Nga A. W. Pink
Nuk ka asnjë zëvendësues për Devocionet Familjare
Disa urdhërime të rëndësishme dhe mjete hiri janë qartësisht të nënkuptuara në Fjalën e Perëndisë, por që për ushtrimin dhe praktikimin e tyre kemi pak urdhërim të qartë dhe pozitiv. Ne jemi lënë që t’i mbledhim ato nga shembulli i njerëzve të shenjtë dhe nga rrethanat e tyre të ndryshme. Arrihet një qëllim i rëndësishëm me anë të kësaj mënyre veprimi: Vihet në provë gjendja e zemrave tona. Ajo shërben për të bërë të dukshme nëse të krishterët do ta neglizhojnë një detyrë që është qartësisht e nënkuptuar, vetëm sepse, nuk ka një urdhërim të shprehur që kërkon kryerjen e saj. Në këtë mënyrë, zbulohet më shumë për gjendjen e vërtetë të mendimeve tona, dhe bëhet e qartë nëse kemi ose jo një dashuri të zjarrtë për Perëndinë dhe shërbimin e Tij. Kjo vlen si për adhurimin publik, ashtu edhe për atë familjar. Megjithatë, nuk është fare e vështirë të provohet detyra e devotshmërisë familjare.
Së pari, le të konsiderojmë shembullin e Abrahamit, ati i besimtarëve dhe miku i Perëndisë. Ishte për shkak të devotshmërisë së tij familjare që ai mori bekimin nga vetë Jehovai, “Unë në fakt e kam zgjedhur, me qëllim që të urdhërojë bijtë e tij dhe shtëpinë e tij të ndjekin pas tij rrugën e Zotit, duke zbatuar drejtësinë dhe barazinë” (Zanafilla 18:19). Patriarku këtu përmëndet për faktin e mësimit të fëmijëve dhe shërbëtorëve e tij për detyrën më të rëndësishme të të gjithave, “udhën e Zotit” – të vërtetën rreth personit të Tij të lavdishëm, kërkesave të Tij të larta ndaj nesh dhe kërkesat që ka prej nesh. Vini re mirë fjalën “të urdhërojë” bijtë, kjo do të thotë se ai do të përdorte autoritetin që Perëndia i kishte dhënë si baba dhe kreu i shtëpisë së tij, për të zbatuar detyrat e perëndishmërisë familjare. Dhe Abrahami ashtu sic mësonte ashtu edhe lutej me familjen e tij: kudo ku ngulte çadrat e tij, atje ai “ngrinte një altar për Zotin” (Zanafilla 12:7; 13:4).
Tani, lexuesit e mi, ne fare mirë mund të pyesim veten, A jemi ne “fara e Abrahamit” (Galatasve 3:29) nëse “nuk bëjmë veprat e Abrahamit” (Gjoni 8:39) dhe neglizhojmë detyrën e rëndësishme të adhurimit familjar? Shembulli i njerëzve të tjerë të shenjtë është i ngjashëm me atë të Abrahamit. Le të konsiderojmë vendosmërinë e perëndishme të Jozueut, i cili deklaroi për Izraelin: “Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit” (24:15). As pozita e tij e lartë, as detyrat e shpeshta publike që ranë mbi të, nuk e bënë të hiqte vëmëndjen nga mirëqënia shpirtërore e familjes së tij. Përsëri, kur Davidi solli përsëri arkën e Perëndisë në Jeruzalem me gëzim dhe falënderim, pasi kreu detyrat e tij publike, ai “u kthye për të bekuar shtëpinë e tij” (2 Samueli 6:20). Shembuj të tjerë mund të citojmë rastet e Jobit (1:5) dhe të Danielit (6:10). Duke marrë vetëm një shembull nga Dhjata e Re, mund të përmëndim historinë e Timoteut, i cili u rrit në një shtëpi të perëndishme. Pali përkujtoi besimin e “e vërtetë” që ishte në të, dhe shtoi: “i cili banonte më parë në gjyshen tënde Lois dhe në nënën tënde Eunikë“. Atëhere, nuk është për t’u çuditur se pse apostulli mund të thoshte: “që prej fëmijërisë ke njohur Shkrimet e Shenjta” (2 Timoteu 3:15)!
Nga ana tjetër, mund të vëmë re se çfarë kërcënimesh të tmerrshme u deklarohen atyre që e shpërfillin këtë detyrë. Pyes veten se sa prej lexuesve të mi i kanë menduar me seriozitet këto fjalë tmerruese: “Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi familjet që nuk përmëndin emrin tënd” (Jeremia 10:25 KJV)! Sa solemne është të zbulosh që familjet pa lutje janë të lidhura këtu me paganët që nuk e njohin Zotin! Megjithatë, a duhet të na habisë kjo? Ka shumë familje pagane që bashkohen së bashku për të adhuruar zotat e tyre të rremë. A nuk i mbulojnë me turp mijëra të krishterë ata? Vini re gjithashtu se Jeremia 10:25 regjistron një mallkim të tmerrshëm në të njëjtën mënyrë mbi të dyja kategoritë: “Lëshoje zemërimin tënd…”. Sa fort duhet të na flasin këto fjalë!
