastit për Agjërim Publik ose Falenderim

“Megjithatë, është e ligjshme dhe e nevojshme, në raste të veçanta emergjente, të veçohet një ose disa ditë për agjërim publik ose falënderim, siç do të japin shkak dhe mundësi disa derdhje të shquara dhe të jashtëzakonshme të provanisë së Zotit për popullin e Tij.”

Direktoria e Uestminsterit për Adhurimin Publik

Drita e Natyrës mëson se kur gjykimi i Perëndisë është i dukshëm, ose një shoqëri është në nevojë të dëshpëruar për pendesë nga një mëkat i veçantë, është e përshtatshme të shpallet një agjërim i përgjithshëm dhe një kohë për t’i thirrur Perëndisë që të largojë zemërimin e Tij dhe t’u japë atyre pendesë. Po ashtu, në kohë bekimi, është e përshtatshme të veçohet një ditë për falënderim publik. Raste të agjërimit ose falënderimit të nxitura nga ngjarje të provanisë mund të shihen vazhdimisht në Shkrime (si te 2 Kronikave 20:2-3; Ezra 10; Nehemia 9; Joel 1:14, 2:15; Sofonia 2:1-3; Mateu 9:15), ndërkaq festat tradicionale, të veçuara nga njerëzit, janë të refuzuara qartë në Shkrime. Pjesë e rebelimit dhe idhujtarisë së krijimit dhe adhurimit të viçit të artë ishte edhe krijimi i një dite të shenjtë adhurimi për “Jehovain”. “Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: “Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!”. (Eksodi 32:5). Gjithashtu, Jeroboami e zemëroi shumë Zotin, pjesërisht duke imituar festivalet Mozaike të përshkruara, dhe duke institucionuar një ditë të shenjtë “të cilën e kishte caktuar nga vetë zemra e tij” (1 Mbretërve 12:33 ESV).

Ato raste agjërimi ose falënderimi, të thirrura nga Kisha, janë rrethana të adhurimit meqënëse “të gjitha shkaqet, rastet dhe kohët e veçanta të agjërimit, nuk mund të përcaktoheshin në Shkrime” (Gillespie, Argument Kunder Ceremonive Papale Angleze, fq. 51), por ato ditë të vitit të veçuara nga Kisha për përkujtimin e ngjarjeve biblike (si lindja ose ringjallja e Krishtit) do të ishin elemente të adhurimit dhe nuk kanë asnjë përligjje ose mandat nga Shkrimet. Të parat janë përgjigje ndaj vështirësive ose bekimeve të menjëhershme, si ato të njihen nga pleqtë e kishës (ose një individ, familje, komunitet, ose komb), dhe nga thirrja e tyre për të agjëruar ose për të festuar në përgjigje të Perëndisë në ato rrethana të vecanta, ndërsa të dytat lindin nga rregullimi mekanik (krahaso Marku 2:18-20; Mateu 6:16-18; G.I. Williamson, Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit për Klasat e Studimit, fq. 169) dhe ato kanë të bëjnë me tematikën biblike, jo me rrethanat, duke i vënë ato në të njëjtin nivel me Ditën e Zotit (Të Dielën), si një element adhurimi. Sa të pacipë jemi kur institucionojmë elemente të adhurimit të shpikura nga ne vetë!

 

3 – ASKUSH PËRVEC PERËNDISË NUK KA CAKTUAR NJË DITË TË SHENJTË

Jo vetëm që askush përveç Perëndisë nuk mund ta bëjë një ditë të shenjtë, por në fakt, askush nuk e ka bërë këtë ligjërisht në Dhiatën e Vjetër, dhe për pasojë asnjë ditë nuk mund të bëhet edhe në epokën e Dhiatës së Re. Por çfarë mund të themi për Purimin (Ester 9:22) dhe Festën e Kushtimit (Hanuka) (1 Makabejt 4:36), gjatë së cilës Jezusi ishte në Jerusalem (Gjoni 10:22)?

Purimi

“Duket se ditët e Purimit ishin caktuar vetëm për të qenë ditë gëzimi dhe hareje civile, të tilla sic kemi, kur ndezim zjarre, dhe shenja të tjera të gëzimit civil kur Mbretëria ose Shteti ka marrë ndonjë përfitim të paharrueshëm. Sepse ato nuk quhen ditët e shenjta të Purimit, por thjesht ditët e Purimit, një ditë festimi dhe dërgimi gjërash njëri-tjetrit (Ester 9:19-22), asnjë fjalë për ndonjë adhurim të Zotit në ato ditë.”

