Martin Luteri mbi Festat e Shenjta

Martin Luteri

Martin Luteri mbi Festat e Shenjta

Përkthyer nga TrueCovenanter

 

Shënim i Përkthyesit:
Formula e Marrëveshjes (Konkordit) – është një dokument themelor konfesional luteran, i shkruar në vitin 1577, me synimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet doktrinore që kishin lindur ndërmjet luteranëve pas vdekjes së Martin Luterit (1546).
Adiafora – i referohet çështjeve që nuk janë thelbësore për besimin apo shpëtimin, dhe për këtë arsye nuk janë as të urdhëruara dhe as të ndaluara nga Shkrimi. Këto janë çështje për të cilat të krishterët mund të kenë mospajtime të ligjshme ose të ushtrojnë liri personale apo të kishës, me kusht që të mos shkelin ndërgjegjen dhe të mos kundërshtojnë të vërtetat themelore biblike.

Është e njohur mirë se shumica e Luteranëve gjithmonë kanë ruajtur si pjesë të shërbesës së tyre ndaj Perëndisë, si Ditën e Zotit të themeluar nga Krishti, ashtu edhe shumicën e “ditëve të shenjta” të rëndësishme të themeluara nga Papistët (Katolikët). Kjo praktikë është në kundërshtim me parimet e shpallura në Formulën e Marrëveshjes (Konkordit), e cila pohon:

Ne besojmë, mësojmë dhe rrëfejmë se, në kohë përndjekjeje, kur nga ne kërkohet një rrëfim i qartë [dhe i patundur], nuk duhet t’u nënshtrohemi armiqve lidhur me çështje të tilla të adiaforës, ashtu siç ka shkruar apostulli te Galatasve 5:1: “Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.” Gjithashtu 2 Korintasve 6:14: “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët… çfarë afrie ka drita me terrin?” Gjithashtu Galatasve 2:5: “Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacënuar te ju.” Sepse në raste të tilla nuk është më çështje e adiaforës, por e së vërtetës së ungjillit, e ruajtjes së lirisë së krishterë, dhe e mosmiratimit të idhujtarisë së hapur; gjithashtu edhe e parandalimit të skandalit për të dobëtit në besim [si duhet treguar kujdes që të mos miratohet hapur idhujtaria dhe të mos pengohen ata që janë të dobët në besim] për të cilat nuk kemi asgjë për të lëshuar, por duhet të rrëfejmë hapur dhe të vuajmë për këtë, gjithçka që Perëndia dërgon dhe gjithçka që Ai u lejon armiqve të Fjalës së Tij të na shkaktojnë.

 

Këtu, në pohimin e katërt të Epitomit në kapitullin 10, ne kemi një pohim të qartë se kur armiku i Ungjillit urdhëron një mbajtje si detyrë morale, mëkat nëse neglizhohet, i krishteri duhet të QËNDROJË I PATUNDUR në lirinë me të cilën Krishti e ka bërë të lirë, duke mbrojtur Lirinë e Tij të Krishterë përmes një kundërshtimi të hapur ndaj asaj praktike apo rrëfimi të imponuar nga armiqtë e Ungjillit. E sigurt është që i gjithë viti liturgjik, me Krishtlindjen, Pashkët (Ishtar), të Premten e Madhe, etj., përbën një zinxhir të madh idhujtarie dhe skllavërie, i imponuar jo nga ndonjë autoritet tjetër përveç atij të Antikrishtit. Nuk mund të thuhet që Luteranët i kremtojnë këto ditë pa treguar një respekt të caktuar për imponimet e Antikrishtit. Po të kremtohej ardhja e Krishtit në përputhje me Lirinë e Krishterë, edhe duke lënë mënjanë parimet presbiteriane të adhurimit, ajo ditë kremtimi së paku do të ishte caktuar në një ditë krejt tjetër nga ajo që është caktuar nga Roma. Po ashtu, ç’arsye mund të ketë për të kremtuar Ringjalljen e Krishtit në një ditë të veçantë të vitit, e aq më tepër në të njëjtën ditë me Papën, kur është e sigurt – dhe mësohet nga të gjithë Luteranët – që Dita e Zotit është caktuar për kremtimin javor të Ringjalljes së Krishtit? Nga këto mbajtje ne mund të dalim në përfundimin se, edhe pa marrë parasysh parimet Presbiteriane/Reformuara të Adhurimit, të cilat mohojnë që festa të tilla kishtare të mund të klasifikohen si çështje të adiaforës, parimet Luterane të paktën i dënojnë ditët e shenjta të Papës dhe kështu, dënojnë gjithashtu kremtimin e çdo feste në ato ditë të caktuara nga Papa – që të mos ndodhë që kremtimi i atyre ditëve të dështojë të shpallë qartë lirinë tonë nga ligjet e Antikrishtit dhe kështu të bëhet një dështim mëkatar dhe i turpshëm nga ana jonë për të qëndruar si të lirët e Krishtit. Për fat të keq, Luteranët nuk mund të thonë se “nuk i dhamë vend, as për një orë të vetme,” por për gati 500 vite i kanë dhënë vend Romës dhe kanë miratuar idhujtarinë e saj.

