Dhuntia e Gjuhëve në Kishën pas Apostujve
(Vitet 100-400 pas Krishtit)
Cleon L. Rogers
Publikuar fillimisht në Prill, 1965.
Është shumë e qartë në mësimin e Palit që gjuhët do të pushojnë (I Kor. 13:8), por, sigurisht, problemi i madh është kur do të ndodhë kjo. Ky studim nuk ka si synim të trajtojë përgjigjet e mundshme për pyetjen (1), por të shqyrtojë dëshmitë nga etërit e kishës nga vitet 100 deri 400 pas Krishtit për të përcaktuar nëse gjuhët praktikoheshin akoma siç ishin në kohën e apostujve. Nëse gjuhët janë të rëndësishme siç shumë mësojnë, atëhere udhëheqësit e Kohës Pas Apostujve duhet ta kenë theksuar këtë dhe ta kenë urdhëruar shumë fort praktikimin e tyre. Por megjithatë, dëshmitë nuk tregojnë që gjuhët kishin një vend të rëndësishëm në kishë nga vitet 100 deri 400 pas Krishtit.
DËSHMIA E ETËRVE APOSTOLIKE
Ndërsa ka prova të qarta nga Shkrimi që dhuntia e gjuhëve ishte në veprim gjatë kohës së apostujve (2), është tepër domethënëse që dhuntia, askund, nuk përmëndet tërthorazi, lihet të kuptohet, ose të gjehet në Etërit Apostolikë. Dikush mund të kundërshtojë që ky është thjesht një argument nga heshtja e tyre dhe ka po aq mbështjetje për vazhdimin e dhuntisë sa edhe për pushimin e dhuntisë. Megjithatë, rëndësia e kësaj heshtje merr një peshë më të madhe kur shihet në dritën e fakteve të caktuara.
Së pari, disa prej Etërve Apostolikë shkruan nga dhe drejt kishave ku dhuntia ishte praktikuar gjatë kohës së apostujve. Rasti më i shquar i kësaj është Klementi i Romës dhe letra e tij drejtuar kishës së Korintit. Nëse kishte një kishë të hershme ku gjuhët ishin praktikuar, ishte kjo. Qartazi, kjo ishte një nga problemet kryesore që Pali duhej të luftonte në letrën e tij ndaj tyre (3); por Klementi i Romës asnjëherë nuk e përmënd dhuntinë, madje edhe kur foli për trashëgiminë e tyre shpirtërore (4). I njëjti problem i mosbindjes ndaj autoritetit ishte i pranishëm (5), por ai i gjuhëve siç duket qartë ishte zgjidhur nga pushimi i tyre. Ignatiusi i shkroi kishës së Efesit ku të krishterët e parë flisnin në gjuhë, por edhe ai, gjithashtu, nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me dhuntinë (6).
Së dyti, mbulimi i gjërë gjeografik i Etërve Apostolikë e bën heshtjen e tyre tepër domethënëse. Klementi i shkroi Korintit nga Roma; Polikarpi, peshkopi i Smirnës, u shkroi atyre në Filipi, Ignatiusi i Antiokit i shkroi kishave të Efesit, Magnesias, Tralles, Romës, Smirnës, Filadelfias; letra e Barnabës me shumë gjasa u shkrua nga Aleksandria (7); Bariu i Hermas mund të jetë shkruajtur nga Roma; Papias ishte nga Hierapolisi në Frigji; the Didahi mund të jetë shkruar nga Egjipti ose ndoshta nga Siria ose Palestina (8); dhe Letra e Diogenit ndoshta u shkruajt nga Aleksandria. Kjo praktikisht mbulon çdo zonë domethënëse të Perandorisë Romake, dhe patjetër që nëse dhuntia e gjuhëve ishte e shtrirë kudo dhe me bollëk, me siguroi që do të ishte përmëndur në ndonjë mënyrë.
Së treti, karakteri doktrinal i Etërve Apostolikë e bën heshtjen e tyre në lidhje me gjuhët tepër domethënëse. Ndonëse ato nuk u shkruajtën si libër mësimi mbi teologjinë, shkrimet e tyre praktikisht mbulojnë çdo doktrinë thelbësore që mësohet në Dhiatën e Re (9). Përmëndet çdo gjë rreth teologjisë dhe deri te eskatologjia, por prapësëprapë nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë diskutim ose trajtim të gjuhëve.