George Gillespie, Argument Kundër Ceremonive Papale Angleze, fq. 245.

Purimi është në thelb, i njëjti lloj feste si 4 Korriku në Shtetet e Bashkuara (Ose festa e Pavarësisë dhe Clirimit në 28 dhe 29 Nëntor në Shqipëri). Nuk është një festë fetare, por një festë civile dhe kështu nuk është nën juridiksionin e Parimit Rregullativ të Adhurimit. Për më tepër, për Librin e Esterit besohet që të jetë shkruar nga Mardokeu, i cili ishte gjithashtu një profet (Esteri 4:13). Prandaj, nëse “ditët e Purimit ishin institucionuar për të qenë ditë të shenjta, apo jo, prapësëprapë kishte një përligjje më të madhe se zakonisht për to” (po aty, fq. 101) dhe ishte institucionuar nga një profet i Perëndisë, kështu që, qoftë civile apo e shenjtë, Purimi ishte i ligjshëm.

Festa e Kushtimit (Hanuka)

Festa e Kushtimit ishte një përkujtim i rikushtimit të Tempullit të dytë në Jerusalem gjatë Revoltës së Makabejve në periudhën mes Dhiatave dhe është regjistruar në librat apokrifë të 1 dhe 2 Makabejve. Thomas Cartwright krahason kushtimet e Tempullit të parë dhe të dytë të regjistruara në Dhiatën e Vjetër me dedikimin nga Juda Makabeu për të treguar se nuk ishte i të njëjtit karakter si dy të parët, të cilat u bënë ligjërisht:

“Që kjo Festë [e Kushtimit] ishte e institucionalizuar në mënyrë të papërshtatshme dhe e pabazuar, mund të duket nga krahasimi i kushtimit të Tempullit të parë nga Solomoni (1 Mbretërve 8:22 e tutje), dhe atij të dytë pas kthimit nga robëria e Babilonisë (Ezra 6:15-18). Në këtë kushtim të tretë, duke parë se nuk kishte asnjë përkujtim vjetor me solemnitet të Festës, madje as edhe një ditë, është e qartë se festimi vjetor i kësaj Feste për tetë ditë, nuk ishte i shoqëruar nga po ai Frymë që drejtoi Solomonin dhe ata që u kthyen nga robëria. Kjo Frymë, banonte më me bollëk te Solomoni dhe te Profetët që qëndronin pranë kushtimit të të kthyerëve nga robëria, se te Juda [Makabeu], ku në të ishte më shumë mendjemadhësia… Dhe nxitimi i tij është më shumë i rënduar, sa secili prej tyre për ndërtimin e gjithë Tempullit, me të gjitha pajisjet dhe orenditë e tij, nuk bëri asnjë Festë për të rinovuar kujtesën vjetore, ku Juda vetëm për rinovimin e Altarit, dhe të disa vendeve të tjera të prishura të Tempullit, institucionoi këtë solemnitet të madh.”

Shënime mbi Gjonin 10.

Farisenjtë shtuan shumë festa pa përligjje dhe urdhërim hyjnor, si festat e Tekufas (ekuinokset) dhe Festa e Xiloforisë, Festa e Kushtimit ishte thjesht një tjetër traditë fariseike.

 

Prania e Jezusit në Jerusalem gjatë Festës së Kushtimit

“U kremtua festa e Kushtimit  në Jerusalem, dhe ishte dimër. Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Solomonit. E rrethuan, pra, judenjtë…” (Gjoni 10:22-24a).

Mendojmë apo jo nëse ishte një ditë e shenjtë e vendosur në mënyrë të paligjshme, ky pasazh nuk thotë se Jezusi e mbajti Festën e Kushtimit, përkundrazi, ai na jep kohën dhe vendin ku ndodhën ngjarjet e mëposhtme. Do të ishte e paarsyeshme të hamendësonim nga ky pasazh se Jezusi e miratoi ditën e shenjtë e vendosur në mënyrë të paligjshme. Krishti qëndroi në Jerusalem pas Festës së Tabernakujve (Gjoni 7) në mënyrë që t’u predikonte turmave në Festën e Kushtimit, jo që të mbante ditën e shenjtë të krijuar nga njeriu. Ne nuk do të dilnim në përfundonim se një predikues në rrugë në Tiranë gjatë Ditës së Verës po festonte Ditën e Verës. Thellbi i këtij pasazhi është të tregojë se Krishti e përdori rastin për të mësuar se çfarë është “drita e botës” në të vërtetë, jo për të miratuar “adhurimin e vullnetit” ose “urdhërimet e njerëzve.”