Megjithatë, Dr. Luteri, ishte një kundërshtar i fortë i idhujtarisë së Romës, përmes së cilës, me aq shumë rite të shpikura, ndërgjegjet ngatërroheshin dhe shtypeshin nga ligjet e njerëzve. Citimet e mëposhtme, të marra nga traktati i tij Për Veprat e Mira dhe letra Drejtuar Fisnikërisë së Krishterë të Kombit Gjerman, të dyja të shkruara në vitin 1520, tregojnë armiqësinë e tij të shenjtë ndaj festave të Romës.

Ky koment i parë është marrë nga traktati i tij Për Veprat e Mira dhe i referohet detyrimeve të urdhërimit të tretë — ose të dytit, sipas renditjes së Luteranëve dhe Papistëve. Këtu Luteri identifikon shkeljen e rëndë të atij urdhërimi: “Mos e përdor emrin e Zotit, Perëndisë tënd, kot,” që ndodh në të gjitha festat kur ato përdoren për qëllimin për të cilin pothuajse gjithmonë përdoren: dembelizëm, zbavitje, dhe mëkate të tjera që Luteri vetë i përmend. A nuk është e paperëndishme mënyra se si e gjithë bota përdor një ditë që supozohet të jetë caktuar për t’i shërbyer Perëndisë, për t’i shërbyer barkut të tyre dhe qejfeve të tyre, e të gjitha këto nën maskën e “shenjtërimit të ditës” dhe “përkujtimit të Jezusit”? Me të vërtetë, të krishterët, të paktën, duhet të kërkojnë heqjen e këtyre festave, përmes të cilave emri i Perëndisë përdoret për të thirrur një ditë zbavitjeje.

“Veprat e para të këtij Urdhërimi janë të dukshme dhe të jashtme, ato që zakonisht ne i quajmë adhurim, siç janë: shkuarja në meshë, lutja dhe dëgjimi i predikimit në ditët e shenjta. Të kuptuara në këtë mënyrë, ka shumë pak vepra në këtë Urdhërim; dhe këto, nëse nuk bëhen me siguri dhe me besim në hirin e Perëndisë, nuk janë asgjë, siç edhe u tha më sipër. Për këtë arsye, do të ishte një gjë e mirë po të kishte më pak ditë të shenjta për shenjtorët, pasi në kohët tona, veprat që bëhen në to janë në pjesën më të madhe më të këqija se ato të ditëve të zakonshme të punës, me përtaci, llupësi e dehje, bixhoz dhe vepra të tjera të këqija; dhe më pas, mesha dhe predikimi dëgjohen pa ndërtim shpirtëror dhe lutja thuhet pa besim.”

 

Së dyti, komenti i mëposhtëm, i marrë nga i njëjti burim. Këtu Luteri, duke diskutuar për urdhërimin e katërt (ose të tretin), ankohet sërish se TË GJITHA FESTAT E SHENJTA PËRVEÇ DITËS SË ZOTIT duhet të hiqen. Sepse caktimi i festave të shenjta thjesht u jep të gjithëve një justifikim për të lënë punën për një ditë, duke i lënë kështu të gjithë të humbasin kohën kot në përtaci, të cilën e keqpërdorin me shumë vese. Prandaj, të gjithë duhet të vihen në punë, për t’i larguar nga mëkatet, për t’iu dhënë më pak mundësi për të mëkatuar, dhe për të nxitur të mirën e shoqërisë, si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë të përkohshëm.