Së katërti, qëllimi i shumë prej shkrimeve që lënë jashtë gjuhët e bën tepër domethënëse. Për shembull, qëllimi i letrës ndaj Diognetusit ishte për t’ju përgjigjur pyetjeve të Diognetusit në lidhje me Krishtërimin (10). Shkruesi vazhdon të tregojë marrëzinë e idhujtarisë (1-2), pamjaftueshmërinë e Judaizmit (3-4), dhe epërsinë e Krishtërimit (5-12) (11). Kjo do të kishte qënë një mundësi e shkëlqyer për të paraqitur dhuntinë e gjuhëve si një provë për karakterin e mbinatyrshëm të Krishtërimit. Siç u përmënd edhe më parë, Klementi i Romës shkroi për të korrigjuar gabimet shpirtërore në Korint, por ai nuk flet fare për gjuhët. Ireneu tha në lidhje me letrën e Polikarpit ndaj Filipianëve që ata që “zgjedhin të bëjnë kështu, dhe janë në ankth për shpëtimin e tyre, mund të mësojnë karakterin e besimit të tij, dhe predikimin e së vërtetës” (12). Polikarpi gjithësesi, në asnjë vend nuk tregon që gjuhët janë pjesë normale e Krishtërimit; në fakt, ai nuk e prek fare temën e gjuhëve.
Nga këto vëzhgime, është e qartë që heshtja e Etërve të Kishës nuk mund të injorohet si të ishte pa ndonjë pasojë.
DËSHMIA E JUSTIN MARTIRIT
Justin Martiri, që lindi rreth vitit 100 pas Krishtit dhe u martirizua diku mes viteve 163 dhe 167 (13), udhëtoi shumë në Perandorinë Romake dhe duhet të ketë rënë në kontakt me këtë fenomen të të folurit në gjuhë. Ai kishte lindur në Samari, ishte kthyer në besim në Efes, dhe udhëtoi nëpër perandori si një Mësues i krishterë (14). Pavarësisht këtij udhëtimi dhe mësimi gjithëpërfshirës, Justini nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me dhuntinë e gjuhëve. Megjithatë, ka një pjesë në veprën e tij “Dialog me Trifon” e cila mund të japë idenë që Justini kishte njohuri për gjuhët. Duke argumentuar që dhuntitë profetikë të Judenjve tani u janë transferuar të krishterëve, ai thotë:
“Sepse dhuntitë profetike qëndrojnë me ne, edhe në kohën e tanishme. Dhe prandaj ti duhet të kuptosh që [dhuntitë] më parë midis kombit tënd na janë transferuar neve”(15). Megjithatë, Jackson vë re që “nuk është e sigurt që bëhet fjalë për të folurit në gjuhë”(16). Ka një numër gjërash që e mbështesin këtë dhe e bëjnë pothuasje të sigurt që Justini nuk kishte në mendje dhuntinë e gjuhëve. Së pari, Justini deklaron që dhuntitë për të cilat po flet ishin më parë midis popullit të Izraelit. Kjo me patjetër që nuk do t’i aplikohej kësaj dhuntie sepse është përdorur vetëm në lidhje me kishën (17). Së dyti, kur Justini flet për dhuntitë ai përmënd shtatë, por dhuntia e gjuhëve nuk është përfshirë (18). Në dritën e këtyre fakteve është shumë e qartë që Justini nuk kishte në mendje dhuntitë e gjuhëve.
Ashtu siç ishte domethënëse heshtja e Etërve të Kishës, po kështu është e rëndësishme edhe heshtja e Justin Martirit, veçanërisht në dritën e fakteve të caktuara. Fakti që Justini udhëtoi gjerësisht por prapë së prapë nuk bën asnjë referencë për gjuhët do të tregonte që ose ai nuk ishte ndeshur asnjëherë me fenomenin ose atij nuk i kishte lënë mbresa dhuntia nëse ishte ndeshur me të. Një fakt tjetër është që megjithëse ai ishte një mësues i besimit të krishterë, heshtja e tij që dhuntia nuk ishte një pjesë e rëndësishme përbërëse e doktrinës së krishterë është domethënëse. Nëse dhuntia ishte e spikatur, pse një burrë si ai nuk i japin asnjë rëndësi? Një fakt tjetër që i jep peshë heshtjes së Justinit është natyra e shkrimeve të tij. Në shkrimin e tij “Dialog me Trifon”, ai tregon epërsinë e Krishtërimit mbi Judaizmin dhe do të kishte qënë një mundësi e shkëlqyer për të përmëndur dhuntinë e gjuhëve si një provë të tezës së tij (19). Kur ai shkruan “Fjalimi Nxitës ndaj Grekëve”, ai deklaron qartë që ai do të shqyrtojë me shumë saktësi Krishtërimin dhe fetë pagane. Duke krahasuar mësimet e të dyjave ai deklaron që do të demonstrojë që Krishtërimi është feja e vërtetë (20). Një nga gjërat më të forta që ai mund të përdorte do të kishtë qënë dhuntia e gjuhëve, por ai as që nuk i përmënd ato.