“Megjithëse jo e institucionuar nga Zoti, Jezusi e përmirësoi festën e kushtimit si një mundësi e mirë për të ushtruar shërbesën e tij kur turmat e hebrenjve ishin mbledhur nga të gjitha anët…”

Samuel Davies, predikime, 1758.

 

4 – DITËT E SHENJTA VJETORE ISHIN PJESË E LIGJIT CEREMONIAL DHE NUK JANË MË NË FUQI

“Pra, në qoftë se vdiqët me Krishtin nga elementet e botës, përse u nënshtroheni disa rregullave, a thua se jetoni ende në botë, si: “Mos prek, mos shijo, mos merr,” të gjitha gjërat që prishen nga përdorimi, sipas urdhërimeve dhe mësimeve të njerëzve? Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përunjësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit.” (Kolosianëve 2:20-23).

“Apostulli i quan ato ‘elemente të dobëta dhe të varfëra‘ (Gal. 4:9-10). ‘Elementet e botës‘ (Kolosianëve 2:20). ‘Hijet e gjërave që do të vijnë‘ (Kolosianëve 2:16-17). Apostulli nuk tha: ‘mbajtja e ditëve judaike,’. Mbajtja e këtyre ditëve shërbeu për popullin e Perëndisë për një përdorim tipik dhe një element të fesë. Nëse mbajtja e disa ditëve cdo vit u ishte caktuar hebrenjve, si elemente dhe rregulla për mësimin e tyre, atëhere ajo që pason është se mbajtja e ditëve cdo vit në vetvete është një mësim bazik. Në të kundërt, arsyetimi i Apostullit nuk qëndron.

Apostulli dënon bërjen e dallimeve të ditëve ashtu siç dënon bërjen e dallimeve të ushqimeve. Konsiderimi i disa ushqimeve të pastra dhe disa të papastra është judaike, dhe ne nuk mbajmë të njëjtin dallim që bënin hebrenjtë. Ditët dhe ushqimet janë paralelizuar bashkë, dhe të konsiderosh një ditë më të shenjtë se një tjetër, që nuk është e dalluar nga urdhri i Zotit, duhet të jetë gjithashtu judaike. Nën Ungjill, kisha i ka hequr këto elemente, dhe prandaj mbajtja e ditëve cdo vit prej saj nuk i heq ato. Ti zëvendësosh ditët judaike me ditë të tjera, një Pashkë të krishterë dhe një Pentakost në vend të atyre judaike, është thjesht të zëvendësosh elemente dhe rregulla judaike me të tjera. Kjo nuk është t’i heqësh ato, por të ndryshosh ditët e shenjta judaike…

“Hebrenjtë nuk kishin ditë për të përkujtuar cdo vit, përveç atyre që ishin shfuqizuar. Ato u shfuqizuan jo vetëm si ‘hije të gjërave që do të vijnë,’ por gjithashtu si kujtime të përfitimeve të kaluara. Edhe pse ishin ditë kujtimi, ato i përkisnin pedagogjisë së ligjit. Hebrenjtë e kthyer në të krisherë nuk mund të mbajnë ligjërisht festat judaike, as si kujtime të përfitimeve të kaluara (Gal. 4). Në çdo aspekt, të gjitha ditët e tyre që përkujtoheshin cdo vit janë shfuqizuar, dhe ata nuk kishin asnjë ditë tjetër përveç atyre që ishin shfuqizuar. Prandaj, në çdo aspekt, ato i përkisnin Ligjit Ceremonial… Nëse hebrenjtë nuk kishin solemnitetet për të mbajtur cdo vit pas ardhjes së Krishtit kur ata do të ktheheshin në krishterim, atëhere si mund të merret përsipër nga të krishterët mbajtja e ditëve cdo vit?”