Nuk mjafton që të lutemi si individë në dhoma tona; ne na kërkohet të nderojmë Perëndinë edhe në familjet tona. Të paktën dy herë në ditë, “në mëngjes dhe në mbrëmje“, e gjithë familja duhet të mblidhet së bashku për t’u përkulur përpara Zotit – “prindër dhe fëmijë, zotër dhe shërbëtorë” – për të rrëfyer mëkatet e tyre, për të falënderuar për mëshirat e Perëndisë, për të kërkuar ndihmën dhe bekimin e Tij. Asgjë nuk duhet të lejohet të ndërhyjë me këtë detyrë: të gjitha rregullimet e tjera familjare duhet t’i nënshtrohen asaj. Kreu i shtëpisë është ai që duhet të udhëheqë adhurimin, por nëse ai mungon, ose është shumë i sëmurë, ose është një jobesimtar, atëherë gruaja duhet të marrë vendin e tij. Adhurimi Familjar nuk duhet të lihet pas dore në asnjë rrethanë! Nëse duam të gëzojmë bekimin e Perëndisë mbi familjen tonë, atëherë le të mblidhen anëtarët e saj çdo ditë për lëvdim dhe lutje. “Ata që më nderojnë, unë do t’i nderoj“, është premtimi i Tij.
Një shkrimtar i vjetër e tha mirë: “Një familje pa lutje është si një shtëpi pa çati, e hapur dhe e ekspozuar ndaj të gjitha stuhive të Qiellit.” Të gjitha bekimet tona familjare dhe mëshirat e përkohshme vijnë nga mirësia e Zotit, dhe më e mira që mund të bëjmë në këmbim, është të njohim me mirënjohje, së bashku, mirësinë e Tij ndaj nesh si familje. Justifikimet për moszbatimin e kësaj detyre të shenjtë janë të kota dhe pa vlerë. Çfarë vlere do të ketë kur të japim llogari përpara Perëndisë për administrimin e familjeve tona dhe të themi se nuk kishim kohë të lirë, duke punuar me të madhe nga mëngjesi deri në mbrëmje? Sa më të mëdha të jenë detyrat tona të përkohshme, aq më e madhe është nevoja jonë për të kërkuar ndihmë shpirtërore. Asnjë i krishterë nuk mund të pretendojë se nuk është i kualifikuar për një punë të tillë: dhuratat dhe talentet zhvillohen nga përdorimi, jo nga neglizhenca.
Adhurimi familjar duhet të kryhet me respekt, me zell dhe thjeshtësi. Vetëm në këtë kohë fëmijët e vegjël do të marrin përshtypjet e tyre të para dhe do të formojnë konceptet e tyre të para për Zotin Perëndi. Duhet të kihet kujdes të madh që të mos u jepet atyre një ide e rreme për Karakterin Hyjnor, dhe për këtë duhet të ruhet ekuilibri midis qëndrimit mbi Shenjtërinë dhe Mëshirën e Tij, Fuqinë dhe Butësinë e Tij, Drejtësinë dhe Hirin e Tij. Adhurimi duhet të fillojë me disa fjalë lutjeje për të kërkuar praninë dhe bekimin e Perëndisë. Pastaj vijohet me një pasazh të shkurtër nga Fjala e Tij, me komente të shkurtra mbi të. Dy ose tre vargje të një psalmi mund të këndohen. Të përfundohet me një lutje përkushtimi në duart e Perëndisë. Edhe pse mund të mos jemi në gjendje të lutemi me elokuencë, duhet të lutemi me zell. Zakonisht, lutjet fitimtare janë lutjet e shkurtra. Kini kujdes të mos lodhni të vegjlit.
Avantazhet dhe bekimet e adhurimit familjar janë të pafundme. Së pari, adhurimi familjar do të parandalojë shumë mëkat. Ai e tremb shpirtin, transmeton një ndjenjë të madhështisë dhe autoritetit të Perëndisë, i paraqet të vërteta solemne mendjes, sjell bekime nga Perëndia mbi shtëpinë. Devotshmëria personale në shtëpi, nën Perëndinë, është një mjet shumë ndikues për të transmetuar devotshmëri tek të vegjlit. Fëmijët janë në masë të madhe krijesa imituese, që duan të kopjojnë atë që shohin te të tjerët. “Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre, me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre, dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;” (Psalmi 78:5-7).
Sa nga gjendja e tmerrshme morale dhe shpirtërore e masave të sotme mund të gjurmohet mbrapa te neglizhenca e etërve të tyre në këtë detyrë? Si mund të presin paqe dhe ngushëllim në të, ata që e neglizhojnë adhurimin e Perëndisë në familjet e tyre? Lutja e përditshme në shtëpi është një mjet i bekuar hiri për të qetësuar ato pasione të pakëndshme që u nënshtrohet natyra jonë e përbashkët. Së fundi, lutja familjare na fiton praninë dhe bekimin e Zotit. Ka një premtim të pranisë së Tij që zbatohet në mënyrë të veçantë për këtë detyrë: shih Mateun 18:19,20. Shumë kanë gjetur në adhurimin familjar, ndihmën dhe bashkësinë me Perëndinë që e kërkuan me pak efekt në lutjen private.