Nga Peter Bringe
Kisha e hershme ishte shumë e kujdesshme me imazhet dhe ikonat. Për shembull, këshilli rajonal i Elvirës në Spanjë, në vitin 305, tha: “Pikturat nuk duhet të vendosen në kisha, në mënyrë që të mos bëhen objekte adhurimi dhe nderimi.” Por me kalimin e kohës, imazhet dhe pikturat filluan të përdoren gjithnjë e më shumë, dhe praktika të ndryshme u zhvilluan.
Duke filluar nga viti 725, perandorët bizantinë, të cilët ishin të bindur se adhurimi i Perëndisë përmes imazheve dhe pikturave ishte i gabuar, filluan të ndalonin imazhet fetare të Krishtit dhe shenjtorëve. Ata dhe të tjerët që kundërshtonin nderimin e imazheve u bënë të njohur si “ikonoklastë.” Ata nuk ndaluan të gjitha format e artit (p.sh., imazhin e perandorit), por ishin kundër përdorimit të imazheve në adhurimin fetar, duke u bazuar në urdhërimin e dytë (Eksodi 20:4-6). Gjithashtu, ata argumentonin se “figura e vetme e pranueshme e natyrës njerëzore të Krishtit … është buka dhe vera në Darkën e Shenjtë.” Ata thoshin se pala tjetër (ata që ishin pro imazheve) po ndante natyrat e Krishtit si Nestorianët duke portretizuar vetëm njërën nga natyrat e Tij. Këshilli i Hierias (viti 754) mbështeti pozicionin e ikonoklastëve dhe deklaroi se ishte një këshill ekumenik, megjithëse nuk arriti të fitojë një njohje të gjerë.
Ata që mbronin nderimin e imazheve dhe pikturave pretendonin se ikonoklastët ishin Monofizitë të fshehtë që mohonin realitetin e natyrës njerëzore të Krishtit. Ata që nderonin imazhet gjithashtu argumentonin se perandori po ndërhynte më tepër sec duhet në punët e kishës. Ata patën mundësinë e tyre kur perandori Leo IV vdiq dhe e veja e tij, Irena, u bë regjente për djalin e saj foshnjë. Irena ishte pro përdorimit të ikonave dhe një këshill i përgjithshëm u thirr për të zgjidhur çështjen. Këshilli u mblodh në Nikea në vitin 787. Për shkak të kësaj ai njihet si Nikea II. Këshilli miratoi nderimin e ikonave, dalloi këtë adhurim (προσκύνησις) nga adhurimi që i takon vetëm Perëndisë (λατρεία), ndaloi emërimin e peshkopëve nga pushtetarët civilë dhe urdhëroi që në secilën provincë të kishës të mbahej një sinod të paktën një herë në vit. Megjithëse vendimet e tij për qeverisjen e kishës ishin të mira, pozicioni i tij mbi ikonat ishte jobiblik dhe në mospërputhje me mësimet dhe praktikën e mëparshme të kishës (në përkthimin grek të Dhiatës së Vjetër, urdhërimi i dytë përdor këto fjalë, προσκύνησις dhe λατρεία, dhe i ndalon të dyja në lidhje me imazhet: “Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh…”).
Pavarësisht faktit që peshkopi i Romës e miratoi këshillin, klerikët frankë në mbretërinë e Karlit të Madh shkruan kundër adhurimit të imazheve dhe pikturave të miratuar nga këshilli. Një këshill në Frankfurt (viti 794) lejoi që imazhet të vendoseshin në kisha si “libra për të pashkolluarit,” por ndaloi nderimin e tyre dhe dënoi Nikean II. Një sinod në Paris (viti 825) gjithashtu dënoi Nikean II dhe qortoi Papën për miratimin e këshillit. Europa e Veriut nuk do ta njihte Nikean II si një këshill ekumenik deri në shekullin e 12-të, dhe kundërshtimi do të rikthehej gjatë Reformacionit së shekullit të 16-të. Edhe në Lindje, perandori Leo V ringjalli ikonoklazmën (kundërshtimin e ikonave) në vitin 813 dhe ishte një tjetër nënë regjente, Teodora, ajo që do t’i rikthente ikonat në vitin 843. Pas kësaj, nderimi i ikonave do të bëhej një veçori e theksuar dhe dalluese e kishave Ortodokse Lindore, një nga disa pozicione që i dallon ato nga kishat e Reformuara.
____
Shtesë:
Këshilli i Elvirës u mbajt në vitin 305 ose 306. Por kjo nuk është rasti i vetëm kur Kisha e Hershme foli për ikonat. Epifanusi i Salamisit, një polemist i Kishës së Hershme, ishte i njohur për trajtimin e shumë herezive (duke përfshirë Kolliridianët, Alogianët dhe Origjenistët). Ai ishte një mik i mirë i Jeromit të Stridonit, dhe Jeromi ruajti një letër të shkruar nga Epifanusi drejtuar Gjonit të Jeruzalemit. Letra përfshin ngjarjen kur Epifani shkatërron një ikonë dhe këshillon Gjonin dhe Kishën në Anablatha të shmangin ikonat:
“Për më tepër, kam dëgjuar se disa persona kanë këtë ankesë kundër meje: Kur ju shoqërova në vendin e shenjtë të quajtur Bethel, për të marrë pjesë me ju në kremtimin e Kolektës, pas mbarimit të Kishës, shkova në një vilë të quajtur Anablatha dhe, ndërsa po kaloja, pashë një llambë që digjej atje. Duke pyetur se çfarë vendi ishte, dhe duke mësuar se ishte një kishë, hyra për t’u lutur dhe gjeta atje një perde të varur në dyert e kishës, e ngjyrosur dhe e qëndisur. Ajo mbante një imazh ose të Krishtit ose të njërit prej shenjtorëve; nuk e mbaj mend mirë se i kujt ishte imazhi. Duke parë këtë, dhe duke mos dashur që një imazh i një njeriu të varej në kishën e Krishtit, në kundërshtim me mësimet e Shkrimeve, e shqeva atë dhe këshillova kujdestarët e vendit ta përdornin atë si një qefin për ndonjë të varfër. Por ata, murmuritën dhe thanë se nëse vendosa ta shqepja, ishte e drejtë që t’u jepja një perde tjetër në vend të saj. Sapo dëgjova këtë, premtova se do t’u jepja një dhe thashë se do ta dërgoja menjëherë…Që atëherë ka pasur një vonesë të vogël, për shkak të faktit që kam qenë duke kërkuar një perde të cilësisë më të mirë për t’u dhënë atyre në vend të asaj të mëparshme, dhe mendova se ishte e drejtë të dërgoja në Qipro për të marrë një. Tani kam dërguar më të mirën që mund të gjeja, dhe lutem që të urdhëroni presbiterin e vendit të marrë perden që kam dërguar nga duart e Lexuesit, dhe që më pas të jepni udhëzime që perdet e llojeve të tjera—në kundërshtim me fenë tonë—të mos varen në asnjë kishë të Krishtit. Një njeri i drejtë si ju duhet të jetë i kujdesshëm për të hequr çdo rast ofendimi, të padenjë për Kishën e Krishtit dhe për ata të krishterë që janë në kujdesin tuaj.”