Asambleja e Perthit, fq. 72.

 

5 – JEZU KRISHTI NUK KA THEMELUAR ASNJË DITË TË SHENJTË PËRVEC DITËS SË ZOTIT (TË DIELËS)

Përvec shfuqizimit të ceremonive dhe festave të Dhiatës së Vjetër, dhe heshtjes së plotë të Dhiatës së Re për ndonjë ceremoni dhe festë të re, do të ishte e mjaftueshme për të provuar se nuk ka ditë të shenjta të krishtera përveç Ditës së Zotit, Shabatit të krishterë, arsyet e mëposhtme tregojnë më tej se nuk ka ditë të reja të shenjta.

Nëse do të kishte ndonjë ditë tjetër të dedikuar për Krishtin, deklarata e Apostullit Gjon “Isha në Frymë në Ditën e Zotit” (Zbulesa 1:10) do të ishte e paqartë. Ai qartë hamendëson se lexuesit e tij do të kuptojnë se për cilën ditë po flet ai. Kur Apostulli Pal dënon mbajtjen e ditëve të shenjta judaike (Kolosianëve 2:16; Gal. 4; etj.), ai nuk i drejton ata drejt ditëve të reja të shenjta. Nëse ditë të tilla ekzistonin, ky do të ishte vendi i duhur për t’i përmendur.

“Kundër këtij argumenti e para që thuhet është se Apostulli e krahason Shabatin me mbajtjen e ditëve (Romakëve 14:5-6).

“Përgjigje: Apostulli po trajton dobësinë e hebrenjve të dobët, të cilët nuk e kuptonin plotësisht lirinë e krishterë. Dhe ligji ceremonial ende nuk ishte varrosur (Hebrenjve 8:13). Por i njëjti Apostull qorton Galatasit, të cilët kishin arritur në këtë liri, dhe e kishin lënë mbajtjen e ditëve (Gal. 3:3-4 & 4:9-11 & 5:7-8). Më tej, ditët judaike e kishin njëherë nderin që ishin caktuar nga vetë Perëndia, por ditët që përkujtohen cdo vit, dhe që janë të caktuara nga njerëzit, nuk e kanë të njëjtin nder.”

po aty, fq. 74.

Për t’i rënë shkurt, nuk do të hyjmë në një mbrojtje të Ditës së Zotit si Shabati i krishterë këtu. Shih “Përjetësia dhe Ndryshimi i Shabatit” Nga Jonathan Edwards.

 

Ditët e shenjta në Kishën e Hershme

Ka raporte të ndryshme në Kishën e Hershme në lidhje me origjinën e Pashkës. Disa burime pretendojnë se Apostulli Gjon ua mësoi atyre, të tjerë thonë se Pjetri dhe Pali e mësuan, por këto raporte nuk janë të besueshme. Shkrimi është rregulli i vetëm i besimit dhe jetës (Luka 16:29, 31; Efesianëve 2:20; 2 Timoteut 3:16; Zbulesa 22:18-19), dhe nëse Apostujt donin që diçka të mbahej nga Kisha, ata do ta kishin shkruar në Shkrim. Dhe nëse Apostujt ishin frymëzuar nga Fryma e Shenjtë për të institucionuar një version të krishterë të Pashkës, ata nuk do të kishin mosmarrëveshje mbi ditën kur duhej të mbahej, siç kanë dëshmuar disa në Kishën e Hershme. Disa raportuan se Filipi dhe Gjoni mbajtën ditën e 14-të të muajit, dhe të tjerë se Pjetri e mbajti Ditën e Parë të Zotit pas ditës së 14-të të muajit, e cila u shndërrua në një polemikë të gjatë.

“Qëllimi i apostujve nuk ishte të caktonin ditë festash, por të mësonin një jetë të drejtë dhe devotshmëri. Dhe mua më duket po ashtu si shumë zakone të tjera që janë vendosur në vende të veçanta sipas përdorimit. Po kështu, festa e Pashkës filloi të mbahej në çdo vend sipas veçorive individuale të popujve, për sa kohë që asnjë nga apostujt nuk urdhëruan mbi këtë çështje. Dhe që mbajtja nuk erdhi nga legjislacioni, por si një zakon, faktet vetë e tregojnë… Quartodecimanët besojnë se mbajtja e ditës së katërtmbëdhjetë iu dorëzua atyre nga apostulli Gjon: ndërsa romakët dhe ata në pjesët perëndimore na sigurojnë se mbajtja e tyre erdhi nga apostujt Pjetër dhe Pali. Asnjëra nga këto palë nuk mund të japë ndonjë dëshmi të shkruar për të konfirmuar atë që ata pretendojnë.”