DËSHMIA E IRENEUT
Dëshmia e Ireneut është shumë e rëndësishme sepse deklarata e tij në lidhje me gjuhët është përdorur si një provë të ekzistencës së dhuntisë në shekujt pas Apostujve (21). Ireneu thotë “ne dëgjojmë shumë vëllezër në kishë … të cilët përmes Frymës flasin çdo lloj gjuhe”(22).
Përpara se të konsiderojmë këtë deklaratë më nga afër, duhet të shqyrtojmë sfondin e Ireneut. Megjithëse shumë pak dihet për jetën e hershme të Ireneut, ato copëza të pakta informacioni që janë të disponueshme janë shumë jetësore. Si një djalë që u rrit në Smirnë ai dëgjoi Polikarpin dhe u ndikua shumë nga ai (23). Diku rreth vitit 177 Ireneu udhëtoi nga Azia e Vogël drejt Lionit në Gali ku ai u bë një plak (presbiter) nën Pothinusin që gjithashtu ishte trajnuar nga Polikarpi. Gjatë kësaj kohe ai ishte dëshmitar i persekutimit mizor në Lion dhe pa mikun e tij besnik, Pothinusin, të vritej brutalisht (24). Ndërsa ishte akoma një plak (presbiter), ai u dërgua në Romë me një letër për peshkopin, Eleutherus. Kjo ishte një letër e shkruar nga një grup Montanistësh në përpjëkje për të bindur Eleutherusin të kishte një qëndrim të mirë ndaj tyre (25). Pas vdekjes së Pothinusit Ireneu u bë peshkopi i Lionit ku shërbeu deri në momentin që edhe ai vdiq si martir.
Në lidhje me studimin e tanishëm, duhet të vihen re dy gjëra për sfondin e Ireneut. Së pari, ai erdhi nga Azia e Vogël dhe pastaj shërbeu në Lion. Është e rëndësishme të kuptojmë që në Azinë e Vogël dhe në Siri kishte shumë infuenca të pashëndetshme mbi Krishtërimin (26), dhe veçanërisht influenca e Montanusit dhe pneumatologjisë së tij të shtrembëruar (27). Kjo shoqëri me elementin Montanist nuk pushoi kur Ireneu arriti në Lion, sepse kishte një lidhje të ngushtë midis kishave në Lion dhe atyre në Azinë e Vogël (28). Përveç Pothinusit dhe Ireneut nga Azia e Vogël, gjithashtu midis atyre që banonin në Lion ishin edhe Aleksandri nga Frigjia dhe Ataiusi nga Pergamoni (29). Është në këtë dritë që duhet të shihet deklarata e Ireneut në lidhje me gjuhët. Nga sfondi i tij ai kishte dëgjuar qartë teprimet shpirtërore të atyre që ishin influencuar nga Montanusi.
Gjëja e dytë që duhet të vëmë re për sfondin e Ireneut është që ai u infleuncua nga Polikarpi. Për shkak të kësaj shoqërie të ngushtë, do të ishte normale që ai të kishte marrë shumë prej njohurisë së tij për doktrinën e krishterë nga peshkopi moshuar i Smirnës (31). Është e dukshme që gjuhët nuk kishin pjesë në shkrimet e Polikarpit, dhe çfarë është më domethënëse është që ato nuk zinin një pjesë të madhe të teologjisë së Ireneut. Çështja është, nëse dhuntia do të ishte me rëndësi të madhe, si mësuesi ashtu edhe nxënësi duhej ta kishin theksuar atë. Por ata nuk e bënë këtë.