“XVII. E kuptuar shpirtërisht, ky Urdhërim ka një punë edhe më të lartë, e cila përfshin tërë natyrën e njeriut. Këtu duhet të dihet se në hebraisht “Shabat” do të thotë “pushim”, sepse në ditën e shtatë Perëndia pushoi dhe u ndal nga të gjitha veprat që kishte bërë. Zanafilla ii. Prandaj Ai urdhëroi gjithashtu që dita e shtatë të mbahej e shenjtë dhe që ne të pushonim nga veprat tona që i bëjmë në gjashtë ditët e tjera. Ky Shabat tani për ne është shndërruar në Ditën e Zotit, dhe ditët e tjera quhen ditë pune; Dita e Zotit quhet ditë pushimi, ditë feste ose ditë e shenjtë. Dhe do të dëshiroja që në Krishtërim të mos kishte asnjë festë përveç Ditës së Zotit; që festat e Shën Marisë dhe të Shënjtorëve të kaloheshin të gjitha në Ditën e Zotit; kështu shumë vese të këqija do të shuheshin përmes punës së ditëve të punës, dhe tokat nuk do të shkaterroheshin dhe varfëroheshin kaq shumë. Por tani ne jemi të munduar nga shumë festa, për shkatërrimin e shpirtrave, trupave dhe pasurisë; për këtë çështje, mund të thuhet shumë.”

 

Në këtë koment të tretë, Dr. Luteri, duke u ankuar për qeverisjen e degraduar të Kishës, pohon se nga rendi kishtar, ajo që ka mbetur është vetëm disa ditë agjerimi dhe festa, të cilat, sipas Luterit, “do të ishte më mirë të hiqeshin.” Po ashtu, në ditën tonë, “Krishterimi” për shumicën e njerëzve është bërë asgjë tjetër veçse një lodër e përbërë nga disa “ditë të shenjta,” të cilat përdoren si mundësi për të prostituar të vërtetën e Perëndisë për kënaqësitë e njerëzve, në mënyrë që t’i bëjnë ata të ndihen të krishterë dhe shpirtërorë, sikur të ishin të krishterë, sepse mbajtën disa ditë për të cilat Perëndia nuk ka thënë asgjë, duke kryer rite që Perëndia i ka dënuar. Ashtu si në kohën e Luterit, edhe në ditët tona, autoriteti shpirtëror dhe i përkohshëm do t’i shërbente më mirë Perëndisë duke hequr këto të ashtuquajtura festa dhe duke urdhëruar njerëzit të merren me të Vërtetën e Ungjillit dhe jo me shfaqjen e jashtme të ceremonive njerëzore.

“Tani, sa i përket kësaj vepre, gjërat janë gati më keq se sa për sa i përket së parës. Autoriteti shpirtëror duhet të ndëshkojë mëkatin me ndalimin dhe me ligje, dhe të detyrojë fëmijët e tij shpirtërorë të jenë të mirë, në mënyrë që ata të kenë arsye për të bërë këtë punë dhe për të ushtruar vetveten në bindje dhe nderim ndaj saj. Një zell i tillë nuk shihet tani; ata veprojnë me të nënshtruarit e tyre si ato nëna që i braktisin fëmijët e tyre dhe vrapojnë pas dashnorëve të tyre, siç thotë Hosea ii. Ata nuk predikojnë, ata nuk mësojnë, ata nuk pengojnë, ata nuk ndëshkojnë, dhe nuk ka asnjë qeverisje shpirtërore që ka mbetur në Krishtërim.”

 

“Çfarë mund të them për këtë punë? Disa ditë agjerimi dhe festa kanë mbetur, dhe këto do të ishte më mirë të hiqeshin. Por askush nuk e mendon këtë, dhe nuk ka mbetur asgjë përveç ndalimit për borxhin, dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Por autoriteti shpirtëror duhet të kujdeset që mëkati i kurorëshkeljes, shthurjes, kamatës, llupësisë, shfaqje të botës, zbukurimeve të tepruara dhe mëkateve të tjera të hapura dhe turpëruese të ndëshkohen ashpër dhe të korrigjohen; dhe ata duhet të menaxhojnë në mënyrë të duhur pasuritë, shtëpitë manastike, famullitë dhe shkollat, dhe të ruajnë me seriozitet adhurimin në to, të kujdesen për të rinjtë, djemtë dhe vajzat, në shkolla dhe klostrat, me burra të ditur dhe të devotshëm si mësues, që ata të stërviten mirë, dhe kështu njerëzit e moshuar të japin një shembull të mirë dhe Krishtërimi të mbushet dhe zbukurohet me të rinj të mirë. Kështu, Pali e mëson dishepullin e tij Titin, që ai të drejtojë dhe të udhëheqë siç duhet të gjitha shtresat, të rinjtë dhe të moshuarit, burrat dhe gratë. Por tani shkon në shkollë kushdo që dëshiron; ai mësohet nga kushdo që udhëheq dhe mëson veten; madje, fatkeqësisht! është arritur në një pikë që vendet ku duhej mësuar e mira kanë bërë shkolla mashtrimi, dhe askush nuk i shqetësohet për të rinjtë e papërmbajtur.”