Sokrati (380-439 pas Krishtit), Historia e Kishës, libri 5, kapitulli 22.

 

6 – DATAT SPECIFIKE

Nëse Perëndia donte që ne të kishim festa fetare për ngjarjet e jetës së Krishtit, Ai do t’i kishte regjistruar ditët e sakta të vitit kur ndodhën ato ngjarje. Por ne nuk kemi një informacion të tillë; datat e Krishtlindjeve, Pashkëve, Adventit, Kreshmës, etj. janë thjesht hamendësime, prandaj nuk është vullneti i Perëndisë që ne t’i veçojmë dhe t’i mbajmë ato ditë.

“Po të kishte qenë vullneti i Perëndisë që veprimet e ndryshme të Krishtit të festoheshin me solemnitet të ndryshëm, Fryma e Shenjtë do na kishte bërë të njohur ditën e lindjes së tij, rrethprerjes, paraqitjes në Tempull, Pagëzimit, Shndërrimit, dhe të ngjashme si këto… Nëse veprat kryesore të Perëndisë e ngrejnë disa ditë mbi të tjerat, të gjitha ditët e vitit duhet të ishin të shenjta. Nëse ne duhet të nderojmë kujtimin e veprimeve të Krishtit, të gjitha ditët gjithashtu duhet të ishin të shenjta, sepse çdo njëra prej tyre është e mbushur me mrekullitë e tij. Krishti me veprimet e tij, nuk e shenjtëroi më shumë kohën kur ato u kryen sesa trupi i tij bëri me hanin ose kryqin. Jo veprimi i Krishtit në një ditë, por institucionet e tij e bëjnë një ditë të shenjtë. Nëse veprimet e Krishtit ngrejnë dhe shenjtërojnë ditët kur ato u kryen, ditët duhet të njihen… A e shihni atëherë, ashtu si Perëndia e fshehu trupin e Moisiut. Ai gjithashtu fshehu këtë ditë dhe ditë të tjera që varen nga llogaritja e saj, ku Ai shpalli vullnetin e tij në lidhje me ditët e tjera të veprimeve të tij të shquara.”

Asambleja e Perthit, fq. 79-80.

 

7 – EDHE GJËRAT QË JANË NEUTRALE , KUR ATO ABUZOHEN DHE NDOTEN ME BESËTYTNI, DUHET TË BRAKTISEN

Nëse diçka nuk është e urdhëruar dhe as e ndaluar, ajo është neutrale (adiafora). Megjithatë, nëse diçka neutrale do të bëhej e korruptuar me besëtytni, ajo duhet të hiqet për të mos shkaktuar ofendim. Është një detyrë e urdhrit të dytë jo vetëm të urrejë, të kundërshtojë dhe të heqë çdo adhurim të rremë, por gjithashtu të heqë çdo monument të idhujtarisë, sipas vendeve dhe thirrjeve tona (Rrëfimi i Uesministerit Pyetja 108). Ne duhet të urrejmë “edhe rroben e ndotur nga mishi” (Juda 23) dhe të ndjekim shembullin e Ezekias, “I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan.” (2 Mbretërve 18:4). Ne duhet të “Heqim dorë nga çdo dukje e ligë.” (1 Thesalonikasve 5:22) dhe të mos ndjekim rrugët e paganëve supersticiozë (Jeremia 10:2-5).