Me këto gjëra në mendje mund të shqyrtojmë deklaratën e Ireneut në lidhje me gjuhët. Së pari, vini re që Ireneu nuk thotë që ai fliste në gjuhë. Së dyti, ai shumë qartë nuk i kategorizon ata afër tij se kishin dhuntinë, por ai përdori shumësin “ne dëgjojmë.” Coxe tregon që gjuha e vjetër Latine përdor audivimus, “ne kemi dëgjuar” (32). Së treti, për shkak të shoqërimit të Ireneut me Montanistët (33), Robertson ka të drejtë kur thotë, “Deklarata e tij e paqartë mund të vijë nga disa raportime nga Montanistët e Azisë së Vogël. . . (34). Nga këto gjëra dalim në përfundimin që Ireneu donte të thoshte që ai dhe ata rreth tij në një kohë të shkuar kishin dëgjuar për gjëra si ato që dëgjoheshin në qarqet Montaniste. Në lidhje me të gjitha këto gjëra duhet të konkludohet që nga vepra e Ireneut mund të thuhet që me siguri shtytja dhe theksi kryesor i teologjisë së tij nuk ishte mbi dhuntinë e gjuhëve (35).
DËSHMIA E TERTULIANIT
Tertuliani, teologu i njohur i Afrikës së Veriut, ishte një tjetër që ra në infulencën e Montanusit. Megjithëse ai udhëtoi gjerësisht dhe ishte një dijetar dhe shkollar i shquar, referencat e tij për dhuntinë e gjuhëve janë të pakta dhe tradhëtojnë lidhjen e tij me Montanizmin. Duke u përpjekur për të treguar që shpirti ka një lloj cilësie të të qënit fizik, që konsiston nga materia, ai përshkruan atributet e shpirtit, një nga të cilat është aftësia për të zotëruar dhunti shpirtërore. Për të ilustruar pikën, ai citon shembullin e një gruaje Montanisteje që thoshte se kishte biseduar me engjëjt dhe se kishte përvoja të tjera ekstazie (36). Ai në fakt nuk përmënd dhuntinë e gjuhëve këtu, por ai përshkruan atë që të kishte “dhuntitë e zbulesës që ajo përjeton në Frymë nga vegimi. .”(37). Nëse kjo është dëshmitare për aktivitetin e dhuntisë, është një dëshmi e dobët dhe me patjetër që është larg nga përvoja normale e Krishtërë të asaj kohe.
Tertuliani bëri një referencë specifike për dhuntitë e gjuhëvë në veprën e Tij “Kundër Markionit” (38). Madje edhe këtu ai nuk thotë asnjë gjë rreth gjuhëve në këtë kohë. Ai merr letrat e Palit dhe tregon vlerat apologjetike të gjetur në çdo letër. Ai i merr ato letër për letër dhe kapitull për kapitull. Kur ai vjen të dhuntitë shpirtërore siç përmënden te 1 Korintasve 12-14, ai pranon që të gjithë nuk kanë të njëjtën dhunti, por që Fryma ka dhënë dhunti të ndryshme ndaj njerëzve të ndryshëm (39). Ai thjesht trajton çfarë Pali ka thënë rreth dhuntive dhe nuk bën asnjë referencë për përdorimin e dhuntisë në kohën e tij. Ai i bën thirrje Markionit ti bëjë këto dhunti siç u shfaqën nga apostujt, por nuk thotë që ai ka parë ose di për ndonjë që e ushtron dhuntinë.
DËSHMIA E MONTANUSIT
E vetmja deklaratë e qartë në lidhje me manifestimin e gjuhëve gjendet në përshkrimin e Eusebiusit për aktivitetin e Montanusit. Ai shkruan: “Kështu ai u mor në frymë, dhe u soll në një lloj ekstazie të furishme dhe të çrregullt, përçart, dhe duke folur, dhe duke shqiptuar gjëra të çuditshme dhe duke shpallur çfarë ishte e kundërt me institucionet që kishin mbizotëruar në kishë. . .” (40). Megjithëse termi gjuhët nuk është përdorur qartë, është shumë e dukshme, siç vë re Lietzmann, që në përvojë Montanusi “tregoi të gjitha manifestimet e glossalalia” (41).