 

Ky koment i katërt, i fundit që marr nga traktati i tij Për Veprat e Mira, Luteri dënon si hipokrizinë ashtu edhe kotësinë e praktikave fetare të kohës së tij. Shumë “zbukurime shpirtërore” mund të gjenden në festat e kota të urdhëruara nga njerëzit, por nuk ka asnjë vlerë shpirtërore ose dobi në to, pasi ato “nuk janë urdhëruar” nga Perëndia. Po ashtu, këto janë thjesht gjëra të tilla që bëhen nga disa nga njerëzit më profanë që kanë jetuar ndonjëherë. Te i njëjti vend ku mbizotërojnë festat, mbizotërojnë gjithashtu të gjitha veset e listuara nga Luteri më poshtë. Po, për sa i përket festave, shpesh ato do të bëhen në të njëjtin vend në të njëjtën ditë nga të njëjtit njerëz.

“II. Shikoni se si kjo punë e çmuar dhe e shkëlqyer është humbur mes të Krishterëve, sa që tani kudo mbizotëron vetëm grindja, lufta, përçmimi, inati, urrejtja, zilia, shpifja, mallkimi, lëndimi, hakmarrja dhe çdo lloj vepre dhe fjale të zemëruar; dhe megjithatë, me të gjitha këto, ne kemi shumë festa, dëgjojmë meshat, themi lutjet tona, krijojmë kisha, dhe më shumë zbukurime shpirtërore të tilla, të cilat Perëndia nuk i ka urdhëruar.”

 

Së pesti dhe së fundmi, këtë citim, të përmendur edhe në vepra të tjera të reformuara kundër festave, e citoj të plotë, që askush të mos më akuzojë për mungesë ndershmërie. Është marrë nga letra e Luterit “Drejtuar fisnikërisë së krishterë të kombit gjerman,” që edhe një herë tjetër thekson abuzimet e liga të festave, të cilat, duke mos pasur asnjë detyrim moral pas vetes, duhet më mirë të hiqen sesa të lejohen të vazhdojnë si raste për mëkat dhe përkushtim të verbër ose adhurim sipas vullnetit të vetes, i cili dënohet nga apostulli Pal në letrën e tij drejtuar Kolosianëve.

“18. Të gjitha festat duhet të hiqen, dhe vetëm Dita e Zotit të ruhet. Megjithatë, nëse do të dëshirohej të mbaheshin festat e Zonjës sonë dhe të shenjtorëve kryesorë, ato duhet të transferohen në Ditën e Zotit, ose të kremtohen vetëm me një meshë në mëngjes, pas së cilës pjesa tjetër e ditës duhet të jetë ditë pune. Ja arsyeja: meqenëse ditët e festave keqpërdoren për pirje, bixhoz, dembelizëm dhe çdo lloj mëkati, ne e zemërojmë më shumë Perëndinë në ditët e shenjta sesa në ditët e tjera. Gjërat janë përmbysur aq keq, sa që ditët e shenjta nuk janë të shenjta, por ditët e punës janë. Asnjë shërbim nuk i bëhet Perëndisë dhe shenjtorëve të Tij përmes kaq shumë ditëve të shenjtorëve. Përkundrazi, ata çnderohen; megjithëse disa prelatë të marrë mendojnë se kanë bërë një vepër të mirë nëse secili, duke ndjekur nxitjet e përkushtimit të vet të verbër, kremton një festë në nder të Shën Otilies apo Shën Barbarës. Por ata do të bënin diçka shumë më të mirë nëse do ta nderonin shenjtorin duke e kthyer ditën e tij në një ditë pune.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Rikthehu në Fillim të Faqes