“Ta zëmë sikur mbajtja e ditëve të shenjta ka qenë në fillim një çështje neutrale, dhe të lëmë mënjanë të gjitha arsyet e mëparshme, ajo prapësëprapë duhet të braktiset, sepse sipas rregullit të Etëve, të sjella te ne nga Zankiusi (Në 4. Praecept. Kol. 678.), “Non male igitur fecerint qui omnis pr‘ter diem Dominicum aboleverunt“, Gjërat neutrale, kur abuzohen dhe ndoten me besëtytni, duhet të braktisen… Numri, abuzimet, besëtytnitë, adhurimet e rreme, adhurimet e vullnetit të festave të rritur kaq shumë, sa nuk ka asgjë në kishë që është kaq e pakëndshme dhe e padëshirueshme për Perëndinë, kaq e dëmshme për njerëzit, sa të shenjtërosh ditë të tilla. Ne pretendojmë se nuk vendosim asnjë pjesë të adhurimit të Perëndisë në mbajtjen e ditëve. Por si mund ta mbajmë një ditë për nder të Krishtit dhe të mos e adhurojmë Atë me atë mbajtje? Kjo do të ishte ta bësh nderin e tij pa nder. Ne zakonisht argumentojmë kundër papistëve në këtë mënyrë. Të kushtosh ditë për Shenjtorët është adhurim fetar. A nuk është atëherë adhurim fetar të kushtosh një ditë për Krishtin; po, sigurisht, dhe adhurim të vullnetit.”

po aty, fq. 83.

 

George Gillespie i përkufizon “monumentet e idhujtarisë” kështu:

“Ceremonitë janë të paligjshme, sepse ato janë monumente të idhujtarisë së kaluar, ku, duke mos qenë të nevojshme të ruhen, për shkak të abuzimit të tyre idhujtar, duhet të braktisen plotësisht… Të gjitha gjërat dhe ritualet që janë abuzuar në mënyrë të njohur me idhujtari, nëse ato nuk janë të tilla, siç Zoti ose natyra i ka bërë për një përdorim të nevojshëm, duhet të braktisen plotësisht dhe të pastrohen nga adhurimi hyjnor, në mënyrë që ato të mos llogariten as të përdoren nga ne, si gjëra të shenjta, ose rituale që i përkasin…

Unë them, që janë abuzuar në mënyrë të njohur me idhujtari, sepse nëse abuzimi nuk është i njohur, ne jemi pa faj për ruajtjen e gjërave dhe ritualeve që janë abuzuar. Unë them, nëse ato nuk janë të tilla siç Zoti ose natyra i ka bërë për një përdorim të nevojshëm, sepse nëse ato janë për një përdorim të nevojshëm, ose nëpërmjet institucionalizimit prej Zotit, si sakramentet, ose përmes ligjit të natyrës, si hapja e gojës sonë për të folur (sepse kur unë duhet të predikoj ose të lutem publikisht, natyra e bën të nevojshme që të hap gojën time për të folur me zë dhe qartë), atëherë abuzimi nuk mund ta heqë përdorimin. Unë them, ato nuk mund të përdoren nga ne si gjëra të shenjta, rituale që i përkasin adhurimit hyjnor, sepse pa rrethin e adhurimit ato mund të përdoren për një qëllim natyror ose civil. Nëse nuk do të kisha ndonjë ushqim tjetër për të ngrënë përveç bukës së shenjtë, të cilën papistët e idhujtarizojnë, unë mund ta ha atë ligjërisht. Dhe nëse nuk do të kisha ndonjë rrobë tjetër për të veshur përveç rrobave të shenjta në të cilat një prift ka bërë meshë, unë prapësëprapë mund t’i vesh ato ligjërisht. Gjërat e abuzuar për idhujtari janë të paligjshme vetëm atëherë kur ato përdoren në asnjë mënyrë tjetër se ajo fetare, dhe si gjëra të shenjta.”

George Gillespie, Monumentet e Idhujtarisë, nga Argumenti Kundër Ceremonive Papale Angleze, fq. 149-150.

 

8 – AJO QË NË MËNYRË TË LIGJSHME ËSHTË BRAKTISUR NUK MUND TË MERRET DHE TË VIHET PËRSËRI NË PRAKTIKË

Pas arritjeve të Reformës Protestante, ku Kisha e Reformuar hodhi poshtë ritualet dhe festat supersticioze, idhujtare dhe arbitrare të Antikrishtit Papal, si mund ta justifikojmë rikthimin në një pozicion të tillë të vakët?

“A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish? A thua hoqët kaq shumë gjëra më kot, nëse kanë qenë vërtetë më kot?… kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni? Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite. Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju… Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?
Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.” (Gal. 3:3-4 & 4:9-11 & 5:7-8).