Domethënia e dëshmisë së Montanusit shihet në këto vëzhgime. Së pari, ai konsiderohej heretik. Ai nuk vepronte sipas Shkrimeve dhe madje edhe personat rreth tij e pranonin këtë (42). Së dyti, herezia e tij e veçantë ishte në sferën e Pneumatologjisë dhe theksimit të tij mbi dhuntitë (43). Por prapë së prapë edhe me gjithë këtë theksim, aktiviteti Montanist konsiderohej i dështuar dhe shumë larg dhuntivë të ushtruara nga apostujt (44). Së treti, Lietzmann tregon që fillimisht ky fenomen ekstazie dhe glossalalia nuk u përhap me shpejtësi dhe gjerësisht (45). Kjo duket se tregon që ajo nuk ishte pjesë e përvojes së zakonshme të krishterë. Nëse kjo do të kishte qënë një praktikë e zakonshme, atëhere do të kishte qënë me shumë e natyrshme për shumë ta pranonin këtë si pjesë normale të jetës së krishterë.
DËSHMIA E ORIGENIT
Ndërkohë që e gjithë teologjia e Origenit mund të mos jetë ortodokse (e drejtë, biblike), ai njihet nga të gjithë se ishte një nga dijetarët më të aftë të kohës së tij. Ai jo vetëm që ishte i njohur me çështjet e kohës së tij përmes të lexuarit të tij të madh, por ai vetë udhëtoi gjerësisht dhe kishte studentë nga e gjithë bota që merrnin pjesë në klasat e tij. Nëse dhuntia ishte e gjithëpërhapur ose praktikohej ndopak, me patjetër që Origeni duhej të kishte ditur diçka rreth saj dhe do ta kishte përmëndur atë diku në shkrimet e tij voluminoze. Por ai nuk ka asnjë deklaratë të qartë në lidhje me dhuntinë dhe dëshmia e tij tregon që dhuntitë e jashtëzakonshme kishin pushuar. Në përgjigjen e tij ndaj Kelsusit Origeni ka diçka për të thënë rreth dhuntive shpirtërore (46). Kelsusi bëri akuzën që profetët e Dhiatës së Vjetër janë si disa njerëz në Finiki dhe në Palestinë që bëjnë disa lëvizje dhe veprime të marra, dhe pastaj thonë që kanë një profeci. Ai është cituar nga Origeni të thoshte: “ndaj këtyre premtimeve janë shtuar fjalë të çuditshme, fanatike, dhe të pakuptueshme, për të cilat asnjë person racional nuk mund tu gjejë kuptim: sepse kaq të errta janë ato, saqë nuk kanë fare kuptim; por ato i japin mundësi çdo të marri ose mashtruesi për t’i përdorur ato sipas qëllimeve të tyre” (47). Përgjigjja e Origenit ndaj një akuze të tillë është shumë me vend në këtë çështje. Ai thotë që megjithëse Fryma e Shenjtë dha shenja dhe demonstrime të jashtme të prezencës së Tij në fillim të shërbesës së Krishtit dhe pas ngritjes së Tij, këto gjëra ishin venitur dhe nuk janë më të shtrira (48). Për më tepër ai thotë që Kelsusi po flet në mënyrë të gabuar kur përshkruan për atë që kishte dëgjuar: “Sepse asnjë profet që ka ndonjë ngjashmëri me profetët e lashtë nuk është shfaqur në kohën e Kelsusit” (49). Ajo që Origeni po thotë është që nuk janë më në veprim ndonjë nga këto dhunti! Origeni nuk thotë që dhuntia e gjuhëve po lulëzon në kohën e tij, por që dhunti të tilla ishin venitur!
DËSHMIA E KRISOSTOMIT
Ati i fundit i Kishës që konsiderohet është ekzegjetuesi i aftë dhe predikuesi i shquar, Krisostomi. Pasi studioi dhe shërbeu rreth qytetit të Antiokut ai u bë patriarku i Kostandiopojës. Si një udhëheqës fetar në qytetin e madh të Kostandiopojës, ai sigurisht që ishte në kontakt me të krishterë dhe kisha nga e gjithë perandoria. Ndërsa ai flet në mesazhin e tij mbi dhuntitë shpirtërore te I Korintasve, ai rrëfen që “i gjithë vendi është shumë i panjohur,” dhe shton: “por panjohuria vjen nga padituria jonë e fakteve të referuara dhe nga pushimi i tyre, në atë kohë ato ndodhnin, por tani nuk ndodhin më” (50). Këtu është deklarata e qartë nga një ekzegjetues dhe udhëheqës fetar i shekullit të katërt që deklaron që gjuhët nuk praktikoheshin më në kohën e tij. Dhuntia e gjuhëve nuk ishte një ndodhi normale në botën e krishterë, por ishte e panjohur! Figura dhe pozicioni i Krisostomit e bëjnë dëshminë e tij jashtëzakonisht shumë të rëndësishme. Qartazi, të paktën në këtë kohë, dhuntia e gjuhëve ishte shuar.
DËSHMIA E TË KRISHTERËVE TË ZAKONSHËM
Dikush mund të kundërshtojë se janë konsideruar teologët dhe udhëheqësit e kishës dhe ata nuk reflektojnë karakterin e Krishtërimit të zakonshëm. Megjithëse do të ishte e pamendueshme që udhëheqësit e kishës nuk do të vinin re një fenomen të tillë si gjuhët, është e pranuar që disa apologjetistë të trajnuar mund të mos reflektojnë një pamje të vërtetë të Krishtërimit. Megjithatë, Carpenter tregon që janë Etërit Apostolikë ata që reflektojnë Krishtërimin e zakonshëm të shekujve të dytë dhe të tretë (51). Siç u vu re më parë, Etërit Apostolikë nuk bëjnë asnjë referencë për dhuntinë. Madje edhe formula magjike e përdorur nga disa të krishterë të hershëm dhe e ruajtur mbi papirus nuk formon një paralele për dhuntinë e gjuhëve pavarësisht faktit që disa nga fjalët janë të pakuptueshme (52).
PËRFUNDIM
Pas shqyrtimit të dëshmisë të udhëheqësve të hershëm të krishterë shërbesa e të cilëve praktikisht përfaqëson çdo zonë të Perandorisë Romake afërsisht nga vitet 100 deri 400, duket që dhuntitë e mrekullive të shekullit të parë ishin shuar dhe nuk ishin më të nevojshme për të vendosur Krishtërimin (53). Për më tepër, është shumë e qartë që edhe nëse dhuntia do të ishte në ekzistencë, pavarësisht të gjitha dëshmive që thonë të kundërtën, nuk ishte as e përhapur as diçka normale për jetën e krishterë. E vetmja referencë e qartë për ndonjë gjë që i ngjason fenomenit është e lidhur me heretikun Montanus dhe ata të influencuar nga pikëpamjet e tija të gabuara të Frymës. Të gjitha dëshmitë drejtojnë te e vërteta e profecisë së Palit kur ai thotë “gjuhët do të pushojnë” (I Kor. 13:8).
(1) Shih Stanley D. Toussaint, “Një Korintasit Trembëdhjetë dhe Pyetja mbi Gjuhët,” Bibliotheca Sacra, 120:311-16, October,
- Për një përfundim ndryshe, shih William G. MacDonald, “Glossalalia në Dhiatën e Re,” Bulletin of the Evangelical
Theologeca, 7:66, Spring, 1964.
(2) Veprat 2, 8, 10, 19; I Kor. 12, 14.
(3) Shih Eduard Schweizer, “The Service of worship,” Interpretimi, 13:403, Tetor, 1959. Note also I Corinthians 12-14.
(4) Klementi i Romës, Ndaj Korintasve, I, II.
(5) Ibid., XLII-XLIV.
(6) As Pali nuk e përmënd dhuntinë në letrën e tij drejtuar Efesianëve, por kjo mund të ketë qënë për shkak se ishte një letër qarkulluese ose ndoshta dhuntia tashmë kishte pushuar.
(7) Shih J. B. Lightfoot, Etërit Apostolikë, f. 240.
(8) Ibid., p. 216.
(9) Shih Adolf Harnack, Historia e Dogmës, I, 218-22; Reinhold Seeberg, Textbook of the History of Doctrine, I, 55-86; J. L. Neve,
Një Histori e Mendimit të Krishterë, I, 34-43.
(10) Letra ndaj Diognetusit, I.
(11) Cf. Earl Cairns, Krishtërimi Përmes Shekujve, f. 81.
(12) Ireneu, Kundër Herezive, III, 3-4.
(13) Kr. Eusebius, Ecclesiastical History, IV, 163, 7-8.
(14) Kr. “Justin Martiri,” Encyclopedia Britannica (1962 ed.) XIII, 213, Apologjia e tij u shkruajt nga Roma rreth vitit 150, dhe Dialog me Tifon e tij u shkruajt nga Efesi.