“Nëse Apostulli i qortoi Galatasit kaq ashpër që, pasi filluan në Frymë, u kthyen te mishi, që ishin ceremonitë e Ligjit të Moisiut, disa herë të caktuara nga Perëndia, çfarë qortimi meritojmë ne pasi kemi filluar në Frymë, dhe kemi vrapuar kaq mirë, dhe kaq gjatë, nëse kthehemi te traditat njerëzore dhe besëtytnitë?”

Asambleja e Perthit, fq. 86.

“Bëni kujdes se mos humbni fryti i gjërave të kryera, por bëni në menyrë të merrni një shpërblim të plotë.” (2 Gjoni 8).

“Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.” (Proverbet 26:11).

“Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, nëse përsëri ngatërrohen nga këto dhe munden, gjendja e tyre e fundit është më e keqe se e para. Sepse do të qe më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, se sa, pasi e njohën, t’ia kthejnë shpinën urdhërimit të shenjtë që u qe dhënë. Por atyre u ndodhi ç’ka thotë një fjalë e urtë e vërtetë: “Qeni u kthye në të vjellat e veta,” dhe “dosa e larë u kthye të zhgërryhet në llucë.”” (2 Pjetrit 2:20-22).

“Por në rast se i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësinë dhe imiton tërë gjërat e neveritshme që kryen i pabesi, a do të jetojë vallë ai? Në rast se tërë drejtësia që ka bërë nuk do të kujtohet më; për shkeljen që ka kryer dhe mëkatin që ka bërë, ai ka për të vdekur, për shkak të tyre.” (Ezekieli 18:24).

“Dhe tani sillni ndërmend ditët e mëparshme, në të cilat, pasi u ndriçuat, keni duruar një luftë të madhe vuajtjesh… Mos e hidhni tej guximin tuaj, që do të ketë një shpërblim të madh. Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara.” (Hebrenjve 10:32, 35-36).

 

——–

[1] Pasi citoi kronologjikisht disa artikuj të miratuar nga kishat e Reformuara hollandeze, pastori David Demarest përmbledh historinë e veprimit sinodal mbi ditët e shenjta kishtare:

“Fillimisht ishte i qartë qëllimi për të shfuqizuar këto ditë plotësisht. Më pas u pa më mirë (ndërsa populli vazhdonte t’i mbante ato për festa), t’i kthenin në një mirë duke mbajtur shërbesa fetare, dhe përfundimisht u urdhëria mbajtja e tyre, pa dyshim, mbi bazën e ndërtimit. Magjistratët, të cilët vazhdimisht referohen si ata që kanë autoritet mbi këtë çështje, për arsye që buronin nga rrethanat e kohëve dhe nga karakteri dhe zakonet e popullit, nuk e konsideruan të arsyeshme t’i braktisin ato. Ndërsa ato vazhduan nga autoriteti, Kisha, me të drejtë, synoi t’i bënte ato promovuese të devotshmërisë.”

David D. Demarest, Historia dhe Karakteristikat e Kishës Protestante të Reformuar Hollandeze, edicioni i dytë (New York, Bordi i Botimeve të Kishës Protestante të Reformuar Hollandeze, 1856), fq. 175.

 

[2] Ky artikull është një përmbledhje e Arsye Kundër Ditëve të Shenjta, një nga pesë pikat e mosmarrëveshjes të shkruara nga David Calderwood dhe Asambleja e Përgjithshme e Kishës së Skocisë në 1618, kur Mbreti Xhejms e detyroi Kishën të miratojë Pesë Nenet e Perthit. Katër nenet e tjerë të refuzuar nga Asambleja e Përgjithshme janë: gjunjëzimi gjatë darkës së Zotit, pagëzimi privat, darka private e Zotit për të sëmurët ose të dobëtit, dhe konfirmimi nga një Peshkop. Lexoni raportin e plotë këtu: Asambleja e Perthit.

Shih gjithashtu “Mbajtja Fetare e Krishtlindjeve dhe ‘Ditëve të Shenjta’ në Presbiterianizmin Amerikan” nga Chris Coldwell.

Një Perëndi i Shenjtë dhe Ditët e Shenjta” nga Rev. Robert McCurley (transkript dhe audio).

Argument Kundër Ceremonive Papale Angleze nga George Gillespie.

 


Perkthyer nga: https://purelypresbyterian.com/2016/11/03/8-reasons-holidays-should-not-be-observed/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes